Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Janar 2021
“France-Orient” ka botuar, më 10 qershor 1922, në faqen n°86, një letër të Mit’hat Frashërit (Sulo Kendom) mbi zhvillimet e brendshme asokohe në Shqipëri dhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Francën, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëri
Letër nga Tirana
Tiranë, 25 maj.
Operacioni i domosdoshëm nga ngjarjet e marsit të kaluar duket se po jep rezultate të mira: qeveria, pasi u bë zotëruese e situatës në dhjetë ditë, ndërmori masa që mund të cilësoheshin si radikale, udhëheqësit e bandave u gjykuan nga gjykata ushtarake dhe u ekzekutuan, më shumë se njëqind u arrestuan, shumë prej të cilëve tashmë janë dënuar, shumë të tjerë janë gjobitur rëndë, përveç kësaj, një operacion çarmatimi është ndërmarrë dhe po vazhdon në këtë moment me rregullsi dhe rregull, pa shkaktuar shqetësime ose vështirësi.
Këto masa patën efektin e menjëhershëm të përhapjes së besimit tek qeveria. Tani për tani siguria dhe qetësia janë perfekte, kështu që trazirat e marsit, siç ju thashë në korrespodencën time të fundit, i përkasin tashmë historisë.
Pas kësaj, unë do të nxitoj t’ju tregoj për një ngjarje të lumtur, të lumtur nga këndvështrimi i marrëdhënieve të Francës me Shqipërinë, dua të flas për emërimin e Z. Béguin Billcoq, konsullin e Francës në Shkodër, si i ngarkuari me punë pranë qeverisë shqiptare, në pritje të emërimit të një Ministri (Ambasadori) të Plotëfuqishëm, i cili, pa dyshim, nuk do të vonojë shumë.
Kjo hap një rrugë të re për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe është lajm i mirë që emërimi i një përfaqësuesi zyrtar nga ana e Francës nuk vonoi më, sepse ende nuk kanë një ide të saktë në brigjet e Seine-s mbi simpatinë dhe prestigjin që gëzon emri i Francës në Shqipëri.
Këtij fakti të lumtur i shtohet prania në Tiranë, prej dy javësh, e Z. Justin Godart, deputetit të shquar dhe simpatik të Lyon-it; ai është objekt i vlerësimit dhe vëmendjes së përgjithshme, sepse udhëtoi në vend gjatë muajve prill dhe maj 1921 dhe publikoi një vepër (L’Albanie en 1921 – Shqipëria në 1921) e cila mbushi me krenari dhe mirënjohje zemrat e të gjithë shqiptarëve. Z. Godart po vjen edhe një herë si mik në një vend të njohur dhe udhëtimi i tij i dytë nuk do të dështojë të zgjojë edhe më shumë dashurinë e Francës tek shqiptarët.
Pas emërimit të ngarkuarit me punë të Francës, ja që prej dhjetë ditësh, edh ai i Jugosllavisë, z. Iliç, mbërriti nga Beogradi. Z. Iliç vjen për të hapur rrugën dhe përgatitur legatën për Ministrin (Ambasadorin) e Serbisë i cili tashmë është caktuar dhe i cili po pret të vijë.
Në këtë mënyrë, marrëdhëniet diplomatike të qeverisë së Tiranës fillojnë të hyjnë në rrjedhën normale. Unë do të them këtu që kjo qeveri, pasi u njoh në takimin e Konferencës së Ambasadorëve të 9 nëntorit 1921 nga katër fuqitë e mëdha (Franca, Britania e Madhe, Italia, Japonia) ka vazhduar të njihet që atëherë dhe në mënyrë të njëpasnjëshme nga Belgjika, Austria, Bullgaria, Zvicra, Finlanda, Luksemburgu, Rumania, Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, Hungaria.
Unë do ta përfundoj këtë letër duke treguar përpjekjet e qeverisë për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit, për shfrytëzimin e burimeve natyrore të tij. Ministri i ri i Punëve Publike, Z. Koleka, përhap për këtë qëllim një veprimtari të madhe plot vullnet të mirë dhe të ngulitur me një frymë të liberalizmit të gjerë.
Parlamenti është akoma me pushime. Në parim, duhej të mblidhet më 1 prill, por deputetët, në marrëveshje me pushtetin ekzekutiv, e konsideruan të përshtatshme që të shtyhej kthimi i Dhomës në fillim të shtatorit të ardhshëm. Kjo do t’i lë më shumë liri qeverisë dhe nuk do ta pengojë në punën e saj.
Komisioni ndërkombëtar për Përcaktimin e Kufijve shqiptarë vazhdon punën e tij; demarkacioni i territorit midis detit Adriatik dhe liqenit të Shkodrës tashmë ka përfunduar. Tani jemi duke punuar në verilindje të qytetit të Shkodrës, në rajonet e banuara nga fiset Grudi, Hoti dhe Kelmendi, fise të cilat vuajtën shumë gjatë luftës dhe shtëpitë e të cilave u shkatërruan nga fqinjët e tyre.
Ndërsa kjo punë vazhdon në veri, qeveria shqiptare i ka bërë thirrje përsëri Konferencës së Ambasadorëve për të kërkuar evakuimin nga grekët e një rajoni të vendodhur në lindje të qytetit të Korçës (që përfshin rreth tridhjetë fshatra) që trupat helene vazhdojnë të pushtojnë në një mënyrë arbitrare që nga largimi i trupave franceze në maj 1920. Konferenca e Ambasadorëve i dha drejtësi kërkesës shqiptare dhe sapo ka përcaktuar një zonë neutrale që Greqia është e ftuar të evakuojë, ndërsa më vonë, Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve gjithashtu do të shkojë në provincën e Korçës për të përcaktuar kufijtë e kësaj krahine.
SULO KENDOM
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/france-orient-1922-letra-e-mit-hat-frasherit-mbi-situaten-e-brendshme-ne-shqiperi-dhe-marredheniet-e-saj-me-francen/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://americaneye.al/mithat-frasheri-me-1922-si-duhet-te-jene-marredheniet-shqiperi-france/