Gurrat e Gurit të Bardhë : Stop bandave të hajdutëve që duan të na marrin edhe shpirtin !



Nga Aqif Ymeri, Fshati Fshat – 2 Gusht 2017

 

Disa herë është shfaqur në media kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke deklaruar se do të investojë 10 milion euro për të marrë ujërat e Gurrave të Gurit të Bardhë. Madje këtë deklaratë e ka bërë edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

 

Çudi! Mos vallë Veliaj kujton se edhe Guri i Bardhë i përket Bashkisë së Tiranës?! A nuk e di zoti Veliaj se Bashkia e Tiranës shkon deri në kufijtë e Bastarit dhe më tej nga “porta” e Qafë Murrizës e Guri i Bardhë është territori i Bashkisë Klos (Kryemat).

Për Veliajn, nuk po e vras mendjen se përse niset me kosë të kosisë në livadh të huaj, sepse ky është zanati i tij deri sa të thyejë qafën, por për çdo studiues e njeri me logjikë normale dua të theksoj:

 

1. Uji i atyre gurrave (gurrat e Gurit të Bardhë) është krejt i pamjaftueshëm për të mbijetuar ata disa mijëra banorë të asaj treve. Këtë e dëshmon krejt qartë fakti që sot, në pikun e thatësirës, në grykëderdhjen e Lezedrës në Mat, nuk ka asnjë pikë ujë. I gjithë uji konsumohet si ujë i pijshëm nga banorët dhe në vijat vaditëse të fshatrave Guri  i Bardhë, Petralbë, Xibër Murrizë, Shkallë e Fshat.

 

Me ujin e atyre gurrave ushqehen të gjitha burimet e ujit të pijshëm që ne marrim në zonën poshtë gurrave dhe të gjitha vijat vaditëse që dalin nga Lezedra, në grykëderdhjen e së cilës, në këtë kohë, nuk arrin asnjë pikë ujë. Dhe nuk mund të diskutohet për fshatra të tjerë të Bashkisë Klos e për qytetin Klos, të cilët vuajnë mungesën e ujit të pijëshëm, mbasi ky ujë në periudhën korrik-gusht-shtator është krejt i pamjaftueshëm vetëm për banorët e Gurit të Bardhë dhe rrethinat pranë tij.

 

Pra shkurt ky ujë nuk mjafton për të mbijetuar vetëm Guri i Bardhë me rrethinat pranë tij.

 

2. Është pikërisht zona rreth Petralbës, e cila ka qenë rezidencë familjare e Kastriotëve, bazë dhe prapavijë e ushtrisë së Skënderbeut, hapësira rreth Urës së Vashës dhe disa urave të tjera harkore të stilit venecian (Ura e Vashës, Ura e Skurës, Ura e Kulmarës, Ura e Hoxhës, Ura e Vogël e Gurrave të Kodrës), pa llogaritur edhe urat e tjera të po këtij tipi në territorin e kësaj bashkie jo larg tyre (Ura e Halilit, Ura e Allamanit, Ura e Shahinit dhe Ura e Shën e Premtes); po ashtu është vatra dhe qendra më e hershme e prodhimit të barutit në Shqipëri etj.

 

Është zona pranë peisazhit të Malit me Gropa-Bizë-Martanesh, e cila me VKM nr. 49, dt. 31.01.2007 është shpallur zonë e mbrojtur dhe në projektet zhvillimore të Bashkisë Klos hapësira Ura e Vashës-Guri i Bardhë është përcaktuar si park natyror rajonal me potencial të lartë turistik për zonën. Është pikërisht kjo hapësirë me një numër të konsiderueshëm monumentesh kulturore e natyrore si, Kalaja Ilire e Xibrrit, Kalaja e Petralbës, Ura e Vogël e Gurrave të Kodrës, Ura e Hoxhës, Ura e Vashës, Shtëpia Muze Budi (banesa e Xhelal Bodës), banesa e Shaqir (Elmaz) Dëzhgiut, Kroi i Gjeneralit etj.

 

Pra është një zonë e tërë me potencial të lartë turistik e kulturor, e cila pa ujin e atyre gurrave do të zhbëhej.

 

3. Ju kujtojmë se është një zonë tërësisht e harruar nga qeveritë e deri sotme. Ende Guri i Bardhë ka të vetmen rrugë, atë që është bërë që në vitin 1940, në kohën e Italisë, e cila sot nuk është normale as për zitora e traktora e jo më për automjete të tjera e transport udhëtarësh. Edhe rruga nacionale Burrel-Klos, është rrugë e vështirë jo për automjete transporti udhëtarësh por edhe për karroca kuajsh, është segment rruge nacionale tërësisht i shkatërruar i pakrahasueshëm me çdo segment tjetër të rrugëve nacionale në Shqipëri.

 

Kjo qeveri, ndonëse pati premtuar se brenda mandatit të kaluar do të përfundonte Rrugën e Arbërit, sapo erdhi në pushtet ndërpreu çdo punim në atë rrugë. Investimet në zonën e Gurit të Bardhë kanë munguar totalisht dhe në Bashkinë Klos nga kjo qeveri kanë qenë minimale.

 

Shkurt, kjo zonë tërësisht është lënë në harresë dhe kjo qeveri kujtohet vetëm kur vjen puna për ta zhvatur.

 

Kur  vjen puna për të marrë kromin e minierave të trevës sonë dhe lëndët drusore makinat vihen në seri. Kromi i minierave Cerujë-Bulqizë-Martanesh zë vend të konsiderueshëm në ekonominë kombëtare. Po ashtu pyjet e trevës sonë u shkatërruan tërësisht nga hajdutët dhe askush nuk mban përgjegjësi. E njëjta gjë ka ndodhur me gjithë florën dhe faunën. Tani duan të na marrin edhe ujin dhe e gjithë kjo trevë, e cila nga studiuesit e huaj është quajtur “hapësira më jetësore shqiptare e hershme” të marrë fund.

 

Jo këtë nuk do ta lejojmë. Ashtu si Budi u mbyt në valët e Drinit për vendosmërinë e tij si atdhetar i flaktë, edhe ne, me mijëra do të jemi të gatshëm të flijohemi. Është e çuditshme theksojnë studiuesit tanë se si dikasteri i kulturës nuk pati kohë të kryente as edhe një vizitë në viset e Budit, në 450 vjetorin e lindjes së tij, ku është shtëpia e shkrimtarit e shpallur monument kulture, ndonëse është kthyer në një pikë peligrinazhi, për të huajt dhe shqiptarët. Nga ana tjetër dikasteri i kulturës, pikërisht në këtë periudhë, ku para  një viti përjetuam 450 vjetorin e lindjes së Budit të madh, ka mbështetur me fonde shtëpinë e Kadaresë, të Musine Kokalarit, të Myfit Libohovës, Avni Rustemit etj., mbase prej rrethanës se titullarja është nga Gjirokastra. Paradokset e politikës shqiptare nuk kanë të sosur. Budi me veprën e tij të pavdekshme, radhitet ndër  figurat e para pas heroit tonë kombëtar. Por për qeveritarët tanë kanë rëndësi vetëm ato që i përkasin ombrellës së tyre të kuqe.

 

Pushtetarët e sotëm për trevën tonë interesohen vetëm për të zhvatur dhe asnjëherë për të mbështetur e vlerësuar.

 

Duhet ta dini mirë pushtetarë se marrja e atyre ujërave do ta bënte të pamundur jetën tonë në këto troje që trashëgojmë nga të parët tanë dhe do të na detyronte t’i braktisim ato. Këtë nuk arritën të na e bëjnë as pushtuesit romakë, as ato sllavo-serbë, as turqit dhe asnjë barbari tjetër sado mizore ka qenë. E si do të mund të na e bëni ju këtë që nuk na e bënë as pushtuesit më të egër?!

 

Jo. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Jemi disa mijëra banorë të kësaj treve të gatshëm të çohemi në luftë me çdo bandë kriminelësh e barbare që do të guxojë të na bëjë jetën të pamundur në trojet tona, me çdo qeveri e majtë apo e djathtë qoftë dhe trojet tona nuk i lëshojmë; ujërat tona që mundësojnë mbijetesën në këto troje nuk mund të na i marrë askush. Për këtë jemi të vendosur dhe mbi jetën nuk duam t’ia dimë për asgjë.

 

Prandaj mos guxoni të vazhdoni të na shkelni me këmbë, se mjaft ju kemi duruar.

 

TA DINI MIRË TË GJITHË, SE JEMI TË VENDOSUR PËR TË MBROJTUR JETËN NË TROJET TONA DERI NË FLIJIM.

 

© Aqif Ymeri 

Blogu : Dars, Klos (Mat) – Albania