Nga Hamdi Hysuka, Klos – 6 Tetor 2018
Për herë të parë Grupi Folklorik “Petralba”, drejtuar nga Ikli Punavija, organizoi në qytetin e Klosit Festivalin Mbarëkombëtar “Fest Folk Klosi” 2018. Ishte një ngjarje artistike dhe tregues i shpalosjes së vlerave të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të Bashkisë Klos. Morën pjesë shoqëri kulturore-artistike dhe grupe folklorike të trojeve të banuara nga shqiptarë, andej e këtej kufirit. Dhe konkretisht kanë ardhur për të konkuruar: Shoqëria Kulturore Artistike "Ardhmëria" Gjakovë, Qendra Kulturore Artistike e Sportive “Nënë Tereza” Lezhë, Shoqëria Kulturore Artistike “Zëri i Llapushës” Carallukë, nga Malisheva; Grupi Folklorik “Shpëtimi” Metvegjë, Shoqëria Kulturore Artistike "Tingujt e Vendlindjes" Stagovë, Kaçanik; Grupi Folklorik “Gurra e Kurbinit” Kurbin, Vëllezërit Sejdiu, Topestrada Tv Tetovë, Maqedoni; Ansambli Folklorik “Dibra”, Peshkopi dhe Grupi Folklorik “Petralba”, Bashkia Klos.
Ky festival folklorik është pjesë e kulturës së popullit, pasi përveç vlerave të njohura të pasurisë folklorike burimore të trashëguar brez pas brezi, në skenë u pasqyruan dëshmi të qarta të identitetit etnik shqiptar. Veç personaliteteve të nderuar, drejtues të institucioneve e të qeverisjes vendore, nderuan me pjesëmarrjen e tyre z. Ramadan Hoti, nënkryetar i Komunës Gjakovë, ish-mësuesi i gjuhës dhe letërsisë në gjimnazin e Klosit, shkrimtari, poeti, publicisti dhe kryetar i “Përkujdesjes Gjithshqiptare”, z. Gjokë Dabaj; kantautori Esat Ruka, instrumentisti, rapsodi, kantautori dhe aktori i mirënjohur matjan, me banim në SHBA, z. Tomë Gjergji etj.
Në programet e grupeve konkuruese pati këngë, valle, rite e melodi, të cilat u interpretuan me elegancë nga bartësit e folkut shqiptar. Kështu, specialistë, profesionistë, folkloristë e gjurmues të pasionuar sollën për herë të parë në Klos krijime folklorike të gjinive të ndryshme për t’i shijuar, ruajtur e përcjellur nga njeri brez te tjetri.
Në mbyllje, për grupet konkurruese dhe interpretuesit individualë, juria e përbër nga ekspertë të etnomuzikologjisë, etnografisë dhe kostumeve popullore, me kryetar z. Ali Mulaj, Mjeshtër i Madh, ndau këto çmime :
1. Rapsodi më i mirë: Xhemajl Berisha dhe Rexhep Abazi të Grupit Folklorik “Shpëtimi” Metvegjë.
2. Instrumentisti më i mirë: Gjovalin Nreca, i Qendrës Kulturore Artistike e Sportive “Nënë Tereza” Lezhë.
3. Vallja më e mirë: Vallja dyshe burrash, kërcyer nga Ferit Hoxha dhe Ergys Koca.
4. Valltari më i mirë: Murdez Shala, i SHKA “Zëri i Llapushës” Carallukë, nga Malisheva.
5. Valltarja më e mirë: Leona Berisha, e Shoqërisë Kulturore Artistike "Ardhmëria" Gjakovë.
6. Orkestrina më e mirë: Orkestrina e Shoqërisë Kulturore Artistike "Tingujt e Vendlindjes" Stagovë, nga Kaçaniku.
7. Çmimi i karrierës: Vëllezërit Sejdiu: Tetovë, Tomë Gjergji: Nwv Jork, Jakup Krasniqi: Malishevë, Veri Koburja: Klos, Xhevahir Bajrami: Kaçanik, Man Xhepi: Klos, Mide Aliu: Kurbin, Avni Hoxha: Klos.
8. Kostumi autokton: Valltaret e vajzave të Xibrit, nga Grupit Folklorik “Petralba” Klos.
9. Çmimi i publikut: Këngëtarit Festim Mazreku, i SHKA “Zëri i Llapushës” Carallukë, nga Malisheva.
10. Çmimi i tretë: Grupi Folklorik “Gurra e Kurbinit” Kurbin dhe Qendra KAS “Nënë Tereza” Lezhë.
11. Çmimi i dytë: Shoqëria Kulturore Artistike “Zëri i Llapushës” Carallukë, nga Malisheva dhe Vëllezërit Sejdiu, Topestrada Tv Tetovë, Maqedoni.
12. Çmimi i parë: Ansambli Folklorik “Dibra” Peshkopi.
Pas fotografisë tradicionale me fituesit e çmimeve folklorike, u organizua një drekë e përbashkët, ku nuk munguan çaste të bukura argëtimi. Gjithë konkurimet e shoqërive kulturore artistike dhe grupeve folklorike në këtë skenë përbëjnë në vetvete një histori, e cila u shkrua përmes këngës, valles dhe instrumenteve folklorikë. Së bashku morëm mesazhin e qartë, se folklori kalon nga brezi në brez dhe jeton e ruhet i paprekur edhe në ditët tona. Dëshmi për këtë është Festivali i Parë Mbarëkombëtar “Folk Klosi”, shtator 2018.
© Hamdi Hysuka
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania