Le Radical (1926) / “Franca duhet të angazhohet më shumë në Shqipëri...” — Intervista në hotelin Molière (Paris) me Imzot Visarion Xhuvani, ish-senator, ish-deputet dhe ish-drejtor i gazetës “Skënderbeu”


Visarion Xhuvani (1890 – 1965) — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Visarion Xhuvani (1890 – 1965) — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Mars 2024

 

“Le Radical” ka botuar, të mërkurën e 3 marsit 1926, në ballinë dhe faqe n°2, intervistën ekskluzive me Imzot Visarion Xhuvanin në Paris mbi angazhimin asokohe të Francës në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Çështjet ballkanike

Franca në Shqipëri 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Imzot Visarion Xhuvani, peshkop, ish-senator, ish-deputet dhe ish-drejtor i gazetës “Skënderbeu”, i cili gjendet aktualisht në Paris, na priti në rrugën Molière, në hotelin Molière, ku po qëndron dhe ndaj pyetjeve tona bëri deklaratat në vijim mbi situatën në vendin e tij :

 

Për nga pozita e saj gjeografike dhe toka e pasur, Shqipëria ka qenë gjithmonë një qendër tërheqëse për shtetet fqinje.

 

Nën dominimin turk, ajo ishte në një farë mënyre fushëbeteja e konkurrencës reciproke austro-italiane.

 

Që kur kemi ekzistuar si komb i pavarur, vendi ynë ka luftuar me vështirësitë që çdo shtet i ri duhet të kapërcejë në fillimet e tij, për të konsoliduar ekzistencën e tij. Duan të na ndihmojnë dhe na ndihmojnë, por patriotët e vërtetë shqiptarë ndjejnë njëfarë shqetësimi duke vënë re mungesën e Francës që ne e duam dhe pjesëmarrja e së cilës do të ishte garancia më e mirë për sigurinë e ekzistencës sonë si një komb vërtet i pavarur. E shihni, një kompani angleze ka koncesionin ekskluziv për shfrytëzimin e naftës tek ne. Për sa i përket Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ajo është formuar, në pjesën më të madhe, me kapital të kompanive italiane, i cili ka përparësi për çdo angazhim industrial dhe të punëve publike në vend. Oficerët italianë kujdesen për organizimin dhe stërvitjen e ushtrisë, ndërsa anglezët për xhandarmërinë.

 

Megjithatë, do të kishim dashur shumë që oficerët francezë të ishin instruktorë për ushtrinë dhe xhandarmërinë tonë. Ata janë gjithashtu në Poloni, Çekosllovaki dhe vende të tjera. Do të dëshironim gjithashtu ta shihnim Francën më aktive në jetën ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë. Vendi im do të fitonte shumë dhe po ashtu edhe Franca. Duke marrë pjesë në punët e vendit tim, Franca do t’i shërbente jo vetëm interesave të saj dhe të Shqipërisë, por edhe kauzës së paqes në Ballkan.

 

Kapitali francez do të gjente një investim të shkëlqyeshëm në Shqipëri, ku ka shumë gjëra për të bërë: të ndërtojë rrugë, hekurudha, të zhvillojë portet, pa përmendur shfrytëzimin e pasurisë minerale dhe pyjore.

 

Askush nuk mund të parashikojë me siguri se konfliktet mes popujve nuk do të ndodhin më kurrë. Kjo është arsyeja pse do të ishte në interesin e Francës që të interesohej më shumë për punët e vendit tim.

 

Mjafton të kujtojmë ngjarjet e luftës për të kuptuar rëndësinë e pozitës gjeografike të Shqipërisë dhe rolin që mund të luante në një ngjarje të tillë.

 

Organizimi i brendshëm po konsolidohet; Çështjet fetare janë krejtësisht të përjashtuara nga jeta politike dhe nuk ngrenë ndonjë divergjencë mes shqiptarëve katolikë, myslimanë dhe ortodoksë, të cilët janë mbi të gjitha shqiptarë dhe synojnë të jetojnë si vëllezër në shtetin e tyre kombëtar dhe të pavarur. Organizimi fetar i myslimanëve dhe katolikëve është mjaft i mirë. Fatkeqësisht, organizimi i kishës autoqefale shqiptare lë ende shumë për të dëshiruar. Por, shpresojmë që edhe ajo të zgjidhet për nder të ortodoksisë kombëtare shqiptare.

 

Përfaqësuesi francez në Shqipëri me aktivitetin e tij ka fituar vërtet të gjitha simpatitë dhe vlerësimin e shqiptarëve. Por, besoj se ai do të kishte sukses edhe më mirë në interesin e përbashkët të dy vendeve, nëse do të kishte të njëjtët tituj dhe atribute diplomatike si kolegët e tij nga kombet e mëdha dhe të vogla mike dhe aleate të Francës, të cilët përfaqësohen atje nga ministra të plotfuqishëm.

 

Pas zgjidhjes së çështjeve më të rëndësishme me popujt fqinjë, shqiptarët dëshirojnë të jetojnë në paqe me ta dhe të bashkëpunojnë sinqerisht në konsolidimin e gjendjes së punëve në Ballkan në përputhje me parimin “Ballkani për popujt e Ballkanit”.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-radical-1926-franca-duhet-te-angazhohet-me-shume-ne-shqiperi-intervista-ne-hotelin-moliere-paris-me-imzot-visarion-xhuvani-ish-senator-ish-deputet-dhe-ish-drejtor-i-gazetes-skenderbeu/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://gazetadielli.com/le-radical-1926-franca-duhet-te-angazhohet-me-shume-ne-shqiperi-intervista-ne-hotelin-moliere-paris-me-imzot-visarion-xhuvani-ish-senator-ish-deputet-dhe-ish-dre/

 

https://diasporashqiptare.al/2024/03/30/1926-le-radicalfranca-duhet-te-angazhohet-me-shume-ne-shqiperi/

 

https://opinion.al/1926-intervista-ne-hotelin-moliere-me-visarion-xhuvanin-ish-senator-dhe-ish-drejtor-i-gazetes-skenderbeu/