Fantastikja autoriale e tregimit Floçka*



Behar Gjoka, Tiranë - 16 Korrik 2017

 

Titulli i prozës 24[1] Floçka, një tregim fantastik, në të gjitha kuptimet, që të shpie te përralla gojore, ka mundësuar ekzistencën e dyzuar, pra si shenjë e përveçme shkrimore e Pashkut. Në hapësirën e tregimit, që përcillet prej shkrimtarit po me këtë emërtim, është pranuar nga studimet letrare, se shënon një perlë të tregimtarisë gojore. Parateksti gojor, Floçka, në duart e shkrimtarit shqiptohet me art, me gjasë duke sjellë një kahje dhe vizion të vetin, të ngjashëm dhe, po kaq të ndryshëm. Megjithatë, përputhja rastësore etike dhe estetike, ndërmjet dy prozave, të ngjyresave gojore dhe autoriale, në këtë rast unik, nuk do të thotë kurrësesi se shënon një përputhshmëri të plotë ndërmjet tyre. Për të hetuar marrëdhënien e ndërsjellë të tregimit me përrallën omonime, po sjellim një përfundim të Kujtim Rrahmanit, teksa nënvizon : 25

 

…referenca në përrallën, në këtë rast, është dëshmi shumë më e kufizuar për koronotopinë përrallore të këtij rrëfimi, se sa që hasim pjesë teksti brendapërbrenda tregimit.

 

Përcaktimi i bërë në marrëdhënien e tekstualitetit dhe oralitetit, në këtë rast, shërben si një pistë nga ku mundet të kërkohen shtigjet e lëvrimit të prozës fantastike nga ana e Pashkut. Megjithatë, duhet theksuar qysh në krye të herës, se tregimi Floçka, merr shkas nga përralla gojore, por shkalla e përpunimit të autorit është e tillë që kemi një situatë të re teksti, të një prozë me ngjyresa fantastike. Proza e autorit, vendos marrëdhënie të hapura me prozën popullore, çka theksohet në ruatjen e titullit, por edhe në frymën fantastike që përçon. Duke qenë në këtë marrëdhënie të hapur me përrallën, elementi fantastik, në këtë tekst buron edhe nga kjo lidhje, por diçka më tepër nga konceptimi i autorit në të gjithë treguesit e vetë shkrimor. Për David Roas, fantastikja shtjellohet në këtë mënyrë :

  

E mbinatyrshmja është ajo që shkel ligjet, të cilat organizojnë botën reale, atë që nuk është e shpjegueshme, që nuk ekziston sipas këtyre ligjeve. Kështu, që historia e rrëfyer të konsiderohet fantastike, duhet të krijohet një hapësirë e ngjashme me atë që jeton lexuesi, një hapësirë që do të shihet e sulmuar nga një fenomen që do të çrregullojë qëndrueshmërinë e saj. Për këtë arsye, e mbinatyrshmja do të jetë gjithmonë një kërcënim për realitetin tonë, që deri në këto momente besonim se kishte ligje rigoroze dhe të pandryshueshme. Rrëfimi fantastik e vendos lexuesin përballë së mbinatyrshmes, jo si arratisje, por shumë më ndryshe, për ta hetuar dhe bërë që të humbasë sigurinë përballë botës reale.[2] 26

 

Në thelbin ekzistencial të figurës, një simboli të bukurisë femërore, autori në hapësirën e këtij tekstit, që ka si paratekst përrallën omonime, kryen disa shformësime thelbësore, që e bëjnë vërtetë unike atë, tashmë si një krijim i kultivuar, që shqiptohet si një tregim i rrallë. Nëse ruhet emri i krijimit dhe personazhit, të rrafsheve orale, pra me këtë tekst jemi në një bartje të dyfishtë, shenja tipike fantastike, që ndërthuren me përrallën Floçka, e konsideruar si një vlerë e trashëgimisë gojore, e cila tashmë njihet si një rast marrëdëhnie të oralitetit me intertekstualitetin, i tregimit të Anton Pashkut. Ndërlidhja në mes përrallës orale dhe të tregimit fantastik të autorit, është e kapshme në konceptin formal, po kaq në ruajtjen e atmosferës fantastike, që e përçon secili tekst, ndërkaq që shkalla e përpunimit të autorit, pothujase e ka tjetërsuar përrallën. Tharmin fantastik autorial, buron nga lidhja e hapur me përrallën, së paku në rrafshin logjik dhe estetik, të menduara prej shkrimtarit, si tregime fantastike. Hapësira gjuhësore dhe letrare, e prozës së titulluar Floçka, pra si një rimarrje dhe, mbase diçka më shumë si një tejkalim i tekstit parak të përrallës, ndërkaq na ofron një sendërtim të realitetit letrar, i cili megjithatë i ruan hapur marrëdhëniet me ngjyrimet fantastike, të përrallës dhe përrallëzimit të prozës gojore, të cilat kanë shërbyer si shtrat ku ngjizet materia. Duke qenë një paratekst i kësaj proze, madje i pranuar nga studimet letrare dhe antropologjike, pra i padiskuteshëm në përsëritjen e titullit, me emrin Floçka. Njëherit, të klimës së rrokshme fantastike, që përcjellin të dyja krijimet letrare, pavarësisht fomrës së ekzistencës si gojore dhe librore. Në hapësirën e tekstit, ndërkaq përçohet rrethana e artikulimit të një situate me disa rrafshe ligjërimore, mbindërtimesh shkrimore, që shpalosen si mbitekste, të bashkëshkruara kaq ndërmjetshëm, sa duken si dy pika uji, të dala nga një burim i vetëm. Shtresëzimet mbitekstuale të pranishme në materien e këtij tregimi :

 

- Nga prania e titullit që emërton të dy krijimet, në hapësirën gjuhësore dhe estike, tek tregimi i shkrimtarit, po ashtu tek përralla gojore. Pra, në të dy raste dhe zhanret, të emërtuar hapur si Floçka, çka lidhjen e ndërmjetshme të tyre, megjithëse është organike, si frymë dhe atmosferë, tekst dhe nëntekst, e bën të njëmendtë, sepse Floçka, jo thjesht emri, është shndërruar në një simbolikë përfaqësuese të prozës shqipe me natyrë fantastike.

 

- Nga mbizotërimi i elementit fantastik, si frymë dhe domethënie, në të dy tipet e shkrimit të prozës, si tek përralla gojore, e po ashtu tek tregimi i shkrimtarit. Po kaq është dëshmi artistike, me gjasë një mbështjellë e pashmangshme, e cila ka peshë dhe funksion formësuese në hapësirën e tregimit. Madje, shpesh herë të dyja prozat, pavarësisht ndryshimeve thelbësore, që vihen re në mes tyre, më së shumti të faniten si një vijimësi organike e ndërmjetshme, sa realisht vështirësohet prekja e diferencës në shqiptimin letrar.

 

 

4. 1 Rrafshet e ligjërimit

 

Teksti i prozës Floçka, pra tregimi fantastik i autorit, në shpalimin e vetë, përveçse shenjë e ndërkomunikimit letërsi gojore-letërsi autoriale, pra si një raprot që ka gjetur një shtjellim të gjerë nga Kujtim Rrahmani, në librin Intertekstualiteti dhe Oraliteti tek (E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku), nga ana tipologjike, pra të natyrës së zhanreve, përrallë-tregim, të shoqëruar me ndryshimet dhe dhëniemarrjet e ndërsjella, në mes dy krijimeve, është një rast, që identifikon rrafshet e ligjërimit, të secilës mënyrë shkrimi :

 

- Si një histori e mrekullishme, e pronëzuar në hipotekën orale popullore, mbi Floçkën, vajzën e bukur të ëndrrave, bukuroshen e liqerit, aq shumë e dëshiruar, nga gjithë meshkujt e botës. Të gjithë, nëpër kohëra dhe hapësire, kanë qenë gati të kryenin heroizmin më të çmendur, për ta patur atë vetëm një çast, që pamëdyshje do të zgjaste sa shekulli. Për ta patur në shtëpinë dhe në krahët e tyre, e cila në vetëdijen gojore, vjen si një lule gjithë aromë dhe lule mos më prekë. Pra, prekja më e vogël e shkujdesur e shkërmoq atë, mbase pa grimën e përkujdesjes ndaj ekzistencës si një qenie fantastike.

 

- Si një histori e rrëfyer, por edhe një ndodhi e papërsëritshme, ëndërr dhe realitet, përrallë dhe magji, mrekullibërëse e përplot rrezëllima të një shkëlqimi, që përsëritet gojarisht. Madje, vjen pambarimisht te qenia, nga njëri brez në tjetrin, nga njëra hapësirë në tjetrën. Duke ardhur gjithnjë krejt e re, nginjur në farfurima drite, e ideuar dhe plazmuar nga autori, duke realizuar më tepër rijetësimin e saj, tashmë si një fat i shkruar.

 

- Si një gërshetim, gjuhësor dhe letrar, ku teksti autorial, zbulon nivelin e një përpunimi të thelluar, që në rimarrjen e temës dhe figurës, nuk synon shkatërrimin dhe zhdukjen e gojores, porse rizbulimin e kësaj perle të oralitetit, në një formë unike autoriale. Tregimi fantastik, nuk synon shkatërrimin e përrallave, me natyrë fantastike, përkundrazi shënon një rivitalizim të kësaj esence thelbësore, pa të cilën vështirë se ka vlerë prania e bukuroshes së artit gojor në të, e Floçkës e cila zakonisht jeton në ujin e liqeneve. Floçka, thuhet se zakonisht jeton në ujërat e ëmbla, gjë që na vjen si e gdhendur në mbamendjen e popullit, si dhe në studimin e përrallave.

 

Këto janë tre rrafshet e ligjërimit, mbase shënojnë edhe tri pasqyra, shëmbëllimi dhe skicimi, portertizimi dhe shpalimi, ka më shumë gjasa, që të kundrojmë madhështinë e bukurisë së Floçkës, kryebukurisë femërore. Floçka është konceptuar dhe rijetësuar nga autori, si një bartje unike letrare në shkrimin e kultivuar. Hapësira, që shpalohet në të tre rrafshet e esencës letrare, dhe rrëfimore, përveç kësaj ndjesie, etike dhe estetike, të zbulimit dhe rizbulimit të Floçkës, të figurës së artit gojor, e cila përfaqëson simbolin e bukurisë së femrës, pavarësisht përthyerjeve, njëkohësisht ruan dhe ngërthen në vetevete përthyerjet e disa pasqyrave. Ka më tepër mundësi, të një prizmi me shumë faqe pasqyruese, shpaluar artistikisht, si një unitet i barabitur, shpirtëror dhe artistik, gjuhësor dhe letrar, që nguliti dhe skaliti artistikisht një formë tjetër të Floçkës. Pavarësisht këndeve, parashtruese të figurimit, të personazhit qëndror të kësaj proze, magjike dhe fantastike, pavarësisht shijes së leximit dhe të rileximit, të teorive të ndryshme të receptimit, Floçka e famshme e përrallës-gojore, e po kaq Floçka-shkrimore e Pashkut, janë vlera unike të fjalës shqipe. Pra, dy krijime artistike të mënyrave të ndryshme të ekzistimit, madje të vendosura kaq pranë, si shëmbëllime të bukurisë femërore, si dhe në situatën e përballëvënies, të zgjojnë interes të rrufeshëm.

 

 

4. 2  Bukuri e pambërritshme

 

Parathënia shpirtërore dhe estetike, e paratekstit të tregimit Floçkë-gjegjësisht të përrallës popullore, e njohur si krijimi letrar gojor, po me këtë titull, të vë në mendime të thella. Në kohë dhe hapësirë, vijon që të mbetet shenjë, gjithsesi në hapësirën e tregimit, është një bukuri e pambërritshme, si vizion dhe simbolikë. Po ashtu, ka më tepër gjasa, që të kundrohet përkohësisht në rrekjen për ta cekur me dorë, të shkërmoqet gjer në mosqenie. Mbase do të mjaftonte, fakti që është menduar dhe dëshiruar si më e bukura e bukurisë femërore, për ta ngritur gjer në piedestal. Madje, ka jo pak mundësi, që Floçka e përrallës, si krijim dhe figurim, është e pambërritshme, pa dyshim një nga përrallat magjike, që trashëgojmë, ngase ajo është po kaq e përkohshme si prani ekzistenciale. Pashku në tregimin fantastik, madje në të gjitha kuptimet, me hollësi të paimagjinueshme, ia mëvesh që të dy atributet Floçkës autoriale. Pra, pambërritshmëria e kësaj figure, e përngjiturazi me të, përkohshmërinë si një prani ekzistenciale. Theksimi, madje me një forcë dhe magji shkrimi, i këtyre dy artibuteve të ekzistimit të saj, si figurë dhe shenjim letrar, si tekst dhe shprehësi letrare, e cila ndërkaq është e ngjizur me magji, pambërritshmërisë/përkohshmërisë, ose me gjasë, që realisht të jemi tek rasti i vetëm i kësaj përputhshmërie. Ngaqë ajo është e përkohshme si ekzistencë, prandaj është e pambërritshme, e këto dy anë të shembëllimit të saj, në këto nivele, në faqet e tregimit vijnë në dy forma :

 

A – Nëpërmjet detajit, si një prani e shqiptimit letrar, e detajit të ëndrrës a të marrëzisë së njeriut, e cila e përforcon dhe formëson përfundimisht thelbin fantastik të tregimit, kur autori shkruan: [3]27

 

Ishte i kënaqur e edhe i lumtur, që kishte njohur Floçkën së paku nëpërmjet një ëndrre, Floçkën e bukur me flokë të gjatë e të dendur, që shkëlqejnë si mijëra fije të arta, të cilat në kryet e saj duken si kurorë e ndezur, që mund të nxejë po nja gjashtë a shtatë copë fshatra e të shkrijë borën dhe akullin edhe atje lart… (1986: 80).

 

Këtu vihet re lehtësisht se si vizatohet portreti i kësaj figure të jashtëzakonshme, në shumësinë e tipareve, gdhendur në mbamendjen e ligjërimit.

 

B – Me po kaq magji të fjalës, të shenjave autoriale, duke i përvijuar kështu ngjyresat fantastike, na vjen përmes detajit të dritës, ku shprehet: [4]28

 

Dhe, në atë çast, kishte filluar mrekullia e re: tërë liqeni shkëlqente me një aso drite, të cilën thotë përralla, s’ka gojë që mund ta përshkruajë… (1986: 81).

 

Në këtë sekuencë të pazakontë është përralla, krijesa gojore, e cila përthekson pasojat e të qenit të Floçkës, në një ekzistencë transhendence, vetëm si e përkohshme dhe e pambërritshme. Kjo figurë e jashtëzakonshme, që përditshëm fanitet në mendjen e njeriut, si një ëndërr në padukshëmrinë e ndritshme, gjer në pafundësi. Floçka është veçse një ëndërr, po kaq është një dëshmi ekzistenciale, e cila më tepër zbulohet nëpër ëndrra. Po kaq, Floçka e shkrimtarit, tregimi në vetëdijen e qenies është një dritë përvëluese dhe shkatërruese, që na mundëson shansin se kemi parë një ëndërr të mrekullueshme, e cila ndërpritet menjëherë, siç ngjet në ëndrrat, që shohim me sy mbyllur apo dhe hapur.

 

 

4. 3 Ndërlidhnia rrëfimore

 

Mbitheksimi i tipareve të Floçkës, si protagoniste dhe figurë e prozës gojore, por edhe e tregimit fantastic të Pashkut, ku krahas ndryshimeve të thukta, duke mbetur një bukuri e përkohshme, po kaq e hapësirës së gjallimit, pra të bukuroshes së liqenit, të marrëdhënies së ndërsjellë, të tekstit të prozës gojore me tekstin e autorit, që përthekon një situatë tjetër të shqiptimit të kësaj figurë madhore të oralitetit, që në fakt këtu fiton një përmasa të re, të jashtëzakonshme të tipologjisë së intertekstualitetit. Prania e elementëve të ndërlidhnisë rrëfimore, është ura kryesore që lidh përrallën me tregimin dhe anasjelltas. Ndërlidhnia rrëfimore moderne, është sa e plotë aq funksionale, por për hir të së vërtetës në hapësirën e tregimit vjen me një kurbë të rrokshme shpalimi, që vetë figurën e nxjerrë në një dritë tjetër :

 

- Qysh në krye, në hapësirat e tregimit, shkruhet: [5]29

 

Kur kishte zënë të ngjitej nëpër atë përpjetëze-thotë përralla për të, përralla për të dhe tërë atë dashurinë e tij, jo të rëndomtë-kishte pasë rënë terri. (1986: 69),

 

çka në fakt ka identifikuar ndërlidhjen rrëfimore në mes krijimit gojor dhe atij autorial, si me thenë edhe rrafshet e kalimit nga oraliteti në intertesktualitetin e shkrimit të Pashkut. Në mes përrallës dhe tregimit, kemi rrëfimtarin që nis të rrëfej përqark ndodhive, si një element për të realizuar ndërlidhjen, ndërkohë që kemi një shenjim tipik gjuhësor, duke patur foljen – kishte, si e djeshme, ndërsa kur zbulohet rrëfimtari, pa e zgjatur, nënvizon: -thotë, pra si e tanishme.

 

- Rimarrja e situatës së përrallës dhe të figurës së Floçkës, e projektuar si një rast i veçantë, që e qartëson marrëdhënien si prani e dyfishtë, gojore dhe librore, kur madje formësohet qartësisht: [6]30

 

Kurse këtë e çonte rruga shi andej ku dëgjoheshin murmurimat e shiheshin ato vetëtima, thotë përralla…,

 

Duket se në këtë situatë të marrë nga tregimi, madje me një funksion estetik të dukshëm, e përforcon idenë e ndërthurjes së poetikave të bukurisë, përmes poetikës së rrëfimit, të përrallës orale, që tanimë sendërtohet si poetikë e tregimit me të njëtin emër.

 

- Ndryshimi i kahjeve të rimarrjes së fatit të Floçkës, të personazhit të jashtëzakonshëm, që zbulohet si prani e plotë në situatën e këtij episodi, të tregimit të realizuar nga Pashku:  [7]31

 

Ishte i zbetë kur, padashur, kishte ndërruar nja dy hapa prapa-kallëzon përralla, (1986: 71).

 

Në vend të përdorimit të foljes -thotë, ndërkaq vihet re se është përdorur me funksion estetik, folja -kallëzon, e cila në ligjërimin, bisedor dhe letrar, rrok në thelbin e vetë, aspektet më të gjera emocionale dhe stilistike. Po ashtu, zgjeron hapësirën e komunikimit, të shenjimit emocional dhe artistik, gjë që përtheksohet dukshëm në hapësirën tekstologjike: [8]32

 

Kur kishte arritur deri në një shenjë vendi-vazhdon përralla.  

 

Pra duke u përfocuar, në hapësirën e tregimit të Pashkut, deri në një proces të ndërthurjes së hapur të gojores me libroren, duke ruajtur vlerën unike që ka oraliteti, por edhe dëshminë e vlertë që sendërton intertekstualiteti, pra duke përvijuar tipologjiënb e shkrimit të përveçëm në rastin e tregimit të Pashkut, me titullin Floçka. Uniteti ndërmjet të dyja praktikave, gojore të përrallave, si dhe të krijimit Floçka, një rast i materializimit të intertekstualitetit, që shoqërohet me fuqi kallëzimi dhe dëshmish fantastike. Këto tipare artistike, janë mishëruar në krijimin e Floçkës, tashmë të faktit letrar, teksa realizohet në tregimin omonim, sendërtuar nga Pashku. Studiuesja Rosmary Jackson në analizën e saj Fantasy: la literatura de la subversion, në mes të tjerash, shprehet kështu në lidhje me fantastiken : 

 

Narrativa fantastike përzien elementët e të mrekullueshmes me elementët e imitueses. Pohon se është reale ajo çfarë po rrëfen – për të cilën mbështet në të gjitha normat e trillimt realist – dhe atëherë vazhdon për të thyer këtë realizëm të supozuar, duke e futur atë që – në të tilla terma – është qartësisht joreale.[9] 33

 

Ndërlidhja e narrativës së përrallës me tregimin, por edhe të leksikut të integruara në hapësirën e dy prozave, është njëra nga dëshmitë e gjurmëve fantastike, njëherit të sendërgjimit të prozës së shkurtër, në rrafshet e ligjërimit fantastik të prozës shqipe, që shpalohet në kreativën, gojore dhe autoriale.

 

 

4. 5 Hijezime kuteliane

 

Tregimi Floçka, në ligjërim dhe tekstologji, në frymë dhe shprehësi, të cilat shqiptohen si dëshmi artistike e pranisë së elementit të jashtëzakoshëm, shkon edhe më tej ngjyresës së përrallës omonime. Kjo situate e ndërlikuar e hapësirës tekstologjike, buron sidomos nga marrëdhëniet me përrallën Floçka, të bukurën e liqerit, që përfaqëson njërin nga variantet e shenjimit të bukurisë femërore. Situata artistike, në pjesën përmbyllëse të tregimit, ndërkaq ofron një frymë të rrokshme të realizmit magjik. Kur themi prozë më shenja fantastike, mendja të shkon te përralla, e cila fantastiken e ka lëndë bazë të jetësimit estetik. Kur flasim për përrallat, të cilat të mbinatyrshmen dhe mrekullinë, e kanë pjesë të tipologjisë së ekzistencës së vetë, kemi parasysh shenjëzimet e fantastikes, ndonëse ngjyresa të tilla ndeshim edhe në artin e kultivuar, si përralla apo edhe në lloje të tjera letrare, pra te zhanri i romanit. Për ngjyrat e përveçme që bart fantastikja në prozën e kultivuar vlen mendimi i Rosmary Jackson, e cila shkruan : 

 

Narrativa fantastike përzien elementet e së mrekullueshmes me elementet e imitueses. Pohon se është reale ajo çfarë po rrëfen – për të cilën mbështet në të gjitha normat e trillimit realist – dhe atëherë vazhdon për të thyer këtë realizëm të supozuar, duke e futur atë që – në të tilla terma – është qartësisht joreale.[10] 34

 

Fantastikja, në art dhe letërsi, gjithnjë simbas teorive letrare, përgjithësisht vjen në dy gjendje: së pari, si prani e secilës kohë, pra si një element bazal për figurimin artistik dhe, së dyti, në modele dhe zhanre të veçanta, ku organikisht veçohet përralla, që ka dy mënyra ekzistence, gojore dhe të kultivuar. Në teoritë e shumta, letrare dhe antropologjike, përrallat janë konsideruar si pjesë e artit popullor, si dhe e prozëshkrimit në përgjithësi, të cilat kanë udhëtuar nëpër shekuj, në hapësirat e planetit, si dhe në jetën e shoqërisë njerëzore, gjer në kohën modern, duke bartur tiparet me të vlertat. Ekzistenca e fantastikes si lëndë thelbësore të sendërtimit ta magjisë së artit, sidomos në letërsi vjen dyformëshe :

 

A – Përrallat gojore, të cilat në mënyrë të përveçme përfaqësojnë dijen, vlerat shpirtërore dhe artistike, që kanë shtegtuar në kohë dhe hapësirë, nëpër shkallët e qytetërimit.

 

B – Krijimet librore, pra me autor, të cilat bazuar në teoritë letrare, e kanë origjinën te përrallat gojore. Në letërsinë botërore, si lëvruesit e parë dher më vlera, veçohen vëllezërit Grim, ndërsa kulmi i përrallave arrihet nga danezi Andersen. Në letrat shqipe, si mjeshtër i shkrimit të përrallave, mbetet Mitrush Kuteli, me librin “Xinxifillo”.

 

Shqiptimi letrar, prej rrethanës së ngjyresave fantastike, rritet trilli estetik, që mbërrin gjer në rrafshe të pazakonta shprehësie. Në rrafshet e njohjes, kjo dukuri dyfishësie e shkrimit letrar, përthekuar në situatën e ndërlidhjes me poetikën orale me atë shkrimore, pra të një marrëdhënie tgë ndërsjellë të oralitetit me intertesktualitetin. Me gjasë kjo tipologji e ndërthurjes, është një pikëprerje e tokësores me qielloren, që bartet në të dyja prozat, gojore dhe librore. Fillesat e shkrimit letrar të rivitalizimit të imagjinares, që shqipton ngjyresat e fantastikes, në prozëshkrimin e letrave shqipe, marrin udhë me prozat fantastike të Kutelit dhe Koliqit. Shqiptimi i realizmit magjik, si dëshmi dhe ngjyresë, në krye të herës, shpaloset në novelën Vjeshta e Xheladin Beut të Kutelit. Me rëndësi jetike për të kuptuar ndërlidhjen e tyre, në këtë përqasje rastësore/estetike, e sidomos për të prekur rrafshe të kësaj marrëdhënie, është fakti që gjurmë të realizmit magjik, hasen në fragmentet e fundit të tregimit Floçka, shkruar nga Pashku. Këto gjurmë të magjikës së kësaj ngjyrese, ngritur mbi ndërthurjen e imagjinares dhe konkretes, bëhen të kapshme në disa situata përshkrimore :

 

- Kur shkrimtari shkruan: [11]35

 

Në fund, mbarimin e asaj zhurme e kishte pasë shoqëruar edhe pingrima e njëfarë Zogu nate, kushedi çfarë zogu nate, që këtij nuk i kishte pëlqyer, sepse ajo pingrimë iu kishte dukur shumë ndjellakeqe (1986: 71).

 

Kemi të bëjmë me një element letrar, që në hapësirat e tregimit, shpalon frymën e përrallës, por ndërkaq shqipton me së shumti situatën e tregimit fantastic, kur për të dy zhanret, pavarësisht tipologjisë, gojore dhe të kultivuar, është titulli Floçka, që përçon shenjat artistike.

 

- Në situatën e përveçme letrare, kur afritë e Kutelit dhe Pashkut, sidomos në ngjyresat fantastike të materies së prozëshkrimit, pavarësisht kohëve dhe hapësirave, si dhe të orientimeve të shkollave letrare, vijnë dukshëm në këtë episod të tregimit: [12]36

 

Kështu nuk mund të largohej shpejt, të ikë sa më shpejt nga ai vend, nga tërë ajo llavë e qenëve të tërbuar, të cilët kur kishin dëgjuar ulurimën e atij qeni me thikë në qafë, ishin turrë nga pylli, duke kujtuar se ai kishte ndeshur në ndonjë pre ma të majme… ,

 

Në këtë episod të shkëputur nga tregimi Floçka të Pashkut, një situatë tekstologjike, që e përplotëson poetikën magjike, në situatën dhe atmosferën e sendërtimit të kësaj proze të pazakontë.

 

- Kur në hapësirat e tregimit, me titullin Floçka, pra duke rujatur titullin e përrallës, që shënon kulmin e përafrisë së fakturës magjike dhe fantastike, ndërmjet të dy mjeshtrave të shkrimit të tregimit të shkurtër: [13]37

 

Së bashku me valët e frymës dhe fishkëllimat e saj dëgjoi dikur edhe krrokatjet e korbave të zez të cilët tash fluturonin pareshtur përmbi pyll. ,

 

të cilat me këtë shpërfaqje të ndërmendin situatën e përmbylljes kuteliane, që shoqërohet me fluturimin dhe krrokamën e korbave, që po këngëtojnë përcjelljen e turpshme të Beut, rrëzuar moralisht dhe fizikisht nga froni i pushtetit, për të ikur i turpëruar në botën e të shumtëve.

 

 

4. 6 Shtata magjike

 

Një element i përveçëm, madje me peshë estetike, në faqet e tregimit, që ta përkujton poetikën fantastike, të shoqëruar me shenja magjike, me prejardhje nga poetika gojore, që gjellijnë në tregim, që ka në qendër figurën Floçkës, bukuroshen e liqerit, është numri shtatë. Megjithatë, si element që shpërfaqet në hapësirat e tregimit, është prania e numrit shtatë, shtata magjike e përrallave dhe anektodave, po kaq shtata e baladave, e pranishme në mendësinë gojore, të poezisë dhe prozës. Në tekstin e kësaj proze, si një simbolikë e ndërlidhur me poetikën gojore, që bartet me gjithë shkëlqimin e vetë edhe në poetikën e tregimit. Shtata teke, që në mendësinë e njerëzimit, përbën një simbol të zakontë, i pranishëm në poezinë dhe prozën gojore. Tipologjia e shtatës në prozën e Pashkut, në tregimin fantastik Floçka, që ndërkaq bart edhe një cilësi magjike :

 

- Kjo cilësi në hapësirat e tregimit, vjen më tepër si një ëndërr, e treguar: [14]38

 

I tha se jeton në ujërat e kulluara të një liqeni, që është larg shtëpisë së tij nja shtatë ditë e shtatë net këmbë, (1986: 72).

 

Në këtë hapësirë, si lexues dhe dëgjues, prekim përmasën kohore dhe hapësinore, dy shenjat e komunikimit të qenies njerëzore, që ka si njësi mase ditënetët.

 

- Një episod i tregimit me natyrë fantastike, përplotësohet me këtë atmosferë: [15]39

 

I tregoi, gjithashtu, se ai liqen ndodhet i strukur në midis një pylli, se ai del para syrit të njeriut mbasi të kesh kaluar shtatë bjeshkë, .

 

Huamarrja nga përrallat, ku shtata si një njësi matëse, në përcaktimin e bjeshkëve, në hapësirën e gjallimit të Floçkës, si heroinë e përrallës dhe tregimit.

 

- Si një përmasë e njëmendtë, që rrezëllitet në tekstin e tregimit: [16]40

 

Ky, në ëndërr, i tha asaj se shtatë ditë e shtatë net udhëtim janë vetëm si shtatë dekika, kurse te liqeni do të arrijë gjallë o vdekur edhe sikur të jetë në skajin më të skajshëm të botës, e jo aty pas shtatë bjeshkëve, .

 

Ndërlidhja e përrallës dhe tregimit, ka rivitalizuar shtatën magjike, ë përrallës Floçka, që ka skalitur të bukurën e liqerit, e cila është bartur në poetikën e rrëfimit të A. Pashkut, në tregimin me të njëjtin emër, për të shenjuar ngjyresat fantastike.

 

·         Shkëputur nga libri studimor në proces botimi “Hejza e Pashkut”


 

24 Tregim që ka si paratekst përrallën popullore, një nga prozat fantastike në të gjithë treguesit, me të njëjtin titull.

25 Rrahmani, Kujtim: Intertekstualiteti dhe oraliteti (E. koliqi, M. Kuteli, A. Pashku), AIKD, Prishtinë, 2002, faqe 221.

26 Roas, David, La amenaza de lo fantastico, te Jaime, Alazraki, Teorias de lo fantastico, Arco/Libros, Madrid, 2001, faqe 8.

27 Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë 1986, faqe 80.

28 Po aty, faqe 81.

29 Po aty, faqe 69.

30 Po aty, faqe 70.

31 Po aty, faqe 71.

32 Po aty, faqe 73.

33 Jackson, Rosmary, Fantasy: literatura y subversion, Catalogos Editora, Buenos Aires, 1986, faqe 31-32.

34 Jackson, Rosmary, Fantasy: literatura y subversion, Catalogos Editora, Buenos Aires, 1986, faqe 31-32.

35 Tregime fantastike, Rilndja, Prishtinë 1986, faqe 71.

36 Po aty, faqe 78.

37 Po aty

38 Po aty, faqe 72.

39 Po aty, faqe 72.

40 Po aty, faqe 72. 

 

© Behar Gjoka

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania