GJURMË TË MËSIMIT DHE SHKOLLËS SHQIPE NË MARTANESH

Shkolla e mesme e Krastës në MH Gjergj Kastrioti Krujë - Fotografi e dërguar nga autori
Shkolla e mesme e Krastës në MH Gjergj Kastrioti Krujë - Fotografi e dërguar nga autori

Aqif Ymeri, Klos – 6 Janar 2017

 

Të shkruash për arsimin në Martanesh është sa e e nevojshme e detyrim për ne që kemi punuar në atë trevë të lashtë, aq edhe kërkesë për maturi. E pohoj këtë, sepse atje është kontributi i sa e sa intelektualëve të shquar nga e gjithë Shqipëria, si nga Elbasani, Tirana, Gjirokastra, Përmeti,Vlora, Saranda, Fieri etj., nga veriu, Shqipëria e Mesme e nga jugu,si dhe nga vetë Martaneshi, të cilët që nga fillimi i shekullit të XX e deri në ditët tona kanë punuar me përkushtim për zhvillimin arsimor e kulturor të kësaj treve. Vetëm për kohën që kam punuar unë në Krastë, kujtoj disa dhjetëra intelektualë, kolegë të mi, që vinin nga jashtë trevës së Matit, si Agron Çobani,Ibrahim Konjari,Arben Karapici, Spiro Gjoni, Niko e Athinulla Strati, Guri e Erifili Canaj, Vasilika Çaushi, Vojsava Bani, Dhimitër (Qirolleri) Ranxha,Filip Dhimulla, Arjan Stoli, Haxhi Spahiu, Leonidha Gjika, Selim Isufi, Vera Jakupi, Feride Gërbi e shumë e shumë të tjerë, pa përmendur listën e gjatë të inxhinierëve që dhanë mësim në teknikumin e minierës, me e pa shkëputje nga puna, si dhe mësuesit e shumtë që vinin nga e gjithë krahina e Matit.

 

Secili nga këto reflektonte përvojë e horizont kulturor e shkencor, duke ndikuar jo vetëm në fuqizimin e procesit mësimor edukativ, por edhe në zhvillimin tërësor të trevës. Ndaj, si njohës i mirë i mësimit dhe shkollës shqipe, e ndjej që në këtë proces shumëdimensional e të thellë, në një shkrim të tillë unë vetëm mund të pasqyroj disa gjurmë nga kujtesa ime, madje duke kërkuar ndjesë për gravitetin e tyre në këtë “përzgjedhje”, sepse askush nuk mund të përcaktojë etalonin në vlerësimin e këtyre veprimtarive të ndritura e me vlera të mëdha për vazhdimësinë, ndonëse gjithkush e ndjen nevojën e fokusimit të këtyre vlerave në memorien kombëtare.

 

Motoja e rilindasve tanë: “mendja e një kombi është arsimi” na prin të zhbirojmë gjithnjë me kujdes në zinxhirin e gjatë të zhvillimeve të pandërprera të mësimit e shkollës sonë, ku asgjë nuk duhet konsideruar thjeshtë si ndodhi e rastësishme. Përpjekjet për dije e kulturë janë të herëshme, kanë formësuar një udhë të gjatë së cilës ende s’i dimë fillesat, por që rilindasit tanë këtë vazhdimësi e motivuan qatrtë “…se dritë e diturisë, përpara do na shpjerë”. Është kërkesë parësore vemendja e kujdesi për të njohur e mirëadministruar gjithçka që trashëgojmë, por njëherësh edhe për të vlerësuar mësuesin dhe misionin e tij aq të vyer për sigurinë e ardhmërinë.

 

Që në kohën e qeverisë së Vlorës, ministri i parë shqiptar i arsimit, Luigj Gurkuqi është shprehur: “Le ta dinë mirë të gjithë mësuesit…do t’i bëjnë më të madhin shërbim atdheut dhe kombit tonë e se nuk ka mjeshtëri më të ndershme e më të dobishme se ajo e mësimit”.

 

Po sjellim njëherësh ndërmend një shprehje shumë të mençur të personalitetit të shquar të shkencës e arsimit në Shqipëri, Aleksandër Xhuvani: “Le të mos lëmë mësuesin të bëjë atë që nxënësit e bëjnë me mundësitë e tyre, por t’ia lëmë nxënësit mundimin e të kërkuarit dhe kënaqësinë e të gjeturit”.Një sentencë e tillë e fuqishme në procesin mësimor të shkollës shqiptare, që para më se 70 vitesh, është dëshmi e qartë se shkolla jonë pati formësuar një fizionomi të qartë kombëtare, me risitë që konsiderohen të tilla edhe në zhvillimet e sotme arsimore në botë.

 

Pra shkolla shqipe, prej kohësh trashëgonte përvojë të pasur, me bazë të shëndoshë e siguri për të ardhmen. Më tej edhe në vitet e monizmit, ndonëse Shqipëria përjetoi diktaturën më të egër që njohu i ashtuquajturi sistem socialist e  komunist, arsimi me angazhimin tërësor të forcave shkencore e pedagogjike, pati zhvillime që shënuan arritje të pamohueshme për shkollën tonë. Këto zhvillime e arritje qenë mjaft efektive edhe në gjithë krahinën e Martaneshit dhe veçanërisht edhe në qytetin e Krastës, ku unë punova për një kohë të gjatë si mësues e drejtues, nga shtatori i vitit 1981 deri në dhjetor të vitit 1992, në fillim në Shkollën e Mesme të Bashkuar Krastë, e cila përveç gjimnazit dhe teknikumit të minierës, me e pa shkëputje nga puna, kishte edhe shkollën tetëvjeçare bashkë me anekset e ciklit të ulët Thekën, Melcu, Gjon e Stoveç, si dhe kopshtin e qytetit Krastë.

 

Pas largimit të ish drejtorit, Niko Strati, në gusht të vitit 1988, drejtova Shkollën e Mesme të Bashkuar Krastë, e cila bashkë me anekset arrinte në 1300 nxënës dhe çuditërisht frekuentimi i nxënësve në shkollë ishte 100%, pra nuk kishte asnjë nxënës të larguar nga arsimi i detyruar. Natyrisht, ndikonte përkushtimi i masës së mësuesve në proçesin mësimor-edukativ të shkollës, por faktori kryesor në këtë arritje  ishte fakti i pamohueshëm  që kjo trevë ishte arsimdashëse. Kishim ndonjë rast të veçantë të shfaqjes së vështirësive dhe kjo kryesisht nga problemet e gjendjes ekonomike të ndonjë familjeje, megjithatë puna pasionante e mësuesve dhe bashkëpunimi me pushtetin vendor, madje edhe me drejtorinë e minerës për t’u ardhur në ndihmë familjeve, bënte që të zgjidhej plotësisht çështa e frekuentimit të nxënësve.

 

Më 19.11.1989, shkolla tetëvjeçare u nda nga shkolla e mesme dhe unë kalova në drejtimin e shkollës së mesme me dy degët gjimnaz e teknikum miniere (shfrytëzim miniera), me e pa shkëputje nga puna, detyrë të cilën e kreva deri në dhjetor të vitit 1992, mbasi pas kësaj periudhe deri në gusht të vitit 1996 u angazhova me qeverisjen vendore të kësaj treve. Duke u angazhuar edhe në veprimtari të tilla si drejtues i kursit për programet e reja të matematikës,kryetar i komisioneve lëndore për matematikën e fizikën etj., kam patur mundësi të njoh mirë gjendjen arsimore në gjithë trevën e Martaneshit. Sot të duket si e pabesueshme, por puna pasionante e  përkushtimi i një mase të madhe mësuesish në shkollat e kësaj zone ishte me të vërtetë një veçanti, që ka lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën time.

 

Një fushë mjaft e gjërë e veprimtarisë së shkollës në tërësi, ka qenë zhvillimi professional i personelit mësimor. Tashmë është e ditur se deri në vitin 1987, në shkollën tonë mbizotëronte të mësuarit tradicional. Siç e theksova edhe më parë, shkolla jonë kishte formësuar një fizionomi të qartë kombëtare, me një përvojë të pasur e që s’mundet ta mohojë askush, por gjithësesi, ai lloj të mësuari kishte në thelb të tij një pasuri të trashëguar, të pranuar si të drejtë më parë. Megjithatë, edhe gjatë kohës që në shkollën tonë mbizotëronte të mësuarit tradicional, mjaft mësues i ndjenin thellë mangësitë e këtij lloji të mësuari.

 

Ata e konceptonin qartë se te nxënësi duhej të eliminohej mungesa e dëshirës dhe e paaftësisë për të përvetësuar të gjitha çështjet që ata nuk i pëlqejnë, në të cilat nuk gjen lidhje të brendshme, por që duheshin pranuar sipas nocionit të “kulturës së përgjithshme”. Ata e kuptonin se ajo formë të mësuari sillte mospërvetësim të plotë, pra të mësuar sipërfaqësor. Mësimi nuk mund të bëhej aktiv, në qoftë se nxënësit nuk i afrohej diçka që atij i intereson për jetën dhe për më tepër me mjete e forma të ngurtësuara, standarte. Ata e ndjenin, që të mësuarit të jetë aktiv, është që, ndryshe nga ç’mendohej më parë, aftësia për të mësuar tregon zhvillim mendor, pjekuri, objektivitet dhe tërësi njohurish të gjithanshme. Mësimi do të ishte aktiv, atëherë kur vënia përballë e mësuesit nga njëra anë dhe e nxënësit nga ana tjetër, zbutet duke u shndërruar në një bashkëpunim.

 

Kështu, po frynte era e risive, që do të shkonte drejt gjithëpërfshirjes së nxënësve në procesin mësimor. Në këtë evolim, kishte kohë që kishte vijuar puna me kabinetet mësimore. Mësuesi Gegë Tusha kishte ndërtuar me shumë kujdes e maturi kabinetin e gjuhëve të huaja. Unë, duke bashkëpunuar kryesisht me drejtuesit e  minierës dhe të ndërmarrjes së furnizimit të punëtorëve të asaj kohe për sigurimin e materialeve, pata ndërtuar një kabinet mjaft funksional për lëndën e fizikës, mësuesi specialist i minierës (inxhinier) Faik Zela, bashkë me inxhinierin Bajram Dishi patën ndërtuar gjithashtu kabinetin funksional për lëndët teknike të shfrytëzim minierës dhe gjeologjinë. Mësuesi i letërsisë Flamur Bala, po ashtu, pati bërë funksionale e pasuruar bibliotekën e shkollës dhe ndërtuar me kujdes kabinetin e letërsisë. Kjo punë vijoi edhe nga mësues të tjerë. Pata siguruar me shumë përpjekje një epidiaskop dhe disa aparate të tjerë projeksioni.

 

Pra shkolla pati formësuar përvojën e saj në punën me kabinetet mësimore dhe pjesëmarrja aktive e nxënësve, stimulimi i veprimtarisë së pavarur e krijuese qenë ndër objektivat parësore të punës mësimore. Natyrisht, kjo nuk ishte thjesht një arritje e kolegëve që përmenda, por një formësim në udhën e gjatë të përpjekjeve e të veprimtarive me synime të qarta të shkollës sonë në përgjithësi e të asaj zone në veçanti dhe veçanërisht të shkollës së Krastës, ku unë që kur erdha gjeta kabinetin e matematikës model të ndërtuar nga ish drejtori e mësuesi pasionant Niko Strati, kabinetin e biologjisë e të kimisë të ndërtuar nga mësuesi me shumë përvojë, Zenel Gjoni, Që në hyrje të shkollës të binte në sy këndi sportiv i shumëkompletuar, që e kishin zili edhe shkollat e kryeqytetit, të cilin e kishte ndërtuar mësuesi, përsëri me shumë përvojë, Ismail Meta, etj.

 

Duhet theksuar, se edhe në ato kohë të vështira i kushtohej vemendje procesit të punës kualifikuese me mësuesit. Zhvilloheshin seminare kualifikuese brenda shkollës, por edhe në shkallë zone me mësuesit sipas profileve e cikleve. Me mësuesit e ciklit të ulët edhe në shkallë zone bëheshin sipas klasave ku jepnin mësim. Në seminaret e mëparshme binin në sy tematika të tilla si “mbi punën e diferencuar me nxënësit në procesin mësimor”, “mbi rritjen e veprimtarisë së pavarur e krijuese të nxënësit në procesin mësimor”, “mbi rritjen e efektivitetit të orës mësimore”, “probleme të aktivizimit të nxënësve në mësim”, “konkretizimi në procesin mësimor”, “mbi formimin logjik e krijues të nxënësve në procesin mësimor”, etj. Qenë ngritur komisionet lëndore, madje në vitet 80’-90’ të shekullit të kaluar, sipas zonave kryetarët e komisioneve lëndore kishin edhe një ditë të javës që nuk ishin të ngarkuar me orë mësimore, mbasi do të vëzhgonin kolegët e tyre nëpër shkolla. Gjatë vëzhgimeve kontaktonin e diskutonin mbi problemet e ndryshme të rritjes së efektivitetit të procesit mësimor, duke përdorur metodologji e teknika të reja.

 

Në seminaret zonale me të gjithë mësuesit, në fillim vëzhgoheshin një ose dy orë mësimore nga të gjithë mësuesit sipas komisioneve lëndore, pastaj bëheshin analizat e orëve të vëzhguara, duke shkëmbyer mendime e ide në funksion të shkëmbimit të përvojës e aplikimit të risive dhe së fundi zakonisht punohej një temë metodiko-shkencore. Në shkollat tona po rrënjosej thellë ideja se “strategjia e parë dhe me rëndësi thelbësore është që mësimi ta vërë theksin në proceset e mendimit”. Mësuesit, edhe në këtë trevë, filluan të diskutojnë për të përdorur ato metoda e ide që sigurojnë një përvetësim më të mirë të teorisë, zhvillimin e mendimit logjik të nxënësve, lidhjen më të qartë logjike të koncepteve, shkallën e duhur të rigorozitetit në procesin mësimor, që nxitin për krijimin e koncepteve të reja e të fakteve të reja nga nxënësit dhe që i drejtojnë ata për punë krijuese e të pavarur.

 

Kështu, kujtoj mirë një orë mësimi që rastësia më çoi të vëzhgoj te mësuesi Kasem Kenga në lëndën e fizikës, në fshatin Lenë. Ndonëse isha i ri dhe njihja mirë metodikat e eksperimentit demonstrative në lëndën e fizikës, me autor Konstandin Lekën, u befasova, kur mësues Kasemi, krejt natyrshëm, mbi bazën e fakteve eksperimentale të konstatuara, udhëhiqte mendimin e nxënëve për përpunimin e koncepteve të reja. Të them të drejtën, nuk është se edhe në vitet më vonë pata ndonjë shoqëri të afërt me këtë mësues të zellshëm, por ai me përvojën dhe potencialin e tij intelektual, më impononte respekt të veçantë. Po ashtu kujtoj një episod tjetër të viteve 70’, në shkollën e Peshkut, ku gjithashtu më çoi rastësia. Ishte drejtor shkolle Zenel Gjoni (në mos gabofsha drejtor zonal). Mësuesit po diskutonin për planifikimin lëndor. Kujtoj mirë mësuesin Bashkim Marqeshi, i cili i kushtonte aq shumë kujdes jo vetëm planifikimit, por edhe paraqitjes estetike të materialeve me shkrim. Mbaj në mendje shprehjen e tij: “për një korrigjim, do të hedh të gjithë materialin e planifikuar në fletore tjetër”. Për këdo, tani duket si paradoksale, sepse sot kemi kompjutera e fshijmë e rregullojmë sa herë duam e si të duam, por në atë kohë gabimi nuk mund të fshihej në shkrimin e dorës.

 

Pra, sot të duket vërtet e pabesueshme, por mësuesit e asaj shkolle ishin me plane të rregullta të paktën 10 ditë para fillimit të mësimit dhe po debatonin me profesionalizëm për këtë hallkë shumë të rëndësishme të fillimit të vitit të ri mësimor. Kështu, Martaneshi e  kishte me të vërtetë të formësuar përvojën e punës në shkollë, duke patur të harmonizuar në të edhe risitë e sjella nga shumë intelektualë të ardhur jo vetëm nga Mati, por nga e gjithë Shqipëria.

 

Mësuesit dhe pedagogët tanë, në të gjithë vendin, kishin shënuar mjaft arritje në fushën e procedimeve didaktike. Pikërisht këto përpjekje shkencore e pedagogjike të mësuesve e pedagogëve tanë pasionantë, duke shfrytëzuar edhe përvojën që patën mundësi të njihnin nga vendet e tjera, aq sa e lejonte koha, çuan natyrshëm në vitin 1987, në simpoziumin kombëtar “për një të mësuar aktiv e krijues”. Ky simpozium u mbajt në tre qytete të Shqipërisë, në Vlorë, Tiranë e Pogradec, respektivisht në datat 16, 19 dhe 26 maj të atij viti. Aty përveç drejtuesve e specialistëve të Ministrisë së Arsimit e Institutit të Studimeve Pedagogjike, morën pjesë edhe drejtues e specialistë nga rrethet, inspektorë e metodistë, kryetarë të komisioneve lëndore, si dhe mësues me përvojë të pasur e të pasionuar.

 

Në këtë simpozium pata fatin dhe mundësinë të merrja pjesë edhe unë në Tiranë, në cilësinë e mësuesit me përvojë, si dhe të kryetarit të komisionit lëndor për matematikën, por edhe të drejtuesit të kursit me mësuesit e ciklit të ulët për lëndën e matematikës. Gjatë këtij simpoziumi u theksua me forcë se vend kryesor zinte kërkesa për një rritje cilësore të procesit mësimor-edukativ, me synimin që shkolla të nxjerrë njerëz gjithnjë e më të kulturuar, me njohuri të shëndosha ideo-shkencore, të aftë për t’u përballur më tej me sfidat e jetës. Një nga drejtimet parësore të kësaj rritjeje e zinte përpjekja për një formim logjik e krijues të nxënësve, për të forcuar e zhvilluar mendimin e gjallë krijues, në luftë kundër të mësuarit mekanik e riprodhues.

 

Materialet e simpoziumit dëshmonin se në të gjitha fushat, lëndët e tekstet, të mësuarit problemor ishte rruga më e gjetur për të zhvilluar me efektivitet këtë luftë, depërtimi sa më gjërësisht i kësaj forme të mësuari në të gjitha format e metodat, natyrisht i harmonizuar edhe me mënyrat e tjera të të mësuarit. Në kuadrin e ndryshimeve të teksteve e programeve, u shtrua nevoja e konceptimit të një vijimësie më të goditur midis cikleve të shkollës, duke vendosur në përmasat e duhura rimarrjen spirale të njohurive me atë të linearitetit. Një prirje e re e trajtimit të lëndëve mësimore u theksua se ishte integrimi. U tregua se harmonizimi ndërlëndor, ndërthurja e tyre, apo edhe deri trajtimi i përbashkët deri në një farë niveli të shkollës, mbetej një drejtim tjetër për t’u studiuar në vazhdimësi. Një vëmendje e veçantë iu kushtua formimit konceptual, duke treguar se themelore, gjatë hartimit të teksteve, mbetej shkalla e përpunimit të koncepteve kryesore, mënyra e paraqitjes dhe e trajtimit të tyre. Formimi konceptual u nënvizua se është baza e formimit logjik.

 

Është e natyrshme, që me kujdesin e organizmave të arsimit, edhe në shkollat e Krastës dhe në përgjithësi në Martanesh, këto risi gjetën pasqyrimin e tyre. Kështu kujtoj me shumë nostalgji mësuesin Kujtim Neli, i cili në orët e gjuhës e të letërsisë, me pasionin e tij për këto lëndë, ishte aq motivues sa edhe tërheqës, sa nxënësit në çdo çast të 45 minutëshit të orës mësimore ishin maksimalisht të vemendshëm. Me sa dëshirë e dëgjonin atë nxënësit, kur citonte me intonacionin e tij të veçantë veprat e bukura të letërsisë sonë, por edhe kur i ushtronte ato duke ndezur emocionet e tyre për të realizuar përshkrime sa më të bukura. Ai bënte kujdes të veçantë duke i ushtruar nxënësit në të lexuar e kërkuar me rigorozitet respektimin e të gjitha kërkesave të teknikës së leximit shprehës e të vetëdijshëm. Po aq i vemendshëm ishte me nxënësit gjatë bashkëbisedimeve për zbërthimin e përmbajtjes, nxjerrjen e ideve, karakterizimin e personazheve, dallimin e stilit e gjuhës së autorit, të vlerave e figuracionit letrar etj. Prirja themelore e mësuesve të tillë për të udhëhequr mendimin e pavarur të nxënësve drejt zbulimit, për të zhvilluar te nxënësit imagjinatën, fantazinë e bashkë me ta aftësitë krijuese, mbetet risi në çdo kohë.

 

Në ciklin e ulët pati filluar eksperimentimi dhe më pas zbatimi i programeve të reja të matematikës. Kujtoj me shumë respekt si specialist i arsimit dhe në veçanti i lëndës së matematikës, mësueset Adile Plloçi, Zenepe Kenga, Zylfie Plloçi, Misire Zela, Drita Mira, Zelie Zeneli, Sabrie Gjoni, Hanife Ymeri, Fatbardha Ruçi, Marie Gjashi etj. për përpjekjet e tyre të mëdha, madje mund t’i quaj sublime, për t’i realizuar sa më me efektivitet kërkesat  dhe risitë e atij programi. Te këta mësuese, unë shihja modelin e vërtetë të mësimdhënësit në ciklin e ulët, mbasi ata zotëronin natyrshëm aftësi që mundësonin përmbajtjen shpirtërore, përjetimin e vlerave dhe të gjendjes në çdo rast, duke kërkuar të shprehur e marrëdhënie me etikë, ngrohtësi, çiltërsi, estetikë etj.

 

Më  duhet të pohoj se përdornin mjete të shumëllojshme në funksion të këtyre marrëdhënieve si, fjala e ngrohtë, zëri, ngjyra, lëvizjet gjestet etj. Elementë të tillë të të shprehurit të artit të mësimdhënësit, janë të domosdoshme për mësuesit për të mundësuar mbajtjen ndezur të motivimit dhe intelektit të nxënësit gjatë mësimdhënies dhe nxënies. Te këta mësuese kurrë nuk dëgjova shprehje të tilla si “shumë keq”, “ti je i pandreqshëm” etj. goditje të ashpra të kësaj natyre, por qortime miqësore të formës “më pëlqen përpjekja juaj, por a nuk do të ishte më mirë të shpreheshit....”, apo “jam i bindur se ju do ta bënit më mirë këtë përshkrim, nëse do të...”.

 

Pra toni i ngrohtë e dashamirës duke shmangur çdo shprehje fyese e frenuese, si dhe duke ndikuar me mjeshtëri në botën e tij emocionale, e bënte edhe më të motivuar e përfshirës nxënësin në procesin mësimor. Gjithashtu, vija re qartë, se në çaste të shprehjes së përjetimeve apo të përmbajtjeve shpirtërore, që gjithnjë te këto mësuese ishin edhe të cilësive të veçanta estetike, njëherësh paraprinin e stimulonin edhe vlera të veçanta psikike e mendore, si frymëzimi, intuita, talenti e krijimtaria, elementë këto që shprehin potenciale bazë të domosdoshme për mësuesin, në funksion të zbatimit të një mësimdhënieje të efektshme dhe cilësore.

 

Cilido nga ne e ka të qartë se breshëri ua prish petalet luleve, ndërsa puhia e lehtë e flladit pranveror u jep jetë atyre. Kështu është edhe puna me fëmijët, ndaj të jesh mësues, do të thotë të marrësh përsipër një mision sa të bukur e fisnik, aq edhe të komplikuar. Po të vazhdoja me vlera të tilla të mëdha të formësuara në ato kohëra të vështira në shkollën e Krastës dhe të reflektuara në gjithë hapësirën shkollore të kësaj treve, asnjëherë nuk do të mund t’i përfundoja këto gjurmë të pashlyeshme të kujtesës sime, ndaj duke kërkuar ndjesë për të gjitha ato që nuk mund të përmblidhen në një shkrim, por që nuk i japin shije të mirë lexuesit të interesuar, po vazhdoj më tej me disa fakte të arsimit të mesëm.

 

Shkolla e mesme në Martanesh është hapur që në shtator të vitit 1968, në Batërr, ku fillimisht nisi teknikumi i minierës, dega shfrytëzim miniera, pa shkëputje nga puna. Drejtor shkolle në fillim ishte Skënder Hoxha nga Korça. Më pas drejtimi i kësaj shkolle ka vijuar me Hajdar Cenametin nga Rremulli, Ibrahim Konjarin nga Tirana, Niko Stratin nga Gjirokastra, Aqif Ymeri nga Klosi etj. Vërtet ishin vite të vështira dhe në rangun e kërkesave të atëhershme ajo shkollë luajti një rol të rëndësishëm jo vetëm për trevën e Martaneshit, por qe një gjenerator aq i nevojshëm për minierën e kromit dhe, për më tepër duhet pohuar se, në vazhdimësi ndikoi edhe në arsimimin e të rinjve nga gjithë rrethi i Matit e më gjërë.

 

Në qershor të vitit 1976, kur po ngrihej kampi i të burgorsve në Batërr, teknikumi i minierës, pa shkëputje nga puna, zbriti në Krastë. Atë vit provimet e maturës (pjekurisë) janë bërë në Krastë, ndonëse mësimi ishte zhvilluar në Batërr. Shkolla pa shkëputje nga puna ka vazhduar deri në vitin mësimor 1992-1993. Në vitin mësimor 1993-1994 shkolla e mesme profesionale, dega shfrytëzim miniera pa shkëputje nga puna, u vetëmbyll. Duhet të theksojmë se në maturën e parë të kësaj shkolle, në vitin mësimor 1971-1972 janë diplomuar nxënës në dy degë: shfrytëzim miniera dhe gjeologji. Pas asaj mature, ka vazhduar vetëm dega shfrytëzim miniera.

 

Ndonëse shkolla nisi me 22 nxënës të regjistruar, prej të cilëve mbaruan 18, ata qenë të ndarë në dy degë dhe secila degë lëndët profesionale i zhvillonte veçmas me mësues specialistë (inxhinierë) në klasa të ndryshme. Në shkollën pa shkëputje nga puna janë pajisur me dëftesë pjekurie, gjatë të gjitha viteve së bashku, më se 480 nxënës. Shkolla e mesme profesionale, dega shfrytëzim miniera, me shkëputje nga puna, është hapur në vitin mësimor 1979-1980 dhe ka vazhduar deri në vitin mësimor 1995-1996. Nga kjo shkollë janë pajisur me dëftesë pjekurie më se 230 nxënës.Duhet të theksojmë se në teknikumin e minierës, para se të hapej gjimnazi (shkolla e mesme e përgjithshme), regjistroheshin përveç djemve edhe vajza. Natyrisht vajzat që mbaronin teknikumin e minierës, me e pa shkëputje nga puna, punësoheshin në laboratorin e minierës, në laboratorin e fabrikës së pasurimit të kromit të Krastës, në administratën e minierës e atë të fabrikës së pasurimit të kromit, si dhe në sektorë të ndryshëm të këtyre ndërmarrjeve  (minierës e fabrikës) etj. Shkolla e mesme e përgjithshme në Krastë (gjimnazi) është hapur në vitin mësimor 1985-1986 dhe vazhdon edhe sot. Deri më sot në gjimnazin e Krastës janë pajisur me dëftesë pjekurie më se 700 nxënës.

 

Në nëntor të vitit 1988, në kuadrin e 80-vjetorit të shkollës shqipe në  Martanesh, me mbështetjen e intelektualit martaneshas, Zenel Kurti, në qendrën e asaj treve, në ndërtesën dykatëshe të sapondërtuar të shkollës së Peshkut, me rastin e inaugurimit të kësaj shkolle të re, u organizua një sesion shkencor, ku u paraqitën disa tema studimore: tema me autorësinë e Ali Ballës (inspektor i arsimit në rreth) , mbi historikun e arsimit në Martanesh, tema e përgatitur nga unë mbi zhvillimin e arsimit të mesëm në këtë trevë dhe tre tema të tjera, të përgatitura nga Kujtim Gjoni, Shaban Zoti e Zenel Gjoni. Në këtë sesion, mori pjesë dhe përshëndeti edhe ish ministri i arsimit të asaj kohe, Skënder Gjinushi.

 

Gjithashtu, në qendrën e kësaj treve, në fshatin Peshk, në vitin mësimor  1989-1990 është hapur shkolla e mesme profesionale me shkëputje nga puna, dega zooteknikë, e cila ka vazhduar deri në vitin mësimor 1992-1993, duke arritur të nxjerrë një maturë me 40 nxënës. Pas këtij viti mësimor, arsimi i mesëm pranë shkollës “Baba Faja Martaneshi” në fshatin Peshk nuk ka vazhduar, ndërsa nxënësit e regjistruar gjatë viteve të mëparshme u mbartën në shkollën e mesme të Krastës.

 

Është më se e nevojshme të theksojmë se, jo vetëm nga gjimnazi e nga shkolla e minierës me shkëputje nga puna, por edhe nga shkolla e mesme e minierës pa shkëputje nga puna, kanë dalë nxënës shumë të mirë, të cilët kanë vazhduar e përfunduar Universitetin Politeknik të Tiranës në degët minierë e gjeologji, madje ndonjëri prej tyre ka arritur të marrë edhe drejtimin e minierës së kromit “11 Heronjtë” Batërr. Disa prej tyre sot janë mjaft të suksesshëm në veprimtaritë e lidhura me minierën.  Të mbaroje Universitetin Politeknik të Tiranës, në ato kohë të vështira, nuk ishte e lehtë. Është krejt e qartë se Shkolla e Mesme e Bashkuar Krastë kishte si bazament të fuqishëm përvojën e pasur të trashëguar të saj, që i mundësonte sigurinë në përgatitjen e formimin cilësor të të rinjve.

 

Në këtë institucion teknikat, metodologjitë dhe strategjitë mësimore, të përdorura me efektivitet nga personeli mësimdhënës, ndiqnin risitë e modelet bashkëkohore të procesit mësimor, në funksion të përgatitjes së nxënësit të aftë për t’u përballur me sfidat e jetës. Natyrisht, edhe organet e arsimit, duke qenë se Krasta në atë kohë kishte vizitorë të shumtë nga udhëheqja, në sajë të motos së atij regjimi diktatorial “kromi çan bllokadën”, ishin më të kujdesshme me shkollën e Krastës.

 

Kështu, pas simpoziumit kombëtar “Për një të mësuar aktiv e krijues”, në korrik të vitit 1988, qe organizuar një simpozium me të njëjtën tematikë vetëm për shkollat e profileve minierë e gjeologji në Korçë dhe nga shkolla e Krastës kemi qenë të ftuar unë si drejtues i shkollës dhe mësuesi specialist Faik Zela (i diplomuar si inxhinier miniere). Seminari drejtohej nga ish ministri i arsimit, Skënder Gjinushi dhe z. Sali Kelmendi, i cili në atë kohë në ministrinë e arsimit mbulonte sektorin e arsimit profesional. Aty, veç të tjerash, vëzhguam në monitor disa orë mësimi model në lëndët teknike me tematikë “për një të mësuar aktiv e krijues” dhe më pas vizituam poligonin mësimor në Çenske të Korçës, posaçërisht për praktikat profesionale me nxënësit e profileve minierë e gjeologji.

 

Natyrisht, mbasi ishim në prag të viteve 90’ ne nuk arritëm të ndërtonim një poligon të tillë në Krastë, ndonëse ishte i përfshirë në objektivat e përcaktuara nga Ministria e arsimit në atë kohë. Gjithsesi, ngjarjet pas viteve 90’ jo vetëm nuk mundësuan realizimin e atij objektivi që kërkonte investime të mëdha, por shkuan drejt mbylljes së degëve të tilla jo vetëm në Krastë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

 

Është edhe një fakt tjetër që vlen të përmendet. Meqenëse në atë kohë i kushtohej vemendje e veçantë punës prodhuese dhe praktikave profesionale, Shkolla e Mesme e Bashkuar Krastë, gjatë viteve 1989-1991, pati siguruar një sasi të konsiderueshme të ardhurash nga puna prodhuese në minierë, rreth dyzetmijë lekë të reja, të cilat i patëm mbajtur në llogarinë e Këshillit të Qytetit Krastë, me synimin që shkolla të blejë një autobuz për praktikat profesionale në minierë. Ndonëse qemë lidhur me drejtorinë e parkut në Burrel, por rrjedha e ngjarjeve më vonë, bëri që edhe ky synim i yni të mos realizohej. Me të ardhura të tjera të punës në minierë dhe në fabrikën e pasurimit, plotësonim nevojat e shkollës për ekskursionet mësimore dhe veprimtaritë e tjera mësimore-edukative. Kështu, ekskursione mësimore, me buxhetin e shkollës, patëm zhvilluar në objekte muzeale e historike, si në Krujë, Shkodër, Tiranë, Vlorë etj.

 

Sot të rinjtë “turren” të mbarojnë gjimnazin e më pas degë të ndryshme të universitetit, për të cilat, edhe vetë ata që i kanë përzgjedhur, nuk e dinë se pse i përzgjodhën. Të diplomuar, më mirë të themi kartona, ka plot. Por punë, për ata kartona, nuk ka. Ka tendencë për t’u larguar nga vendi… Zona Klos-Bulqizë-Martanesh është zonë e artë me pasuri të mëdha të mineralit të kromit. Por, si është e mundur që në këtë zonë nuk ka asnjë shkollë profesionale për minierën, ndërkohë që një pjesë e konsideruëshme e popullsisë e ka të ndërvarur jetën me minierën? Absurditeteve të tilla, tashmë duhet t’u mbarojë koha. Në këtë zonë shkolla e minierës është e para, që natyrshëm do t’u interesojë njerëzve. Janë  kërkesat e nevoja jetësore ata që do ta thërrasin atë.

 

Gjithsesi në këtë material përmbledhës u përpoqa të paraqes disa nga gjurmët e mësimit dhe shkollës shqipe në këndvështrimin e strategjive mësimore të fokusuara në vetëdijen time gjatë kohës së punës në Krastë. Meqenëse Krasta, është pjesë e bërthamës së kësaj treve, kurrsesi nuk mund ta trajtoja të veçuar, por në tërësinë e zhvillimeve dhe përvojës së formësuar të shkollës shqipe në Martanesh.

 

© Aqif Ymeri 

Blogu : Dars, Klos (Mat) – Albania

 

 

Shënim: Një pjesë të dhënash i kam nxjerrë nga biseda me mësuesin specialist, Faik Zela, ish nxënësin e maturës së parë të teknikumit të Batrrës, më pas pjesë e personelit drejtues të minierës, Muharrem Pepa, si dhe ish drejtorët e shkollës së Peshkut Kujtim Balla e Gëzim Hysa.Gjej rastin t’i falenderoj për bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë.