Debat politik – publik vetëm për votën ?



Aurenc Bebja, Francë - 24 Shkurt 2016

 

Politikanët shqiptarë kemi mundësinë që t’i takojmë për të debatuar gjatë fushatave elektorale të zgjedhjeve lokale ose parlamentare. Janë momente ku ndjejmë “ngrohtësinë dhe dashurinë” e tyre të pafundme. Na tregojnë se na dëgjojnë dhe dëshmojnë se na kuptojnë. Me ëmbëlsi, na lajkatojnë me programet e tyre politike, kryesisht titujt e pojekteve të tyre, se çfarë do të bëjnë për të zhvilluar vendin, por fatkeqësisht mungon gjithmonë transparenca se si do t’i realizojnë.

 

Fitojnë zgjedhjet, zënë postet e parashikuara, dhe papritmas fillojnë të aplikojnë në terren “projekte” pa konsultuar qytetarin - votuesin. Opinioni i qytetarit shqiptar, në jetën e përditshme, shpërfillet nga klasa politike drejtuese dhe së fundmi kjo vërtetohet qartësisht te pushteti i decentralizuar. Bashkia më e madhe e Shqipërisë, në parkun e liqenit të Tiranës, po aplikon në terren një projekt për të krijuar një hapësirë argëtuese për fëmijë pa i dhënë mundësinë qytetarit të debatojë se çfarë mendon.

 

Pushteti i decentralizuar është baza e demokracisë e lokale. Ai mundëson kontaktin me qytetarin, e konsideron atë dhe e bën pjesë të projekteve sipas zonave apo lagjeve ku ai jeton. Sot, pushtetarët shqiptarë mjaftojnë të publikojnë disa “vargje” dhe fotografi në rrjetet sociale mbi një projekt – temë dhe e quajnë çështje të mbyllur debatin publik.

 

Habitem nga ata/ato që janë në krye të këtyre projekteve dhe mbështetësit e tyre nga që mburren dhe i mburrin se janë me formim perëndimor, por e  dinë fare mirë se në perëndim për çdo projekt në hapësirat publike hapet debat publik, transparencë me qytetarin. As që është e imagjinueshme të fillosh punimet pa informuar banorët.

 

Për shembull, në pushtetin lokal francez, çdo projekt, pavarësisht madhësisë, rëndësisë së tij apo vlerës ekonomike që nevojit, nga momenti që në të përfshihet një pjesë e hapësirës publike, debati apo konsultimi i tij me qytetarin është i pa evitueshëm. Meqë jam gjetur në pozicionin teknik, politik dhe publik në administratën franceze do ju tregoj se si një çështjeje teknike minimale iu akordua një rëndësi politike maksimale.

 

Rasti më konkret kishte të bënte me pozicionimin e një stacioni (shtylle – tabele) autobuzi, ku në fakt banorët e një lagjeje nuk dëshironin ta kishin pranë hyrjeve të tyre për arsye të  frekuentimeve – zhurmave të udhëtarëve. Me ekipet teknike kishim gjetur dy opsione për t’a ripozicionuar duke e ditur që duhej marrë parasysh një distancë prej 300 metrash mes dy stacioneve, por asnjë opsion nuk u pëlqente banorëve edhe pse teknikisht ishte plotësisht e justifikueshme.

 

Banorët dëshironin që stacioni të vendosej jo shumë larg stacionit të radhës, në një zonë ku nuk i shqetësonte, por në fakt nuk rrespektohej më distanca e 300 metrave. Kështu, gjatë një kohe tre mujore pati një seri mbledhjesh e debatesh publike intensive, si në terren po ashtu edhe në sallat e bashkisë, ku përfshiheshin ekipet teknike, politike dhe qytetarët.

 

Në fund, edhe pse ekipet teknike kishin të drejtë, kryetari i bashkisë dëgjoj qytetarët dhe mori vendimin që stacioni i autobuzit do të vendosej aty ku banorët dëshironin. Justifikimi i kryetarit ishte : Banorët – qytetarët më kanë votuar dhe unë e kam për detyrë të dëgjoj ankesat e tyre dhe t’i respektoj. Pra, ky është fryti i debatit publik në demokracinë lokale perëndimore, ku zëri i qytetarit merret në konsideratë dhe ku një projekti minimal i akordohet e njëjta rëndësi e një projekti madhor.

 

Bashkisë së Tiranës i mungon transparenca përsa i përket projekt - ndërtimit të parkut të fëmijëve te liqeni i Tiranës dhe nuk është aspak e çuditshme që shoqëria civile, media, po ashtu edhe opozita reaguan.

 

Politikanët që tani gjenden në krye të bashkisë të mos harrojnë se debatonin me qytetarin për ti marrë votën gjatë muajve maj dhe qershor 2015. Ata/ato mund të vazhdojnë të njëjtin proçes debatimi edhe sot me projektet që mendojnë të realizojnë në hapsirat publike. Angazhimi i qytetarit në debatin publik është cilësor dhe bën që projektet të jenë më solide.

 

Burimi : DARS (KLOS), MAT - ALBANIA

http://www.darsiani.com/opinion/

 

Publikuar në :

 

Dritare.net :

http://dritare.net/2016/02/25/ja-si-do-te-zgjidhej-ne-france-ceshtja-parku-i-liqenit/

 

Gazeta Shqip :

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/02/25/debat-politik-publik-vetem-per-voten/

 

HashtagAlbania :

http://www.hashtagalbania.com/index.php/2016/02/24/dialogu-me-qyetaret-eshte-detyrim-dhe-domosdoshmeri/

 

Pamfleti :

http://pamfleti.com/debat-politik-publik-vetem-per-voten-nga-aurenc-bebja/

 

Botapress :

http://botapress.info/aurenc-bebja-debat-politik-publik-vetem-per-voten/

 

Tirana Observer :

http://www.tiranaobserver.al/debat-politik-publik-vetem-per-voten/

 

Gazeta Sot :

http://www.sot.com.al/opinion-editorial/ja-si-do-t%C3%AB-zgjidhej-n%C3%AB-franc%C3%AB-%C3%A7%C3%ABshtja-parku-i-liqenit

 

Shtetiweb :

http://shtetiweb.org/2016/02/25/debat-politik-publik-vetem-per-voten/