NEWS 2016



15 / 12 / 2016

 

Te nderuar bashkeqytetare te Bashkise Klos. Diten e premte ne ora 12 te lokal "Fresku" behet degjesa publike per ndertimin e hidrocentraleve ne lumin Mat dhe perroin e Shkallës te organizuar nga Ministria e Mjedisit.

 

Ky moment eshte i nje rendesie jetike per zhvillimin afatgjate te Bashkise sone, ku do te ndikoje ne ardhmerine e metejshme te treves se Klosit.

 

Kerkoj nga ju bashkeqytetare e intelektuale te Bashkise Klos e Mat, te behemi pjese masive e kesaj degjese, duke dhene mendimet tona, sugjerimet e perbashketa, duke vene ne plan te pare interesat madhore te zhvillimit afatgjate te treves sone.

 

Une si perfaqesues i juaji do mbeshtes me force ate zgjedhje qe do beni ju bashkeqytetare te mi. Te jeni te bindur se cdo zgjedhje juaja, do te jete per mua, detyrim ligjor e moral i punes sime!

 

Me shume respekt,

 

Basir Çupa

 

Fotografi e marrë në profilin facebook të kryetarit të Bashkisë Klos, Zotit Basir Çupa
Fotografi e marrë në profilin facebook të kryetarit të Bashkisë Klos, Zotit Basir Çupa

14 / 12 / 2016

 

Dekorim i figurës së Pjetër Budit, nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, me datë 19 dhjetor 2016.

 

Ndërsa me 22 dhjetor në Muzeun Historik Kombëtar, mbahet Konferenca shkencore me rastin e 450 vjetorit të lindjes së autorit nga Guri i Bardhë, Mat.

 

Faleminderit profesor Behar Gjoka që e rikthyet Budin e Madh në vendin që meriton. 

 

Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit  Behar Gjoka
Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit Behar Gjoka

Gëzuar Festën e Pavarësisë !

28/11/1912 - 28/11/2016

 

Gëzuar ditën e pavarësisë mbarë popullit të Kombit Shqiptar !

 

Bonne fête nationale au peuple de la Nation Albanaise !

 

Happy Independence Day to all the people of Albanian Nation!

 


Ftesë për 450-vjetorin e lindjes së Pjetër Budit


26 / 10 / 2016

Ju kujtojmë së konferenca shkencore “Në 450-vjetorin e Pjetër Budit” zhvillohet me datë 22 dhjetor në Tiranë. Punimet e saj do të mbahen në dy seanca:

 

Seanca e parë nis nga ora 9:00 deri në 11:30. Më pas një pushim i shkurtër për të pirë kafe.

 

Seanca e dytë nis në orën 12:00 deri në 14 e 15, dhe pas kësaj dreka.

 

Për të hartuar programin e konferencës, ju kërkojmë që brenda datës 5 nëntor të dërgoni abstraktin, ose temën paraprake, që dëshironi të referoni. Dërgimi nga ana e pjesëmarrësve që kanë konfirmuar, por edhe të atyre që do të vendosin deri me datë 5 nëntor 2016, na ndihmon për të hartuar programin, por edhe për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve të kësaj konference.

 

Po ashtu, janë të mirëpritura sugjerimet për organizimin sa më mirë të konferencës.

 

Temën apo abstraktin e punimit tuaj mund t’i dërgoni në adresat e mëposhtme :

 

behargjoka@yahoo.com

qendrabudi@yahoo.com

ndreuhysni@yahoo.com

 

Njoftim.

 

Të gjitha kumtesat dhe punimet e konferencës do të botohen në numrin special të revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, bashkë me konkluzionet e arritura. Botimi do të realizohet brenda muajt janar të vitit 2017 dhe për secilin nga pjesëmarrësit do të ketë një kopje të revistës dhuratë.

 

Presim konfirmimin përfundimtar dhe temën paraprake për konferencën.

 

Ju falënderojmë për mirëkuptimin!

 


F T E S Ë : Muza Poetike Budiane


Më 9 korrik 2016, ditën e shtunë, ora 10.00, në Shtëpinë e Kulturës Burrel,

 

Qendra Kulturore e Bashkisë Mat, Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë, Klubi i Shkrimtarëve Mat organizojnë festivalin e poezisë “MUZA POETIKE BUDIANE” Mat 2016.

 

Marrin pjesë poetë matjanë e të ftuar, shkrimtarë, artistë, deputetë, drejtues të qeverisjes vendore, punonjës të arsimit dhe kulturës, media lokale, qytetarë matjanë, të rinj e të reja etj.

 

PROGRAMI:

 

1. Fjala e mirëseardhjes.

2. Përvojë mbi organizimin e festivaleve poetike gjithëkombëtare.

3. Konkurim i poetëve të festivalit me lexim poezish nga krijimtaria e tyre.

4. Vlerësim i jurisë për poetët konkurues me çmimin “Muza poetika budiane”, Mat 2016.

 


MUZA POETIKE BUDJANE, MAT 2016


25 Maj 2016

 

Ftesë,

 

Klubi i Shkrimtarëve Mat, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë, organizojnë takimin “MUZA POETIKE BUDJANE, MAT 2016”.

 

-         Vendi i zhvillimit: Burrel, Klos e Guri i Bardhë ;

-         Koha e realizimit: korrik 2016 ;

 

Ftohen poetët që të marrin pjesë dhe të konkurojnë me nga dy poezi, të reja ose dhe të botuara, për Çmimi special "Pjetër Budi" 2016 dhe letrarët e rinj të gjimnazeve po me nga dy poezi origjinale me motive budjane për Çmimi special i letrarëve të rinj "Pjetër Budi" 2016.

 

Poezitë të dorëzohen deri më 15 qershor 2016 në adresën e e-mailit: hamdi.hysuka1@gmail.com. Koha e zhvillimit dhe programi i detajuar do të njoftohen në vijim.

 

Nga : Hamdi Hysuka

 

 


Pjetër Budi


450 Vjetori (1566 – 2016)

Illustrimi fotos : Skicë që paraqet Pjetër Budin në lutje. Nga vepra "Paschyra e të rrëfyemit", Romë 1621 (Biblioteka e Vatikanit, Racc. Gen. Liturgia V. 35)
Illustrimi fotos : Skicë që paraqet Pjetër Budin në lutje. Nga vepra "Paschyra e të rrëfyemit", Romë 1621 (Biblioteka e Vatikanit, Racc. Gen. Liturgia V. 35)

Pjetër Budi lindi në Gur të Bardhë të Matit me 1566 nga një familje e dëgjuar dhe e vjetër. Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkëve të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587 u caktua meshtar dhe shërbeu si famullitar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe më vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Gjatë viteve 1516-1522 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. U mbyt në dhjetor të vitit 1622 duke kaluar Drinin. Ai është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi dhe u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të popullit tonë. 

---------------------------------------

I madhi zot, qofsh lëvduom

---------------------------------------

I madhi Zot, qofsh lëvduom

për gjithë kaqë të mirë

që së kam u' merituom

me ndoonjë shërbetyrë;

 

q.i. më dhee kaqë hijr

këtë kafshë me mbaruom,

si q paçë zanë fijll,

gjithëherë tue shkruom.

 

Posi mendja më përcijll

nd'Arbënë me ua dërguom,

për kishë e për munështjir

pak ndë mend me i trazuom.

 

Ata merrë mbë dëshijr

mkatit me u peenduom,

posi pemëtë ndë prijll

ndë shpijrt me lulëzuom;

 

e si zogzitë ndë pyyllt,

Zoti im me të lëvduom,

ndjerë vetë nata mbyyllt,

me një zaa t'amblëtuom.

 

 

 

-----------------------

O i pa fat njerii

-----------------------

 

O i pa fat njerii

Gjithe nde te keq harruom,

I dhane nde madheshti,

Nde mkat pshtielle e ngaterruom;

 

Ndo plak je, ndo j rii,

Perse s'shtie te kuituom,

I vobeg ndo zotenii

N ceije iee kriiuom?

 

Balte e dheu ce zii

E io ari ce kulluom,

As engjiishi ce tii

Ndo guri ce paacmuom;

 

Kaha te vien n dore tyy

Mbe te madh me u levduom

Nde sqime e nde madheshtii

Tinezot me kundreshtuom?

 

Lavdine tand te levduom,

Ti pa vene ree vete,

Ame cote idhenuom,

Kuur leve mbi kete jete,

 

Aty s'prune begatii,

As vistaar te levduom,

As urte a diekeqii,

As gure te paacmuom;

 

Aty s'prune madheshtii,

As dinje me ligjeruom,

As vertyt as trimenii,

As vetiu me ndihmuom;

 

Aty s'prune zotenii,

Kual te bukur as te cpeite,

As dinje e gjeni,

As te mirete as te keqte;

 

Po leve gjithe mendryem,

Ame n cote idhenuom,

Tue qaam mallenjyem,

Me nje zaa te helmuom...

 

 

 

-------------------------------

Madhështi e njerëzve

-------------------------------

Ku janë ata pleq bujarë,

që qenë përpara ne,

e ata trima sqimatarë,

të shpejtë si rrufe ?

 

Ku janë ata djelm të ri,

të bukur e të lulzuom,

që pate pamë me sy,

me ta folë e ligjëruom?

 

Ku janë ata zotëninj,

që dojin me zotënuom

ndë sqimë e ndë madhështi,

këte jatë tue shkuom?

 

Ku janë ata perandorë

gjithë shekulli nalcuom,

në krye me një kunorë

gurëshi cë paçëmuom?

 

Ku janë ata letërorë

t'urtë e dijes të ndëgjuom,

të bardhatë posi borë

letëra tue kënduom?

 

Ku janë ato gra e vasha

ndë sqimë e ndë madhështi,

me petëkat të mëndafshta

nalcuom mbë zotëni?

 

Gjithë mortja i rrëzoi,

sikur i pret me shpatë,

për të ri s'i shikoi,

 

as të vobegë, as të begatë.

 


450 vjetori i lindjes së Pjetër Budit, Takim në Gur të Bardhë dhe Klos të Matit


18 / 04 / 2016 

 

Bashkia Klos

Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” - Tiranë

Shoqata Historike Kulturore “Dilaver Kurti” - Mat

 

Ftesë

 

Z/Znj______________, në kuadrin e 23 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit, si dhe të përkujtimit të vitit të lindjes së Pjetër Budit, pra të 450 vjetorit, 1566-1622, në bashkinë e Klosit, oganizohen dy veprimtari:

 

A – Vizitë në shtëpinë e shkrimtarit, në Gur të Bardhë, ora 10 00, ku do të flitet për vlerat e shtëpisë monument kulture, vatrën që lindi Pjetër Budin, poetin dhe prozatorin e parë të letrave shqipe, do të ketë recitim nga poezitë e autorit.

 

B - Në ora 12 00, në një nga sallat e bibliotekës së qytetit Klos, mbahet Konferenca Përkujtimore:

 

“Figura dhe vepra patriotike, fetare dhe letrare e Pjetër Budit”

 

Në këtë veprimtari do të referojnë:

 

1 – Albert Frashëri

2 – Dorian Koçi

3 – Hysni Ndreu

4 – Behar Gjoka

5 – Aqif Ymeri

6 – Artan Kurti

7 – Hamdi Hysuka

8 – Adi Darsi

 

Po ashtu do të ketë edhe përshëndetje nga personalitet të ndryshme. Jeni të mirëseardhur!

 

Nga grupi organizator

 

Burimi : Behar Gjoka

 


"Penda Budi" 2015


Burimi : Revista Emathia
Burimi : Revista Emathia

VALLTARËT E VEGJËL POPULLORË


FOTO QKF MAT - Alfred Stafasani
FOTO QKF MAT - Alfred Stafasani

Qendra Kulturore e Fëmijëve, Mat – 19 Mars 2016

 

Më 19 mars 2016 në Pallatin e Kulturës Burrel u zhvillua veprimtaria kulturore “VALLTARËT E VEGJËL POPULLORË” (Takimi i dytë).

 

Kjo veprimtari, kushtuar trashëgimisë së valleve folklorike dhe kostumeve popullore të trevës së Matit, e iniciuar vitin e kaluar (2015) nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Mat, është përkrahur nga Zyra Arsimore Mat, duke e futur në programin e veprimtarive vjetore të shkollave 9-vjeçare të bashkive Mat dhe Klos, që janë në varësi të saj.

 

Takimi (i dytë) i këtij viti nisi me pritjen e valltareve dhe valltarëve e vegjël në Sheshin “Ahmet Zogu”, ku me kostumet e zonave të tyre vallëzuan së bashku, para godinës së Bashkisë Mat, duke dhënë emocione të paharrueshme për vetë fëmijët, prindërit dhe qytetarët e pranishëm.

 

Falë përkushtimit të drejtorive të shkollave dhe mësuesve të lëndës së Edukimit muzikor, fëmijët e ardhur nga tetëmbëdhjetë shkolla paraqitën në skenë vallet e bukura matjane që nga Ulëza e Uraka në Veri, deri në Gur të Bardhë e Xibër në Jug, që nga Lisi në Lindje e deri në Frankth në Perëndim të Luginës së Matit.

 

Takimi zgjati rreth dy orë ku fëmijët garuan në bazë shkolle jo vetëm për vallet, por edhe për paraqitjen me saktësi të kostumeve popullore të zonave nga vinin, pasi treva e Matit krahas unitetit krahinor etnokulturor, ka dhe veçori nënkrahinore që i bëjnë vallet dhe kostumet të disallojshme në pikpamje të tipeve dhe varianteve të tyre.

 

Juria e ngritur për të vlerësuar interpretimin e valltareve dhe valltarëve e përbërë nga Sokol Meta-koreograf (kryetar), Hamdi Hysuka-poet, Fatmir Leka-kompozitor, Xhevahire Osmani-kostumiere dhe Edmond Kola-punonjës në QKF Mat vlerësoi me çmim të parë valltaret e shkollës “Mustafa Gjestila” Burrel, me çmim të dytë valltaret e shkollave “31 Korriku” Burrel dhe “Abdyrrahman Përmeti” Lis, me çmim të tretë valltaret e shkollave “Ali Xhetani” Zenisht, Gurrë e Madhe dhe Gurrë e Vogël, e cila për mangësi të veprimeve nuk u deklarua në skenë, por nga numërimi i pikëve pas takimit, doli se ishte fituesja e tretë e vendit të tretë. Për kostumet u vlerësuan grupet e shkollave “Pjetër Budi” Gurë i Bardhë, “Shefqet Dali Kasdeda” Urakë, “Gani Sinani” Prell dhe “Ali Metra” Komësi, por nuk mund të ndahen dhe disa shkolla të tjera si e Xibrit dhe “Papa Gjon Pali II” Ulëz, të cilat përveç se ishin prurje të reja të këtij viti, kishin dhe kostume origjinale të zonave të tyre.

 

Në mbyllje aktivitetin e përshëndetën znj. Arjana Rami përgjegjëse e ZA Mat dhe z. Kasem Kola administrator i Njësisë Administrative Burrel.

 

“Valltarët e vegjël popullorë” ishte aktivitet i Zyrës Arsimore Mat dhe Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat dhe për këtë të gjithë vlerësimet që u shpërndanë u firmosën ngë znj. Arjana Rami përgjegjëse e ZA Mat dhe z. Artan Kurti drejtor i QKF Mat.

 

Duke vënë në plan të parë përgatitjen dhe përkushtimin e fëmijëve, ndihmesën që u kanë dhënë prindërit, mësuesit dhe drejtoritë e shkollave të tyre, duhet theksuar se koordinimi i këtij aktiviteti dhe mbarëvajtja e tij u realizua nga punonjësit e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat, ku Artan Kurti prezantoi grupet duke i shoqëruar me të dhëna etnografike, Mira Haxhiu dhe Lefter Ballabani u kujdesën pas kuintave për koordinimin e daljes se grupeve në skenë, Alfred Stafasani u kujdes për efektet skenike dhe memorizimin fotografik, ndërsa Ergys Meta (instruktor i jashtëm në QKF Mat) u kujdes me foninë dhe bazat muzikore të valleve. Ndihmesë në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti dhanë dhe punonjësit e Qendrës Kulturore të Bashkisë Mat Sokol Meta (drejtor), Fatmir Leka dhe Shkëlqim Farrici.

 

Fotot e këtij albumi u realizuan nga Alfred Stafasani.

 

 

Burimi : Qendra Kulturore e Fëmijëve, Mat

https://www.facebook.com/qendrakulturore.femijevemat/media_set?set=a.967637793318220.1073741874.100002160249943&type=3&pnref=story  

 


07 / 03 / 2016

7 Marsi – Festa e mësuesve

 

Mësuese dhe mësues të dashur të zonës së Klosit, Matit dhe të gjitha trojeve shqiptare, gëzuar 7 marsin. 

Burimi : Pashtriku
Burimi : Pashtriku

Princ Leka II : Në kohën e tim gjyshi parlamenti nuk kishte këtë gjuhë vulgare


Source  : President.al (http://president.al/?p=308&lang=en)
Source : President.al

12 / 01 / 2016

Nga Eva Gjura (Te Sheshi.com)

 

Ftesës sonë për një bashkëbisedim me të, Princ Leka II e pranoi me shumë kënaqësi. Me qetësinë që e karakterizon dhe maturinë që gjithmonë ka treguar, Princ Leka II iu përgjigj pa hezitim pyetjeve tona, duke treguar se ai  megjithëse është një Princ në një shtet që drejtohet nga Republika, di të komportohet shumë mirë me jetën normale ashtu si çdo qytetar i këtij vendi.

Gjatë bashkëbisedimit ai tregon se e nis ditën duke shfletuar gazetat, ndjek me vëmendje politikën e ditës, por edhe bashkëbisedon më qytetarë të ndryshëm, të cilët i drejtohen për probleme dhe halle nga më të ndryshmet.

 

Princ Leka II pranon se mungesa e prindërve ka lënë tek ai një dhimbje të madhe, por ai thekson faktin se ajo lehtësohet kur ke pranë vetes ngrohtësinë e njerëzve që i do dhe këtu nuk harron të theksojë rëndësinë që ka në jetën e tij Elia, e fejuara,  vajza e cila prej disa vitesh i ka rrëmbyer  zemrën dhe i qëndron në krah.

 

Gjatë bashkëbisedimit Princ Leka II na flet për babain e tij, Mbretin Leka, amanetin qe ai i ka lënë para së të vdiste, por edhe për figurën e gjyshit të tij Mbretit Zog, ku thekson se “nuk besoj të ketë ekzistuar ndonjë mbret që të mos “shahet”, veçanërisht në një shtet me një të kaluar gjysmëshekullore në regjimin totalitar komunist.

 

“Më trishtojnë jo sharjet, se sa shtrembërimi i fakteve për periudhën e Mbretërisë dhe Mbretit Zog, ku edhe sot historianë të tejpolitizuar vazhdojnë t’i shtrembërojnë apo anashkalojnë këto fakte, duke mos i shërbyer historisë, por ngjyrimeve politike ku bëjnë pjesë”.

 

Zhvillimet politike në vend ndiqen me interes nga Princ Leka II, për të cilat ia ka mjaft rezerva, pse jo edhe kritika.

 

E trishton gjuha vulgare në parlament dhe përgjithësisht në përplasjet mes palëve për të cilën thotë se nuk ezkistonte në kohën kur qeveriste gjyshi i tij, Mbreti Zog.

 

Bashën e quan politikan me vision perëndimor, Ramën e vlerëson si pasionant dhe me prirje për reforma të thella, por që nuk i pëlqen termi “Rilindje”….

 

 

Përshëndetje Princ Leka II! Faleminderit që pranuat ftesën tonë. Po e fillojmë këtë bashkëbisedim  duke u njohur me juve dhe përditshmërinë tuaj.  Cili është 24-orëshi  juaj në terma të përgjithshëm, përfshirë dhe marrëdhëniet e punës ?

 

E përditshmja ime nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm me atë të qytetarit të thjeshtë; është mëse normale siç edhe ka qenë deri në këtë periudhë kur kryeja funksione të ndryshme shtetërore, pavarësisht se ndryshon objekti i veprimtarisë. Steriotipi i zakonshëm fillon qysh me shfletimin e shtypit të përditshëm, nëpërmjet të cilit ndjek jetën dhe zhvillimet politike të vendit, njohjen me problemet dhe shqetësimet e njerëzve etj.  Padyshim që ndjek korrespondencën me shtetas të ndryshëm, të cilët më drejtohen për  probleme e shqetësime, si dhe me takime sipas një axhende me njerëz të thjeshtë që dëshirojnë të më takojnë, apo personalitete të trupit diplomatik me të cilët shkëmbejmë  vizita reciproke. Jo rrallë pres vizita të organizuara nga grupe të rinjsh, nxënës apo studentë, që duan të njohin  diçka më shumë për Familjen Mbretërore, veprimtarinë dhe jetën e Mbretit Zog dhe Mbretit Leka si dhe në përgjithësi për funksionimin e sistemeve monarkike në një pjese jo të vogël të  vendeve më të zhvilluara të Europës.

 

Brenda pak vitesh ju humbët të dy prindërit, por duket se  raporti që ju keni krijuar ka qenë aq i goditur sa për t’jua lehtësuar pak dhimbjen e të mbeturit vetëm. Është kështu?

 

Sigurisht që po, nuk është e lehtë që brenda një periudhe relativisht të shkurtër të humbësh gjyshen, nënën dhe babain dhe për më tepër në rastin tim kur fëmijërinë e kam kaluar jashtë Shqipërisë. Dhimbja ka qenë dhe është shumë e madhe, por gjithsesi, edhe pse e pazëvendësueshme kam gjetur ngrohtësinë e njerëzve që me rrethojnë, veçanërisht të atyre që e konsiderojnë Familjen Mbretërore si pjesë të pandarë të historisë së familjeve të tyre. Mbi të gjitha ndjej ngrohtësinë e njeriut tim të jetës,  Elias, me të cilën ndaj të gjithë gëzimet dhe shqetësimet; fati e deshi të gjej njeriun e duhur në kohën e duhur me të cilën ndjehem i lumtur.

 

Me cilin prej prindërve keni patur raporte më të afërta?

 

Nuk mund të rankohen anëtarët e familjes, pasi dashuria është unike, pavarësisht se shprehet në forma të ndryshme.  Kështu ndryshe e shpreh dashurinë gjyshja për nipin, nëna dhe babai për djalin dhe anasjelltas. Me babain kisha raporte më të “institucionalizuara”, me trajtonte që në fëmijëri si “më të madh”, duke më krijuar mundësinë në jo pak raste të dëgjoja edhe bisedat midis të rriturve, veçanërisht kur bëhej fjalë për historinë e popullit tim, për historinë e paraardhësve të familjes sime, qysh nga stërgjyshërit dhe kryesisht të Mbretit Zog. Ndërsa gjyshja dhe nëna më kanë kultivuar ndjenjën e dashurisë njerëzore, sjelljen dhe edukatën aq të domosdoshme kur përthithet me aq dashuri qysh në fëmijëri dhe bëhet pjesë e pandarë e trashëgimisë  familjare.

 

Kishit një baba aktiv sa kishte fuqi. Dhe deri diku person politik. Me ç’brengë iku nga kjo botë?

 

Babai im, Mbreti Leka, nuk ishte “deri diku” politik, por  totalisht politik, pasi gjithë jetën e tij ia përkushtoi Atdheut, por veprimtaria e tij politike pak ose aspak njihet nga shqiptarët që kanë jetuar brenda mureve të hekurta të regjimit komunist dhe kjo besoj se ishte e natyrshme. Madje në atë periudhe jo të shkurtër, regjimi totalitar diktatorial e etiketonte si  “armikun më të madh të sistemit socialit”, duke e renditur të parin në listën e të dënuarve me vdekje në mungesë.

 

Ndoshta, nëse ai regjim do të vazhdonte, vendin e tij në këtë listë të zezë do ta kisha unë.

 

Veprimtaria politike e babait tim kundër sistemit diktatorial u zhvillua jashtë kufijve, madje dhe në mënyrë institucionale. Mjafton të them se ai lëvizte në Europë, SHBA, Afrikë etj. Me të vetmen pasaportë që e mbajti gjithë  jetën dhe që quhej “Pasaporta e Mbretërisë Shqiptare”, pa u penguar nga asnjë shtet, përveç Shqipërisë në vitet e para të demokracisë kur shkeli për të parën herë tokën shqiptare…

 

Babai kishte marrëdhënie institucionale dhe shoqërore me një nga presidentët më aktive të SHBA lidhur me luftën kundër sistemit komunist, Reganin, si dhe me shumë personalitete politike të kohës. Deviza e tij si dhe e Familjes Mbretërore  ishte: “Atdheu mbi të gjitha”; pra gjithë jeta e tij përmblidhet mbi këtë aspiratë. Sigurisht, brenga e tij në ikejn nga kjo botë ishte se nuk mundi ta shohë një Shqipëri  siç edhe e ëndërronte, pasi vitet e fundit të jetës së tij, siç edhe tani, Shqipëria vazhdon të jetë në një periudhe tranzicioni të tejzgjatur, ende demokracia është e brishtë, e  pakonsoliduar, niveli  i mirëqënies së popullit është shumë larg vendeve të Europës, por gjithnjë, deri në fund të jetës ai shpresonte, dhe shpresa nuk iu shua kurrë, megjithë andrallat që e shoqëruan gjithë jetën.

 

Cilat ishin bisedat tuaja të fundit, për çfarë flisnit, çfarë e shqetësonte atë më shumë?

 

Bisedat tona, ato të karakterit politik, sigurisht ishin për Shqipërinë, për konsolidimin e shtetit demokratik. Sistemi monarkik, kërkon sot një shkallë të lartë të zhvillimit të demokracisë, siç  vazhdon në vendet më të zhvilluara të Europës, Britani, Suedi, Norvegji, Holande, etj. Në Shqipëri sistemi komunist e përbalti Mbretërinë aq, saqë edhe sot ende kanë mbetur rudimentet e tij që i tremb  termi  “Monarki” dhe vjellin vrer kundër Mbretit Zog. Kjo është mëse e kuptueshme për njerëzit që u indoktrinuan deri në palcë nga sistemi komunist dhe që këtë frymë ia përcjellin fëmijëve dhe nipërve të tyre, por sidoqoftë përsëri mbetet shpresa se Shqipëria do të zhvillohet në tërësi dhe bashkë me të edhe mentaliteti.

 

Të ka lënë ndonjë amanet?

 

Amaneti është mëse i kuptueshëm: të vazhdoj deri në fund të jetës, brez pas brezi trashëgimin e Familjes Mbretërore dhe devizën e saj “Atdheu mbi të gjitha”.

 

Ngjan sikur kohët e fundit para së të ndërronte jetë, sikur u mbyll në vetvete, nuk preferonte më të bënte deklarime publike. Ngjan sikur e kapi një zhgënjim i madh për çfarë gjeti në Shqipëri. Është kështu?

 

Gjendja shëndetësore sigurisht ndikoi në daljet publike, por kurrsesi nuk e humbi shpresën;  edhe pse në momente të caktuara njeriu zhgënjehet, por ai ishte i vetëdijshëm se këto lidheshin me shkallën e zhvillimit të demokracisë në vend, në fund të fundit politikanët janë produkt i kësaj shkalle zhvillimi të demokracisë. Monarkinë kushtetuese ai nuk e shihte si qëllim në vetvete, por si një aspiratë që do të ndikonte dhe përshpejtonte zhvillimet demokratike në vend.

 

Pati një kohë kur ju, edhe pse ju mungon statura e protagonizmit publik, u përfolët jo pak në media, sidomos për faktin se ndërsa aspironit për Monarki, punonit për Republikën, pra në Ministrinë e Jashtme, më pas në institucione të tjera. Si i përjetonit dhe realisht a ishit vërtet në një kundërthënie?

 

Së pari, të punosh për Republikën e vendit tënd nuk do të thotë  “të tradhtosh” Mbretërinë, për më tepër në një sistem demokratik. Të dyja këto janë forma sistemesh dhe është populli ai që i parapëlqen dhe vendos për njërën apo tjetrën.  Së dyti, edhe me miratimin e babait tim, unë si i ri që  isha dhe jam duhet të grumbulloja një përvojë pune institucionale aq të domosdoshme për funksionimin e shtetit, cilado qoftë forma e tij dhe mendoj se nuk kam bërë gabim, duke u njohur me problemet qysh nga Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, e deri tek Presidenca.

 

Ju vetë si pinjoll i Monarkisë, vazhdoni ta keni kauzë kthimin pra të Shqipërisë në një qeverisje monarkike, qoftë dhe thjesht ideale?

 

Sigurisht, kjo është kauza e Familjes Mbretërore brez pas brezi, por jo vetëm. Kjo kauzë është jo thjesht brenda Familjes, por në një pjesë të konsiderueshme të popullit shqiptar, siç  edhe u shpreh në Referendumin  popullor, megjithë manipulimet e bëra nga politika e atyre viteve. Nëse sot populli është i kënaqur nga politika e këtyre viteve është e drejta e tij të shijojë frytet e kësaj kënaqësie, në të kundërt është atribut i tij të kërkojë në kohën e duhur ndryshimin e formës së sistemit.

 

Jetoni në një vend ku gjyshi juaj nga një pjesë nderohet e nga një pjesë urrehet, ndërsa gjyshja vetëm nderohet. U dhemb kjo gjë dhe pse?

 

Historikisht nuk besoj të ketë ekzistuar ndonjë mbret që të mos “shahet”, veçanërisht në një  shtet me një të kaluar gjysmëshekullore në regjimin totalitar komunist, pra është mëse e natyrshme që protagonistët dhe pasuesit e  atij sistemi ta shajnë dhe do të vazhdojnë   ta shajnë Mbretin Zog. Megjithatë, më trishtojnë jo sharjet, se sa shtrembërimi i fakteve për periudhën e Mbretërisë dhe Mbretit Zog, ku edhe sot historianë të tejpolitizuar vazhdojnë t’i shtrembërojnë apo anashkalojnë këto fakte, duke mos i shërbyer historisë por ngjyrimeve politike ku bëjnë pjesë. Një pjesë të tyre edhe i justifikoj, sepse janë po ata që i shërbyen me zell historiografisë komuniste, megjithatë gjithnjë shpresoj se koha do të bëjë të vetën dhe brezat që do vijnë do të jenë më të paindoktrinuar nga ideologjia.

 

Ç’ju tërheq më shumë tek figura e gjyshit, Mbretit Zog ?

 

Figura e Mbretit Zog është komplekse dhe virtytet e tij nuk ishin të njëanshme. Mjafton të kujtojmë se në moshën 17-vjeçare ai komandonte me qindra shqiptarë në betejat kundër serbëve. Po në këtë moshë ai me ushtrinë e tij vajti në Vlorë për të firmosur aktin e Pavarësisë dhe iu bashkua Ismail Qemalit. Po në moshë fare të re ai u bë Ministër i Brendshëm dhe shumë i suksesshëm në atë periudhe kaotike të vendit tonë. Më pas ai u bë Kryeministër, nga më të rinjtë që njeh historia e Shqipërisë, President dhe Mbret. Besoj se të gjitha këto nuk ia dhuruan, por i fitoi me zotësi dhe mençuri. Është një nga njerëzit që i janë bërë më shumë atentate dhe tentativa për vrasje se çdo lideri në Europë e më gjerë, dhe përsëri nuk u mposht. Pra, trimëria, guximi, zgjuarsia, diplomacia dhe mbi të gjitha përkushtimi për të bërë shtetin shqiptar, për mua janë tiparet dalluese të tij, të cilat kam nderin t’i adhuroj si shqiptar dhe si nip i tij.  Se fundi, dhe kjo besoj se me lejohet si nip i Mbretit, adhuroj tek gjyshi edhe pamjen e tij të jashtme, burrërore dhe fisnike.

 

I ndjek me vëmendje zhvillimet politike dhe çfarë të bën më shumë përshtypje nga ajo që dëgjon dhe sheh?

 

I dëgjoj dhe shpesh mërzitem, veçanërisht nga gjuha që përdoret në Parlament, është një gjuhë vulgare që të trishton, përshtypje më të madhe më bën se pozita dhe opozita shihen jo si alternativa bashkëpunuese, por si armiq. Nuk besoj se në kohën e gjyshit tim në Parlament të flitej me një gjuhë të tillë. E njëjta situate është edhe në trevat e tjera shqiptare, ku mbizotëron përçarja dhe konfliktet, lufta për pushtet dhe jo përgjegjshmëria e duhur për çështjen kombëtare.

 

Nga trashëgimia ju takon të jeni me partinë e Legalitetit apo jo? Por a jeni integruar tek ajo apo tek ndonjë tjetër e djathtë, si tek PD-ja, meqë keni qenë dhe në stafin e Bashës ?

 

Familja Mbretërore nuk mund të jetë pjesë aktive e asnjë partie, aq më tepër pjesëtarët e saj. Ajo qëndron mbi partitë, pasi ndryshe nuk mund të përfaqësonte dhe të ishte simbol  i  unitetit kombëtar dhe mbarëkombëtar. Është specifike marrëdhënia me Partinë e Legalitetit, e cila ka në  platformën e saj vendosjen e Monarkisë. Sigurisht kjo lidhet me marrëdhënien që kemi ne si Familje Mbretërore, por jo më të qenët dhe pjesëmarrjen aktive në veprimtarinë e kësaj Partie.

 

Meqë jemi tek Basha, ç’konsideratë keni për të, diçka përshembull që shqiptarët nuk po e kapin dot si aftësi, virtyt, vizion ndoshta?

 

Për Bashën mund të flas jo si kryetar i Partisë Demokratike, sesa si një ish-Ministër i Punëve të  Jashtme apo Ministër i Punëve të Brendshme me të cilin kam patur fatin të punoj dhe ta njoh nga afër. Natyrisht që ai përfaqëson një brez  të ri me frymë perëndimore, me shumë kulturë dhe ambicie dhe mjaft i respektuar nga faktori ndërkombëtar.

 

Duke mbetur tek politika aktive, cili është vlerësimi juaj për qeverinë e drejtuar nga Rama, për Rilindjen pra?

 

Të jem i sinqertë nuk më pëlqen termi “Rilindje” pas rreth çerek shekulli në rrugën e demokracisë. Megjithatë është zgjedhja e çdo  partie politike të përcaktojë terminologjinë dhe propagadistikën e politikës së saj. Edhe tek Rama shoh një lider pasionant, që përpiqet  të bëjë reforma, që në shumë drejtime janë të domosdoshme aq sa dhe të dhimbshme, por edhe ai është pjesë e vorbullës së sharjeve dhe në  jo pak raste e brutalitetit në marrëdhënie me opozitën. Ai synon të bëhet reformator, por  reformator pa një mbështetje mbarëpopullore dhe bashkëpunim të frytshëm me të gjithë  faktorët në një sistem demokratik është e vështirë apo e pamundur të bëhesh.

 

Edhe pse jeni tip shoqëror, bëni një jetë paksa të tërhequr nga protagonizmi publik. E keni në tip, në karakter, apo është një zgjedhje me sforco e juaja  për të mos u bërë pis në ambientin shqiptar?

 

Mendoj se unë po ruaj pozicionin e Familjes Mbretërore, pa u përzier në politikën e ditës. Në realitetin shqiptar unë nuk mund të “rivalizoj” Presidentin e Republikës, apo Kryeministrin. Familja Mbretërore gëzon  një status të veçantë dhe përfaqëson unitetin mbarëkombëtar, kështu që edhe mesazhet që jep ajo i shërbejnë këtij qëllimi dhe kjo nuk kërkon të bëhet as me zhurmë e as me bujë. Mendoj se edhe shqiptarët, kudo që ndodhen i mirëkuptojnë këto mesazhe si dhe pozicionin aktual të Familjes Mbretërore.

 

Kemi një thënie fatale ne: “Nuk bëhet Shqipëria”…I shtojmë më pas dhe një: “me shqiptarë!” ju si thoni: bëhet apo nuk bëhet? Dhe nëse po, nga duhet nisur?

 

Nuk jam dakord që Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë, aq sa dhe vlerësoj kontributin që jep faktori ndërkombëtar në zhvillimin e demokracisë dhe shtetit shqiptar. Siç e përmenda disa herë në këtë intervistë, Familja Mbretërore gjithnjë ka shpresuar dhe kurrë nuk e humb shpresën për një Shqipëri më të mirë, madje shpresa shkon edhe më lart që në një të ardhme jo të largët të kemi një bashkim të kombit shqiptar, që është dhe aspirata e Familjes Mbretërore. Së pari mendoj duhet konsoliduar shteti ligjor, shpresoj që reforma e nisur në drejtësi të realizohet me sukses, gjë që do të rriste dinjitetin dhe besimin e shqiptarëve se Shqipëria do të bëhet nga vetë shqiptarët; padyshim kjo do të rriste edhe kredibilitetin e vendit tone në arenën ndërkombëtare dhe do të përshpejtonte hapat drejt familjes evropiane.

 

Duke u rikthyer pak tek jeta juaj private, ju tashmë jeni në një lidhje të konsoliduar, kur do të kemi një dasëm mbretërore?

 

Shpresojmë se së afërmi  do të bëhet dasma, por jo me aq pompozitet sa ju e imagjinoni. Ne jemi pjesë e problemeve të mbarë popullit tonë dhe nuk ka arsye të manifestojmë një dasëm “madhështore” në kontekstin në të cilën jetojmë.

 

Duke përfunduar, keni ndonjë mesazh që doni t’jua përcillni shqiptarëve?

 

 

Meqë jemi në ditët e para të këtij viti do t’i uroja mbarë popullit një vit më të mbarë, shëndet dhe begati në familje, politikës do t’i uroja më pak zënie, me pak zhurmë dhe më shumë punë. /tesheshi.com/

 


10 Perandoritë që “për pak” dominuan botën – by Bota.al


Montazhi i këtij dokumentari mjaft interesant është realizuar nga Behar Dani, djalë prej Darsi – Klosi – Mati. Bravo Behar dhe suksese të mëtejshme !

 

 

http://www.bota.al/2016/01/dokumentar-ja-perandorite-qe-per-pak-dominuan-te-gjithe-boten-video/

 

07 / 01 / 2016