Nga Avni Dani, Tiranë – 15 Korrik 2018
Më në fund në Rrugën e Arbrit po punohet. Ka shpresë që në katër vite ajo të bëhet e qarkullueshme nga automjetet. Në këtë mënyrë Tirana, kthehet në normalitetin e saj shekullor, duke u bërë më në fund me katër porta hyrëse siç ka qenë dikur. I shtohet porta e saj lindore nga është “ushqyer”, jo vetëm nga karvanet e tregtia por edhe me popullsinë e saj. Siç janë gjërat sot duket e pakuptueshme se përse ky qytet pjesën e tij më të madhe ka patur lagjen e dibranëve, dhe njëra nga rrugët më të rëndësishme të saj ishte rruga e Dibrës. Një anormalitet që ka zgjatur për rreth një shekull.
Por përfitimin më të madh Rruga e Arbrit është për Matin dhe Dibrën të cilët më në fund falë rrugës e fitojnë për së dyti statusin e tyre të dikurshëm si porta e pasme e kryeqytetit. Banorët e zonave nga kalon rruga dalin në dritë duke u lidhur me Tiranën në pak minuta, e paimagjinuar më parë. Shpresojnë të kenë investime dhe të rizgjojnë tregtinë.
Me shpresën që rruga të përfundojë, ata ushqejnë ëndërrat e tyre duke dashur të mos kujtojnë fatin e hidhur të saj në 20 vitet e fundit, kur vetëm është premtuar dhe asgjë nuk është bërë.
Rruga rivendos në vend historinë.
Për vlerat e Rrugës së Arbrit është shkruar gjithmonë. Kërkuesit, historianët, etnografët e arkitektët kanë parë tek rruga dhe veprat e saj si urat e karakollet një fushë interesante studimi. Është për tu përmendur fakti se përjashtuar Urën e Brarit, shenjat më të shumta të këtij aksi dikur një rrugë karvanesh janë në Mat e posaçërisht në Gurin e Bardhë. Shkrimi i mëposhtëm i shkëputur në njërën prej revistave studimore të kohës së komunizmit, sjell atë çfarë kishte mbetur nga rruga deri në vitet 70 të shekullit të kaluar. Koha, 50 vitet e fundit, kanë fshirë disa nga këto shenja, dhe pikërisht për këtë studimi i Valter Shtyllës, që i ka shkelur vetë këto zona merr një rëndësi të veçantë. Pikërisht për këtë po e sjellim më poshte të plotë studimin e tij.
Në gjurmët e rrugës së vjetër
Durrës – Fushë e Tiranës - Dibër
Valter Shtylla
Një nga rrugët më të hershme e më të rëndësishme të territorit tonë në të kaluarën historike ka qenë ajo që lidhte Durrësin me Dibrën, duke kaluar nëpër Fushën e Tiranës, e cila përmendet në shekullin e XI nga historiania bizantine Ana Komnena.
Lidhur me itinerarin, nuk është e qartë traseja që ka pas ndjekur kjo rrugë nga Durrësi deri në Malësinë e Tiranës, prej nga ajo mund ndiqet pa vështirësi. Pas Tiranës rruga kalon nëpër këto pika: Brrar – Shupal - Qafë Murrize - Guri i Bardhë - Ura e Vashës - Gryka e Bulqizës – Valikardhë - Ura e qytetit - Fusha e Homeshit - Dibër e Madhe.
Kjo rrugë mund të ketë funksionuar dhe në kohët antike, pra në periudhën parabizantine, kur përmendet nga historiania Ana Komnena.
Në fshatin Gur i Bardhë të Matit, ku siç thonë kalon rruga që po përshkruajmë, ndodhet edhe sot një lagje me emrin Mansej. Dihet se me “maniso” romakët quanin stacionet rrugore, pra mund mendohet se ky vendbanim është me prejardhje antike, ndoshta një stacion i rrugës antike që vinte nga bregdeti. Këtë gjë e pëforcon dhe fakti që fare pranë Gurit të Bardhë ndodhet Kalaja ilire e Xibrit me veprimtari nga shekulli i IV para erës së re deri në antikitetin e vonë. Kësisoj ka shumë mundësi që rruga mesjetare Durrës – Fushkë e Tiranës – Dibër, me gjurmë deri në ditët tona, të jetë ndërtuar në aksin e rrugës antike paraardhëse, diçka e zakonshme për atë kohë.
Rruga e Dibrës e përmendur nga Ana Komnena, është po ai aks që edhe gjatë mesjetës së hershme e periudhës së pushtimit osman ka shërbyer për marrëdhëniet ekonomike që kryheshin ndërmjet detit dhe Dibrës. Kjo rrugë përmendet përsëri në fillim të shekullit XV, kur flitet për zotërimet e Gjon Kastriotit, të atit të Skënderbeut. Në kufijtë e zotërimeve të Kastriotëve kishte një varg kështjellash që mbronin shtigjet nga ku kalonin rrugët më të rëndësishme të kohës, si ajo e Petrelës, në jug të Tiranës, e Gurit të Bardhë në Mat. Rruga Durrës - Dibër ka pasë kaluar nëpër qendra të banuara dhe pranë objekteve historike, mjaft prej të cilave ruhen dhe në ditët tona si, p.sh., Kalaja e Tujanit, Kalaja e Petralbës në Gur të Bardhë të Matit e periudhës së Skënderbeut. Mungesa e të dhënave nuk jep mundësi për ta fiksuar me saktësi trasenë e kësaj rruge të vjetër. Megjithatë kjo gjë mund të arrihet me afërsi duke iu referuar vendbanimeve nga kalonte kjo rrugë, gjurmëve të ruajtura të kalldrëmeve të trasesë, urave të ruajtura në këmbë, si dhe ndërtimeve të tjera që lidheshin me shfrytëzimin normal të saj, si hanet, karakollet mbrojtëse etj.
Gjurma e parë e rrugës në fillim të Malësisë së Tiranës është në hyrje të Shkallës së Tujanit, ku ndodhet dhe Kalaja e vonë antike e Tujanit. Këtu bëhet fjalë për urën e gurtë të Brrarit në fshatin Brrar, ku ruhen gjurmët e një kulle dhe të një kishe.
Ura e Brrarit është urë guri, e ndërtuar vetëm prej një harku, në kyçin e të cilit kalldrëmi i urës ngrihet në formë kurrizi me pjertësi nga të dyja anët. Lumi i Tiranës, mbi të cilin ngrihet ura, në këtë vend kalon mbi një grykë shkëmbore dhe mbështetjet e harkut janë vendosur mbi brigje shkëmbore që lartësohen mjaft nga shtrati i lumit. Harku është i formës rrethore me mbështetje të pjerrëta e me hapësirë drite 8.4 m e me lartësi 15 m nga kyçi në pasqyrën e ujit. Harku është punuar me dopio qemer, i sipërmi është i formës shigjetë (me majë).
Muratura e harkut është me gurë ranorë të fortë në formë pllake. Kalldrëmi i urës me gjatësi 21 m e gjerësi 2.7 m është i shtruar me gurë kave gëlqerorë, kufizuar nga anët me gurë kave më të rregullt. Ura Brrarit ka kaluar nëpër disa faza ndërtimi, që duken qartë në bregun e majtë nga ana e bjefit të poshtëm. Faza e parë, në themel është me blloqe ranorë e gëlqerore të çrregullta e me madhësi deri në 45 x 90 cm, me llaç me rërë të ashpër; mbi të është faza e dytë me gurë ranorë, si dhe harku lidhur me llaç gëlqereje me rërë më të imët. Faza e tretë me gurë kave gëlqerorë me llac, të shekullit të XIX, të ashpër, është shtruar për zbutjen e pjerrësisë së urës. Pranë mbështetjes së majtë, nën të, mbi shkëmb ruhet një pjesë muri që pa gjurmë harku duket si kolonë e fazës së hershme të urës, e cila duhet të ketë qenë me pjesën kaluese të drunjtë mbi kolona prej muri guri.
Mendojmë se në gjëndjen e sotme ura e Brrarit është një ndërtim i fundit të shekullit të XVIII apo i fillimit të shekullit XIX, ndërsa faza më e hershme me pjesë kaluese të rrafshët prej druri mbi kolona guri, si datim duhet t'u takojë shekujve XVI-XVII.
Pasi kalon Brrarin, rruga nëpër zall të çonte në fshatin Shupal, në të cilin mendohet të ketë qenë qendra e peshkopatës mesjetare Bena, e përmendur në dokumentet e kohës. Pasi lë Shupalin, rruga mesjetare kalonte në Bastar e më tej në Qafë-Murrize, ku, sipas burimeve gojore ka pasur një han dhe një kullë (karakoll) për ruajtjen e rrugës, gjurmë të të cilave nuk ruhen më.
Nga Qafë-Murriza rruga e karvaneve kalonte në një nga stacionet kryesore të saj në Gur të Bardhë të Matit ku ndodhet dhe Kalaja e Petralbës, e periudhës së Skënderbeut. Në zonën e Gurit të Bardhë gjatë kësaj rruge qenë ndërtuar shumë vepra arti inxhinierike si kalldrëme, ura, çezma dhe ndërtime të tjera të lidhura me rrugën, hane dhe karakolle mbrojtëse. Pjesa e rrugës nga Qafë-Murriza deri tek Ura e Vashës i takon zonës së Gurit të Bardhë.
Sipas burimeve gojore, dy karakolle e ruanin rrugën këtë fshat, njëri në Qafë-Murrizë e tjetri mbi bregun sa kalon Urën e Vashës. Këto ndërtime ishin kulla të larta me mure guri me dritare tip frëngjie, ku ruanin skuadra të armatosura.
Tregohet se në këtë rrugë kalonin rreth 300 kuaj në ditë. Karvane të Dibrës transportonin prodhime bujqësore e blegtorale, kurse nga Tirana për në Veri ato sillnin kryesisht prodhime zejtare. Gjatë rrugës Tiranë - Guri i Bardhë kanë funksionuar shumë hane, si ai i Zallit, Kutreqit, Bastarit, Qafë-Murrizës. Vetëm në Gur të Bardhë ka pasur 8 hane, gjë që dëshmon për madhësinë e këtij fshati si dhe për trafikun e madh që ka pasur kjo rrugë. Veç numrit të madh të haneve, shumë pronarë shtëpish në këtë fshat shpesh lironin si hane dhe katet përdhese të shtëpive të tyre. Gjatë shekullit XIX, Guri i Bardhë ka qenë i përmendur edhe për prodhimin e barutit. Ai ishte në atë kohë një qendër e zhvilluar zejtare e tregtare.
Në dalje të fshatit, duke shkuar për në Qafë-Murrize në vendin e quajtur Gurra e Kodrës, ruhen gjurmë të qarta kalldrëmi të trasesë së rrugës Tiranë-Dibër. Kalldrëmi ka gjerësi 2.20 m. Pjesa qëndrore është punuar me gurë mali hedhur pa rregullsi, ndërsa anash kalldrëmi kufizohet me blloqe më të mëdha të latuara disa nga ana e jashtme. Ky tip kalldrëmi ngjason me atë të Shkallës së Zezë në Krujë, të cilin e kemi datuar si të shekujve XII-XIV. Pak më lart se kalldrëmi, në drejtim të Qafë Murrizës, mbi përruan e Gurrës, nën këmbët e malit të Çekës, po në Gurrën e Kodrës ndodhet ura e parë që haset në këtë rrugë, kur hyn në Gurin e Bardhë. Është fjala për urën e vogël të Gurrës, me hark karakteristik në formë ovale, me hapësirë 1.2 m, gjatësi 6 m, dhe gjerësi rreth 2 m. Kjo urë ka pësuar një riparim me gurë mali në muret bregore nga fundi i shekullit XIX. Mendojmë se harku i urës, faza origjinale (harku), si kohë ndërtimi duhet t'i takojë shekullit XVII, kohë kur harku me majë të mprehtë, të cilit i afrohet forma ovale e urës së Gurrës, kishte gjetur një përdorim të gjerë.
Pasi kalon lagjen e poshtme të fshatit, rruga e karvaneve del nga Guri i Bardhë dhe menjëherë pas lagjes kalon varrezat Murgetas, ku kanë qenë një teqe dhe një han, gjurmët e të cilit shihen ende.
Në këtë vend pushimi të karvaneve ruhet një çezmë, kroi i Aishe Lokes, i ndërtuar me blloqe guri. Duke dalë nga Guri i Bardhë në zbritje në luginën e Matit, rruga kalon mbi përruan e Allmetës, pikërisht në derdhjen e tij në lumin e Matit. Këtë përrua rruga e kalonte mbi urën e Skurës, e cila ishte me një hark rrethor, me hapësirë drite 7.5 m. Para se të arrish tek Ura e Vashës, fare pranë urës së Skurës, rruga kalonte mbi një thikë shkërmbore buzë lumit, ku kalldrëmi mbështetej mbi mure mbajtëse me llaç, ndërtuar për të krijuar horizontin e rrugës.
Ura e Vashës mbi lumin Mat është ndërtimi më i rëndësishëm i kësaj rruge në zonën e Gurit të Bardhë.
Ngrihet mbi një hark të madh, segment rrethor, me hapësirë drite rreth 12 m, i cili lidhet mjaft me peizazhin tërheqës në këtë rrugë – grykë të ngushtë shkëmbore ndërmjet dy maleve. Objekti ngrihet me një kurriz të lehtë në kyçin e harkut. Nga ana e bregut të djathtë ajo ka një dritare lehtësuese me hapësirë 1.4 m, që mbulohet sipër me një bark rrethor. Eshtë e gjatë 18 m dhe e gjerë 3.4 m. Kalldrëmi është i çrregullt, me gurë lumi. Objekti është ndërtuar me gurë të skuadruar që formojnë muraturë me fuga të rregulita horizontale, teknikë e zbatuar gjerësisht në ndërtimet e periudhës së pashallëqeve të mëdha shqiptare.
Pra, si kohë ndërtimi, Ura e Vashës duhet të jetë e fundit të shekullit XVIII ose fillimit të shekullit XIX. Duke qenë një vendbanim i zhvilluar pranë një rruge të rëndësishme të kohës, me të ardhura nga punishtet e barutit dhe nga hanet e shumta, Guri i Bardhë, veç urave që lidheshin me rrugën që përshkruam, pati ndërtuar dhe dy ura të tjera brenda fshatit. Njëra nga këto është Ura e Hoxhës mbi përruan e Allmetës, që buron nga livadhi i Gurrës, e cila lidh lagjen “Hoxhaj” me qendrën e fshatit. Është ndërtuar me një hark mjaft solid, në formë rrethi, i përbërë nga dy qemere me trashësi 80 cm, hapësira e dritës së harkut 5.6 metra.
Ura tjetër është ajo e Kulmares po mbi përruan e Allmetës, që lidh lagjen “Hoxhaj” me malin djathtas përroit, vendi i livadheve e i druve të zjarrit. Kjo urë ngrihet mbi brigje shkëmbore shumë të larta mbi nivelin e ujit. Ka një hark rrethor me hapësirë drite 7.4 m.
Lidhur me mjeshtrit e ndërtimit që kanë punuar për ndërtimin e këtyre urave në Gur të Bardhë, vendasit përmendin disa emra si Haxhi Harllaj (Kamberi) në lagjen “Mansaj”, fisi Hasa në lagjen “Hoxhaj” etj. Pra, Ura e “Hoxhës”, e Kulmares dhe e Skurës, janë ndërtuar nga mjeshtrit vendas, gjatë periudhës së pushtimilt osman. Mendojmë se ndërtimi i këtyre tri urave duhet t'i takojë shekullit XVIII, bazuar kryesisht në burimet gojore.
Pas Gurit të Bardhë rruga e karvaneve Durrës - Fushë e Tiranës - Dibër vijonte në grykën e Bulqizës – Valikardhë Ura e qytetit - Fusha e Homeshit - Dibër e Madhe, për të cilat në fazën e tanishme nuk kemi të dhëna.
Kështu rruga e karvaneve Durrës-Dibër, me prejardhje antike, me larminë e ndërtimeve gjatë aksit të saj, duket se ka qenë një objekt me rëndësi në sistemin e vjetër rrugor të vendit tonë.
© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania