Kauza e zgjedhjeve të lira


Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit
Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit

Nga Behar Gjoka, Tiranë – 8 Mars 2017

 

Skena politike dhe shoqërore e Shqipërisë, prej dy javësh, ka hyrë në një fazë të re, sa interesante si shfaqje, po kaq absurde në kohën e mungesës së komunikimit midis palëve, kur mendon se 18 qershori, dita e zgjedhjeve po afron.

 

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, në protestën e 18 shkurtit, e në vijim gjatë kësaj kohe, ka prezantuar përpara opinionit publik, sfidën për zgjedhje të lira, që tashmë ka kapërcyer edhe vetë atë si mëtonjës i radhës për të marrë pushtetin. Ma do mendja, që askush në skenën politike, brenda dhe jashtë vendit, nuk ka gjasa që të dalë kundër natyrës së protestës, e sidomos t’i kundërvihet kauzës për zgjedhje të lira dhe demokratike.

 

Faktori ndërkomëbtar, pavarësisht rezervave për kohën, mënyrën e realizimit të protestës së zgjatur, e sidomos të bojkotit të paralamentit, na asnjë rast nuk është shprehur kundër betejës së opozitës, që në fakt është një akt që përfshin gjithë spektrin politik dhe vetë qytetarin, për zgjedhje të lira.

 

Faktori politik, brenda vendit, në të gjithë harkun e vet, pavarësisht nënteksteve dhe pohimeve, nuk ka guxuar që të dalë kundër mesazhit për zgjedhje të lira. Ndërkaq, vështruar më në thellësi, të realitetit absurd, që ka ngritur politika, me pështjellimet e këtyre moteve, pala më e interesuar për zgjedhje të lira, është qytetari shqiptar, i majtë apo i djathtë, në jug dhe veri, në mal apo fushë.

 

Zgjedhjet e lira, përpos të tjerash, në sistemin demokratik, janë një shans për ta çliruar pushtetin dhe shtetin, nga krimi dhe korrupsioni, nga partitizmi dhe militantizmi, tepër i ashpër politik, që me zgjatimin e vetë në vitet e tranzicionit paradoksal, po e bren demokracinë shqiptare, dhe po e lë në pelenat e brishta, të foshnjërisë demokratike.

 

Për të kuptuar sadopak, amullinë ku ka hyrë demokracia, po prej këtyre partive, që sërish mëtojnë pushtetin, vlen të sillet në vëmendje ky pohim: “Dëshiron ta njohësh karakterin e njeriut, jepi pushtet.” i Abraham Linkoln, për të kuptuar vonesat dhe mbrapështitë qe kemi përjetuar.

 

Partitizmi skajor, shpesh herë ndez djajtë e dallimeve fetare dhe krahinore, të cilat janë ngjyrat përplotësuese të diversitetit demokratik. Nga ana tjetër, nëse keqpërdoren, janë mina me sahat, për të minuar dhe zbehur unitetin kombëtar, dhe për të mbjellur në mes tonë shkatërrimin.

 

Pra, zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë në dobi dhe një nevojë për gjithë shqiptarët, varësisht bindjeve, besimit dhe vendit, dhe publikisht nuk janë kontestuar, as nga militantët më të zjarrtë. Megjithatë, kauza e zgjedhjeve të lira, përplaset me realitetin absurd, endur nëpër gjithë këto vite, nga të gjithë faktorët e interesuar për të patur më në fund noramlitet zgjedhor.

 

Faktori ndërkombëtar, me gjithë rolin e madh ndihmues, të dhënë ndaj demokracisë dhe zgjedhjeve të lira, sidomos me formulat gjysmake, të dhëna enkas për Shqipërinë, për zgjedhje të pranueshme, më të mira së të mëparshmet, më të mirat e të gjitha kohërave, ndonëse nuk kanë përmbushur standardet e zgjedhjeve të lira, të ligjshme dhe demokratike, me dashje dhe padashje, është pjesë e absurditetit të normalitetit anormal të zgjedhjeve shqiptare.

 

Faktori politik shqiptar, i majtë dhe i djathtë, së paku po të nisesh nga programet e shpallura, jo pak i vetëdijshëm për kompleksin e dhunimit të votës së lirë, ku nëse maten me standardet demokratike, kush më shumë e kush më pak, nuk shpëton nga fajësia e tallavasë zgjedhore të endur në këto vite.

 

Politika shqiptare, pushtuar nga kriza e thellë e besimit, ku të gjithë janë kundër të gjithëve, kauzës së zgjedhjeve të lira, në emër të saj, më shumë i vë mure dhe stërkëmbsha. Absudriteti, në rastin e politikës shqiptare, ndryshe nga vendet e tjera, vjen e zmadhohet, kur mendon se ndryshimi kërkohet nga brenda sistemit politik. Klasa politike, gjatë kësaj periudhe, zgjedhjet e lira, nga të shenjta, i ka zbritur në nivelin më të ultë të mundshëm, sa të maten si një send që shitet dhe blihet, ose më liksht, si një “mall” i veçantë ose droga vdekjeprurëse, që blen fshatrat e qytetet.

 

Me shumë mundësi, krahas faktorëve të tjerë, rrethana e zgjedhjeve, jo të lira dhe me standarde, që sjellin pak zgjidhje të problematikave ekonomike dhe shoqërore, buron nga demokracia atipike shqiptare, e cila erdhi nga dëshira për liri, nga poshtë, por mjerisht u formalizua nga lartë, nga skutat e sistemit monist, të hienave që projektuan demokraturën.

 

Pasojë e demokracisë atipike, sistemi demokratik, që ka shembur sistemin e djeshëm, por në jo pak elementë, ka ruajtuar mendësinë e përjashtimit, në rrethanat e sistemit të ri, kemi një sistemi politik të mbyllur, më së shumti. Jashtë sistemit të politikës aktuale, të majtë, të qendrës apo të djathtë, nuk ka mundësi të lëvizi asgjë. As zogjtë e malit nuk lëvizin dot.

 

Bashkëlidhja e kauzës së votës së lirë, për shkak të besimit zero, ndërmjet palëve, ndikon ca më shumë, për ta thelluar humnerën e mosbesimit të aktorëve kryesorë të skenës politike. Basha, lideri aktual i PD, varësisht mungesës së besimit te pala qeverisëse, kauzën e votës së lirë, e ka pranvënë me qeverinë teknike dhe me bojkotin e parlamentit.

 

Për qeverinë teknike, në varësi të drojës së zgjedhjet janë të rrezikuara të blihen, gjithnjë simbas deklarimeve të bëra në çadrën e protestës, prej drogës, krimit dhe mungesës së reformës zgjedhore, ka unifikim të opozitës dhe të qytetarëve. Nga ana tjetër, përsa i përket bojkotit të parlamentit, edhe pse forumet e PD, e kanë vendosur, eksponent të rëndësishëm dhe deputetë të kësaj partie, si Berisha, Topalli, Bregu, e ndonjë tjetër, janë kundër, madje duke shpjeguar shkaqet e kunndërshtisë.

 

Kjo kakofoni, e ligjërimit të ndryshëm, të faktorëve politik të PD, gati i jep pamjen e një partie me tri koka (loja me letra bëhet me dy koka), gjë që në fakt po faktorizon Bashën si liderin e saj. Përballë protestës së opozitës, por edhe kauzës së votës së lirë, shumica qeverisëse dhe paralementare, ka vënë si prioritet Vetingun, megjithë nuancat qe vihen re midis aleatëve kryesorë, PS dhe LSI.

 

Ndërkaq, vetingu si proces, që përfaqëson një pjesë jetike të Reformës në Drejtësi, e cila në korrik të vitit 2016, mori të 140 votat e deputetëve shqiptarë. Këto ditë, prej rrethanës së krijuar, detyra paralamentare e ngritjes së komisioneve që e mundësojnë procesin, zbriti në rrugë, me çadra më të vogla, si një dëshmi se jemi këtu, për të sfiduar çadrën përballë kryeministrisë, ku përmes nismës së OJF, pranë shumicës qeverisëse, nisi firmosja e një procesi referendar për të vënë në jetë zbatimin vetingun.

 

 Kushtësimi i zgjedhjeve, me firmat e marra në rrugë, për vetingun, apo me qeveri teknike, e cila si fillim, kushtëzohet nga kriza parlamentare, vetëm sa e ka thelluar distancën e mosbesimit dhe të moskuptimit ndërmjet palëve. Pavarësisht pranisë së jo pak absurdeve, institucionale apo jashtë tyre, kauza e zgjedhjeve të lira është jetike për demorkacinë shqiptare dhe për shtetin ligjor.

 

Me qeveri tekinke apo pa të, me veting të anësuar apo të një kompormisi të gjerë, kauza e zgjedhjeve të lira nuk mundet të lihet në udhëkryq. Me Bashën që ka hedhur dorashkën e zgjedhjeve të lira, apo pa Bashën, me Ramën në koalicion me Metën, ose secili me vete, duhet të marrë fund tragjikomedia e zgjedhjeve pa standarde.

 

Zgjedhjet e lira, janë provë për politikën shqiptare, por janë prova e zjarrit për shumicën parlamentare dhe qeverisëse, që kanë shansin e fundit, si sistem politik i mbyllur, për të krijuar situatën e noramlitetit zgjedhor.

 

Zgjedhjet e 18 qershorit, janë afër, janë te dera, për të shfrytëzuar kohën e mbetur, për të hedhur urat e komunikimit, për të realizuar zgjedhje të lira dhe demokratike.

 

Nëse duan t’i bëjnë si zakonisht, dhe të marrin bekimin e ndërkombëtarëve, si të pranueshme, jemi në kohë, por qytetari, në këtë situatë konfliktualiteti, nuk është i lirë për të votuar, nuk mundësohet që vota të jetë e lirë, edhe kur numërohet.

 

Në këtë klimë mosbesimi, krizë të thellë, politike, ekonomike, morale, vjen si një dritë në terr porosia e Ajnshtajnit, kur thoshte: « Kriza është bekimi më i madh për njerëzit dhe kombet, sepse kriza sjell progres zhvillim… »

 

 

© Behar Gjoka

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania