…Emathia…Matja…Mati…Një vështrim historik rreth emrit të krahinës së Matit



 

Dilaver Kurti

 

Krahina e Matit ndodhet në ekstremin jugor të Shqipërisë veriore. Ajo kufizohet me Mirditën, Dibrën, Librazhdin Tiranën dhe Krujën (Materiali është shkruajtur para ndarjeve të  sotme administrative. "Emathia"). Kufijtë e lashtë të saj ishin më të gjerë se sot dhe në të përfshiheshin së paku përveç hapsirës së sotme edhe Katër Grykët, Lura, Mirdita deri në grykëderdhjen e Lumit të Matit në det.

 

Në mijëvjeçarin e parë para erës sonë banohej nga fisi ilir i albanëve. Në grykëderdhjen e Matit në det, pranë Adrias shtrihej fisi ilir i Abrejve. Me pushtimin romak në shekullin I-III të erës sonë krahina përfshihet në provincën e Epirit të Ri (1) Në mesjetën e hershme (shek.VII-XII) këtu dhe në krahinat përreth lulëzoi kultura e arbrit. Në shek.XII-XV është në epiqendrën e shtetit të Arbërit dhe të principatës së Kastriotëve (2). Në këtë trajtesë të shkurtër do të vështroj historikisht emrin e krahinës së Matit. Me këtë problem dhe historinë e lashtë të tij janë marrë një seri studiuesish tanë dhe të huaj, të cilët kanë dhënë mendimet e tyre (3). Duke qenë se kjo çështje nuk është ndjekur hap pas hapi historikisht, lë shteg për tu diskutuar.

 

Për të parën herë emrin e Matit e ndeshim në shek. XIII. Mbrapa Pretori i perandorit bizantin Akropolotis, në një udhëtim të viteve 1257-1258 thotë se nga Durrësi kaloi “nëpër viset e Mates (Matia) dhe së këtejmi në Dibër” (4). Edhe në përshkrimin e anonomit të 1308 thuhet se Arbëria, laget midis katër  lumenjve edhe nga Matia (5). Përsëri më 1338 shënohet lumi, Matia (6).

 

Në shek. XV e mbrapa mbisundojnë autorët shqiptar që flasin për Matin. Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i Skënderbeut, autor i dokumentit të parë të gjuhës shqipe, e la të shkruar formulën e pagëzimit në “Sancte Trinitatis de Emathia” (7).

 

Humanisti shkodran, Marin Barleti, autor i veprës monumentale “Historia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, lumin dhe krahinën i shënon në të njëjtën trajtë, Aematia (Aemathius dhe fluvius Aemathus). Ndërsa te Gjon Muzaka e gjejmë në trajtën Ematia. Më 1570 në një anonim, përsëri si krahinë dhe si lum, shënohet MATE-ja. Gjë që përsëritet dhe në një relacion venedikas të 1591 për fushën e Mates. Edhe Marin Bici më 1610 e jep Matja, si lum në krahinë (...passando a casa sua a Mathia...il fiume Mathia). Bolica në një relacion mbi Sanxhakun e Shkodrës, Krahas lumit Matja shënon dhe një katund me emrin Matja, midis Lezhës dhe Laçit.

 

Shkrimtari patriot Pjetër Budi nga Guri i Bardhë i Matit, kur flet për viset e Skënderbeut, e fillon nga Ematja. Këtë vazhdë e ndjek Pjetër Mazreku më 1633. Kurse Mark Skura më 1641 e shënon Matja, ndërsa më 1644 Ematia. Në burimet e mëvonshme të shek. XVII e mbrapa kudo e gjejmë Matia. Fenomen të cilin do ta gjejmë më 1904 edhe në fjalorin e Kristoforidhit, Matja.

 

Si në folklor dhe në të folurën e Matit, emri i krahinës dhe i lumit shqiptohet MATE-ja.

 

Nga parashtrimi i burimeve të sipërme që nga shek. XIII e mbrapa, emri i krahinës dhe i lumit shënohet në dy trajta. Të gjithë autorët e huaj e shkruajnë si lumin edhe krahinën, MATIA, ndërsa disa nga autorët vendas, duke filluar që nga Pal Engjëlli, Marin Barleti në shek. XV-XVI e mbrapa e shënojnë EMATIA.

 

Mendimi i disa studiuesve qofshin edhe vendas, të cilët flasin se me rastin e fundit (EMATIA) nuk flitet për Matin, por për Maqedoninë, nuk ka asnjë bazë dhe përgënjeshtrohen nga Barleti dhe Budi, të cilët krahas emrit të krahinës në trajtën AEMATIA dhe EMATIA japin dhe MACEDONIA. Pastaj përmbajtja e historisë së tyre lidhet direkt me Matin dhe jo me Maqedoninë.

 

Sikurse pamë si lumi dhe krahina, emërtohen me të njëjtin emër, MATIA.

 

Lind pyetja, krahina e mori emrin nga lumi, apo lumi nga krahina ?!

 

Polibi, autor antik i shek. II p. l. K. kur flet për inkursionin e mbretit të Maqedonisë, Filipit, thotë se para se të sulmonte Lisin (Lezhën) kaloi lumin ARDOKSAN, i cili është identifikuar me lumin e Matit.

 

Duke u nisur nga e vetmja dëshmi, mund të pranojmë se, lumi e mori emrin nga krahina.

 

Lidhur me prejardhjen e emrit të Matit janë shprehur disa mendime. Disa e shpjegojnë me prejardhje biblike, të tjerë se ka trashëguar emrin antik të Maqedonisë. Por mbi të gjithë është miratuar mendimi i prof. Eqerem Çabejt, i cili thotë se emri MAT-i, vjen nga fjala breg lumi, deti, që është ndeshur në Nikaj-Mërtur. Nga sa pamë nga burimet, emri i krahinës nuk është MAT-i, por MATE-ja. Trajta që përdoret sot MAT-i, i përket trajtës së letrarizuar nga mesi i shek. XX. Edhe sot e kësaj dite banorët e vjetër i thonë krahinës MATE-ja.

 

Vetë emërtimi i fushave në të djathtë të lumit, BREGU I MATES, sikur e kufizon domethënien e fjalës MAT për breg, pasi jemi para një sinonimi që nuk mund të qëndrojë.

 

Duke ndjekur rrugën historike të formimit të emrave të krahinave të vendit tonë vërejmë se ato e kanë marrë emrin nga një qytet. Kështu krahinat e Shkodrës, Lezhës, Krujës, Durrësit etj. e kanë marrë emrin nga një qytet antik me të njëjtin emër. Po këtë rrugë kanë ndjekur edhe krahinat si Puka, Tropoja, Kukësi, Mirdita, Dibra etj. Unë mendoj se ky fenomen duhet të ketë ndodhur edhe me Matin. Mirëpo burimet antike dhe ata mesjetare nuk na japin asnjë qytet me këtë emër. Krahina e Matit brenda kufijve të sotëm ka së paku tetë rrënoja kalash dhe qytezash iliro-mesjetare.

 

Rreth tyre kam shpesh mendimin se mund të identifikohen, Xibri me qytetin ilir Syber, Lisi dhe Shkopeti me qytetet antiko-mesjetare Listri dhe Skeuptoni, si dhe Komsia me fortesën Kome. Mos vallë nën heshtjen e tyre apo të ndonjë tjetri fshihet historia e qytetit që i dha krahinës emrin. Duket sikur ky fill përkon dhe me atë çka thotë Straboni, i cili në kapërcyellën e erës sonë, shprehet se në Maqedoni ishte afër detit edhe një qytet me emrin Emathia. Në këtë kohë Mati përfshihej në provincën e Maqedonisë, ndonëse nën sundimin romak. Duket se ky vegim i largët për tu mburrur me tradidat e lashta i shtynë autorët tanë që emrin e krahinës nga MATIA që e shënojnë të huajt dhe është realisht e japin EMATIA, që mund të jetë një përkim i rastit.

 

 

Shënime Bibliografike

 

1 .F .Prendi ,H. Ceka, S. Islami ,S. Anamali, Ilirët dhe Iliria tek autorët antik, Tiranë 1965, vëll. I, harta 1, 2

2. D. Kurti, Gjurmë të kulturës së hershme shqiptare në Mat, Iliria I, Tiranë 1971.

-D. Kurti, Shqiponja në motivin e gunës shqiptare, Konferenca e Studimeve Etnografike, Tiranë 1977, f.586

3. E. Çabej, Problemi i autoktonisë shqiptare në dritën e emrave të vendeve, BUSHT, Ser, Shkenc. Shoq. Tiranë 1958, nr .2 faqe 54-62;

-E. Çabej, vendbanimi i hershëm shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit në dritën e gjuhës e të emrave të vendeve. BUSHT, Ser. Shkenc. Shoq. Tiranë 1962, nr.1 faqe 219-226.

-E. Çabej, po aty, f. 61

-K. Ulqini, Gjurmime Etnografike në trojet e Skanderbegut, BUSHT, Ser. Shkenc. Shoq. Tiranë 1961, nr. 2, faqe 162-190;

-B. Beci, Hulumtime gjuhësore në Mat, BUSHT Ser. Shkenc. Shoq. Tiranë 1962, nr. 2 faqe 233-261.

-B. Beci, po aty  f.233,236

4. G. Akcropolitis LXVI-LXXX, shih Burime II, Tiranë 1962, dok. 43, f. 90.

5.O. Gorka, Anonymi Descriptio Europae Orientalis, f. 25-29, shih, Burime II, Tiranë 1962, dok, 6,  f. 110

6. Acta Diplomata I, 816, shih Burime II, Tiranë 1962, dok. 72  f. 119

7. N. Jorgas, Notes et extraits IV, Bucarest 1915, f. 193. shih dhe Dh. S. Shuteriqi, Shkrimet shqipe në vitet

1332-1850 Tiranë 1965 dok. 4 f. 21

8. M. Barleti, Historia e Skënderbeut, Tiranë 1967, f 54, 63, 80, 211, 229, 284, 370, 372, 375, 380, 391, 479, 480.

9.G. Musachie, Memoria della casa Masachia f. 301, shih Burime II, Tiranë 1962, dok. Nr. 150  f. 232

10. Starine V. XII f. 193-200, Burime III, Tiranë 1962, dok. 114 f. 159. “...lumi i Ishmit dhe fundi i vendit që thuhet Matje, dhe fillimi i vendit të Rodonit...ose te gryka e Drinit në Matje, prej Matjes në Ishëm...”

11. Viaggie Amb. Ven. Shih. Burime II, dok. 116 f. 171 “...duke lënë në të djathtë fushën e Mates…”

12. I. Zamputi Rel. I, Tiranë 1965, dok. 2(53) f. 53.

13. I. Zamputi, po aty, dok.3(189), f.287 “...Mathia burra 100 (ka mundësi ta ngatërrojë më Manatinë), ...Mathia quatro piedi d’aqua..”.

14. I. Zamputi, po aty, dok. 5(81, 84) “...ka në anën tjetër, nga kufijtë e Maqedonisë (Macedonia), popuj të tjerë që quhen viset e Skënderbeut, d.m.th. Matja (Ematia), Benda, Kurbini (Corbini), Tamadheja (Tamades), e Çermenika (Cermenica)...”

15. I. Zamputi, po aty, dok. 37(273) “...ata të Matës, të Mysjes, të Dibrës dhe dieçezin e sipërthënë arrijnë në 12 mijë luftëtar...”

16. I.Zamputi, po aty Rol. II, Tiranë 1965, dok. 36 (41) f. 239 “...Kurbini është midis dy maleve, njëri që gjendet në anë të Matjes, nga lindja, quhet Trodhena (Trodina)...Matja është një luginë e madhe, ndërmjet dy maleve...(...confini di Mathia...Mathia e una valle grande...).”...Kisha e Lisit... gjendet pranë Matit(La chiesa Lisiense...sita de la terra di Lisia e u e presso in Eumatia)”.

17. I. Zamputi, po aty, dok. 79(85), f. 337 “Misioni i Pëdhanës përfshin Lezhën, bregun e lumit të Matës...la ripa del fiume Mathia; Rel. II, dok. 88(110), f. 395”....del fiume Mathia...Pedana di Zadrima...” Hylli i Dritës, 1943, nr. 6-8 f. 291, shih Burime III, Tiranë 1962, dok. 96, f. 145,”…në lumen e Urdhasë…dhe arrin lumen e Mates...nëpër atë lumin e Matës arrin Milotin...”

18. K. Kristoforidhi, Fjalor shqip-greqisht, 1961, f. 198, “Mat, Matja ef.=krahinë e Shqipërisë së sipërme”.

19. M. Barleti, po aty, shih sh.8, f.480 “Skënderbeu si u kthye nga Roma...mblodhi një ushtri të madhe...prej Epiri dhe Maqedonie (Macedonie), Ilirie dhe Dalmacie...duke i drejtuar forcat prej Lises përmes fushave të Mates (Aemathia) dhe pyllit të Janimëve, do të sulmonin armikun nga kjo anë”. (Flitet për luftën me Ballaban Pashën më 1467).

20. Polyb, VIII, 13, 2, Ilirët dhe Iliria tek autorët antik, Tiranë 1965, f. 61.

21. D. Kurti, Kala e qyteza të panjohura në Mat, Monumentet nr.18 Tiranë 1979.

22. D. Kurti, po aty, dhe “Gjetje arkeologjike në Mat”, Materiale të Sesionit Shkencor 2-3 Mars 1967, Tiranë 1968, f. 1

23. Strabonis, Geographica VII, II, shih Ilirët dhe Iliria…f. 162, “Maqedonia më parë quhej Emathia. Emrin e mori nga një udhëheqës që quhej Maqedon... Ishte një qytet me emrin Emathia afër detit. Këtë vend e sundonin disa nga fiset epirote dhe ilire...”(viti 63 p.e.s.-20 e.s.)

24. K. Ulqini, “Gjurmime Etnografike në trojet e Skënderbeut”, po aty;”...Matja, si i thonë matjanët krahinës së vet...tue përfshi Rranxën, Kthellën, Selitën, Lurën...”

25. Po aty, f. 162-165.

 

Botuar për herë të parë në numrin e parë të revistës "EMATHIA", 1/2007, 16 mai 2011

https://www.facebook.com/notes/revista-emathia-mat/emathiamatjamati-botuar-ne-numrin-e-pare-te-revistes-emathia-12007/10150191738436169