Mati, kështjellë qëndrese, djep i dijes dhe kuvendeve


Behar Gjoka
Behar Gjoka

Behar Gjoka, Tiranë – 8 Korrik 2017

 

Në historinë e kombit shqiptar, krahina e Matit, ka lënë gjurmët e veta të pashëlyeshme. Mati, me kontribute të shumta, si akte dhe figura të shquara historike dhe atdhetare, ka luajtur rol të jashtëzakonshëm, në mbijetesën e genit arbënor, si dhe ka qenë njëra ndër pikat më të rëndësishme të ekzistencës së dijes dhe kulturës sonë. Bëmat dhe aktet e kryera në udhën e historisë dhe, sidomos prania e figurave të spikatura, që kanë dalë nga gjiri i kësaj treve, në momentet kyç të sprovave historike, dëshmojnë rolin e pazëvendësueshëm të krahinës dhe të matianëve për të mbajtur lart gjithëherët krenarinë kombëtare, anën e qëndresës dhe heroizmit, si një vatër pathyeshmërie dhe e kulturës kombëtare.

 

Dëshmitë e shumta arkeologjike, sidomos ato të prehistorisë, e vendosin Matin dhe kulturën e kësaj krahine, si një nga rastet më unike të provave të pakontestueshme të pranisë së vlerave të qytetërimit ilir. Duke e vendosur kulturën e Matit, bazuar në gjetjet e shumta arkeologjike, në ndërlidhje me gjurmët e kulturës së Komanit dhe Maliqit, është bërë e mundur që të ndërtohet vija e pashkëputur iliro-shqiptare. Tumat ilire të zbuluara në Suç të Matit, të pasura me relike të qytetërimit ilir, i japin kësaj treve përmasën e urës lidhëse të qytetërimit të lashtë, me kohët moderne. Prania e kulturës ilire, që ndërlidh epokat e mëvonshme, të ekzistencës së krahinës dhe të specifikave etnokulturore të saj, në zemër të shtetit të Arbërit, vetvetiu e shndërrojnë në një pikë referenciale të ekzistencës dhe vijimësisë së qenies shqiptare.

 

Mati, vendi i bukurive të shumta natyrore, i gjerdanit të maleve, ku si një kurorë e bardhë dëbore dhe lashtësie qëndron mali Dejë. Vendi i kodrinave të shumta, i pllajave dhe luginës së bukur dhe gjatësore të lumit Mat, në të gjitha stinët e vitit, të grish në gjirin e vetë, për të zbuluar dhe shijuar bukuritë e mrekullueshme të zonës me reliev të thyer dhe me bukuri të larmishme. Krahina e Matit, me të gjithë resurset kulturore dhe ekonomike, përfaqëson zonën ku kanë jetuar dhe jetojnë njerëz trima dhe mikpritës, të besës dhe bujar. Mati, mbi të gjitha është krahina, ku fjala matet dhe peshohet, disa herë, për të dhënë përgjigjen e merituar, e prandaj thuhet mat e prit, një shprehje domethënëse, që bart filozofinë jetësore të kaq shekujve.

 

Mati, me Kryematin e gjithë viset e tjera, në gjithë historinë, ka qenë kështjellë e pamposhtur e heroizmit të kombit tonë, vendi ku takohet mali me lumin, trualli i kalave të qëndresës së Motit të madh, të Gjergj Kastriot Skënderbeut, me kodrinat e bukura me kaltërsinë e lumenjeve dhe liqeneve, në çdo stinë të vitit, të pret krahë hapur. Bukuritë e natyrës, janë një pasuri e paimagjinueshme dhe, përfaqësojnë vlera të jashtëzakonshme, që pret të zhvillohet për të zgjeruar hapësirat e turizmit kulturor, si dhe të rritjes së mirëqenies së banorëve. Krahina e Matit, është thesar i vlerave të shumta shpirtërore dhe artistike të folklorit dhe të krijimtarisë së kultivuar. Cikli i kreshnikëve, një nga emblemat e qenies arbënore, ka si kufi jugor krahinën e Matit, kurse toponimet e shumta, që gjenden në rrënojat e kështjellave të dikurshme, ruajnë në kujtesë emrin dhe famën e Skënderbeut. Këngët lirike, janë një pasuri tjetër e vyer, që ndërkomunikon me ngjyresat e ritmikës së trevave të veriut, madje deri në zonat shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni. Mati, në gjithë historinë e vetë, qysh në lashtësi e deri në ditët e sotme, ka ditur të pres dhe të përcjellë, ka qenë sofër bujare e mikpritjes. Ka ditur të pres mikun dhe dashamirin, po kaq në momentet e vështira historike, pushtuesëve dhe armiqëve të kombit, u ka dhënë përgjigjen e merituar. Në kaq e kaq beteja, të zhvilluara në këto troje, Mati dhe matianët trima dhe të zgjuar, kanë qëndruar me nder dhe krenari në mbrojtje të atdheut dhe kombit më të lashtë e Europës.

 

Në mesin e vlerave unike të krahinës, të njerëzve të zot dhe trima, është e gdhendur në histori, me germa të arta, fakti që Mati, për vetë pozicionin strategjik dhe gjeografik, e bërë nga Zoti, si një kështjellë natyrore, u bë vatra e qëndresës, sheshi i betejave të paepura të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit Tonë Kombëtar. Fushatat e shumta ushtarake, të luftës frontale apo të luftës guerrile, tipike të heroit tonë, në të gjitha drejtimet e qëndresës, për shkak të relievit gjeografik, si një kështjellë e pamposhtur, përgaditeshin dhe niseshin nga kjo krahinë, për në zonat e tjera të heroizmit të treguar në shekullin e XV, kundër rrethimeve dhe hordhive të shumta osmane. Kështjellat kryesore të Matit, përveç atyre të kohës së ilirëve, si ajo e Xibrit, për kohën e Skënderbeut, ishin Petralba në Gur të Bardhë, që komunikonte me kryeqendrën e rezitencës së atij moti, me Krujën, nga ana tjetër, kështjella e Varoshit, që ruante pjesën lindore të zonës së Dibrës. Petralba dhe Varoshi, për atë periudhë ishin dy portat kryesore të komunikimit, por edhe dy qendra të organizmit të kryengritjes madhështore të arbërve, dy vatrat jetike të ndërlidhjes dhe përgaditjes së qëndresës kundër forcave ushtarake osmane. Kruja, Mati dhe Dibra, u bënë tre vatrat e sigurta të betejave të Skënderbeut, u bënë hapësira e rrezistencës dhe qëndresës legjendare për 25 vjet kundër ushtrive të panumurta të Perandorisë Osmane.

 

Pjesë po kaq e rëndësishme, e historisë së lavdishme të kësaj zone, madje që shpalon gjurmët e djepit të dijes dhe të kulturës sonë, janë edhe ngjarjet e shumta dhe figurat e shquara, që kanë lënë gjurmë në këtë hapësirë, por të vështruara në distancë kohore, edhe me rrezatim mbarëkombëtar. Në mesin e këtyre ndodhive, që kanë ngjarë në gjirin e krahinës, është për tu veçuar fakti që në Mat, në kufirin ku takohen fshtrat  Macukull me Shëlliun, në toponimin që vjen deri në ditët e sotem, në Qafëkaish, Pal Engjëlli, Arqipeshkv i Durrësit, bashkohës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut, me 8 nëntor 1462, shkruhet Formula e Pagëzimit, dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe. Po ashtu, në Gur të Bardhë të Matit, një pikë nga më të rëndësishmet e principatës së Kastriotëve, në vitin 1566, lindi Pjetër Budi, poeti dhe prozatori i parë i letrave shqipe. Epoka e letërsisë së hershme shqipe, me Mesharin e Gjon Buzukut, Embësume e Kërshtenë të Lek Matrëngës, Apologjia e Skënderbeut dhe Fjalori latinisht-shqip të Frang Bardhit, Çetën e profetënve të Pjetër Bogdanit, ka si pjesë thelbësore të vetën, veprat e Budit, Doktrina e Kërshtenë, Pasqyra e t’rrëfyemit, Rituali Romak, Kush thotë meshë këtë kafshë i duhet me shelbuom. Kjo epokë jetike e kulturës sonë, nxjerrë nga mjegulla e kohës gjuhën shqipe, duke identifikuar shqiptarët, si njerëz të kulturës dhe librit. Kjo periudhë qëndrese shpirtërore dhe afrimuese e shkrimit dhe identifikimit të gjuhës së shkruar shqipe, merr vlera të posaçme edhe për faktin se hodhi urat e komunikimit me vlerat e qytetërimit perëndimor dhe nxorri në pah vlerat e shqipes si gjuhë e shkruar. Mati, treva e dhjetëra rrënojave të kalave dhe kishave, dëshmi e qëndresës shpirtërore dhe luftarake, u bë fusha e betejës me sundimtarët osman, po kaq prej ngjarjeve dhe figurave të pranishme, për një hark kohor, ishte djep i dijes dhe i gjuhës shqipe. Aktet dhe figurat e shquara të historisë dhe cultures, kanë gdhendur fytyrën e një krahine me emër në kontekstin kombëtar, të betejave të panumurta në mbrotje të identitetit.

 

Pranë historisë së lavdishme të qëndresës shqiptare, ku Mati për shekuj me radhë, qe kështjella natyrore dhe reale, e epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, pranë kulturës dhe dijes, në gjithë historinë e vetë, si një dukuri tipike dhe e shtrirë në kohë, kanë qenë edhe kuvendet, si përvojë e vyer e dialogut të banorëve të zonës dhe me gjerë se sa kaq. Ka hyrë në historinë shumëshekullore, si një përvojë e vlertë, madje është gdhendur në memorie dhe dokumenta, Kuvendi i Dukagjinit, njëra nga ngjarjet e mëdha pas qëndresës së heroit kombëtar. Me pjesëmarrjen e gjerë të përfaqësuesve nga gjithë trojet shqiptare, kuvendi mbahet në Dukagjin të Matit, ku gjenden rrënojat e një kishe nga më të mëdhat në trojet shqiptare. Kuvendi i Dukagjinit, bazuar në dokumentat arkivore, zgjati për një periudhë të gjatë kohore, sepse nisi në fund të vitit 1601 dhe si veprimtari kuvendare shkon deri në muajn mars të vitit 1602. Kohëzgjatja e këtij kuvendi, pjesëmarrja e mbi 2000 personave, përfaqësues të shumicës së trevave shqiptare, e mbi të gjitha vendimet e rëndësishme të marra aty dhe synimet për të marrë në dorë fatet e vendit, të popullësisë shqiptare, përballë hordhive osmane, e kanë skalitur këtë veprimtari si emblemë të filozofisë së komunikimit, dilogut dhe rrahjes së mendimeve për të mirën e arbënorëve, pavarësisht dallimeve fetare dhe krahinore. Mbajtja e këtij kuvendi, gjithnjë simbas dokumentave historike, pason traditën që futi Gjergj Kastriot Skënderbeu me Kuvendin e Lezhës me 2 mars 1443, që bëri të mundur bashkimin ushtarak të shqiptarëve kundër pushtuesit osman. Kuvendet e kohëve më të hershme, duke ruajtur me vetëdije një përvojë kaq të pasur të dialogut dhe shkëmbimit të ideve për të mirën e kombit dhe atdheut, janë mënyra më efikase e funksionimit të bashkimit të shqiptarëve në një ideal kombëtar.

 

Në kohët moderne, Mati dhe bijtë e tij, dhanë ndihmesën e vetë, për ta futur kombin në shtigjet e përparimit dhe të zhvillimeve të shpejta politike, ekonomike dhe shoqërore. Rexhep Pashë Mati, për të cilin pati kënduar edhe poeti Andon Z. Çajupi, (Ngreu Rexhep Pasha ngreu/Ngreu se të prêt atdheu) fill pas vrasjes prej osmanëve, në bashkëpunim me Ismail Bej Vlorën, Hasan Prishtinën e qindra patriotë të tjerë të kohës, përgaditën kushtet për të bërë të mundur mëvetësinë e Shqipërisë. Në prag të shpalljes së pavarësisë, në Suç të Matit, si për të rimarrë përvojën e hershme, mbahet një kuvend, me një pjesëmarrje të përfaqësuesve të parisë së krahinave përqark, që kishte si pikësynim që për të marrë përsipër fatin e trojeve. Në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, njëri ndër përfaqësuesit e krahinës së Matit, në Vlorën e flamurit, ishte Ahmet Zogu, në moshën 17 –vjeçare. Viti 1913 e gjen Shqipërinë në ktherat e fqinjëve që shkelin dhe copëtojnë trojet, pra në një tragjedi të re, nga më të rrezikshmet. Në këtë vit të mbrapshtë, në Shkallë të Deshëve, në malin Dejë, falë qëndresës dhe heroizmit të matianëve, dibranëve, krutanëve dhe mirditorëve, pushtuesit serb pësojnë një dështim të plotë. Në humnerat e malit Dejë mbetën të vrarë dhe të copëtuar me qindra ushtarë të Serbisë.

 

Nga momenti kur Ahmet Zogu hodhi firmën në aktin e pavarësisë, nuk reshtën përpjekjet e kësaj figura qëndrore të skenës politike shqiptare, të pjesës së parë të shekullit njëzet, për të mirën e shetit dhe të kombit shqiptar, për ta përfshirë atdheun në rrugën e prosperitetit. Futja e shtetit shqiptar në udhën moderne, të reformave të shumta ekonomike dhe shoqërore, të ndryshimeve kualitative në rrafeshet e politikës kombëtare, e futjes në këtë udhë të fiseve, duke patur detyrat më të larta shtetërore, si Kryeministër, President e deri te Mbret i shqiptarëve, pra duke menduar në të gjitha format për bashkëkombasit kudoqë jetojnë. Me të gjithë këto contribute, Ahmet Zogu, bëhet një figurë qëndrore e shtetit shqiptar, si dhe një figurë e madhe e historisë dhe madhështisë së krahinës së Matit, duke lënë gjurmë në formimin dhe forcimin e shtetit shqiptar, në fuqizimin e monedhës dhe pashaportës shqiptare. Reformat juridike që ndërmori Ahmet Zogu në vitet kur pati pushtetin, janë sa perëndimore dhe bartin përvojë moderne.

 

Tradita e hershme e kuvendeve në krahinën e Matit, rimerret në Luftën e Dytë Botërore, sepse me 26 korrik 1943, forcat e parisë dhe komunistët mblidhen në Bruç, për të bërë të mundur bashkimin e frocave, kundër pushtuesit fashist, që ka hyrë në histori si kuvendi që organizoi kryengritjen e 31 korrikut, e sulmit kundër garnizonit fashist të vendosur në Komsi. Me vendosjen e diktaturës komuniste, ashtu si për gjithë Shqipërinë, por për Matin dhuna dhe ndëshkimi, qe më rëndë, më shkatërrimtar. Ky sistem ideologjik, përveç shenjave të luftës civile në vitet e luftës, pas çlirimit solli  përmbysjes e gjithë histories. Roli dhe figura e Ahmet Zogut, u mallkuan dhe anatemuan në të gjithë aspektet. Duke qenë figurë qëndrore e shtetit për vite me radhë, për shkak të urretjes së sistemit komunist, krahina e Matit, për gjithë vitet e komunizmit, u shpall zogiste, krahinë me biografi të nxirë, dhe matianët përjtuan një fat të hidhur, një ndëshkim nga më të ashpërit, në politikë, në shkollim dhe në të gjithë aspektet. Simboli i dhunimit të krahinës dhe banorëve të saj, Burgu i Burrelit, burgu famëkeq, ku burgosesin dhe dhunohesin të burgosrit politik, jo rastësisht mori famë në atë kohë të sundimit të komunizmit. Pasuritë e shumta natyrore të krahinës së Matit, të kromit, pasuritë ujore dhe drusore, për shumë vite jepnin rreth 26 % të prodhimit kombëtar, por vetëm një masë e papërfillshme përdorej për nevojat e zonës, të qyteteve dhe fshtarave të krahinës. Pluralizmi dhe demokracia e gjeti në zgrip ekzsitencial krahinën e Matit, prej varëfërisë dhe shpërfytyrimit qe i kishte bërë politika. Por si në gjithë vendin demokracia, sistemi i të drejtave njerëzore, edhe këtu hapi perspektiva të tjera, riktheu besimin dhe shpresën se edhe Mati, kështjella e qëndresës, djepi i dijes dhe kulturës, vatra e kuvendeve, do të rikthehej në lavdinë dhe krenarinë e dikurshme.

 


© 
Behar Gjoka

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania