Hamdi Hysuka u lind në Shëlli të Matit më 17 maj të vitit 1951. Pas arsimit 7-vjeçar në vendlindje, ka kryer arsimin e mesëm në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan dhe më pas studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, Fakulteti Gjuhë-Letërsi. Ka punuar mësues i Ciklit të Ulët dhe mësues gjuhe e letërsie në shkollat 8-vjeçare Shëlli, Peshk të Martaneshit, drejtues i Shkollës së Mesme të Bashkuar Macukull, mësues letërsie në Shkollën e Mesme Ulëz, drejtues në shkollën 9-vjeçare Rrethe-Baz, mësues gjuhe dhe letërsie në gjimnazet “Pjetër Budi” dhe “28 Nëntori” të Burrelit. Disa vite ka punuar redaktor përgjegjës në “Mat TV”. Në vitin 2006 punon mësues gjuhe e letërsie në Shkollën e Mesme Jopublike “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Burrel e më pas sekretar mësimor dhe pedagog letërsie në Institucionin e Arsimit të Lartë Privat “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Burrel. Është marrë me krijimtari letraro-artistike që në bangat e shkollës së mesme. Vëllimin e parë me poezi “Kam për të thënë” e botoi në vitin 1998, librin publicistik “Panoramë matjane” më 2003, ndërsa më 2015 vëllimin poetik “Pa moshë”. Nga revista “Emathia” është vlerësuar me “Penda Budi 2011”. është pjesëmarrës në Antologjinë “Në gjurmët naimjane”, Përmet 2015. Që nga viti 2002 është kryeredaktor i gazetës “Mati”.