Ferit Këputa – Simbol i dijes, përkushtimit, paqes dhe dashurisë



Nga Bajram Canameti, Mat – 1 maj 2022

 

Mësuesi dhe historiani, Renato Totraku, ndonëse në moshë të re, i apasionuar pas letërsisë dhe historisë, autor i dhjetra artikujve në shtypin e kohës dhe i disa studimeve historike, vjen para lexuesit me librin kushtuar mësuesit veteran dhe historianit të mirënjohur, Ferit Këputa.

 

Me një hap të guximshëm autori na sjell shkurtimisht jetën dhe aktivitetin e pasur të këtij enciklopedisti, të njeriut “institucion” që u bë diell e dritë në mësuesí, kulturë e histori.

 

E kush nuk e njeh Feritin, mësuesin veteran, që e nisi këtë profesion të nderuar në vitin 1952 si kryemësues e mësues në fshatrat më të largëta të Matit, që nga Martaneshi, Batrra e Vogël, Bazi, Laç-Bruçi dhe Uraka. Të imponohej që në prezantimin me ‘të, një burrë me trup gjigand rreth 2 m i gjatë, simpatik, elegant dhe i ëmbël, me dritë që rrezaton mirësi e kulturë. I veshur me këpucët që i shkëlqenin dhe kostumin që i shkonte mrekullisht, me këmishën e kollarisur dhe kapelen republikane. Një e folur me diksion të pastër dhe mendim të thellë. Kudo rrezaton mirësi e dashuri, kulturë, dije e tolerancë. Një burrë fisnik, me aftësi të jashtëzakonshme në komunikimin me njerëzit. Simbol i njeriut të mirë, shpirtbardhë e human. I dekoruar për mësimdhënie me urdhëra e medalje dhe një rresht dekoratash e çmimesh si organizator i festivaleve dhe veprimtarive kulturore. Një mjeshtër i madh dhe artist i vërtetë, autor i dhjetra këngëve, pamfleteve, skeçeve dhe i shumë temave shkencore. Autor i njëmbëdhjetë librave të vlerësuara nga kritikë, studiues, historianë dhe akademikë. Kjo figurë emblematike, fitues i disa çmimeve letrare e kulturore, i shpallur “Qytetar Nderi” i Matit dhe “Nderi i krahinës së Martaneshit”, është përmbledhur në një monografi me vlera të veçanta.

 

Renato, me fjalor hyjnor, me gjuhë të pastër e plot metafora, me art dhe ëmbëlsi, na fut në botën e emocioneve. Në çdo rresht të librit gjen pasionin e talentin që të ngroh e të ngazëllen, të frymëzon e të rrëmben për ta rilexuar. Autori, me elegancën e fjalës e të mendimit, të josh e të flet për veprat e historianit, të cilat janë një enciklopedi e pasur që nderon bibliotekat. Fjala e matur dhe e gdhendur, e stolisur me kolorit, e bën librin sa historik aq dhe artistik. Ai e shkrin fjalën e zgjedhur me fisnikërinë e vizionin, guximin dhe përkushtimin e intelektualit të ndershëm, mësuesit të talentuar, mjeshtrit të kulturës, luftëtarit të dijes e të lirisë, historianit të përkushtuar, monarkistit demokrat të betuar, euriditit dhe humanistit, Ferit Këputa.

 

Monografia është shkruar me dashuri e pasion dhe është pasuruar me opinionet e shumë personaliteteve dhe akademikëve në fushat e historisë, letërsisë e të studiuesve, shkrimtarëve, poetëve e mësuesve. Akademiku prof. dr. Beqir Meta ndër të tjera shprehet: “Dua të përgëzoj historianin Ferit Këputa që ka ndriçuar me kujdes dhe kompetencë historinë e Matit. Ai na sjell argumenta bindëse në lidhje me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti”. Edhe historiani prof. dr. Pëllumb Xhufi vlerëson profesionalizmin e studiuesit dhe historianit Ferit Këputa, duke respektuar tezat dhe konkluzionet e tij në librin “Mati dhe Skënderbeu”.

 

- Me argumenta bindëse dhe dokumenta, - shprehet prof. Xhufi, historiani Këputa na tregon se Mati i sotëm nuk është Mati i djeshëm. Në kohë të hershme kufinjtë e tij shtriheshin më gjërë e më gjatë. Në këtë trevë të gjërë ishte bërthama e shtetit të Arbërit, ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme e përcaktuese për historinë kombëtare.

 

Prof. dr. Muharrem Dezhgiu shprehet se veprat e Feritit janë tregues i një pune këmbëngulëse me gjurmime e hulumtime, mbledhje të dëshmive e dokumentave duke udhëtuar kryq e tërthor në historinë e Matit, që kanë një vlerë të madhe historike e që dëshmojnë për hershmërinë e banimit e të kulturës së tyre. Ndërsa prof. dr. Ferit Duka i quan studimet e historianit Këputa, vlera të çmuara në sherbim të historisë. As. prof. Dritan Egro shprehet se historiani Këputa është një institucion. Prof. dr. Lush Susaj në analizën e librave të Feritit shprehet: “Profesor Feriti është një intelektual i vendosur në rrugën e ndriçimit dhe të njohjes së historisë, është një gur i rëndë i të vërtetës historike e shoqërore të Matit, një shembull i ndritur për sot dhe brezat e ardhshëm”.

 

Prof. dr. Bajram Xhafa i cilëson librat e Feritit një pasuri të madhe, me vlera të çmuara e të pashtershme jo vetëm për Matin, po për mbarë kombin. Princ Leka II e vlerëson z. Ferit si një studiues dinjitoz, historian të përkushtuar, atdhetar e mbështetës të monarkisë, i cili ka argumentuar profesionalisht origjinën e Kastriotëve dhe historinë e lavdishme të mbretit Zogu I. Mësuesi i nderuar Ilinden Spasse vlerëson librat e z. Këputa si shkencorë e të veshur me ngjyrime letrare, gjë që ia shtojnë vlerat artistike. Miku i tij, Riza Buci, e vlerëson Feritin si një njeri të ndershëm e të dashur, human e njerëzor, i pa përtueshëm dhe i sakrificës, i ditur dhe vizionar, guximtar e bujarë, njohës i historisë dhe i kulturës kombëtare. Ndërsa Osman Hoxha, “Mësuesi i Merituar”, e trajton krijimtarinë e Feritit si një vlerë e veçantë për studim. Libri për arsimin na përcjell fakte e përpjekje titanike të intelektualëve të kohës, por dhe të njerëzve të thjeshtë për të kthyer shtëpitë e tyre në shkolla.

 

Gazeta “Bashkimi” e datës 28 mars 1954 shkruan një artikull të Selim Alliut, ish-shef i Arsimit dhe Kulturës të Qarkut Dibër për zhdukjen e analfabetizmit, në të cilin përmend kryemësuesin Ferit Këputa si një kontributor të vlerësueshëm në Batërr të Matit. Artisti dhe studiuesi Esat Ruka, “Mjeshtri i Madh”, e vlerëson Feritin si organizator me mendje të kthjellët krijuese, një mësues dhe edukator i talentuar, një studiues i zellshëm i historisë, arsimit dhe kulturës, një komunikues i veçantë me nxënësit, prindërit dhe kolegët.

 

Për krijimtarinë e gjërë në fushën e arsimit e të kulturës, të shëndetsisë e historisë, kanë dhënë vlerësimet e tyre për veprat e Feritit shumë personalitete të rëndësishme, si ish-ambasadori Abdi Baleta, prof. dr. Edmond Malaj, dr. Ardian Muhaj, historiani dhe ushtaraku i lartë Ramiz Fiçorri; kritiku i letrave shqipe, Behar Gjoka; historiani dhe studiuesi Sefer Duka, prof. Nezir Bata, “Mjeshtri i Madh” Ymer Nelaj, studiues, poetë e shkrimtarë: Avni Leka, Isuf Neli, Basir Bushkashi, Hamdi Hysuka, Haqif Heta, Faik Xhani, Ndue Deda, Fatmir Gjestila, Luftar Pepmarku, Qemal Cenaj, Artan Kurti, Mehmet Rami, Haziz Porja, Eduard Brahilika, Haxhi Neziri e të tjerë. Në kujtimet e tyre Feriti cilësohet një historian e mësues energjik, shembull për t’u ndjekur. Ai paraqiti në librat e tij shumë figura të ndritura të Matit, që diktatura i pati errësuar e baltosur. Ky studiues i devotshëm i historisë i nxorri në dritë dhe i ngriti në piedestalin që u takonte, duke nxjerrë të vërtetën historike.

 

Autori i librit, Renato Totraku, me finesë, mençuri, e zgjuarësi ia dhuroi lexuesit këtë monografi të vlefshme. Ai gdhendi portretin me përkushtim. I urojmë Renatos që në vazhdimësi të hulumtojë e të ndriçojë shumë figura të tjera, se Mati është djepi i korifejve të kombit shqiptar, është toka e Kastriotëve që meriton të ndriçohet.

 

© Bajram Canameti 

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania