Kurora poetike budiane



Nga Behar Gjoka, Tiranë – 30 Gusht 2020

 

Poezia e njëzet e tre e autorit ose poezia e vetme në shqip që gjendet te libri i tretë “Rituali Roman” ka gjithësej 40 vargje me 16 rrokje ose 40 vargje me tetërrokësh të dyzuar, plus përshendetjen fetare.

 

Poezia titullohet LAUDENCE I NOUCABO DOMINUM e përkthyer “Duke lëvduar do ta thërras tenëzonë”.

 

Është e vetmja poezi që gjendet në librin “Rituali…” dhe e fundit nga fondi i vargëzimit të Budit në gjuhën shqipe, të botuar (shtampuar siç thotë vetë poeti) që përveç karakteristikave të shpaluara gjithkund si moralizëm fetar dhe me karakter të hapur utilitar të vargjeve të ngjeshura në rimarrje leksikore dhe figurshmëri të faktuar, këtu vargu budian sjellë përherë të parë në poetikën e shqipes dy risi impresionuese :

 

 – lëvrimin e vargut monokolonë

 – prani e përngjitur e të dy tetërrokshave,

 

që hedhin themelet letrare të krijimtarisë poetike të kultivuar.

 

Edhe vetëm për këta dy prurje letrare, risi jo vetëm për atë periudhë, por me kohështrirje në ligjërimin poetik të shqipes ia vlen të ndalesh, të qëmtosh, të verifikosh, për të depërtuar sadopak në esencën organike dhe shprehëse të poetit të parë të letrave shqipe.

 

 

1- RIMARRJE TËRËSORE

 

Vargjet e poezisë së fundit që trashëgojmë prej Budit kuadrojnë formatin e shkrimtarit, duke përforcuar kështu njësinë tërësore, librat e botuar, ku përfshihet proza dhe poezia; njëkohshëm me këtë përtheksim pranëvihet theksimi për poezinë, si obligim dhe kënaqësi që do të plotësojë sipërmarrjen e autorit si poet-prift që, para së gjithash, merakoset për pastërtinë shpirtërore të njerëzve, për dobinë që kanë këto qenie për dritën e Zotit, duke mbetur gjithsesi në rrafshin e universalitetit të dëshmuar, ku rimarrja e dritës së Perëndisë është e përhershme dhe e pambarimtë!

 

 

2- QËLLIMI I DËSHMUAR

 

Poeti këtu edhe njëherë thekson qëllimin final si një pikësynim përfundimtar që i ka vënë vetes qoftë me botimin (shtampimin) e librave, qoftë me adresimin poetik të shpaluar.

 

Në vargjet :

 

Këtë kafshë me mbaruom: që paçë për detyrë

Natë e ditë tue shkruom: zemrën me gjet` të lirë

Shokëvet me ua dërguom: sikur një pasqyrë,

(1986: 281),

 

duket qartë se:

 

– janë të njohura, sepse rimarrin të plotë mesazhin e poezisë së fundit të librit “Doktrina e Kërshtenë”;

 

– janë të barabarta me vargjet e strofës së njëzet e tre të poezisë së tretë që gjendet te “Pasqyra…”

 

– ndryshimet ndërmjet tyre janë të papërfillshme, qoftë si destinë, qoftë si shprehje.

 

Përputhja, pothuaj tërësore e kësaj natyre, është harresë e Budit? Apo është një gabim i bartur nga botuesit? Apo kemi të bëjmë me një formulim të gjetur poetik, që bartet në të tre librat, si përforcim dhe përcaktueshmëri që ruhet si domethënie strukturore dhe shprehësie?

 

Të tria këto hamendje, dhe të tjera që gjenden në tekstin poetik të autorit, kanë diçka të vërtetë, mbase edhe të përfaruar në kuptimin e interpretimit të veprës poetike të tij, si një krijimtari komplekse, brenda rrethanave të lëvrimit, veçse më e mundshmja si praktikë e përsëritjes, me dijen e vetëdijshme të domosdoshmërisë së tërheqjes së vëmendjes, të ngulitjes në tru, të ngacmimit total të shpirtit dhe arsyes, përsëritja e bartur në të tria veprat, madje duke ndërruar vendvendosjen e tyre, në rastin e vjershërimit të Budit si më e mundshmja është hipoteza e tretë, kjo sepse :

 

Së pari: Përsëritja është njëra nga stilemat poetike që ndikon për ta ngulitur idenë.

 

Së dyti: Nevoja e përsëritjes së kësaj ideje për të tërhequr grigjën (njerëzit) në rrugën e moralshme.

 

Së treti: Nevoja për të përforcuar duke e rimarrë si mendim në funksion të edukimit didaktik-mësimor.

 

Së katërti: Faqet poetike dhe prozaike të autorit, përpos vetëdijes letrare, përçojnë edhe skrupulozitetin autorial për të shkruar ‘monotonisht’, pra në kurriz të nivelit, por sa më kuptueshëm, në mënyrë që të rrisë peshën ndërkomunikuese me bashkëkohanikët.

 

 

3- INTIMITET POETIK

 

Në vargjet e kësaj poezie shfaqen edhe grimca të një intimiteti poetik prekës dhe befasues, sikundër ngjet, sidomos në vargun dysh :

 

Shokëvet më ua dërguom: sikur një pasqyrë,

 

që, detyrimisht nënkupton të gjithë priftërinjtë vendas, të cilët i emërton me fjalën shokëvet, e nivelit të barabitur si lidhje dhe obligim, pavarësisht shkallës hierarkike fetare që posedojnë. Vetë shuarja e niveleve përfaqësuese tregon për kërkimet e shkrimtari për të realizuar unitetin e bashkëkohasve.

 

Bashkëbisedimi i nënkuptuar, në këtë rast i kërkuar poetikisht me bashkatdhetarët në kisha e manastire, i një lirizimi të pranishëm e bën gjithë poezinë dhe, veçmas pasazhin e sipërpërmendur, nga më interesantët, madje edhe si një përplotësim i domosdoshëm i adresimit autorial, të pohuar hapur, në të tre librat e shtampuara prej tij, adresim që përforcon më së pari ndjesinë e shkrimtarit për Arbërinë, atdheun e dashur dhe, pandarazi prej tij, në nivel të barazvlertë, por edhe si një grishje për jetë të virtytshme, bashkëkombasve të vet.

 

 

4- VARGJE MONOKOLONË

 

Dallimi specifik i poezisë në përqasje me vjershërimin e autorit, ku, siç kemi parë, parapëlqehet vargëzimi i strukturuar në strofa katërshe me vargun tetërrokësh trokaik, është grafia vjershëruese, pra konceptimi i saj me vargje monokolonë, të radhitur njëri pas tjetrit, që ndihmojnë për ta përmbledhur ca më shumë dufin e priftit-poet, tashmë në një njësi strukturore më të zgjeruar, duke shpërfaqur kështu më të plotë unin poetik, subkoshiencën e poetit, veçse të veshur me një farë monotonie shprehëse, si një copëzim diskret.

 

Pra, fragmentarizimi i monotonisë së realizuar në këtë poezi tentohet dhe arrihet të prishet nga poeti, sidomos me ristrukturimin e vargut tetërrokësh trokaik, duke i përngjitur pranë e pranë si dublete të këtij vargu, çka, gjithsesi, e thyen me sukses monotoninë e ideuar. Jo vetëm kaq, por poeti kompozon një krijim me grafi poetike vetjake, si një stilemë origjinale, e lëvruar për të parë herë në letrat shqipe, e dublimit të vargut tetërrokësh trokaik, vargut themelor të shprehësisë poetike shqipe.

 

 

5- TETË APO GJASHTËMBËDHJETËRROKËSH?

 

Sruktura metrike e vargjeve të kësaj poezie befasuese nga paraqijta grafike, gjithsesi e diskutueshme në rrafshin e përcaktimit përfundimtar të numrit të rrokjeve, ka tërhequr vëmendjen e studiuesve.

 

Rexhep Ismajli, transkiptuesi i poezisë së Budit, përkatësisht në faqen 281 (shënim 2) shkruan: “… në tekst pas rrokjes së tetë janë dy pika, të cilat (si duket shënojnë kufirin e vargut të parë) çka dëshmohet edhe me rimën e brendshme; pra kemi dy tetërrokësha dhe jo gjashtëmbëdhjetë rrokësh.”

 

Nisur prej këtij gjykimi, Ismajli përcakton përfundimisht se në këtë poezi kemi të bëjmë me dy tetërroksha, madje duke e argumentuar këtë përfundim edhe me tregues gjuhësorë, siç janë dy pikat dhe elementet e vjershërimit, të tilla si rima e brendshme.

 

Karakteri rrumbullakosës i përcaktueshmërisë ka një shteg të mospërfundimit fiksional nga vetë studiuesi. Eshtë fjala konkretisht për mendimin: “… si duket shënojnë kufirin e vargut të parë …” dhe, sidomos të karakterit modial që mbart sintagma “si duket”.

 

Ndërsa studiuesi tjetër, Sabri Hamiti, në librin “Vetëdija letrare”, botuar në vitin 1995, ndër të tjera thekson: “Vjersha është e ndërtuar me një varg gjashtëmbëdhjetërrokësh, apo tetërrokash i dyzuar, që të duket më vonë i ngjashëm me “Bagëti e Bujqësi” të Naimit…, sepse Budi e thyen sistemin trokaik të tetërrokëshit duke shfaqur theksin tonik edhe në rrokjen e dytë e nganjëherë edhe në të parën… llogarija e zanores së gjatë në trup të fjalës si dy rrokje e afrojnë me dy shkrimtarë të mëdhenj të shqipes: theksimi me Naimin, kurse gjatësia me De Radën…” (faqe 102, 103), ku vihet re diferenca e parë në pohimin e llojit të vargut të lëvruar, sepse Hamiti e lë të diskutueshme, madje të papërfunduar, edhe si gjashtëmbëdhjetërrokësh, edhe si tetërrokësh i dyzuar.

 

Mëdyshja e shfaqur tek Ismajli kthehet në pohimin e dy hipotezave te Hamiti, çka përforcon modialitetin që është prezent në të dy përcaktimet, si dhe natyra dhe roli që kanë shenjat e pikësimit apo mjetet e vjershërimit ku, padyshim, bën pjesë edhe rima e brendshme apo formale, veçmas ku ndërrimi i dy tetërrokshave përbërës në marrëdhënie të sho-shoqshme, ashtu siç gjenden të pranëvëna dhe të ndara me dy pika.

 

Për të shkoqitur këtë çështje, më tepër sesa trajtimi teorik i saj, dobi ka verifikimi në njësitë më të vogla, në secilin varg, njëherazi dhe gjithë strukturën tërësore të poezisë, pra shikimi horizontal, raportet e ndërmjetme të dy tetërrokshave, si dhe në rrafshin vertikal, i të gjithë vargjeve të kësaj poezie.

 

Këshu, në dy tetërrokëshin: “Natë e ditë tue shkruom: zemëra më gjet të lirë” duket shenja ndarëse e dy pikave, rima e brendshme, por ndërmjet këtyre dy vargjeve, posaçërisht evidentohen edhe marrëdhëniet specifike të natyrës së varësisë, si prejardhje e proceseve, ku përfundimi i aktit të krijimit vetiu sjell çlirimin shpirtëror, gjë që zbulon edhe ndërkomunikimin semantik të domethënies së njëpasnjëshme.

 

Këto gjurmë të ndërkalljes së anëve të veçanta midis dy tetërrokshave, me tentativë të dhëniemarrjes së anasjellë, në këtë shembull vijëzohen pikë për pikë edhe në dy tetërrokëshin: “Fenë me lulëzuom: kishënë me shërbëtyrë”, ku marrëdhënia është prezente dhe krejt e kapshme në rrafshin kuptimor, natyrisht e shpaluar me përshkallëzim; nga adresimi universal te feja zbritet në adresimin konkret në mjedisin epiqendër, pra te kisha, patjetër duke iu drejtuar shërbëtorëve, pra, njerëzve besimtarë.

 

Edhe makrostruktura e tërë poezisë në raportimin e dy tetërrokshave përbërës paraqitet jo krejt e larguar, madje më tepër përputhet, ku poeti i vendos kaq pranë, jo rastësisht, përkundër, si një përftesë poetike origjinale, duke fiksuar principin e prejardhjes.

 

Pra, pothuaj të gjithë dytetërrokshat e kësaj poezie nuk janë të prera si me thikë, si njësi poetike, krejt të mëvetësishme, por nuancat semantike dhe, veçmas, grafia e pranëvënies i afron ato, domethënë dytetërrokshat, deri në nivelin e një njësie të vetme, natyrisht me pika këputjeje, të cilat paraqesin jo pak vështirësi interpretimi të përfunduar.

 

 

6- BUDI DHE NAIMI

 

Vargjet e kësaj poezie, me dy tetërroksha të ndarë apo me një njësi më vete poetike, të përbërë nga dy tetërroksha, veçohen fare natyrshëm edhe për ngjashmërinë formale në metrikë dhe në theks me vargjet e poemës “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit, të përcaktuara nga shumica studiuesve si krijim me varg 16-rrokësh ose si poemë me tetërrokësh të dyzuar.

 

Themi ngjashmëri formale duke u nisur nga numërimi i rrokjeve, sipas vendndodhjes lineare, por jo nga përcaktimi i njëjtë i njësisë poetike, pra i vargut.

 

Kodeksi i linearitetit, pra numri i barabartë i rrokjeve, fakton përputhjen e plotë midis Budit dhe Naimit, së paku si teknikë vjershërimi.

 

Termat ngjashmëri sipërfaqësore (formale) dhe, sidomos përputhje e plotë, detyrimisht do të mund të qëndrojnë ose do të mënjanohen nga përcaktimet interpretative, vetëm me përqasjen krahasimore, pra si verifikim i përngjitur i vargjeve të të dy poetëve.

 

Vargjet:

 

I madhi zot qofsh lëvduom: për gjithë kaqë mirë,

Qi se kam u merituom: me ndonjë shërbetyrë

Këtë kafshë me mbaruom: që paçë si detyrë.

Natë e ditë tue shkruom: zemëra më gjet të lirë,

 

(f. 281),

 

janë të fillimit të poezisë së Pjetër Budit. Ndërsa vargjet:

 

Sa të mirazë ke dhënë, zot i math ei vërtetë,

eç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

Sa më pëlqeu blegërima, zër’ i ëmbël i bagëtisë

qengji dhe kec’ i bukur, që rri më gjunj e pi sisë!

 

(ANTOLOGJI E LETËRSISË SHQIPE, botim i vitit 1964. f. 176).

 

Kështu, duke i pranëvënë vargjet e secilit prej poetëve, rritet ndjeshëm mundësia e krahasueshmërisë së tyre, e ndryshimeve dhe nuancimeve të përafërta, e pikëtakimeve dhe pikëdallimeve të mënyrës së vargëzimit, sipas kësaj grafie, pra me praninë e gjashtëmbëdhjetë rrokjeve në një varg.

 

A – Krahasimi formal i metrikës së vargjeve të të dy poetëve zbulon se dy tetërrokshat e Budit përputhen tërësisht me tetërrokshin e dyzuar të Naimit, veçse Budi e numëron diftongun -uo si dy rrokje, kurse Naimi preferon dhe përdor apostrofin (heqjen e zanoreve fundore), çka bie ne sy edhe në vargjet ilustruese, ku kjo grafi shkrimore ngjet në katër raste.

 

B – Krahasimi i domethënies së vargjeve, pra i mesazhit të përcjellë, rezulton i përafërt, sidomos kjo ndihet në raportimin e secilit prej tyre me Zotin, veçse te Budi ndjesia shfaqet si marrëdhënie e nënshrimit total, kurse përgjërimi dhe respektimi i Naimit ndaj Zotit është më tokësor, çka buron nga botëkuptimi panteist, i dëshmuar në veprën e tij letrare, dhe i vënë re nga ana e studimeve letrare.

 

C – Krahasimi i grafisë së shenjave të pikësimit, jo e shqyrtuar deri më tani, paraqitet tejet interesante:

 

Vihet re se, te Budi, si shenjë ndarëse e dy tëtërrokshave, në katër vargjet ilustruese, përdoren dy pikat. Ndërsa te Naimi, si tregues i tillë jo ndarës, vendoset presja, por kjo shenjë vendoset në tri raste dhe mungon te njëri prej vargjeve.

 

Gjithashtu, grafia e dy pikave, si një shenjëzim formal dhe jo i tillë, rezulton konsekuent në të gjitha vargjet e kësaj poezie, pra duke u kthyer në arketip grafik i domosdoshëm.

 

Nga ana tjetër, grafia e presjes te Naimi paraqitet prezente pothuaj në mbi shtatëdhjetë përqind të poemës, pra si konsekuencë jo e plotë, në kuptimin tërësor. Megjithatë edhe në këtë aspekt, gjithsesi të diferencuar, vihet re përputhja e përafërt grafike, si një shenjim i pranishëm, ndonëse këto shenja pikësimi kanë diferenca të dukshme ndërmjet tyre.

 

Shenjëzimi grafik, me dy pika ose me presje, është i barabitur në përdorimin e tyre për të shënuar PAUZËN (logjike ose emocionale), veçse kohëzgjatja e tyre është e ndryshme. Te shenja e dy pikave, pauza është më e zgjatur, më e MADHE, kurse shenja e presjes shënon një pauzim më të SHKURTËR.

 

Nëse për një moment intuitivo-real do t’i merrnim vargjet e të dy poetëve pa këto shenja pikësimi, a do të humbisnin gjë në kuptimin poetik? Aq më tepër që lëvrimi i poezisë pa fare shenjë pikësimi është bërë një dukuri poetike interesante e letërsisë botërore, por jo e munguar edhe në letrat shqipe.

 

Edhe kjo hamendje, por sidomos prania e grafisë së dy pikave dhe presjes, përbën një fakt konkret te të dy poetët, që meriton vëmendje, këndshikim, shqyrtim të gjerë, për ta interpretuar shkencërisht.

 

Ç – Krahasimi i leximit, natyrisht shprehës, në ratin e Naimit paraqitet i njëtrajtshëm, ku linieriteti i shqiptimit të vargut gjashtëmbëdhjetërrokësh apo tetërrokëshit të dyzuar, me apo pa presje nuk cenohet aspak si fomalitet dhe muzikalitet.

 

Shprehësia e vargjeve të Budit mund të fitohet si efekt i plotë vetëm nëse kuadrohet me rrethanat e krijimit dhe adresimit të tyre, pra si poezi e lexim (këndim)-dëgjimit, akt i dyzuar i ceremonialeve fetare.

 

Poezia e Budit, pa dyshim edhe vargjet e cituara, e formulojnë shprehësinë, detyrimisht, me dyfishim :

 

1- SI LEXIM-KËNDIM, çka do të thotë prani emocionale, intonative, logjike, madje edhe të pranisë së muzikalitetit tek ai që ligjëron.

 

2 – SI LEXIM-DËGJIM, çka do të thotë imponim me çdo kusht dhe mënyrë nga ana e të pranishmëve.

 

Shprehësia e LEXIM-KËNDIM-DËGJIMIT është njëra prej konvencioneve të domosdoshme të ceremonialeve fetare qysh në fillesat e veta, dhe me rol primar dhe funksional edhe sot e gjithëditën.

 

Destinimi poetik, i veçantë dhe funksional i Budit, paraqitet si një akt i trefishtë: LEXIM-KËNDIM-DËGJIMI, i përsosjes së ceremonive fetare, pandarazi me të edhe të ndjesive personale, që kanë mprehur dhe imponuar specifikën e vargëzimit në të gjithë poezinë. Kështu edhe në vargjet:

 

Qi më gjetunë mëngji: të mjerëtë ndë e vonë

Ndër ťatijat regjëni: të jetë jeta jonë,

E parrisi i tij: kurti e bashtina jonë,

 

(1986: 283),

 

te të cilët, përveç frymës biblike që e bartin brenda indit organizues poetik, pulson edhe temporitmika autoriale, si një mbishtresim i aureolës fetare të shpaluar. Gjithashtu, në këtë pasazh tërheq vëmendjen fjala “bashtina”, për faktin se këtë formulim, si trajtë edhe emërtim, e hasim në poemthin e Pashko Vasës “O moj Shqypni” si dhe termi tjetër “kurti” (oborri), që përdoret për të emërtuar pjesën përpara shtëpisë, edhe sot e kësaj dite në të folurit e Shqipërisë Verilindore, si dhe në trojet shqiptare të Kosovës e Maqedonisë. Prania e këtyre elementeve dhe, sidomos shfaqja e termit bashtina në poezinë e Rilindjes Kombëtare, nuk mund të përbëjë një rastësi të zakonshme, përkundër vjen si një bartje logjike e tij, mbase pasojë e njohjes së veprës poetike të Budit nga ana e shkrimtarëve të kësaj periudhe.

Edhe këtu është i pranishëm përdorimi i shenjës së dypikëshit me funksion të zgjerimit të hapësirës së pauzës, element ky i domosdoshëm i dy akteve të njëkohshme, KËNDIMIT, si proces personal i priftit-poet, më i thjeshtë dhe emocional, dhe DËGJIMIT, si hallkë më komplekse, sepse do të duhet të përthithet aty për aty, nga grigja, dëgjuesit.

 

Mjaft interesant është fakti se edhe vargjet e Budit mund të lexohen edhe vetëm si artikulim linear :

 

Ke del dielli e ri: kurrë me mos pushuom

Atë lavd përpara tij: të mundëm me kallëzuom.

 

(1986: 283),

 

ku kohëzgjatja ndërmjet dy tetërrokshave të secilit varg është më e madhe dhe, kurrsesi duke kapërcyer në dy tetërrokëshin pasardhës, sepse humbet tërësisht logjika formale dhe organike e vjershërimit.

 

Nga përqasja e vargjeve të dy poetëve të shquar të letrave shqipe, pavarësisht distancës kohore dhe dallimeve të tjera, në pistën e teknikës vargëzuese evidentohet më tepër përputhja se sa diferenca, më tepër ka afri se sa ndryshime. Kjo gjendje e dyzuar e situimit të vargjeve, si teknikë metrike dhe grafike, nga ana e të dy poetëve, zgjeron gamën e interpetimeve të këtij fakti, qoftë edhe për të pohuar ngjashmërinë e vënë re, si dhe për të shtruar hipoteza shqyrtuese:

 

1 – Se të dy poetët në kohë të ndryshme kanë lëvruar tetërrokëshin e dyzuar.

 

2 – Se të dy poetët kanë lëvruar dy-tetërrokëshin, e ndarë te Budi, dhe si njësi e vetme poetike te Naimi.

 

3 – Se të dy poetët kanë lëvruar në vjershërimin e gjuhës shqipe vargun me gjashtëmbëdhjetë rrokje.

 

Pavarësisht se cila nga këto hipoteza mbetet, pavarësisht  edhe rrëzimit të të triave dhe daljes në dritë të tjerave sosh, strukturaliste e tekstologjike, nga një verifikim verbal i krijimtarisë orale të popullit apo të asaj të kultivuar në gjuhën shqipe, për strukturën metrike, frymën e përcjellë, si dhe përdorimin e shenjave të pikësimit, si pika këputjeje e jo si kufij ndarës, me gjithë diferencat e pranishme, fare natyrshëm, fiksohen gjykimet:

 

A – Se Pjetër Budi është i pari poet që e ka strukturuar dytetërrokëshin në krijimtarinë e kultivuar të letrave shqipe.

 

B – Se Naim Frashëri e ka lëvruar i dyti strukturimin e tetërrokëshit të dyfishuar.

 

C – Se Naimi, gjithsesi, e ka huajtur nga vepra poetike e Budit modelin e strukturës së vargut me staturë dhe metrikë të tillë.

 

Në përforcim të kësaj teze, krejt natyrshëm vjen edhe pohimi i Henrik Lacajt, studiuesit dhe përkthyesit të shquar, kur thotë: “Kështu pra në këtë sistem karakteristik vjershimi gjejmë afri tonike ndërmjet vargjeve të Budit dhe Naimit” (1966: 154), qysh kohë më parë.

 

© Behar Gjoka

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania