L’Unità (1993) / Biseda telefonike në anglisht e gazetarit Alberto Crespi me Bekim Fehmiun, shqiptarin nga Kosova, i lindur në Sarajevë, jeta e të cilit nuk është e lehtë në Serbinë e sotme


Bekim Fehmiu në rolin e Uliksit gjatë xhirimeve të Odisesë (1968)
Bekim Fehmiu në rolin e Uliksit gjatë xhirimeve të Odisesë (1968)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Gusht 2020

 

“L’Unità” ka botuar, të hënën e 30 gushtit 1993, në faqen n°8, bisedën telefonike të aktorit të famshëm shqiptar Bekim Fehmiut me gazetarin italian Alberto Crespi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Aventura e vërtetë e Uliksit

 

L’Unità, e hënë, 30 gusht 1993, fq.8
L’Unità, e hënë, 30 gusht 1993, fq.8

Një ditë më parë, Raitre filloi të shfaqë Odisenë e vjetër të Franco Rossi-it. Kështu, keni mundur të shihni Uliksin, ose Bekim Fehmiun, një aktor që u bë shumë i njohur 25 vite më parë falë kësaj “shfaqje – drame” të shkëlqyeshme dhe me fat. Por çfarë ndodhi me Bekim Fehmiun ? Ai jeton në Beograd, dhe si një shqiptar nga Kosova, i lindur në Sarajevë, jeta e tij nuk është e lehtë në Serbinë e sotme. Le ta dëgjojmë sesi e tregon atë.

 

…Biseda me të nëpërmjet telefonit ishte njëkohësisht emocionuese dhe frustruese :

 

Familja ime vjen nga Kosova, nga një qytet që ka dy emra : një shqiptar, Gjakovë dhe një “sllav”, Giakovica. Babai im ishte fëmijë i vetëm dhe pati studiuar në Shkup, Maqedoni. Ai ishte mësues. Gjatë gjithë rinisë së tij ai luftoi kundër turqve, si me pushkë, ashtu edhe me libra. Qëllimi i tij, si mësues, ka qenë gjithmonë t’iu japë njerëzve tanë njohuri, krenarinë e identitetit të tyre kulturor. Ai gjithmonë ka punuar për të hapur shkolla ku mund të studiohet gjuha jonë shqipe. Në 1972 shkova në Shqipëri dhe në një arkiv në Shkodër zbulova se babai im ishte dënuar me vdekje nga serbët dy herë, në 1914 dhe 1917. Më 1929 u martua me nënën time dhe dy javë më vonë ata u internuan (u dëbuan). Të gjithë familjen e futën në një tren, dhe e dërguan në Sarajevë. Unë kam lindur atje, në qytetin që sot është simbol i hipokrizisë botërore.

 

Babai dhe nëna ime ishin me fat në krahasim me të tjerët : ata mbijetuan. Kur isha tre vjeç, në 1939, u kthyem në Shqipëri, dhe në 1941 u transferuam në Kosovë, në Prizren, i cili sipas Le Corbusier ishte qyteti më i bukur në botë. Më në fund ishim në tokën tonë. Aty u rrit familja jonë : tetë fëmijë, katër djem dhe katër vajza. Jeta ishte e qetë për shumë vite. Babai im jepte mësim, unë flisja shqip në familje, por kurrë, nuk them kurrë se i shoh serbët dhe malazezët si armiq. Unë gjithmonë kam menduar se ka njerëz të mirë dhe njerëz të këqij në të gjitha racat dhe të gjitha fetë, dhe unë ende mendoj kështu. Asnjëherë nuk më është dashur të fshihem se jam shqiptar, dhe kur shkova në Beograd në vitin 1957 më duhej të mësoja më mirë gjuhën serbo-kroate për të hyrë në Akademi, por isha i pari aktor shqiptar që recitoja (aktroja) në historinë e teatrit jugosllav. Beogradi ishte një qytet i bukur dhe një metropol i shkëlqyeshëm, i hapur për të gjitha ndikimet më moderne dhe të gjalla kulturore. Nje shembull ? The Caretaker e Pinter-it (Harold) pati shfaqjen e tij të parë jashtë vendit, jashtë Londrës, në Beograd në 1959, dhe unë interpretova atje, në Atelier 212, teatrin ku unë punoja. Sot, Beogradi është një qytet i trishtë. Të rinjtë dhe intelektualët largohen. Më të bukurit, më inteligjentët, largohen. E gjithë puna jonë, puna e të gjithë artistëve, është shkatërruar.

 

Megjithatë unë jam këtu. Dhe nuk po iki. Nga viti 1981 e tutje jeta ime ka qenë ferr. Sepse atëherë filloi urrejtja, në Kosovë, ndaj shqiptarëve, por atëherë askush jashtë vendit nuk e kuptoi se çfarë do të ndodhte, askush nuk kujdesej për Kosovën! Por ne e dinim shumë mirë se çfarë do të ndodhte. Tragjedia ishte në rritje, ngadalë, në mënyrë të pashpjegueshme, nuk mund të punoja më. As që mund të mendoja për aktrimin. Hyra në një periudhë depresioni shumë të rëndë. Kam menduar shumë herë të vras veten. Mbase, ti vë flakën vetes në shesh! Ndoshta do të kishte ndihmuar, ose mbase jo, kush e di? Depresioni sapo përfundoi. Këtu në Beograd jeta për një shqiptar nuk është e lehtë, por nuk mund ta mohoj se, duke qenë aktori më i famshëm në këtë vend, unë jetoj më mirë se të tjerët. Unë mbështes fëmijët e të afërmve të mi në shkollë, të cilët përndryshe nuk do të kishin mundësi të studionin. Ndihem si dikush që ka udhëtuar nëpër ferr, si Dante. Tani jam në purgator. Por ferri vazhdon rreth meje. Disa ditë më parë isha në Kosovë për të vizituar të afërmit e mi. Situata është absurde. Mund të shpërthejë në çdo moment. Në çdo moment jeni në prag të masakrës. Shqiptarët trajtohen si skllevër, pushohen nga puna, nuk kanë për të ngrënë. Por, duket e jashtëzakonshme, ekziston të paktën një gjë e bukur në Kosovë, për mendimin tim. Nuk ka urrejtje. Ndoshta serbët po e kuptojnë ngadalë se shqiptarët nuk janë “armiku”.Ka atje 50.000 policë, por nuk ka incidente. Ndoshta shqiptarët do të jenë të mençur si në fund të Luftës së Dytë Botërore, ku pati masakra dhe hakmarrje në Bosnje dhe Kroaci, por jo në Kosovë. Shpesh mendoj i lehtësuar se Nënë Tereza e Kalkutës është shqiptare, dhe se mbase nuk është rastësi.

 

Është gjithashtu e vështirë për ne të shpjegojmë se çfarë ndodhi në vendin tonë. Frojdi na mëson se instinkti për të vrarë është gjithmonë i pranishëm te njeriu, por Jung dhe Adler thonë të kundërtën, unë mendoj se njeriu është një krijesë e re, krahasuar me epokën e këtij planeti. Ne sapo kemi filluar të çlirojmë veten nga instinktet e kafshëve. Por unë gjithashtu mendoj se bota është hipokrite. Se kushdo që përfiton nga këto masakra është hipokrit. Evropa dhe bota po lejojnë diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë: që Sarajeva është rrethuar prej dy vitesh, Sarajeva, qyteti i tre feve dhe të tre racave, të cilat ende jetojnë së bashku, dhe ky është paradoksi. Utopia e Sarajevës nuk ka vdekur, sepse unë njoh shumë njerëz atje, që janë të racave dhe feve të ndryshme dhe që vazhdojnë, edhe në këto kohë të errëta, të respektojnë njëri-tjetrin.

 

Unë nuk kam një shpjegim politik. Sigurisht, pyes veten se kush dëshiroi ta shkatërrojë këtë vend, Jugosllavinë, që ishte maja e ekuilibrit midis Lindjes dhe Perëndimit. Edhe nëse nuk jam politikan, i përgjigjem vetes në këtë mënyrë: kishte vetëm një imperializëm në Evropë, ai Sovjetik. Gorbaçovi e rrëzoi atë dhe si mund ta mbajë (luajë) rolin e saj Rusia e re? Duke filluar (nxitur) një luftë në Evropë. Nëse kjo luftë do të përfundojë, Rusia është jashtë loje. Nëse vazhdon, Rusia e ruan fuqinë, duke e mbajtur Serbinë në orbitën e saj ndërsa Kroacia tani është një vend satelitor i Gjermanisë. Është si në 1912. Ne u kthyem pas një shekull. Gjithmonë është loja e fuqive të mëdha në lëkurën e njerëzve të varfër, dhe është vetëm fillimi, bota është e vogël dhe koha është e shkurtër, dhe nuk dua të dukem kërcënues, por është e qartë se Italia është fqinji ynë më i afërt. Nuk duhet të mbyllni sytë. Nuk duhet të bëni sikur kjo luftë nuk ju përket!

 

Sa për mua, nuk aktroj më. Djali im, Uliksi, aktron. Padyshim quhet kështu sepse lindi në 1968, gruaja ime ishte shtatzënë dhe më priste ndërsa unë luaja Odisenë, ajo ishte me të vërtetë Penelopja ime. Unë gjithashtu kam një djalë tjetër 17 vjeç, emri i tij është Hedon, një emër arab që do të thotë “dhuratë nga Zoti”, i mbështes ata dhe nuk pendohem për kohërat kur isha yll. Sigurisht, unë isha aktori i parë jugosllav që u bëra i famshëm në të gjithë botën, isha “lumturia” dhe krenaria e vendit tim, ndihesha po aq ambasador, sa artist. Kam plot kujtime, kam parë botën, kam njohur kultura, kam mësuar gjuhë, kam miq në të pesë kontinentet dhe e di mirë që bota është e vogël dhe se njerëzit janë të gjithë njerëz, dhe nuk mund t’i besoj kufijtë e rinj që lindin në shtetin tim.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/l-unita-1993-biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-shqiptarin-nga-kosova-i-lindur-ne-sarajeve-jeta-e-te-cilit-nuk-eshte-e-lehte-ne-serbine-e-sotme/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://americaneye.al/cfare-ndodhi-me-bekim-fehmiun-aventura-e-vertete-e-uliksit/

 

http://illyriapress.com/lunita-1993-biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-shqiptarin-nga-kosova-i-lindur-ne-sarajeve-jeta-e-te-cilit-nuk-eshte-e-lehte-ne-serbine-e-sotme/

 

https://fjala.al/2020/08/15/bekim-fehmiu-aventura-e-vertete-e-uliksit/

 

https://www.kultplus.com/filmi/biseda-telefonike-e-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-shqiptarin-nga-kosova-jeta-e-te-cilit-nuk-eshte-e-lehte-ne-serbine-e-sotme/

 

https://www.balkanweb.com/lunita-1993-biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-i-lindur-ne-sarajeve-jeta-e-te-cilit/

 

https://opinion.al/biseda-telefonike-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun/

 

https://dosja.al/biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-shqiptarin-nga-kosova-i-lindur-ne-sarajeve-jeta-e-te-cilit-nuk-eshte-e-lehte-ne-serbine-e-sotme/

 

https://alb-spirit.com/2020/08/15/lunita-1993biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-bekim-fehmiun-shqiptarin-nga-kosova-lindur-ne-sarajeve-jeta-e-te-cilit-nuk-eshte-e-lehte-ne-serbine-e-sotme/

 

https://njekomb.org/lunita-1993-biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-shqiptarin-nga-kosova-i-lindur-ne-sarajeve-jeta-e-te-cilit-nuk-eshte-e-lehte-ne-serbine-e-sotme/

 

https://www.botasot.info/historia-lajme/1355031/lunita-1993-biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-shqiptarin-nga-kosova-i-lindur-ne-sarajeve-jeta-e-te-cilit-nuk-eshte-e-lehte-ne-serbine-e-sotme/

 

https://konica.al/2020/08/biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun/

 

http://prizrenpress.com/biseda-telefonike-e-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun/

 

https://tirananews.al/lunita-1993-biseda-telefonike-ne-anglisht-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-i-lindur-ne-sarajeve-jeta-e-te-cilit/

 

https://kohajone.com/intervista-e-rralle-e-bekim-fehmiut/

 

https://gazetamapo.al/lunita-1993-biseda-telefonike-e-gazetarit-alberto-crespi-me-bekim-fehmiun-jeta-e-te-cilit-seshte-e-lehte-per-serbine-e-sotme/

 

Burimi : Gazeta Fjala, e shtunë, 15 gusht 2020, f.14
Burimi : Gazeta Fjala, e shtunë, 15 gusht 2020, f.14