Comœdia (1932) / Léon Rey, drejtor i misionit arkeologjik francez — gazetarit dhe shkrimtarit Pierre Lagarde : “Ja si i zbulova rrënojat e Apollonisë!” (Intervista e plotë zhvilluar në Shqipëri)


Një pamje e rrënojave të Odeonit në Apolloni — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Një pamje e rrënojave të Odeonit në Apolloni — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Nëntor 2022

 

Comœdia” ka botuar, të martën e 1 nëntorit 1932, në ballinë, intervistën ekskluzive të gazetarit dhe shkrimtarit Pierre Lagarde me Léon Rey, drejtor i misionit arkeologjik francez në Shqipëri, në lidhje me zbulimet asokohe në Apolloni, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Si zbuloi një dhelpër shqiptare rrënojat e Apollonisë së lashtë

Zbulimet e bukura të një arkeologu energjik francez z. Léon Rey

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Dielli përvëlon rrugën. Një re pluhuri, pas nesh, varet mbi ullinjtë, pastaj ngadalë shtrihet, si një vello dembele dhe ngjyrë gri, mbi tokën e thatë.

 

Këtu, dy zogj ndjekin njëri-tjetrin me një fluturim të pjerrët. Aty, shpërthen nga bardhësia një shtëpi e humbur, me peristilin e saj me kolona katrore.

 

Dhe befas, në cep të një hapësire të mbuluar nga hija e një lisi të mrekullueshëm, një tabelë e vogël në prag të një shtegu : Apollonia.

 

***

 

Apollonia! Qyteti i themeluar nga kolonët e Korkyrës (Korfuzit), gjashtë shekuj para erës sonë. Gurët janë aty. Gurë, kolona, shkallë, fragmente arkitekture që kazmat dhe lopatat zbulojnë çdo ditë e më shumë.

 

Dhe ja, zoti i vendit : z. Léon Rey.

 

Është një gjë mjaft prekëse, kur udhëton, kur sapo ke kaluar Italinë, Siçilinë, Maltën, Jugosllavinë, të takosh papritur atje, në Shqipëri, në anën tjetër të Adriatikut, këtë francez që ka vendosur çadrën dhe flamurin e tij në Pojan, afër Fierit.

 

Dy francezë — Heuzey dhe Daumet — ishin të parët, në 1861, që identifikuan me njëfarë saktësi vendodhjen e mundshme të Apolonisë. Ata kishin zbuluar në një manastir aty pranë, antikitete që ishin dëshmi. Por, nëse do të kishin ndonjë arsye për të pohuar: Apollonia është atje, toka, të paktën, e kishte mbajtur sekretin e saj, deri në ardhjen e një francezi tjetër që vazhdon punën e tyre : z. Léon Rey.

 

I gjatë, me një sy të gjallë, me mustaqe të shkurtra trekëndore, një gjest të shpejtë dhe të përzemërt, një helmetë koloniale që i bënte hije tipareve energjike të fytyrës së tij.

 

Para se të vinte këtu, Léon Rey kishte bërë gërmime në Maqedoni; Tani ai drejton gërmimet e Misionit Arkeologjik Francez në Apolloni. Dhe pikërisht me krenarinë e drejtuesit më bën të vizitoj rrënojat.

 

Një portik i gjatë i ndarë në dy galeri paralele, me kollonat që stolisin kapitelet jonike, me një formë harmonike që nuk gjendet askund tjetër; një Odeon kurioz i pajisur, siç dëshmohet nga struktura e tij, për evolucionin e koreve; një Auditorium për lexime, me stolat e tij, mbi të cilët Augusti ka ardhur me siguri të ulet dhe të mësojë...

 

— Ne zbuluam gjithashtu, më tha z. Léon Rey, statuja shumë të bukura : një burrë me një togë, një grua si muzë dhe një tjetër si Ceros, të dyja pa kokë, por të mbështjella me veshje të bukura stofi, një kokë burri me flokë kaçurrela, një kokë e një gruaje të re e cila duket se është e krehur sipas modës së “Directoire”, vazo të çmuara…

 

Ju nuk do të shihni asnjë nga këto. Statujat, kokat dhe vazot ndodhen në Fier, në arka dhe presin përfundimin e ndërtimit të muzeut që do t’i strehojë.

 

Ah, sikur të dinit gjithçka që gjendet ende këtu poshtë.

 

Dhe Léon Rey godet thembrën e tij në tokë, tokë kjo e cila gradualisht ia zbulon misterin e saj.

 

— Por çfarë vështirësish. Shikoni këtë Auditorium të nxjerrë në dritë këtu. Ky mur është gjashtë metra i trashë. Dhe aty, këto zgavra (vendstrehime) të pambuluara, kanë një formë të rrumbullakët, ndërsa në Athinë, për shembull, kanë formë katrore. E gjithë kjo është për t’i rezistuar shtytjes së tokës! Kodra po rrëshqet! Çdo vit, gërmimet e mia mbulohen! Dhe, sikur nuk mjafton, guri është i sëmurë dhe po shkërmoqet në ajër!

 

Ne kalojmë mbi boshte kolonash, fragmente muresh.

 

— Çdo gjë që mund të qëndrojë atje poshtë, çdo gjë do të mbesë. Dhe mjetet në dispozicion të misionit tonë nuk do të më lejojnë të zbuloj gjithçka që ka.

 

Një lloj keqardhje ndihet nëpërmjet intonacionit. Një lloj hidhërimi kalon, si shigjetë, nëpërmjet shikimit.

 

Por Léon Rey nuk është nga ata që ankohen (dorëzohen). Njeri aksioni mbi të gjitha, ai vepron. Dhe tashmë, ai mendon për copën e tokës që do të gërmojnë nesër, atje, pranë atyre dy gurëve të qoshes që bashkojnë, pa çimento, disa lidhëse prej hekuri...

 

— Kërkimet e para, thotë përsëri, i kam bërë në vitin 1924. Në fillim nuk gjeta asgjë. Dhe a e dini se si arrita në zbulimin e rrënojave të para nëntokësore të Apollonisë? Duke ndjekur një dhelpër.

 

Po e ndiqja kur papritmas u zhduk. Strofulla e saj, pa dyshim. Por krejt papritur, e shoh përsëri dhelprën time njëzet metra më tutje, ndërsa unë ende po e vrojtoja në dalje të strofullës së saj!

 

Kështu, përkulem, shqyrtoj këtë strofull të çuditshme, i jap disa goditje me kazëm dhe zbuloj një fragment të kanalizimeve të lashta të Apollonisë, që dhelpra ime e njihte shumë përpara meje!...

 

Dhe Léon Rey përqafon me sytë e tij, jo pa një butësi plot krenari, këto rrënoja që zbuloi dhe nga të cilat vazhdimisht nxjerr në dritë gjurmë të reja: Odeonin, portikun, Auditoriumin e Apolonisë.

 

Si nuk mendoi qeveria — nuk mund të mos e mendoja kur u largova nga Léon Rey dhe nuk mund ta shmang ta them sot — të nderonte këtë njeri që nga ana tjetër e Adriatikut kontribuon, duke ringjallur Apoloninë, në prestigjin dhe shkëlqimin e Francës ?

 

Zogu I, mbreti i Shqipërisë, e bëri Komandant të Urdhrit të Skënderbeut.

 

Por z. Léon Rey nuk është ende Kalorës i Legjionit të Nderit…

 

***

 

Dhe pikërisht në momentin kur i shkruaj këto rreshta, ndoshta atje, afër Fierit, nën diellin që praron ullinjtë dhe që shpërfytyron selvitë, Léon Rey, drejtor i misionit arkeologjik francez, zbulon atje, në tokën shqiptare, një monument të ri apo një statujë të re…

 

Pierre LAGARDE

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/comoedia-1932-leon-rey-drejtor-i-misionit-arkeologjik-francez-gazetarit-dhe-shkrimtarit-pierre-lagarde-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise-intervista-e-plote-zhvilluar-ne-shqiperi/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://gazetadielli.com/comoedia-1932-leon-rey-drejtor-i-misionit-arkeologjik-francez-gazetarit-dhe-shkrimtarit-pierre-lagarde-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise-intervista-e-plot/

 

https://www.kultplus.com/trashegimia/leon-rey-drejtor-i-misionit-arkeologjik-francez-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise/

 

https://plavaeguciasot.com/comoedia-1932-leon-rey-drejtor-i-misionit-arkeologjik-francez-gazetarit-dhe-shkrimtarit-pierre-lagarde-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise-intervista-e-plote-zhv/

 

https://diasporashqiptare.al/2022/11/18/comoedia-1932-leon-rey-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise/

 

https://opinion.al/1932-drejtori-i-misionit-arkeologjik-francez-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise/

 

https://ampress.ca/comoedia-1932-leon-rey-drejtor-i-misionit-arkeologjik-francez-gazetarit-dhe-shkrimtarit-pierre-lagarde-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise-intervista-e-plot/

 

https://alb-spirit.com/2022/11/18/pierre-lagarde-ja-si-zbulova-rrenojat-e-apollonise/

 

https://drini.us/comoedia-1932-leon-rey-drejtor-i-misionit-arkeologjik-francez-gazetarit-dhe-shkrimtarit-pierre-lagarde-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise/