Kryeministër : Viu viu fryn Veriu !



Aurenc Bebja – Francë, 14 dhjetor 2015

 

Kolltuku i kryeministrit, pavarësisht përkatësisë partiake (politike) apo vendlindjes të personit që ulet në të, ka një rol gjithëpërfshirës dhe në një pozicion të tillë nuk është e këshillueshme që të bëhen dallime mes popullsisë (jug/veri apo lindje/perëndim), sepse mund të krijohen përçarje të panevojshme në shoqëri.

 

Nëpër mediat shqiptare u tha që kryeministri, qëllimisht ose jo, përdori tone anti-veriore gjatë një mbledhje në qytetin bregdetar të Sarandës. Nga gjuha, fjalori apo tonet që përdoren, populli ose ajo pjesë e popullit që preket, në mënyrë llogjike reagon.

 

Duke qenë se jam nga veriu dhe pavarësisht faktit se nuk jetoj në vendlindje, e ndiej për detyrë të reagoj (si person i shoqërisë civile), ashtu si edhe të tjerë reaguan ndaj kryetarit të qeverisë, ndaj një zyrtari të lartë, që të paktën në teori në mos gabohem përfaqëson gjithë popullin e Republikës së Shqipërisë.

 

Po të kishte qenë në rolin e piktorit (aktivitet të cilin e ka mediatizuar goxha kohët e fundit), nuk do kisha reagur, sepse fundja fundit si individ dhe pjesë e shoqërisë civile, ç’do njeri ka të drejtë të mendojë apo të thotë çfarë të dojë për Veriun apo për zonat e tjera shqiptare.

 

Përkundrazi, në këtë rast, ndryshon situata në detyrën aktuale që kryetari i « përjetshëm » i PS-së ushtron, sepse gjuha e përdorur është provokuese dhe sidomos tregon shenja mosmirnjohje ndaj Veriut. Sulmoj nga Saranda (qytet bregdetar i mrekullueshëm) ish-kryeministrin dhe ata që ai paska importuar, por se kush janë « ATA », ne nuk e dimë. Dhe kështu i bie që i gjithë Veriu të krahasohet me « ATA », dhe bashkë me « ATA » edhe unë.

 

Pra, unë, katunar (fshatar) prej rrethit Mat, malok prej Qarkut të Dibrës, dëshiroj ti rifreskoj memorjen zotit Kryeministër, se andej nga malet apo alpet tona, në zgjedhjet e fundit vendore të qershor 2015, mbi 36 mijë individë kanë votuar për ASE-n. Në qarkun e Lezhës 36 mijë, në atë të Shkodrës mbi 53 mijë dhe në atë të Kukësit mbi 21 mijë. Po ashtu, kam besimin e plotë se një pjesë e atyre të « importuarëve të Alpeve » kanë votuar për koalicionin e Kryeministrit edhe në qarkun e Tiranës dhe atë të Durrësit.

 

Dhe në këtë rast, Zoti Kryeministër, po lëmë mënjanë veriorët që nuk ju kanë votuar, që me padiskutim i keni zemëruar me fjalimin tuaj, dhe po bazohemi vetëm tek mbështetësit veriorë të koalicionit ASE. Si mund të jenë ndjerë ata/ato pas gjuhës tuaj anti-veriore ?

 

Kur erdhët në pushtet në 2013, përdornit shpesh termin një milion shuplaka, një pjesë e të cilave ishin veriore. Në këtë rast, nevojitet pak kujdes dhe mbi të gjitha respekt, se votat e veriorëve që keni marrë në 2013 dhe ato që morët në 2015 mund të kthehen në një « uragan » kundra jush në zgjedhjet parlamentare të 2017, dhe andej nga alpet tona do ju këndojnë : Viu viu fryn Veriu !

 

Burimi : Dars (Klos), Mat – Albania

 

Publikuar në :

 

Dielli :

http://gazetadielli.com/kryeminister-viu-viu-fryn-veriu/

 

Bota Sot :

http://botasot.info/opinione/491193/kryeminister-viu-viu-fryn-veriu/

 

Gazeta Ora :

http://gazetaora.com/kryeminister-viu-viu-fryn-veriu/

 

Gazeta 55 :

http://gazeta55.al/ne-veshet-e-rames-bucet-automesazhi-viu-viu-fryn-veriu/

 

Telegrafi :

http://www.telegrafi.com/?id=26&a=7853

 

Citynews :

http://www.citynews.al/2015/12/kryeministerviu-viu-fryn-veriu/

 

KosovaPlus :

http://kosovaplus.com/kryeminister-viu-viu-fryn-veriu/