News 2017


Ftesë nga Muzeu Historik Mat : « 31 Korrik 1943 – 2017 : Kryengritja Popullore e Matit »

Muzeu Historik Mat
Muzeu Historik Mat

Një ngjarje me rëndësi historike, data e fillimit të Kryengritjes Popullore Matjane, kryengritje kjo që zgjati deri me 28 Gusht 1943.

 

Në këtë kuadër Muzeu Historik Mat organizon më datë 31.07.2017 ora 9 e 30 aktivitet me këtë përmbajtje :

 

-Konferencë përkujtimore dhe homazhe pranë lapidarit kushtuar sulmit të garnizonit fashist italian dhe kryengritjes matjane.

 

-Videomontazh "Kryengritja Popullore Matjane"

 

-Ekspozitë fotografike nga Mati.

 

-Ekspozitë "Filatelia dhe numizmatika shqiptare"

 

Ju ftojmë të merrni pjesë!


56 vjet më parë, vdekja e Ahmet Zogut, Mbretit të shqiptarëve

Ahmet Zogu, Mbret i Shqiptarëve
Ahmet Zogu, Mbret i Shqiptarëve

Në spitalin Foch, Sorensen, Paris, Francë, vdiq mbreti Zog, 65 vjeç – pas shumë vitesh vuajtje nga sëmundja, pa e parë vendin e tij që prej ikjes më 8 prill 1939. Shtypi në Shqipëri heshti plotësisht.

 

Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtëzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën.

 

Zogu i kërkoi Geradinës t’i sillte një revole sepse nëse mjekët do t’i thonin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën. Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje.

 

Është kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468”.

 

Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.

 

Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencës së tij, kodi i vjetruar penal Osman u zëvendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduku banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata kthehesin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.

 

Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

 

Burimi : Hithra.al 

http://hithra.al/2017/04/09/56-vjet-me-pare-vdekja-e-ahmet-zogut-mbretit-te-shqiptareve/

Ahmet Zogu, Mbret i Shqiptarëve
Ahmet Zogu, Mbret i Shqiptarëve

Përkujtesë mbi themelimin e Qendrës Budi

© Behar Gjoka
© Behar Gjoka

Më 31 janar 2017 mbushen 2 vite nga themelimi i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”. Në këto dy vite janë zhvilluar një sërë veprimtarish, përkujtimesh, takimesh për libra dhe autorë të letërsisë shqipe dhe të huaj. Në kujtesë kanë mbetur tryezat për veprën letrare të Zejnullah Rrahmanit e Bajram Kosumit; paraqitjet e librave të Alketa Gashit, Griselda Dokës etj., si dhe konferencat që u organizuan për 90-vjetorin e Kasëm Trebeshinës dhe 450-vjetorin e Pjetër Budit. Kjo e fundit kulmoi edhe me dekorimin që Presidenti Bujar Nishani i bëri poetit Budi, me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Po ashtu, në këtë periudhë janë botuar 4 numra të revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, e cila që nga numri 3 është pajisur me ISSN. Është në proces botimi nr. 5 i kësaj reviste, i cili do të jetë numër special që i kushtohet figurës dhe veprës së Budit.

 

Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ishin në ceremoninë e themelimit të Qendrës Budi dhe që u bënë pjesë e udhëtimit tonë në shumicën e veprimtarive të saj. Falënderojmë veçanërisht shkrimtarët: Agim Gjakova, Zija Çela, Arian Leka, Viktor Canosinaj; shkrimtarin dhe studiuesin Nasho Jorgaqi; studiuesin Mark Tirta; filozofin Hysamedin Feraj; studiuesin Dorian Koçi; përkthyesin e kritikun Erion Kristo; poeten Ana Kove; drejtoreshën e shtëpisë botuese TOENA, znj. Irena Toçi; drejtorin e shtëpisë botuese UEGEN, z. Xhevahir Lleshi; analistin e poetin Aleksandër Çipa, bashkë me të birin; analistin Ilir Kalemaj; shkrimtarin e historianin Kolec Traboini, si dhe të gjithë përfaqësuesit e medieve të ndryshme, vizive e të shkruara.

 

Burimi : Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare "Pjetër Budi"

https://www.facebook.com/pg/qendrabudi/photos/?tab=album&album_id=1371119152919006

 


Një falenderim të madh për bashkëpunëtorët e mi në blog dhe për lexuesit që na ndjekin

2 Janar 2017

 

Vitin që lamë pas, pata nderin dhe kënaqësinë të promovoj disa prej jush, bashkëpunëtorë e miq matjanë. Sollëm për lexuesin tematika të shumëllojshme dhe cilësore në lidhje me pikturën, letërsinë (poezitë, fabulat, studimet letrare), historinë e gjeografinë, etj. Trajtuam çështje të shkuarës e të tashmes, duke menduar dhe për të ardhmen.

 

Kontributi juaj u mirëprit nga lexuesi ynë (matjan dhe jo vetëm), të cilit i jam mirënjohës dhe e falenderoj për mbështetjen.

 

Pa ju (bashkëpunëtorë e lexues), nuk ka kuptim kjo nismë, e cila, pavarësisht eksperiencës dhjetëvjeçare, është ende në fillimin e saj.

 

E përsëris se këtu nuk fitohet lek (gjithçka realizohet pa qëllime fitimprurëse) dhe kjo vlen edhe për 2017… këtu promovohen rrënjët tona… këtu promovohet krijimtaria e talenti… këtu ka vullnetarë… këtu nuk bëhen pazare… këtu nevojitet respekt ndaj njëri – tjetrit… këtu bashkëpunëtorët e pranishëm janë gjithmonë të mirëpritur… këtu mirëpriten bashkëpunëtorë të rinj matjanë ose që puna e tyre ka lidhje me Matin… këtu është thjeshtë, pak e sak…

 

Edhe një herë, faleminderit Adivije, Alba, Anila, Aqif, Arif, Artan, Avni, Behar, Buron, Emrie, Erina, Fatmir, Fitore, Hamdi, Mëhill, Sami, Sefedin, Sefer, Sulejman e Xhavit. - https://www.darsiani.com/krahina-e-matit/

 

Faleminderit i(e) nderuar lexues (e).

 

Po e mbyll duke uruar përzemërsisht që Viti i Ri 2017 të jetë sa më i mbarë për ju si nga ana profesionale dhe ajo personale.

 

Paqe e begati, shëndet e lumturi për ju dhe të afërmit tuaj.

 

Me respektin më të madh,

Aurenc Bebja