Mat në zemër e Mat në mendje


Fatmir Gjestila
Fatmir Gjestila

-----------------

E BLERTË

-----------------

 

Është kaq e thjeshtë,

mund ta vizatoni të gjithë.

 

Një gjethe rrushi…

e blertë…

kurrë nuk e ka njohur vjeshtën,

nuk do ta njohë ndonjëherë…

 

Ashtu ka bërë emër Zoti.

 

Merreni në dorë,

vëreni atje ku zemra rreh

të dëgjoni frymëmarrjen e shekujve,

këngët e gëzimeve,

vajet e hidhërimeve…

 

Merreni ngadalë,

përmbyseni në pëllëmbën e dorës:

përmes saj vërshon lumi - aorta e blertë e jetës së saj.

 

Tani më gjeni

një burim,

një krua,

një rrëke,

një gurrë,

një përrua,

një lumth,

një bulëz loti…

që nuk shkon drejt aortës…

 

vetëm një më thoni

dhe  do t’ju bie në gjunjë,

nëse vendlindja jonë

nuk është një gjethe rrushi,

mëkuar nga Mati valëbardhë,

që rrëkëllen,

sa lind e gjer kur perëndon,

edhe bulëzën e fundmë të truallit të kalave,

të kuvendeve

dhe prijësve.

 

Është kaq e thjeshtë,

kaq madhështore…

mund ta vizatoni të gjithë,

nëse e besoni dhe e dashuroni,

sigurisht.

 

 

 

-------------------------

ZOGU I BORËS

-------------------------

 

ti më thua të mos hedh asnjë rresht,

për vendlindjen asnjë varg të mos shkruaj...

ç’të bëj me zogun e borës? të hesht?

ç’të bëj, miku im? ç’të bëj? pa më thuaj!

 

ai me këngë m’i endi flurajat e borës,

me lulekumbulla sajoi për mua një pemë,

një petale ma hodhi në pëllëmbë të dorës;

shkruaj, më tha, shkruaj mbi të një poemë.

 

po fjala ime u mek e rima diku mbeti,

s’munda të shkruaj, të paktën një varg;

ndjehem fëmijë para këtij poeti,

mbi krahët e tij i marr rrugët larg e larg.

 

të gjitha rrugët më çojnë në vendlindje,

ku ende lulekumbulla zogu i borës thur,

teksa një qyqe shpuplon krahët në pritje

dhe loti emrin e nënës  shkruan mbi gur.

 

 

 

--------------------------------------

NËPËR DEGË TË MOLLËS

--------------------------------------

-motiv popullor-

 

nëpër degë të dardhës,

nëpër degë të mollës,

larg e larg së bardhës,

puth sytë e së hollës.

 

degët luleplot

seç i end një flutur,

syrin ma lot sot

matjane e bukur.

 

degët anë më anë

lulet me nektar,

matjane, moj zanë,

mollës i vë zjarr’.

 

 

 

-----------------------------------------------------------------------------------------

MOS MË FLISNI PËR ÇFARË NUK KENI PARË NË VISET E MIA

-------------------------------------------------------------------------------------------

 

Mos më flisni për çfarë nuk keni parë në viset e mia,

për çfarë gojë e frymë do t’ju lidhte:

për frymën e agut

që lëvaret grykave të hirta e të thikta

e në krojet e bardha sajon zanat dhe orët;

për udhën e blertë të ëndrrës së mekur të lisnajës,

për diellin e harruar lëndinave të kaltra me lulezonja,

për hënën e dehur netëve nëpër gjethe të përlotura...

Mos më flisni

për çfarë s’keni ndjerë në viset e mia

për çfarë s’ju ka tretur në harrim e paqe:

për përlotjen e ëndrrës në syrin e agsholit,

për gishtërinjtë hollakë të erës nëpër flokët e blerta,

për kuqëlimin e puthjes në krojet e bardha,

për aromën e kurmit të lulezonjave lëndinave të kaltra,

për rruzujt e lotëve nëpër të cilët rrëkëllehet hëna...

Mos më flisni

për çfarë nuk keni dëgjuar netëve në viset e mia,

për çfarë mund t’ju thekte në një përvëlim malli:

për mërmërimën e përgjumur të Matit e të Shutrresë sime,

për këngën e dashurisë së zogut gushëbardhë,

për ecjen e shiut mbi lulnajën e blertë,

për ligjërimet e borës honeve të thikta ujore...

Mos më flisni...

Sonte në viset e mia kalëron bora udhëve të blerta...

të lotit tim.

Mos më flisni!

 

 

 

-------------------------------------------

PRANVERA NË VENDLINDJE

-------------------------------------------

 

Në buzëmbrëmje,

mbi kryet e sheshtë,

të gurtë e të mugët të VENDLINDJES,

zanat treten e bëhen mjegull e bardhë;

 

hëna hidhet si topth ëndrrash

gështenjë më gështenjë e odë më odë,

udhën e harrimit merr nëpër livadhe,

në krismën e agut bëhet luledardhë.

 

Yjet – bornajë vezullimesh,

kashnjet më kashnjet,

gështenjë më gështenjë

e gjeth më gjeth shuajnë etjen e zjarrmisë;

 

gjersa dielli del e qesh

mbi plisin e DEJËS,

e, si një dashnor marrok,

merr flakë e digjet në degët e qershisë.

 

 

 

------------------------------

ARMIK ME LUMIN

------------------------------

 

Dikur,

atje ku kam lindur,

një lum bornar qe ëndrra ime.

Atje laheshin vajzat,

me këmishën e rrudhosur pas gjinjve.

 

Shpejt armik u bëra me lumin:

ai i paftyrë vajzat m’i merrte,

i miklonte,

i miklonte gjithandej,

më të rrumbullakta gjinjtë,

më të arta thithkat ua bënte

dhe mua përveçëse në skaj, s’më linte më tej.

 

Kur miq u bëmë me  lumin,

vajza të tjera ia sollëm njëri-tjetrit në pritë.

por prapë për njëri-tjetrin diçka ruanim:

të dy kujtonim

pas këmishave të rrudhosura

se si digjnin gjinjtë.

 

 

 

-------------------------------------

ËSHTË DIKU NJË QYTET

------------------------------------

 

Është diku një qytet…

Libri i parë i ëndrrave të mia.

 

Në mbrëmje

dremit në frymën e një lumi bornar,

fle në syrin e një zane syshkruar;

në kopshtin me mollë, ende të patharë,

me ëndërrzana puthet i dashuruar.

 

Në mëngjes

krihet në pasqyrën e një krenaje me borë,

ditën e nis mbi kurrizin e një kali të bardhë,

luginën e gjelbër – varkë përkund me dorë,

diellin vë në sy si luledardhë.

 

Është diku një qytet…

diku një qytet…

një qytet…

qytet…

një qytet…

diku një qytet…

Është diku një qytet…

 

Libri i parë i ëndrrave të mia

ruan mbi kodrinë luginën e gjelbër

të mos i copëtohet e ronitet nga vetmia.

 

 

 

-----------------------------

LIQENI I GJELBËR

-----------------------------

 

S’je sykaltri i Poradecit,

vjen a s’vjen te ti një mjelmë…

nuk ke frym’n as val’n e detit,

unë Lasgushi s’mund të jem.

 

Po kur dal në Qafë të Ulzës

dhe ndjej lotin-mall në sy,

nuk e dua dor’n e Muzës,

Muzë e det të kam ty.

 

Qofsh i bardhë!

Ja ku erdha!

Pranë teje, në livadhe;

të shoh se si pranvera

nusëron si zonjë e madhe.

 

Të ndërroj dy fjalë budjane

që m’i sjell Mati ndër valë,

të puth zanën-cucë matjane,

si dikur… kur isha djalë.

 

Buzë më buzë me atë troftë

që sjell shkulm’ i saj Shutrreje,

të pijë ujë-brisk të ftohtë

që pik’lon e vjen prej Deje.

 

E një fjalë t’ia them Urakës,

shkulm më shkulm-rrasë-larë;

jepma pra puthjen e valës…

edhe loti më është tharë.

 

Eh, liqen…

Kërkoj veten dhe s’e gjej…

S’më lë të shkoj… as nuk më mbyt…

Dhe pse shpinën po ta kthej,

të shikoj kur i mbyll sytë.

 

 

 

----------------------------------------

NË VENDLINDJE BIE BORË

----------------------------------------

 

Ku unë s’jam

e s’mund të vij,

ti po bie krejt tinëzisht;

pas asaj

që sot puth ti

dashuruar jam marrëzisht.

 

Ndërsa sot…

Ç’tradhëtare!

Ç’tradhëtare! Ç’pabesi!

Ti të dashurit,

poshtë në varre,

m’i mbështjell me ftohtësi.

 

Ndërsa unë

larg prej saj…

prej vendlindjes, sot bornare,

si fëmijë

qesh e qaj

nën shi… në trotuare.

 

 

 

-----------------------

PEMA E LOTIT

-----------------------

 

Atje,

te ajo gurrë,

brigjeve pa formë,

te ajo kullë e përhitur,

kopshtijeve pa ngjyrë,

qershive pa zogj të bardhë,

korijeve pa diell dhe pa hënë,

lëndinave të përcëlluara pa lule,

më kërkon shpirti i përlotur i nënës,

e unë... trup e shpirt copëtuar

bredh trotuareve të lagura,

kapur fyt a fyt me ikjen.

Atje

po thahet

pema e lotit,

pak e nga pak,

si/ sytë e kaltër

të nënës sime.

 

 

 

-------------

SONTE

-------------

 

Nënë,

në lotin e syve të tu sonte kam fjetur,

jermthi kam krehur flokët e bardha te Dejës,

lëvarur jam në mjekrrën e thinjur të Gërshotit,

në dhimbjen e valëve idhnake të Urakës jam tretur.

 

Në agshol me grushte rrëkëlleva qiej e yje,

buzë më buzë me troftën pikalore të Shutrresë:

në sytë e mi mbeti brymë e bardhë e mjegullës

dhe vjeshta marroke që bredh e vetme nëpër pyje,

 

Të gjitha në lotin tënd, moj nënë…

Edhe loti im, moj nënoke…

 

 

 

-----------

IKJE

-----------

 

Unë po shkoj…

Po të lë vendlindja ime...

Po shkoj...

Po të marr një copëz qielli,

një vetull hëne,

një rreze dielli...

Ah, një puthje nëne...

 

Vendlindja ime e varfër!

Ti, pasuria ime e madhe!

Nën hijen e lisit

po të lë nënë e babë...

lotin e syrit tim.

 

 

 

----------------------------------

MË THANË ZOGJTË...

---------------------------------

 

Sopata e parë zgjoi dremitjen e viteve,

e dyta kafshoi rrathët e fundmë të jetës;

sopata e tretë karmoi zogjtë e hirtë të hënës,

e katërta hodhi përdhe foletë e tyre me ëndërra,

e pesta rrokullisi nëpër degë lojërat e mia fëminore

sopata e gjashë trandi kryet e thinjur mes reve të bardha,

e shtata përmalli retë e ato derdhën lotët e të gjitha viteve.

 

O Zot!

Unë s’ndjeva asnjërën prej tyre

gjer kur zogjtë erdhën e më thanë se po shtriheshe përdhe,

gjer kur erdhi nata e më mori me krahët e bardhë të reve.

 

Atë hop kujtimet e mia mbetën pa gojë, mbetën pa sy...

nuk mundën as të vikasin, as të qajnë.

Nën hijen tënde nëna ime më kishte përkundur,

më kishtë dhënë gji dhe këngë me cicërima zogjsh,

gjyshja ime e bardhë më kishte kallëzuar përralla,

më kishte rimur vargjet e vjershave të fëmijërisë;

babai më kishte treguar udhët e shkuara e udhët e ardhme...

 

Oh ç’dhimbje ndjeva!

Për ty dhe për ata që ta prenë me sopatë hijen

dhe lisin e kujtimeve e lanë në sytë e dënesës sime.

 

 

 

------------------

SHUTRREJA

------------------

 

Oh, më në fund!

Lajthiti e lumja gurrë,

i shqeu nofullat e shkëmbinjve të ngratë,

diellin e pështolli me të bardhën shkumë,

doli të kërkojë brigjet nëpër natë.

Brigjet morën shpatet e dolën në krenajë,

ku hëna lëvaret e lagur,

e mpakur së ftohti;

gurra frymon e ngroh kurmin e saj,

merr udhën e kthimit në pikë,

pikë loti.

 

 

-------------------------

E BARDHA IME!

-------------------------

-Poetëve të vendlindjes, atyre që i këndojnë si askush tjetër ASAJ.-

 

Sot mund të të këndoja vargje,

në ndërkohën e ndodhive të sajuara –modele grahuqe,

ku mund të lëvaresh kryepingulthi – rrumb,

rrumb i një këmbane që nuk bie për ty,

por…

nuk m’u kujtua

asnjë strofë,

asnjë varg,

asnjë fjalë,

asnjë…

asgjë.

Mbetëm bashkë

gjithë ditën e ditës,

të mekun e të tretun,

unë në gjithëkohësinë tënde të bardhë

e TI në rruzujt e lotëve të mi të gjelbër…

 

Dëgjuam poezitë e para,

ato klithma të mistershme,

që lindën kur kryet na ra në dheun Tënd bekuar prej Zotit

e nëna na vuri në gjimëkimin e dashurisë për ty,

E Bardha ime!

 

 

 

-------------------

KTHEHUNI

-------------------

 

Në ashtin bosh të heshtjes fryn erë…

S’e ndjen askush acarin e saj,

zogjtë ende gjallojnë,

notat e këngës së tyre fole s’kanë.

 

Rrëpirave të majave tretet bora,

lotët e saj burimet pijnë e pijnë,

në sytë e tyre mbytet hëna,

atje ku buzët e rreshkuna

kanë lënë peng puthjet.

 

Kulla qyqane,

kulla të mugëta,

boshe,

të përhumbura deri në boshtirë,

gremisur në jehonën e një kuku-je

dhe rrugë të vetëngrëna

nga dhimbje e ikjes dhe helm’ i pritjes.

 

Oh, mjerë ju…

Gjithçka e ruajnë varret…

  

 

© Fatmir Gjestila

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania