Me apo pa filmat e realizmit socialist ?


Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit
Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit

Behar Gjoka, Tiranë – 18 Mars 2017

 

Skenës së ndezur të debatit politik, në çadrën e opozitës dhe në çadrat e Vettingut të PS, në këtë kohë iu shtuan debatet për qëndrimin ndaj filmave të realizmit socialist.

 

Diskutimi për prodhimtarinë filmike të kohës, ndërkaq është më i gjerë se sa ideja që të ndalohen ose të mos ndalohen që të shfaqen në telvizione apo kinema. Arti, kultura dhe letërsia, pavarësisht sistemit politik, bartin gjurmën e kohës, edhe si dëshmi që të mos biem në amnezi, siç ka ngjarë dhe ngjet pandashëm me qenie shqiptare.

 

Diskutimi mbi ndalimin e filmave të monizmit, që përçojnë shenjat e shërbesës së realizmit socialist, nuk është një problem kaq i thjeshtë, sepse nuk ka të bëjë vetëm me institucionet, por edhe me vetëdijen shoqërore dhe kulturore të qenies njerëzore.

 

Në këtë situatë, tepër të ndezur për shkaqet e politikës konfliktuale, të secilit krahë të politikës sonë, teksa flitet për artin, letërsinë, kulturën dhe filmin, duhet të merren në konsideratë të gjitha ndjeshmëritë e artistëve, shikuesve, po kaq të njerëzve që dikur janë përçmuar dhe figuruar në art dhe kinematografi, si “armiqër dhe kulakër”, simbas parimeve të realizmit socialist, gjë që për hir të vërtetës nëpër filma vjen më e theksuar dhe me një patetikë ideologjike të theksuar.

 

Po ashtu, arti dhe filmat e realizuara në një kohë tjetër, nuk është e mjaftueshme që të gjykohen jashtë konteksteve të krijimit dhe, vetëm të goditen për nevojat e një kohe tjetër. Në këtë rast goditja e artit dhe letërsisë vjen nga sistemi demokratik, që ka tjetër marrëdhënie me fjalën e lirë, aq më shumë me fjalën si art, si një e drejtë që së paku me ligje është vështirë që të justifikohet ndalimi i tyre.

 

Thirrja morale e njërës palë për ndalimin, apo e palës tjetër për mosndalimin e filmave të kohës së realizmit socialist, solli reagimin në masë, shpesh herë të një qasje emocionale, që tregon për nivelin e ndjeshmërisë ndaj kulturës dhe kinematografisë. Pra, lëshimi i kërkesës për ndalimin e filmave të kohës së diktaturës, ende pa bërë debatin, mbi bashkëjetesën e artit me ideologjinë e sistemit monist, vlerës dhe mungesës së saj, që vetëkuptohet që e bartin një masë e konsiderueshme e filmave të realizuar në atë kohë.

 

Ndjeshmëria ndaj artit, vlerave shpirtërore, krijuar në kohë dhe hapësirë, madje megjithë mungesat estetike dhe humane, do të duhet të kishte një qasje specifike, siç është arti dhe konematografia për secilën kohë.

 

Fillimisht të kishte një debat të gjerë mbi këtë trashëgimi, e cila shënon gjurmët e kohës, të cilat nëse i ndalojmë me ligj, ka rrezik që të fshijmë edhe kujtesën, e një kohe që duhet fshirë nga udha e zhvillimeve demokratike, por nuk duhet harruar, se rikthehet në forma më të përbindshme.

 

E dyta rrethanë, që solli një reagim, jo pak histerik dhe emocional, nëse filmat kanë realizuar mesazhe të realizmit socialist, po skenarët që janë shkëputur nga veprat e Kadaresë, Agollit, Laços etj. , a nuk janë të lidhura me realizmin socialsit?

 

Pra shqyrtimet pjesore, në këtë rast duke u marrë vetëm me filmin, pra duke mos hyrë në të gjithë hapësirën ku janë gjurmët e realizmit socialist, në pikturë dhe skulpturë, në letërsi dhe muzikë, në arkitekturë dhe në gjithë aspektet e jetës kulturore, duket se është më e madhe zhurma se sa shqetësimi për të shmangur ndotjen ideologjike dhe sociologjike që gjendet në sekuencat filmike.

 

Nga ana tjetër, në 25 vite, në median shqiptare, në gazeta e televizione, nuk ka javë që të mos ketë dosierë dhe dokumentare për diktatorin Hoxha, për anëtarët e byrosë politike, si dhe për zonjën Hoxha, e cila po ndodh në këtë kohë. Dëmi i madh që bëhet, nga rimarrja e elementëve të diktaturës, në këtë kohë, me ato që janë fiksuar në pelikulat filmike, në kohën tjetër, nuk e di se në cilin rast është më i madh?

 

Si nuk na ra në sy kjo propagandë e pastër, që lidhet hapur me diktaturën, e cila pati rënë nga fiku në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Rimarrja e kohës që lamë, madje është kryer në sytë tanë, në këtë kohë, në sistemin demokratik. Kjo rrethanë e pazakontë të sjellë në mend pohimin Jevtushenkos "E kërkuam fjalën e lirë, por kur na e dhanë s'kishim çfarë të thonim", gjithnjë në letërsi dhe art, pra edhe në film, do të thotë të krijosh vlera të tjera, vlera artistike, që “mundin” mungesën e vlerave të kohës që e lamë në shekullin e kaluar.

 

Kam drojë se nostalgjia dhe urrejtja e një kohe pa kohë, e të djeshmes që na vrau ëndrrat dhe shpresat, jo vetëm na lë në të djeshmen, por më e rëndësishme se gjithçka, është se mbetemi pa të sotme dhe vonohemi për ardhmërinë. Kuptohet që ndryshimet politike vijnë edhe më përmbyjse, në art dhe letërsi, nuk funksionon i njëjti rregull, ndahet vlera nga jo vlera, për të garantuar vijimësinë.

 

Diskutimi për ndalimin, shoqërimin me shënim përkatës, nuk mundet që të shmang situatën e dyfishtë, të pranisë së shenjave ideologjike, që janë me tepri, por edhe të mungesës së vlerave artistike. Nëse një vepër artistike, filmike, muzikore, piktorike, kanë të shopallur shenjën e shërbesës dhe të mungesës së vlerës, debati mbyllet pa nisur ende. Po kur pavarësisht shenjave të kohës, barten vlera artistike, si do të bëhet me këto raste, sado të pakta qofshin!

 

Ndërkaq që debatojmë ndalimin a nuk është po kaq e rrezikshme, ndërhyrja restauruese, duke bërë ndryshime thelbësore, siç ishte rasti i filmit Skënderbeu, që u përkthye nga shqipja në shqip, përpara disa vitesh! Ka shumë aspektet, që kanë të bëjnë me kohën që lamë pasë, por edhe me kohën që nuk duhet ta harrojmë.

 

Fshirja e saj, pa ndarë egjerën nga gruri, nuk ka se si të ngjasë, sepse kështu mundet që t’i hyhet detit më këmbë. Psikologjia e vitit zero, sidomos në kulturë, krijon pika këputje, të cilat e ndajnë me mure zhvillimin e artit, letërsisë dhe kinematografisë.

 

Liria e shprehjes dhe krijimi kushteve për të mos e ndotur ambjetin shoqëror dhe kulturor, me filmat dhe median, janë tepër të ngatërruara. Ka rrezik që të kalojmë në anën tjetër, si dikur në vitin 1945, kur u ndalua Fishta, Konica.

 

Duhen parë rrugë më praktike, e para, pultin e tv, është i lirë ta përdori secili për ato filma dhe për të tjerë. E dyta, nuk është betejë për të mundur disa, por është një proces, që kërkon përgjegjësi, kulturë, humanizëm dhe mbi të gjitha, arti dhe artisti kanë qenë pjesa më e anatemuar e të gjithë kohëve, e të gjithë sistemeve ndër ne… Koha ndanë më mirë së askush, vlerën dhe jo vlerën…AJO QË NDALOHET-KËRKOHET MË SHUMË !

 

© Behar Gjoka

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania