Mati i viteve 70 në dy shkrime-reportazh të revistës Ylli



Avni Dani, Tiranë – 30 Qershor 2018

 

Thellësisht të ideologjizuara, të mbushura me plot pasaktësi e shtrembërime të qëllimshme, por në të njëtën kohë edhe me informacione që vlejnë. Ky mund të jetë një përshkrim i shpejtë i dy artikujve të botuar në revistën Ylli, të cilët i kushtohen specifikisht rrethit të Matit.

 

Revista Ylli ka qenë njëra prej mediave më kryesore propagandistike e kohës. Në kushtet e mungesës së televizioneve, në atë kohë përmes saj, dhe fotove që botoheshin aty, përcilleshin zhvillimet më të rëndësishme në vend. Por në të njëtën kohë nëpërmjet kësaj reviste, drejtuesit e kohës kanë paraprirë edhe zhvillimet e mëvonshme, siç tregojnë edhe shkrimet reportazhe për Matin. Pra në këtë kuptim revista ishte jo vetëm një mjet propagandistik por edhe një media që “përpunonte publikun”. Togfjalëshin e fundit shumë mirë mund ta lexojmë edhe “shpërlante trurin e publikut”.

 

Dy shkrimet e mëposhtme janë reportazhe sipas modelit të asaj kohe. Ata janë publikuar përkatësisht në vitet 1969 dhe 1970. Duke lënë mënjanë karakterin thellësisht të ideologjizuar të tyre, vlen të theksohet se ata sjellin një atmosferë dhe informacion për atë kohë. Ndër dy shkrimet më i plotë është reportazhi i parë i botuar në vitin 1969, ndërsa i dyti, ngjan si një kopje e të parit, ai duket më i sforcuar dhe ka shumë mundësi që të ketë qenë i porositur për një rast të veçantë. Kjo për faktin se i vetmi informacion i ri që ai sjell është ndërtimi i Pallatit të Kulturës në Burrel. Madje revista në atë numër ka si kopertinë pikërisht atë ndërtesë. Kjo ishte një gjë e rrallë, pasi ishte koha kur nga Mati të vetmet foto që qarkullonin ishin ata të hidrocentraleve dhe pothuaj asgjë tjetër. Do të jetë ai Pallat Kulture nga ku në vitin 1972, Enver Hoxha do të mbante një nga fjalimet që pati ndikim të madh.        

 

Vlen të sqarohet se mjaft nga informacionet që vijnë në reportazhe, veçanërisht ata që kishin të bënin me të shkuarën e Matit kanë plot pasaktësi dhe të pavërteta. Ndër to është edhe shpikja e një fjale demek të urtë “Djali i mirë në Burgajet…”. Është e kuptueshme regjimi e kishte të pamundur të kapërdinte faktin se Mati ishte vendlindja e Zogut, ndaj edhe duheshin gjetur të tilla falsifikime sikur ai kishte vrarë të gjithë djemtë e mirë të Burgajetit. Një gënjeshtër e trashë por që gjithsesi, autorët e shkrimit (për arsye etike nuk po i përmend emrat e tyre) ishin të detyruar të shkruanin ashtu. Kur është fjala për Zogun shkrimet kanë vetëm falsifikime dhe sulme ideologjike, duke i bërë ata karikatura qesharake për nga mënyra se si e vizatojnë të kaluarën.

 

Por si e përmendëm edhe më lart në shkrime ka edhe informacione që vlejnë. Të tillë janë për shembull: koha kur u ndërtua spitali në Burrel, koha e ndërtimit të Pallati i Kulturës po në Burrel, mjekët e mësuesit që shërbenin në atë kohë në rrethin e Matit etj. Po ashtu vend të veçantë zënë efektet e ndërtimit të hidrocentraleve, elektrifikimi, kromi dhe miniera e Batrës, pritshmëria për ndërtimin e uzinës së ferrokromit, zhvillimi bujqësor etj.

 

Vlen të thuhet se më shumë se shkrimet vlerë kanë fotot që i shoqërojnë ato. Në mënyrë të veçantë e jashtëzakonshme është një foto e rrallë e mësuesit të parë në Mat, Abdurrahman Përmetit, një “jabanxhiu” që kishte preferuar të bëhej matjan. Po ashtu edhe fotot e mjekëve e mësuesve më të spikatur të Matit, si edhe pamjet e Burrelit, Batrës etj.

TREGIME PËR MATIN

Revista Ylli, Qershor 1969

 

Mati fillon këndej nga malet e Shkopetit, me luginën që formon lumi me të njëjtin emër, përfshin kodrina me toka pjellore dhe shtrihet deri tej në malësi. Teritorin e rrethit e mbyllin male të lartë me bjeshkë e pyje të pasura, nga Qafë Shtama në Martanesh e Mbas Dejë. Në këto lugina e male të lartë, historia e vjetër vazhdonte me krisma pushkësh, historia e re filloi gjithashtu me krisma pushkësh. Për Matin, kjo histori e re nisi me Luftën nacional-çlirimtare, me matjanin që doli partizan, i ngritur nga kushtrimi i partisë. Me partinë në krye fituam luftën, vendosëm edhe në Mat pushtetin popullor. Pushteti i ri u mbështet fort, që në fillim, te matjani i varfër, te matjani i popullit, trim e patriot. Por, edhe historia e re, bënte përpara me luftë. Kishte edhe kjo luftën e saj, krismat e saj...

 

Lugina e Matit, lugina e dritës

 

Grimca të historisë së Matit u hodhën edhe aty në Skuraj, në rrugën e Dritës. Atëhere nuk dihej se deri ku do të shtrihej drita elektrike. Matjanët dinin vetëm qëllimet dhe idealet e larta të partisë. Besimi e optimizmi i bënte të parandjenin të ardhmen e lumtur socialiste.

 

Lugina e Matit, lugina e dritës

 

Dy hidroçentrale, dhuratë Republikës 

Mati, prodhoi dritë e drita u përhap nëpër Atdhe. Sivjet kjo dritë që buron në Mat, po shkon të ndriçojë edhe zonat e thella malore. Kështu deshën malësorët matjanë, kështu vendosi partia e pushteti. 25 vjetori i çlirimit të gjejë me dritë elektrike çdo shtëpi, çdo dhomë fshatari atje në malësi. Mori dritë Derjani, mori edhe Lami i Madh dhe Macukulli. Në një kullë në malësi, një plakë tetëdhjetë vjeçare përtërihet nga gëzimi. Plaka është nënë Haneja dhe kulla, vendi ku lindi e u rrit bija e saj, heroina Shkurta Cara. Nën portretin e saj, është vendosur një llampë elektrike.

 

Shkurtes i ndriçohet buzëqeshja e sikur përshëndet mysafirët që shkojnë e vijnë. Dhe nëna nis e tregon: “Kam jetue të kaluemen e zezë. Sytë e mij nuk panë ma larg se Trangen e Lufajve. Nuk panë shami të bardha, veç futa të zeza e vajë... Mbani ballin lart, pushkën në sy e gjoksin përpara për nji kët parti”.

 

Në Macukull kish ende dëborë kur shkoi drita elektrike. Fshatarët u mblodhën në kodër të Gjokajve, pranë malit të Dejës. Edhe plaku Adem Xhika qe me ta.

- Na thuej ndonji fjalë – i thanë.

- Çfarë me thanë? Në kët pleqni më duket si me pas le edhe nji herë.

 

Në Dars, fshatari Murat Memaci, po dëgjonte të thoshin se drita do të shkojë së shpejti edhe në Karice, Bazë, Midhë, Kombsi, Muzhakë, Shqefën, Shëlli, etj., se për njëzetepesë vjetorin do të elektrifikohen mbi tre të katërtat e luginës së Matit dhe se pas elektrikut do të shkonte edhe televizioni. Murati dëgjonte dhe, kur një i ri i tha: “Eh, si do të bahet Mati, sa që në s'do ta mbajmë mend dot si ka qenë”, ai u hodh e tha: - Ju ndoshta jo, se keni lindë në kohën e partisë, po unë do ta mbaj mend shumë mirë, se në shtëpinë time jam ndriçue edhe me pishë, edhe me kandil.

 

Legjenda e bukës

 

Në Mat ka ngjarje të vërteta trimërie, të luftrave kundër pushtuesve që janë shndrrue në legjenda, ka edhe ngjarje të vërteta të skamjes e varfërisë që janë shndrruar gjithashtu në legjenda: Kjo “legjendë” që po ju tregoj tani, është jo shumë e vjetër.

 

Ishte pranverë e vitit 1944. Dy fshatarë nga Burgajeti, të mbetur keq për bukë, nisen për të blerë bereqet me çdo çmim në Dibër. Rrugës së Qafë Murrës, takuan hallexhinj të tjerë dhe karvani arriti në 38 kafshë. U shpërndanë nëpër fshatrat e Dibrës. Takimin e lanë në Bufull. Të nesërmen u kthyen vetëm pesë burra, kush me një gjysëm kuintali, e kush më pak. Të tjerët u shpërndanë për të gjetur qoftë edhe disa kile misër. Xha Neli tregon kështu: “Nga Shupenza, Gjorica, Boçeva, Homeshi u endëm disa ditë. Dibranët janë mikpritës. Duke parë se nuk po gjenim dot bereqet fshatarët mblodhën nga dhjetë kilogram për shtëpi dhe na përcollën me dhjetë kilogram misër. Udhëtova ditën e gjithë natën dhe kur agoi drita u gjenda në shtëpi. Fëmijët kishin tërë ditën pa ngrënë. Si fëmijët e mij ishin edhe ata të komshijve të tjerë. Dhe ato 50 kg. i ndava me ta. Në të kaluarën kjo ishte një gjë e zakonshme për matjanin. Gjashtë muajt e parë të vitit, fshatarët endeshin me thes në krah për të siguruar bukën. Ngandonjëherë dita e pazarit në Lis, bëhej tragjedi. Fshatari jepte kaun e parmendës ose lopën, linte arën djerr dhe fëmijët pa pikë qumështi, për një kuintal misër. Dhe sa herë ndodhte që të ktheheshin me thes bosh në shtëpi! Të udhëhequr nga partia, matjanët përqafuan rrugën e kolektivizimit. Bashkimi i mjeteve dhe forcave në ekonomitë e përbashkëta, krijoi një fuqi të madhe, zbuloi edhe rezerva të mëdha në shtimin e sipërfaqes së tokës, në ujitje, në mjete të mekanizuara, plehërime. U thyen konceptet konservatore se në Mat “s'bëhet bereqeti”. Parulla e partisë “Të sigurojmë bukën me forcat tona” ngriti në këmbë popullin. Si rezultat, vitin që shkoi, jo vetëm që u sigurua buka për nevojat e veta, por iu dhanë shtetit mbi 28 mijë kuintalë teprica. Matjani mendon tani jo më për bukën, por për një jetë të lumtur, më të kulturuar. E kështu mori fund një herë e përgjithmonë “legjenda e misrit”.

Ku janë kasollet me kashtë?

 

Tokat e luginës së Matit në Urakë, Zenisht, Suç e të tjera, kanë qenë pronë e Zogollit dhe e bejlerëve të tjerë. Fshatarët e varfër, për kafshatën e gojës, i punonin këto toka për gjysëm ose me një të tretën. Ata nuk mund të ndërtonin as shtëpi. Jetonin në kasolle. Xha Lleshi nga Proseku, kish kaluar rininë e tij si yzmeqar në këto fshatra. Atij i takoi të vijë edhe një herë në këto anë pas 24 vjetësh.

 

-Ku janë kasollet me kashtë? – pyeti ai i habitur.

-Ato s'duam më, as t'i kujtojmë – iu përgjigj Hazizi, nga Zenishti.

-Sak Buna, ku e ka kasollen?.

 

-Sak Buna sot ka pallat, more Llesh. Ja, ajo shtëpia dykatëshe, atje në fund të Fires.

Burreli i ri

 

Para çlirimit, Mati nuk përfaqësohej me ndonjë qytet. Ndonse ishte qendër rrethi, Burreli në të kaluarën nuk ishte qytet. Përveç burgut, n/prefekturës e kazermave të ushtrisë që ndërtoi satrapi Zog, për të mbrojtur klikën e tij, ndërtesat e tjera nuk arrinin as numurin dhjetë. Drizat e ferrat e kishin mbuluar vendin deri në dyert e ish n/prefekturës. Më tej shtriheshin pyje të mëdha që rrethonin Burrelin. E megjithatë fashistët italianë i dogjën ato pak, ndërtesa bashkë me dymbëdhjetë fshatra përreth. Burreli u bë gërmadhë, aq sa pas çlirimit të Matit, organet e pushtetit u vendosën në fshatin Lis. Njerëzit e parë që erdhën atëhere në Burrel ishin partizanë e fshatarë. Ata u bënë edhe banorët e parë të Burrelit. Çelën disa zyra dhe ju vunë çpyllëzimit, për të hapur vend për qytetin e ri. Sot sheh qindra ndërtesa banimi të ndërtuara në të dy anët e rrugëve kryesore; objekte social-kulturale si kinema, klube, restorante e menca, çerdhe e kopshte për fëmijë, spitale, dispanseri e shtëpi lindjeje, shkolla, etj. Burreli mori pamjen e një qyteti të bukur. Ai sot ka 4000 banorë. Vitin e kaluar u ndërtua edhe spitali i ri, me një kapacitet prej 120 shtretërish e me pajisje moderne. Drejtori i këtij institucioni u bë mjeku i parë matjan Zenel Kazhani, i cili është, edhe deputet në Kuvendin Popullor. 

Edhe kirurgu Xhelal Dezhgiu, që ka shpëtuar jetën e shumë njerëzve e që ka fituar dashuri dhe respekt në popull, është gjithashtu bir fshatari nga Mati. Kush mendonte se këta bij malësorësh do të bëheshin mjekë? As Islam Gurabardhit e Isak Vukës nuk i shkonte në mend se do të vishnin bluzën e mjekut në një spital modern të Burrelit. Në këtë vit jubilar do të inaugurohen më se dhjetë objekte të reja industriale e social-kulturale, do fillojë nga ndërtimi edhe Uzina e ferrokromit që do ta shndrrojë Burrelin në një qytet industrial.

 

“Djali i mirë në Burgajet – o motmot, o dy vjet!”

 

Këto fjalë kanë një domethënie të dhimbëshme. Fshati i vendlindjes së tij, Burgajeti, refuzoi t'i japë ish satrapit Zog votën për deputet. Dhe Zogu u hakmor dhe kurdisi vrasjen e djemve më të mirë të familjeve që e kundërshtonin. Në Burgajet filloi vllavrasja. Djali i mirë në Burgajet nuk mund të jetonte më gjatë: mot-mot ose, e shumta dy vjet! Por, populli i vuajtur, nuk u përkul, ai nxori nga gjiri i tij edhe djem “për partinë”, që i dhanë fund kësaj tragjedie. Me çetën partizane të Matit u bashkuan mjaft të tjerë dhe çeta shpartalloi planet e bejlerëve, bashkoi popullin dhe fshiu përgjithmonë ato plagë të dhimbëshme të së kaluarës. Në Burgajet u shëmbën themelet e sarajeve të Pashës dhe aty në kodër lulëzon blloku i pemëve të kooperativës bujqësore. Burgajeti ka sot shumë djem të mirë, ndër të cilët 72 kuadro: 3 mjekë, 21 arsimtarë, inxhinierë, agronomë, etj.

Mësuesi i parë i Matit dhe 425 kolegët e tij

 

I pari ishte nga jugu i vendit. Erdhi nga Përmeti në Lis, me një ndjenjë të flaktë patriotike dhe më 1912 çeli shkollën e parë shqipe në krahinën e Matit; kolegët e tij të rinj, janë matjanë.

 

Abdurrahman Përmeti, rron prej një shekulli e ca, dhe e quan veten matjan. Nga kujtesa e tij ende e freskët, ka dëshirë të të tregojë për ato vite, kur matjanët e pritën me respekt dhe e përkrahën për të kryer misionin që atij i kish ngarkuar shoqëria “Drita”. Në shkollën e parë, në fillim fshehurazi, ai ua mësoi shqipen vetëm 15 nxënësve, të cilët, edhe ata u bënë mësues.

 

“Deri para çlirimit, kisha vetëm 19 shokë, 19 mësues, me 13 shkolla e 643 nxënës. Tani jemi bërë shumë, shumë sa s'i mbaj dot mend” — thotë ngadalë xha Abdurrahmani. Ne i thamë se kolegët e tij, të vjetër e të rinj në moshë, bëhen 425 arsimtarë me arësim të lartë e të mesëm; se këta kanë sot 10 mijë nxënës, dhe nxënësit, përveç atyre të shkollave fillore, mësojnë në 28 shkolla 8 vjeçare, në dy teknikume dhe në një shkollë të mesme. Rrethi i Matit në të kaluarën nuk kish asnjë kuadër të lartë. Sot ka mbi 40 inxhinierë, 25 mjekë, 26 agronomë të lartë dhe mbi 500 kuadro të mesme. Me këta bashkohen 106 kuadro që vazhdojnë shkollat e larta e të tjerë që punojnë jashtë rrethit. Vargu i maleve lindore të Matit nis nga Kaptina e Martaneshit deri në Kurbnesh të Mirditës.

 

Dikur këto lugina përcillnin krisma armësh. Edhe sot luginat përcjellin oshëtimë krismash. Minat hapin rrugë të reja në male, minat shpërthejnë edhe nën tokë, për të nxjerrë kromin e çmueshëm. Së bashku me minatorët, punonjësit matjanë tejkalojnë planin e japin më shumë bukë, më shumë mish, bylmete e lëndë ndërtimi. Klasa punëtore e Matit punon në kantiere të ndryshëm, në ndërtim, në ofiçina e në gjeologji dhe u jep jetë qyteteve të rinj, siç është Batra, mbi 1.800 metra lartësi. Rreth 1000 punëtorë, teknikë dhe specialistë të mesëm e të lartë, po ngrenë kështu bazat e një perspektive të shkëlqyer për Matin industrial e për Atdheun.

 

Më 1968, nga nëntoka e galerive të Martaneshit (më e larta minierë në vendin tonë) u prodhua një herë më shumë krom se në vitin 1967. Sivjet do të prodhohet prej andej më shumë se dyfishi. Minatorët Hajredin Kënga, Daut Dauti, Beqir Gjoni, Jaho Mersela, Gjon Lala, etj. janë bërë të njohur për ndërgjegjen e tyre të lartë në punë. Edhe Qemal Sula, Ndue Mënga, Hajdar Cakoni e Ismail Keta, janë kalitur në kudhrën e klasës punëtore e sot bëjnë pjesë në byronë e Komitetit të partisë rrethit. Krismat që shpërthejnë, atje në minierën e lartë, përhapen luginave e thuajse e pushtojnë gjithë krahinën. E në matjanët kënaqemi, na duken krisma përshëndetjeje, krisma betejash që lajmërojnë për t'ardhmen e bukur socialiste të rrethit tonë.

MATI LULËZON

Revista Ylli, Tetor 1970

 

Duam ta fillojmë këtë shkrim me fjalët e një shkrimtari të huaj përparimtar, kur një vit më parë bënte një vizitë në rrethin tonë. “Këtu qenka një pranverë e përhershme. Po kështu është kudo në vendin tuaj. Këtë e ka bërë populli me partinë dhe me udhëheqësin e madh, shokun Enver Hoxha”.

 

Sapo futesh në thellësi të luginës së Matit, në qafën e Ulzës, përpara do të shpaloset një peisazh i ri dhe i bukur, i qëndisur nga dora e njeriut tonë të ri, nga puna e palodhur e punëtorit dhe kooperativistit matjanë. Në të katër anët vargëzohen male të lartë: Deja, malet e Martaneshit, Qafë Shtama, ndërsa në prehërin e tyre zë vënd Mati.

 

Të flasësh për të sotmen s'mund të mos kujtosh të kaluarën e këtyre viseve. Malsori ynë vuante për bukën e gojës. Në vënd të shkollave, regjimi zogist i la Matit 70 xhami, nga ku rridhte helmuese ideologjia fetare. Në qytetin e Burrelit qe ndërtuar një burg për të mbytur çdo mendim përparimtar e liridashës dhe një xhandarmërie për të vendosur terror. Këto qenë “veprat”, që i la e kaluara Matit. Ndryshimet janë të pakrahasueshme në këto vite madhështore të epokës së partisë sonë.

 

Udhëton nëpër luginën e Matit dhe s'ke si të mos ngazëllehesh, kur në të dy faqet e saj, në kurrize kodrash qëndisen bukur taraca, jeshilon gruri, misri e kultura të tjera, blloqe të rinj pemësh frutore, zbardhin shtëpitë e reja të kooperativistëve dhe kryqëzohen telat e tensionit të lartë...

 

Udhëton nëpër fshatrat e Matit dhe sheh përmbysje të fuqishme të së kaluarës në jetën e kooperativistëve. Ndryshime në ekonomi, në kulturë, në mënyrën e jetesës, në botkuptim. Para pak kohësh u elektrifikuan dhe fshatrat e fundit të rrethit. Tani, që nga Shkopeti, në malet e Kaptinës së Martaneshit e gjer në luginën e thellë, ku është vendosur fshati më i largët, Zall Gjoçaj, ndriçon drita e fuqishme elektrike, duke u bërë realitet një ëndërr shekullore, ashtu siç janë bërë dhe do të bëhen dhe në të ardhmen realitet të tjera ëndra të guximshme.

 

Një kuriozitet : Në qoftë se do të bashkonim gjithë linjat elektrike në rrethin e Matit do të kishim një linjë të gjatë sa 16 herë Tiranë Burrel. Ajo që i përkiste tërë Shqipërisë në të kaluarën tashmë e gjen në një krahinë me shtrirje jo madhe. Vetëm në zonën e Xibrës e të Martaneshit, janë vendosur aq llampa elektrike sa ç'kish vëndi ynë më 1938. Malsorit tonë i kujtohet pa tjetër ajo kohë, kur nëpër pazaret shiteshin dhe vandakë pishe, se s'kish as vajguri. Me trungun e pishës në shpinë zbriste gruaja matjane nga malet e Gjoçajve orë të tëra larg gjersa mbyllej në kullat e errta e në kasollet me kashtë duke endur ëndra në atë dritë zbehtë dhe nëpër tymin e zi. Ndërsa sot, drita, kjo armike e egër e errësirës ka goditur rëndë të kaluarën, zakonet e rrepta e fanatizmin. Kjo ka sjellë të renë përparimin.

 

Kooperativisti ynë s'don të jetojë më si dje. Në ndërgjegjen e tij kanë ndodhur përmbysje të mëdha. Ai tashmë jeton në shtëpi të re, të bukur e të pastër. Drita e radiua janë bërë pjesë përbërëse e jetës. Radiot, krevatet, dollapët janë gjërat që kërkohen më shumë në treg. Matjani i vuajtur në shekuj është marrë me copën e tokës. E punonte me parmendën e drunjtë, i gëzohej dhe i falej asaj, po s'e mori ndonjëherë bukën e vitit. Kështu, ditë të tëra udhëtonte nëpër gryka e male që të mund të sillte ndonjë thes misër për fëmijët. Vetëm misrin njihnin këtyre anëve, po dhe rendimenti në misër ka qenë i ulët. Tani kultivohet misri, gruri, luledielli, orizi etj., duke u rritur kështu sipërfaqja nga viti në vit e duke bërë që Mati jo vetëm të prodhojë bukë për nevojat e veta, por dhe t'i shesë shtetit 20 mijë kuintal drithë buke. Kjo u arrit nga që lufta për bukën u kuptua si luftë për socializmin. Pikërisht për t'u realizuar dhe tejkaluar kjo detyrë shpërthyen dhe aksione me goditje të përqëndruar në këtë fushë. Ato, si forcë e madhe revolucionare kanë qenë të shpeshta e të vazhdueshme. Dhe rezultatet qenë shumë të kënaqëshme. Ndër të tjera, në ditët e dimrit u hapën mbi 1000 hektarë tokë e re dhe u vu ajo nën kulturë.

 

Realizimet në jetën e popullit matjan nën udhëheqjen e partisë janë vërtet të pallogaritëshme. Çdo krahasim është tepër i vështirë. Ç'të krahasosh! Një numur fare i vogël shkollash fillore të hapura për bijtë e elitës, parësisë së vëndit, asnjë institucion shëndetsor e kultural. Ndërsa këtë vit kanë çelur dyert mbi 80 shkoIla të cikleve të ndryshme, dy shkolla të mesme të arësimit të përgjithshëm dhe tri shkolla të mesme profesionale, ku mësojnë bijtë e bijat e malësorëve.

 

Para çlirimit në gjithë rrethin jepnin mësim jo më shumë se 20 mësues në ato shkolla të pakta. Kaq mësues sot ka vetëm Macukulli. Sot rrethi ynë ka një armatë të tërë mësuesish, mbi 400, të hedhur fshat më fshat e mal në mal, që luftojnë me këmbëngulje, entuziazëm e optimizëm revolucionar për të çuar të renë kudo, në të gjitha skajet, duke u bërë kështu luftëtarë të pararojës për çështjen e partisë.

 

Ndryshime të fuqishme janë bërë në jetën e gruas matjane. Ajo dikur shihej si një qënie e përbuzur. Të drejtat e saj merreshin nëpër këmbë nga normat skllavëruese të kanuneve më të egra. E shtypur dhe e mjeruar nën këtë peshë të rëndë eci ajo në shekuj. Ndërsa tani, s'ka front të prodhimit ku të mos gjesh gruan dhe të renë matjane: në ndërmarrje ekonomike, në SMT apo kooperativa bujqësore, në administrata apo në NBSH, kudo ndjehet hovi dhe vrulli i saj. Ajo vajza e dikurshme që s’dilte nga shtëpia, që mbulonte sytë me shaminë e zezë, sot është bërë kuadro. Ajo mëson në shkollën e mesme, drejton në koopërativë, hyn e del auditoreve të Universitetit tonë, është mjeke në spitalin e madh të rrethit, ngjitet skenave në festivale kombëtare e podiumeve në konferenca partie.

 

Populli i don shumë bijat e veta. “Dëgjoni fjalën e partisë dhe i shërbeni asaj” u thotë. Dhe ato hidhen në ballë me këtë porosi. Ndaj dhe populli ka besim tek ato, ka besim në forcat e tyre. Ndaj populli i zgjedh në kryesi kooperativash, i propozon për kandidate të këshillave popullore gjer në Kuvendin Popullor.

 

Vitet e fundit, krahas qyteteve si Burreli, Ulza, lindën dhe qytete të tjerë të rinj e të tjerë do të lindin përsëri maleve të Matit, që e rrethojnë si kurorë e që mbajnë në gjirin e tyre pasuri të çmueshme mineralesh. Vite të shkuara, pranverës, martaneshasit ngjiteshin shpateve të maleve me bagëtitë. Dhe sapo shkelte vjeshta prapë zbrisnin poshtë se fillonin shirat e më pas breshëri, bora. Kështu ndodhte gjithmonë gjersa një ditë në një lartësi rreth 1700 metra hodhi themelet një minierë e re e rëndësishme e vëndit tonë, një qytet i ri minatorësh, Batra. Prej më se 4 vjetësh, kur filloi shfrytëzimi, miniera e Batrës është bërë një qëndër e rëndësishme e prodhimit industrial të rrethit, njëkohësisht dhe një qëndër edukative, ku kaliten në kudhrën e punës prodhuese me ideologjinë e klasës me qindra punëtorë. 

Sukseset janë të mëdha dhe në frontin e kulturës. Ajo tashmë është shtrirë dhe në fshatrat më të largëta. Çdo fshat ka vatrën e vet, ndërsa çdo kooperativë e bashkuar ka shtëpi kulture. Çdo kooperativë ka dhe ansamble artistike. Veçanërisht dy vitet e fundit është shënuar sukses i rëndësishëm në drejtim të pjesëmarrjes në lëvizjen kulturale artistike të të gjitha fshatrave. Numuri i pjesëmarrësve është me qindra. Po bëhet traditë e bukur që çdo herë në raste festash, qyteti i vogël dhe i bukur i Burrelit të gjallërohet nga tingujt e këngëve, veglave popullore apo të ndrijë nga kostumet e larmishme dhe shumë interesante të grupeve të shumta, që vijnë nga zona të ndryshme të rrethit. Dhe është e kuptueshme: Entusiazmi, hovi e optimizmi, hareja e kënga e karakterizojnë njeriun tonë të ri. Dhe kjo notë çfaqet kudo në të gjitha aspektet e jetës sonë. Në parkun e bukur të qytetit, buzë taracës natyrale të lumit të Matit, partia u ka dhuruar forcave kulturale artistike të rrethit, punonjësve të qytetit, një vepër mjaft të bukur, pallatin e ri të kulturës, që do të kthehet së shpejti në një qëndër të vërtetë çlodhjeje të kulturuar edukimi dhe argëtimi.

Dhe qyteti i Burrelit rritet e zhvillohet çdo ditë. Ndërtesat shumëkatëshe, rrugët e gjëra me trotuare plot lule, dritat neon i japin atij një pamje mjaft të bukur. Po e ardhmja e Burrelit dhe e Matit do të jetë më e bukur, e mrekullueshme dhe plot perspektivë, me ngritjen sidomos të uzinës së ferrokromit. Kjo ardhme do të jetë e lulëzuar, se të tillë do ta bëjnë masat tona punonjëse, që i janë futur punës për hartimin e projekt planit të pesëvjeçarit të pestë, pesëvjeçar që do ta ndryshojë akoma më shumë rrethin e Matit si dhe tërë atdheun tonë.

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania