Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Qershor 2022
“La Libre Parole” ka botuar, të dielën e 22 qershorit 1919, në ballinë, intervistën ekskluzive të Imzot Luigj Bumçit, asokohe delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një thirrje për Shqipërinë
Intervistë me Imzot Bumçin
Peshkopin e Lezhës
Midis anëtarëve të delegacionit shqiptar, i kryesuar nga Turhan Pasha, i cili sapo ka mbërritur në Paris, për të paraqitur pretendimet e drejta të këtij vendi në Konferencën e Paqes, bën pjesë Imzot Bumçi (Luigj Bumçi), peshkop i Lezhës (Shqipëri).
Me një kulturë të lartë intelektuale, shumë mendjehapur, mendjegjerë dhe mëndjemprehtë, z. Bumçi është një nga peshkopët më të rinj të katolicizmit : është vetëm 46 vjeç dhe ka tetë vjet që është peshkop: funksion të mbartur që prej moshës 38 vjeçare.
Ai pati mirësinë të na priste dhe të na jepte një intervistë. Këtu është një përmbledhje e asaj që ai na tha :
“Shqipëria, e gjymtuar në Kongresin e Londrës në 1913 në dobi të Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, pati dhimbjen të shihte edhe një herë këto fuqi të fundit të pretendojnë territore të reja shqiptare në Kongresin e Paqes dhe vë në dukje se këto pretendime të pajustifikuara patën një pritje dashamirëse në Paris.
A është e nevojshme të përgënjeshtrohen shpifjet e bëra kundër nesh? Ato të kujtojnë shumë argumentet e ujkut kundër qengjit.
Për shekuj, ne luftuam kundër pushtuesve pa lejuar kurrë që të asimilohemi prej tyre : kundër legjioneve romake, pastaj kundër bandave sllave. Ne kemi ruajtur gjithmonë pavarësinë dhe unitetin tonë kombëtar.
Është thënë se shqiptarët ishin refraktarë ndaj përparimit, ndaj qytetërimit. Pse ? Sepse nga pikëpamja sociale dhe ekonomike kemi një organizim “kantonal” sipas klanit (fisit); sepse nga pikëpamja e hakmarrjes publike kemi zakone të veçanta : për shembull, familja është përgjegjëse për kërkimin dhe ndëshkimin e vrasësit të njërit prej anëtarëve të saj. Dhe është një zakon aq i njohur sa familja e fajtorit të dënuar nuk mban mëri ndaj atij që ka vënë drejtësinë.
Në realitet, shqiptari është në thelb kalorësiak dhe mikpritës; ai nuk është inferior ndaj asnjë prej racave të tjera ballkanike.
Unë mund të mbush një rubrikë në gazetën tuaj me emrat e shqiptarëve që e kanë bërë të famshëm vendin tonë.
Papa Klementi XI ishte shqiptar.
Por më i famshmi nga të gjithë është Skënderbeu, i cili ishte i pari në Evropë, në krye të shqiptarëve, që guxoi t'i rezistonte Sulltanit që komandonte një ushtri të frikshme prej 150.000 burrash dhe që ishte betuar të ushqente kuajt e tij në shkallët e Shën-Pjetrit në Romë ! Skënderbeu i bëri ballë luftës për 24 vjet, një luftë e përgjakshme, e furishme, legjendare. Turqit nuk e mposhtën dot rezistencën e tij. Skënderbeu e shpëtoi Evropën.
Gjatë kësaj kohe grekët përfituan nga mosmarrëveshjet dhe grindjet bizantine. Tirani i Serbisë kremtoi dasmën e së bijës me Sulltanin dhe duke penguar bashkimin e ushtrisë së Skënderbeut me atë të Gjon Huniadi-t, lejoi që turqit të arrinin fitoren e Varnës.
Gjatë katër shekujve të sundimit turk, historia osmane regjistroi 54 kryengritje të mëdha shqiptare. Dhe popullin e pamposhtur duan ta nënshtrojnë ndaj fqinjëve të tij.
Në parim të drejtësisë, Shqipëria duhet të përfshijë (përbëjë) të gjithë vendin shqipfolës. E gjithë fusha e Kosovës e shkëputur padrejtësisht nga Shqipëria dhe e dorëzuar Serbisë dhe i gjithë Epiri, që pretendohet se do t’i jepet Greqisë, janë të banuara nga shqiptarë dhe duhet të jenë pjesë e shtetit shqiptar.
Paqja do të mbretërojë në Ballkan vetëm nëse bazohet mbi drejtësinë dhe të drejtat e popujve.”
G. Latouche
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/la-libre-parole-1919-intervista-ekskluzive-e-imzot-luigj-bumcit-anetar-i-delegacionit-shqiptar-ne-konferencen-e-paqes-ne-paris/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://opinion.al/intervista-e-imzot-bumcit-anetar-i-delegacionit-ne-konferencen-e-paqes-ne-paris/
https://ulqini-online.com/sajti/?p=32538
https://konica.al/2022/06/intervista-ekskluzive-e-imzot-luigj-bumcit/