Vota e Diasporës së Republikës së Shqipërisë, a është e mundur ?



 

Shqipëria së bashku me Andorën, Armeninë, Maltën dhe San Marinon janë të vetmet vende anëtare të Këshillit të Europës ku Diaspora ende nuk voton, sipas një raporti të botuar në dhjetor 2014 nga ky Institucion.

 

 Aurenc BEBJA, Klara Buda Post - 02 / 09 / 2015

 

Artikulli në vijim, me një stil pyetjesh, trajton çështjen e votës së diasporës të Republikës së Shqipërisë. Gjatë fushatave të ndryshme elektorale të viteve të fundit klasa politike shqiptare u ka premtuar imigrantëve se vota e tyre do të mundësohet në vendet ku jetojnë dhe punojnë, por ky premtim ende nuk është bërë realitet.

 

Numri i lartë i popullsisë në diasporë, 1.400.000 shtetas , të ardhurat e konsiderueshme, qindra miliona euro, që ajo dërgon në vendlindje, eksperienca e demokracive të zhvilluara dhe studimet e ndryshme mbi ndikimin e kësaj vote në zhvillimin demokratik në vend, shtrojnë një pyetje thelbësore « A është e mundur vota e Diasporës Shqiptare ? ».

 

Në përpjekje për t’ju përgjigjur kësaj pyetje lindin një numër pyetjesh të tjera :

 

 A është e/i mundur :

 

 - që tu premtosh shqiptarëve të diasporës mundësinë e votës kur ndodhesh në opozitë në zgjedhjet parlamentare të 2009, pastaj në pozitë në zgjedhjet parlamentare të 2013, dhe kur ndodhesh prapë në pozitë në zgjedhjet lokale të 2015 ?

 

- që kryeministri i vendit tu kërkojë shqiptarëve të diasporës të nxitin vendasit të votojnë me anë të një statuti të publikuar në profilin e tij në një rrjet social ?

 

 - që një koalicion politik të parfaqësojë mazhorancën e pushtetit lokal, në një shtet të banuar nga 2.893.005 shqiptarëpor me 3.372.471 votues të regjistruar në listat elektorale, ku vetëm 1.613.054 morën pjesë në votime, dhe ku vetëm 840.180 votuan për këtë koalicion, ose ¼ e popullsisë të regjistruar në lista ?

 

 - që abstenimi i lartë (52.15% sipas KQZ-së) në zgjedhjet e fundit lokale të 2015 të jetë një formë pakënaqësie ndaj politikës shqiptare apo pamundësie e diasporës për tu rikthyer në vendlindje për të votuar ?

 

 - që në listen e 1.759.417 shqiptarëve që nuk votuan të jenë dhe emrat e imigrantëve ?

 

 - që një opozitë (2013 - 2015), dikur në pozitë (2005 - 2013) të heshtë ndaj votës së diasporës ?

 

 - që mungesa e votës së diasporës nuk vë aspak në dyshim demokracinë lokale, që nuk forcon pushtetin oligark të klasës politike, apo nuk influencon përhapjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të korrupsionit ?

 

 - që vota e diasporës do të krijojë nevojën për rinovimin e politikanëve shqiptarë, gjë e cila do të mund të kontribuojë në ndryshimin e imazhit të politikës në shkallë lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare ?

 

 - modifikimi i nenit 45, të pikës 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë apo i nenit 3, të pikës 3 të Kodit Zgjedhor për sigurimin e votës së diasporës ?

 

 - mundësimi i votës së diasporës për shembull në shtetet perëndimore si Franca apo Gjermania ?

 

 - votimi në ambasadat dhe konsullatat shqiptare në botë, ashtu siç ndodhi për zgjedhjet parlamentare të prill 2014 në Maqedoni, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershor 2014 në Kosovë, për zgjedhjet prezidenciale të nëntorit 2014 në Rumani, apo për zgjedhjet legjislative të majit 2015 në Turqi.

 

 - që shoqatat shqiptare në botë (një pjesë e tyre të ndjekura nga mijëra e mijëra shqiptarë në rrjetet sociale) të luajnë një rol mediatori ndaj mërgatës shqiptare duke e informuar atë se si dhe ku mund të votohet në diasporë ?

 

Në përfundim, çështja e votës imigrante të shqiptarve të Shqipërisë, në shtetet ku jetojnë dhe punojnë, mbetet ende një dosje e hapur, dhe realisht e papërfunduar. Ndërmjet bashkëpunimit të aktorëve të ndryshëm që numëruam më lart, imigrantëve shqiptarë mund tu realizohet mundësia e votimit në distancë që në zgjedhjet parlamentare të 2017, por kjo do të varet nga vullneti i klasës politike shqiptare, ose edhe nga vetë reagimi i diasporës ndaj kësaj teme.

 

Prejardhje (Source) : Klara Buda Post

http://klarabudapost.com/sq/vota-e-diaspores-se-republikes-se-shqiperise-a-eshte-e-mundur/#.Vg6pZTahfIU

 

 

Publikuar (Publié) nga :

 

Dielli :

http://gazetadielli.com/vota-e-diaspores-se-republikes-se-shqiperise-a-eshte-e-mundur/

 

Bota Sot :

http://botasot.info/opinione/456722/vota-e-diaspores-se-republikes-se-shqiperise-a-eshte-e-mundur/

 

Koha Jonë :

http://www.kohajone.com/index.php/opinione-dhe-komente/vota-e-diaspores-se-shqiperise-a-eshte-e-mundur

 

Respublica :

http://www.respublica.al/2015/10/01/%C3%ABsht%C3%AB-e-mundur-vota-e-diaspor%C3%ABs

 

Gazeta Ora :

http://gazetaora.com/vota-e-diaspores-se-republikes-se-shqiperise-a-eshte-e-mundur/

 

Tribuna Shqiptare :

http://tribunashqiptare.net/?p=29759