Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Nëntor 2025
Revista belge “Le Soir Illustré” ka botuar, më 24 shtator 1938, në faqen n°15, një shkrim asokohe rreth plisit të bardhë si fenomen mode falë dasmës mbretërore midis Ahmet Zogut dhe Geraldina Apponyi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Në modën shqiptare
Martesa e dashurisë që e vendosi në fronin e Shqipërisë, pranë Mbretit Zog, mbretëreshën e hijshme e të vogël Geraldinë, mori pak pamjen e një përralle. Aq shumë zemra u prekën: Tirana u bë në modë, aq shumë në modë sa që vetë Moda, tekanjoze dhe e gjithpushtetshme, vuri re se ndoshta kishte diçka për të përfituar nga ky popullaritet. As që iu desh shumë të kërkonte: plisat e bardhë që shqiptarët i mbajnë me një hir të jashtëzakonshëm përbëjnë kapelen më elegante nga të gjitha.
Nga kjo deri te vendosja e tyre sipas shijes moderne në Paris, Londër, Nju Jork, nuk ka veçse një nga ato fantazitë që Moda i ka zakon. Thuhet se tregtarët shqiptarë janë “përmbytur” nga porositë që vinin nga jashtë. Deri tani, nevojat e vendit, që janë po aq piktoreske sa vetë Shqipëria, mund të plotësoheshin me metodat shumë primitive të prodhuesve shqiptarë. Suksesi i befasoi, por ata iu futën me gëzim punës dhe sot eksportimi i plisave të bardhë është bërë për Tiranën një degë e rëndësishme e tregtisë. Mbretëresha Geraldinë u solli fat nënshtetasve të saj të lumtur.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/revista-belge-1938-plisi-i-bardhe-shqiptar-ne-mode-fale-dasmes-mbreterore/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://www.drini.us/revista-belge-1938-plisi-i-bardhe-shqiptar-ne-mode-fale-dasmes-mbreterore/
