Një zakon i mirë në Mat



Nga Avni Dani, Tiranë – 18 Shkurt 2017

 

Marrëdhëniet ndërfetare në krahinën e Matit, një traditë e hershme tolerance. Nga rrëfimi i albanologut të madh Johan G. Von Hahn tek shkrimi i Lumo Skendos.

 

Krahina e Matit për shkaqe të ndryshme, pa përjashtuar as ato gjeografike, pas pushtimit të osmanëve jo e gjitha u konvertua në fenë muslimane. Duhet thënë se para osmanëve e gjithë krahina i përkiste besimit katolik dhe kjo është e konfirmuar plotësisht si nga vetë regjistrat turke ashtu edhe nga toponimia e cila vijon të ruhet edhe sot në të gjithë fshatrat e Matit. Kështu në Mat, si edhe në zona të tjera të vendit, bashkëjetesa mes katolikëve dhe muslimanëve ishte diçka e natyrshme. Por ky fakt kishte tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj por dhe të patriotëve e publicistëve vendas.

 

Ndër vendasit, Lumo Skëndo e ka theksuar këtë fakt që në vitin 1900. Ka pothuajse zero mundësi që publicisti i njohur të kishte qenë vetë në Mat në atë kohë. Por siç e thotë edhe vetë ai e ka marrë lajmërimin nga të huajt. Në Kalendarin Kombëtar që botohej prej vitesh në Sofie, Skendo ka një shkrimm të shkurtër, pikërisht për marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe muslimanëve të Matit. Më poshtë po e sjell në gjuhën e përdorur prej tij, por duke ja konvertuar germat në alfabetin e sotëm të shqipes :       

 

“Ne Mat gjindja (bota) s' kane fanatizme. Eshte nje e diture q'atje behene martesa nermjet myslimane dhe te krishtere ; japin e marin cupa me te dy anete. Nje çupe myslimanke qe martohete me nje te krishter, ne dashte mbetet ne fe't te pare, ne dashte behet e krishtere ; ashtu edhe cupa e krishtere. Krushqit shkojne mire midis tyre, dhe keto krushqi behene jo me pahir, po me dashjet te dy anvet. Pra, s'eshte e rralle te gjeje njeriu n'ate vent kusherinj me te dy fete. Ketij zakoni ne i themi “i mire", se tregon, qe n'ate vent te krishter'e myslimane shkojne mire ; Pse te mos shkojne mire ? A s'jane qe te dy palet shqipetare, a nuk kane qene nje here qe te gjithe me nje fe' ? Feja nderohete ; nje here u faleshim malevet, shkembenjvet, lumenjve ; me pastaj u falem nje shumice perendive dhe u benim shartet e tyre ; me pastaj u beme gjithe te krishtere ; kur erdhi Tyrku ca nga ne nderruane fene e u bene myslimane. E shihni pra qe besa (feja) u nderruaka gjithnje, po kombesija, do me thene shqipetareria rri e patundure ! Kete vetije te Shqipetareve  te Malesise e ka diture dhe Hekari se ben fjale per te, ne faqet 320 te librese. “Shqiperi e Siperme" duke thene qe behene martesa midis myslimane e te krishtere”.

 

Lumo Skendo, si një ndër ndjekësit me një interes të lartë për çdo botim për Shqipërinë, një interes që do ta ruante gjatë gjithë jetës së tij, citon edhe librin nga ku e ka marrë të dhënën për Matin, një libër që deri më sot nuk e kam hasur.

 

Por sigurisht ky fakt ishte i përmendur edhe nga udhëtarë të tjerë të huaj. Ndër to më i spikaturi është Johan G. Von Hahn, i cili ka shkruar për këtë marrëdhënie ndërfetare në librin e tij “Nëpër viset e Drinit e Vardarit”. Hahn e ka vizituar dy herë Shqipërinë dhe ka shkelur pothuaj të gjithë krahinat e saj. Në Mat ai ka qenë gjatë udhëtimit të tij të dytë në vitin 1863, ndërsa librin e ka botuar katër vjet më vonë më 1867. 

Sigurisht që më e spikatur kjo marrëdhënie do të ishtë ne kufirin ndarës mes fshatrave që kishin mbetur katolike dhe të atyre që ishin konvertuar tashmë në fenë tjetër, muslimane. Hahn duke qenë se e ka përshkruar pothuaj gjithë Matin e vëren këtë fakt në zonën e Bazit të sotëm, apo Brinjës e Bishkasit (Bushkash) siç thuhej atëherë. Ja se si e bën përshkrimin e zonës Hahn : 

“Për t'i dhënë lexuesit një provë të re të nomenklaturës gjeografike të Matit, dëshiroj t'i bëj të ditur që famullia e Brinjës nuk quhet Bishkas dhe në përgjithësi nuk ka ndonjë fshat me emrin Bishkas, por ky është emri i përgjithshëm i territorit të katër fshatrave, të cilat krijojnë së bashku një famulli. Ky emër përdoret vetëm nga fqinjët, mbasi vendasit e quajnë atë Shehër, gjë që, siç dihet, në turqisht është fjala më e zakonshme që përdoret për të cilësuar qytetin. Mbeturinat e një qyteti të tillë ndodhen me të vërtetë një orë e gjysëm në veri të Brinjës, në bregun e majtë të Matit, ku thuhet se duken ende muret e themeleve të një kishe të madhe që mbante emrin e Shën Pjetrit. Për këtë arsye, misionari ishte i mendimit se qyteti, me siguri në kohët e lashta, duhet të jetë quajtur Bishkas”.

 

Hahn gjen në famullinë e Brinjës të cilën e përshkruan si shumë të pastër një famulltar Italian nga Napoli. Është ai person që i tregon për zonën dhe banorët e saj. Jas i vijon rrëfimi :

 

“Përsa i takon besimtarëve të tij, ai na tha se një pjesë e tyre e siguronte jetesën nëpërmjet grabitjeve, ndërsa pjesa tjetër në këtë drejtim paraqitej në rolin e diletantit. Të krishterët dhe muhamedanët bashkoheshin me njëri tjetrin dhe formonin herë pas here banda prej dhjetë deri dyzet frymësh, të cilat ndërmerrnin grabitje, duke zbritur thellë në fushën bregdetare deri në fushën e Durrësit. Në këto raste, vëmendjen kryesore ata ia kushtojnë bagëtive, por nuk mungojnë gjithashtu të marrin me vete edhe çdo gjë tjetër që u del përpara”.

 

Ajo që bie në sy në vijim të rrëfimit është e dhëna e nxjerrë nga vetë Hahn, të cilën ai e thekson me forcë dhe që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërfetare të banorëve të Matit. Ja si shkruan udhëtari i famshëm i shekullit të XIX : 

 

“Besimtarët e këtyre dy feve, prej të cilave muhamedanët përbëjnë një pakicë të vogël, jetojnë këtu pranë njeri tjetrit me të drejta plotësisht të barabarta dhe shkojnë mjaft mirë midis tyre. Fakti që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë akoma të bëhen martesa midis njerëzve të të dy këtyre besimeve fetare, ndonëse nuk u pranua nga ana e misionarit, do të rezultojë si e qenë gjatë vazhdimit të mëtejshëm të raportit tim. Përsa i takon famullisë fqinjë katolike të Pedanës, thuhet se aty, në kohët e kaluara janë bërë martesa të tilla të përziera, se mishi i derrit dhe ai i deles janë gatuar në të njejtën kusi dhe se mandej, burri i krishterë ka ngrënë mishin e deles, ndërsa muhamedani atë të derrit”. 

 

Kjo marrëdhënie ndërfetare vijon të jetë edhe sot në Mat, ashtu si në të gjithë vendin, duke manifestuar një traditë të hershme tolerance dhe ndërgjegjie kombëtare.

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania