Shkodër 1940, Krishtlindja italiane e Luftës së Dytë Botërore – Historia në 10 foto të rralla



Nga Adi Darsi, Tiranë – 25 dhjetor 2022

 

Pemë e Krishtlindjes zbukuruar më predha e karikatorë fishekësh. Një pamje sa e rrallë aq edhe groteske. E fiksuar në disa foto historike.

 

Janë Krishlindjet e vitit 1940 në aerodromin ushatarak në Shkodër. Italianët janë në delirin e pushtimeve të mëdha. Kanë nisur ‘festimet’ për ringjalljen e Perandorisë së Romës. Kanë pushtuar Shqipërinë që më 7 prill 1939. Aerodromet lokale shqiptare në Tiranë, Shkodër, Korçë e Gjirokastër janë kthyer në platforma për nisjen e sulmeve kundër Malit të Zi, Jugosllavisë e Greqisë. Në aleancë me Hitlerin, i cili që në shtator 1939 pushtoi Poloninë e një vit më pas me Blitzz Creig (sulm rrufe) edhe Norvegjinë, Holandën, Belgjikën e Francën, trupat italiane do të përparonin deri në Ukrainë. Është vetëm faza e parë e Luftës së Dytë Botërore. Fundi më pas dihet.

 

Është klima e marrëzisë së Luftës. Krishtlindja, një festë e paqes u transformua në festë lufte. Pema e saj u militarizua plotësisht.

 

Në Shkodër, atë fund dhjetori kishte rënë shumë borë. Kjo e bënte festën më të bukur.

 

Krishtlindje e bardhë nga natyra!

 

Fusha e Shtojit ishte në atë kohë një nga 9 fushat e kthyera në aerodrome në gjithë vendin që gjatë kohës së Zogut. (Bashkë me Laprakën në Tiranë, dhe fusha të tjera në Kukës, Peshkopi, Elbasan, Korçë, Devoll, Vlorë e Gjirokastër).

 

Aerodromi i Shtojit, 2 kilometra larg Shkodrës, ishte plotësisht i bardhë.

 

Atë dimër në fushën e bardhë uleshin avionët e errët bombardues. Mbushur me furnizim lufte, tonelata predha e karikatorë fishekësh.

 

Në atë bardhësi, ato ditë feste, diku në cep një pemë e vogël u zbukurua nga ushtarët dhe oficerët si pemë e Krishtlindjes. (Pema duket si një fik. Do të duheshin edhe dy tre vite vite dhe miliona të vdekur që Italia fashiste të binte nga fiku!) Vendosën mbi pemën e improvizuar topa të bardhë bore, një predhë e rripa me karikatorë të zinj. Festën e plotësuan me një “BUON NATALE” po mbi predha!

Krishtlindje e nxirë nga lufta!

 

Më shumë se 80 vjet më vonë, në fotot e asaj feste shfaqet edhe më qartë marrëzia njerëzore e luftës! Asaj tragjedie sot ja dimë pasojat e rënda që pati. Për fat të keq kërcënimi është prapë aty.

 

‘Mësojmë nga historia, që nuk mësojmë nga historia’, ka shkruar shekuj më parë Hegeli.