Pasuri ujore të Gurit të Bardhë !


Behar Gjoka
Behar Gjoka

Behar Gjoka, Tiranë – 29 Korrik 2017

Në vizitat e zakonshme, që kam bërë në trojet ku lindi Pjetër Budi, sidomos në shtëpinë e shpallur monument kulture, të ngritur në themelet e dikurshme të votrës së poetit, kam parë me sytë e mi, se si buron uji ngadoqë të hedhësh vështrimin. Një tokë e bekuar, një vis me shumë vlera, historike dhe kulturore, me kaq shumë bukuri, sa numrimi i tyre, kurrsesi nuk vlen sa shijimi i tyre, duke shkelur me këmbë aty, teksa ngjitesh në rrugën e tmerrit. Mundet që Guri i Bardhë, me visaret e shumta që përmban, të kishte hyrë në lajmet e medias, në gazeta dhe revista, për shumëçka të shenjave, të shumta natyrore dhe historike, por si për ironi dhe mbarësi të fatit, hyri për ujin dhe pasuritë e shumta. Hyri në edicionet qëndrore të lajmeve, pra për ta marrë ujin e tij dhe për të sjellë në Tiranë. Një vendim i këshillit bashkiak të Tiranës, përveçse ngriti çmimin e ujit për banorët kryeqytetas, lajmëron se ka një projekt, për të furnizuar qytetarët me ujë për 24 orë pandërprerje. Duke u menduar rreth këtij projekti në letër, më sillej pyetja, po a është përfshirë në bashkinë e Tiranës Guri i Bardhë? Pastaj, menjëherë, u kujtova që bën pjesë në bashkinë e Klosit, që dikur i thonin Kryemat. Se si do të vejë filli, ujit dhe vetë projektit, duhet të presim, por të flasësh për ujin, kur ajo zonë, krahina dhe vetë Guri i Bardhë, me të gjithë resurset e veta, është lënë në harresë në të gjithë këto vite, duket si një kujtesë, për t’ia zhvatur pasurinë, pa ia kthyer borxhin dhe mirënjohjen që meriton. Njerëz, të politikës dhe kulturës, të ujit dhe të rrugëve, Guri i Bardhë, ka shumë begati, ka vlera që janë pjesë e pandarë e qytetërimit, ku njëra ndër to është uji, që megjithëse i vendosur në një lartësi të konsiderueshme, nga të gjitha anët, shpërthejnë krojet me ujin si kristal…

Streha e pashfrytëzuar e turizmit kulturor

Në territorin e Gurit të Bardhë, një fshat shumë piktoresk, të vendosur mbi shpatullat e maleve përqark, përveç bukurive dhe pasurive të shumta natyrore, gjenden me dhjetra monumente kulture, që prej kohësh janë bërë pjesë e trashëgimisë së vlerave, të memories materiale kombëtare. Veshjet e veçanta, të kostumeve të burrave, e sidomos të grave, që tregojnë visaret etnografike të zonës, këngët dhe vallet burimore, unike në llojin e vetë, ta zbulojnë Gurin e Bardhë, me gjithë këto dëshmi shpirtërore, si një muze i hapur në natyrë, që të josh ta vizitosh dhe ta gdhendesh në kujtesë, për tu kthyer sërish në ato vise përrallore. Në mesin e gjurmëve të monumenteve të kulturës, si vlera të ditura, por të pashfrytëzuara, si mjedise atraktive për të mundësuar turizmin kulturor, aq të munguar në këtë zonë, do të përmendja Kështjellën e Petralbës, selinë ku veronin Kastriotët, simbas Barletit, që përbën një pikë të veçantë, që zgjon interes për vizitorët, vendas dhe të huaj. Po ashtu, në këtë trevë të begatë me ujë e kulturë, bujari dhe besë, si monumente kulture, gjenden edhe kaq ndërtesa të veçanta, sidomos të tipit kullë, tipike për nga vlerat arkitekturore, të ndërtesave popullore, që i përmend për vlerat e tyre, më se njëherë prof. Emin Riza në studimet e tij. Si njëra nga vlerat e mëdha historike në këtë ansambël të monumnetve të kulturës, që gjenden në Gurin e Bardhë, veçohet shtëpia e Pjetër Budit, poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe, me libra të dëshmuar, ku ende gjellin kalldrëmi ku shkeli shkrimtari, dhe mbi trojet e shtëpisë së dikurshme, eshte ngritur shtëpia, duke ruajtur themelet dhe strukturën ndërtimore, me dy kate. Poeti pa varr, sepse Pjetër Budi, është edhe ndër martirët e parë të gjuhës shqipe, që “mbytet” në valët e lumit Drin, në prag të Krishtlindjeve të motit 1622, ka trojet dhe viset e veta në Gur të Bardhë. Në vitin 2016, pra vetëm një vit më parë, Pjetër Budi ky dëshmor i gjuhës shqipe, fesë së të parëve dhe atdhedashurisë, pati 450 vjetorin e lindjes. Për çudinë e radhës, që tashmë nuk çudit askënd, dikasteri i kulturës nuk pati kohë as të kryente një vizitë, në viset e Budit, ku është shtëpia e shkrimtarit, e shpallur monument kulture, ndonëse është kthyer në pikë peligrinazhi, për të huajt dhe shqiptarët. Nga ana tjetër, dikasteri i kulturës, pikërisht në këtë periudhë, ka mbështetur me fonde shtëpinë e Kadaresë, të Musine Kokalarit, të Myfit Libohovës, Avni Rustemit, mbase prej rrethanës që titullarja është nga Gjirokastra. Paradokset e politikës kulturore, nuk po largohen nga mendjengushtësia e dikasterit, sepse në të njëjtë kohë, shtëpia e Gjergj Fishtës, lihet në mjerim, në trojet ku lindi Budi, nuk jepet asnjë fond për meremetimin e çatisë, e për ta kthyer në muze as që bëhet fjalë. Nëse për ujin ka një politikë kombëtare për ta trajtuar si pasuri kombëtare, por për martirët e gjuhës dhe letërsisë, a nuk duhet të ketë një politikë kulturore kombëtare?! Mos duhet që Pjetër Budi dhe Gjergj Fishta, të “pashaportizohen” në Gjirokastër?! Në kohën e fushatës elektorale, të vitit 2017, titullarja e kulturës, nuk la gur dhe skërk të Përmetit pa mbështetur me fonde, vetëm që të bëhej deputete. Nëse duhet ujë i Gurit të Bardhë, duhet hapur mendja, për të ditur së pari, se çfarë përfaqëson në histori, vlerat që ka gdhendur në të mirë të qytetërimit shqiptar dhe, mandej të flasim për projekte, që nuk duhet që ta përjashtojnë nga rrjedhat e zhvillimit, gjithë krahinën dhe Gurin e Bardhë, sidomos të zgjerimit të hapësirës së turizmit kulturor.

Rruga e Arbërit

Po ashtu, në shumë gryka dhe hone, që të shoqërojnë teksa ngjitesh për në vendlindjen e Budit, shfaqen urat e moçme, të larta dhe me harqe që ende mirëmbahen, në mesin e të cilave përmendet Ura e Skurajve, njëra nga më të bukurat, që të mahnit me harkun e lartë, mbi lumin Mat. Ura e Vashës, me një histori mahnitëse, ku vasha shpenzoi gjithë pasurinë e lënë trashëgim, visare të çmuara që i përmend në studimet e tij Valter Shtylla. Rruga e Arbërit dhe Guri i Bardhë, janë si nyje gordiane në mes tyre, sepse dikur, ura lidhëse e Dibrës së Madhe, e trojeve të mbetuar jashtë kufijëve të Shqipërisë, me Tiranën dhe Durrësin, ka qenë Guri i Bardhë. Urat e shumta, madhështore dhe në funksionim ende, janë dëshmia e shkëlqimit të dikurshëm, të zonës dhe fshatit, që ishte e lidhur me shkëmbimet e shumta, që mundësonte Rruga e Arbërit. Pa mbyllur projektin e Rrugës së Arbërit, që është folur dhe përfolur nëpër fushatat elektorale, nga fitimtarët e humbësit, një arterie e rëndësishme për të ndërlidhur shqiptarët dhe viset që vijojnë nga njëra hapësirë në tjetrën, është paradoks që të flitet për projektin e ujit. Aq më tepër, që nëse kjo ngjet, rruga do të mundësonte realizimin edhe të këtij projekti, duke menduar se kapërcehen të gjitha pengesat ligjore dhe komunitare, pavarësisht faktit se uji është pasuri kombëtare. Mbyllja e projektit të Rrugës së Arbërit, jo pse është një premtim i pambajtur, jo pse mashtrimit të palëve të politikës sonë, u ka dalë boja, por pse është një hapësirë jetike dhe me vlera kombëtare, për të mundësuar lidhjen e trojeve dhe të rajonit të gadishullit me rrugë më të shkurtra, që dikur komunikonin, nëpër rrugën e shtruar me kalldrëm. Rruga e Arbërit është një dritare për të shkëputur nga ktherat e varfërisë krahinat e Shqipërisë Verilindore. Një orë e më parë për të përfunduar Rrugën e Arbërit, pastaj ka kuptim, që të flitet për projekte të tjera, qoftë edhe ato të pasurisë ujore të Gurit të Bardhë.

Ngërçet ligjore

Fitorja e betejës së ujit, si një bast i paracaktuar, i kryetarit të bashkisë së Tiranës, që në këtë rast sillet si “kryeministër” pa portofol, për të rritur çmimin e ujit, e një loje qesharake të politikës, ku prania e këshilltarëve të PD, plotëson kuorumin që të nis mbledhja, me votat e dy këshilltarëve të LSI, me sa duket të dhënë në përdorim të përkohshëm, është lajmi i radhës, ku politika dhe sistemi i kalbur, institucionalizuan “pazarin” e radhës. E reja që po përmendet, jo për herë të parë në media, është projekti për të marrë ujin e Gurit të Bardhë për kryeqytetin. Pa hyrë në diskutimin se a mjaftojnë burimet ujore për të furnizuara Tiranën, që u përkasin ekspertëve, si dhe pa u zgjatur në debatin që do të kërkonte kohë dhe argumenta, teknikë dhe politikë, se uji është pasuri kombëtare, dhe mundet të shfrytëzohet për interesa më të gjera, lehtësisht bien në sy disa ngërçe ligjore, ku do të veçoja:

E para: Guri i Bardhë nuk është në juridiksionin e bashkisë së Tiranës, por të bashkisë së Klosit.

E dyta: Cili është mendimi i komunitetit të Gurit të Bardhë, të bashkisë së Klosit dhe të krahinës së Matit, ne lidhje me këtë pasuri ujore.

E treta: Ndarja territoriale e vulosur nga parlamenti, qartëson kompetencat e secilës bashki.

 

Pushteti qëndror, me hapësirat ligjore do të duhet ta trajtojë çështjen në të gjitha aspektet, jo vetëm të shpalljes së projektit për ujin e Gurit të Bardhë, por së pari për ta integruar fshatin, zonën, qarkun e Dibrës, me Matin dhe Bulqizën, në të gjithë zhvillimet ekonomike dhe kulturore, duke nisur realisht punimet për Rrugën e Arbërit, si dhe duke qenë mirënjohës për dëshmitë kulturore të Gurit të Bardhë, që i kanë dhënë vlera qytetërimit shqiptar, duke e përfshirë atë, një orë e më parë në hartën e turizmit kulturor. 

© Behar Gjoka

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania