Matjanët në kujtimet e një aristokrati të vërtetë. Rrëfimi i rrallë i Eqrem Bej Vlorës për Ahmet Zogun.


Eqrem Bej Vlora
Eqrem Bej Vlora

Përgatiti : Avni Dani, Tiranë – 4 Prill 2018

 

Nga Rexhep Pashë Mati tek Beqir Valteri. Mati si qendër e prodhimit të barutit, vlerësimi për Mbretin e Shqiptarëve Ahmet Zogun dhe bisedat me të. Të gjitha në “Kujtimet” e Eqrem Bej Vlorës të përkthyera nga…matjani Afrim Koçi!

 

Një zbulim, një libër magjepsës! Kështu i ka quajtur “Kujtimet” e Eqrem Bej Vlorës botuesi i librit Piro Misha. Dhe në të vërtetë libri ashtu është, një libër i madh. Sepse i tillë ka qenë autori i tyre. 

Eqrem Bej Vlora i nxitur nga miqtë e tij i shkroi kujtimet në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, si një projekt i Institutit të Studimeve për Evropën Juglindore në Mynih. Për këtë arsye ata edhe u shkruan në gjermanisht. Vdekja nuk e la atë që ti përfundonte, ndarja nga jeta më 1964, bëri që kujtimet e aristokratit të vërtetë shqiptar të ndërpriten në vitin 1925.

 

Por edhe aq, kujtimet e tij janë ndër dëshmitë më interesante e më të ndershme për një nga periudhat më të trazuara të historisë sonë. Një galeri personazhesh nga Perandoria Osmane e Mbretëria Shqiptare, ngjarje që kanë shenjuar historinë, fakte që publiku nuk do të kishte mundësinë ti njihte kurrë. Një rrëfim që thotë shumë e shumë më tepër se librat e historisë së asaj periudhe.        

 

Në kujtimet e Eqrem Bej Vlorës kanë vendin e vet edhe matjanët. Autori sjell ashtu siç i ka njohur vetë Rexhep Pashë Matin, të birin e tij, së bashku me një kuriozitet për luanin e tij, rrëfen për Ahmet Zogun, origjinën e tij, mendimet e tij, tentativën për ta vrarë nëpërmjet një tjetër matjani, Beqir Valterit. Duke e njohur nga afët Mbretin e shqiptarëve, Eqerem beu bën ndoshta përshkrimin më të saktë të tij, me të mirat dhe të këqijat që pati, por pa vënë asnjëherë në dyshim kontributin e tij të madh.  Siç e thotë edhe vetë autori në gjykimet e tij ai do të jetë i ftohtë, i distancuar e vazhdimisht do të tentojë të shkojë sa më pranë të vërtetës. Ai që kishte bërë gjithë pasion mes shumë të tjerash edhe profesionin e historianit, nuk nguron të citojë edhe burime siç është në rastin e prodhimit të barutit në Mat.

 

Gjithçka autentike, gjithçka e jetuar!

 

Ka edhe një detaj tjetër. Matjanët duhet të jenë krenarë, sepse e gjithë ajo mori ngjarjesh e personazhesh që sjell libri, flasin shqip, në një shqipe vërtet e bukur, ashtu siç dinte të përkthente Afrim Koçi. Të sjella në gjuhën amtare nga një matjan, “Kujtimet” e Eqerem Bej Vlorës, në një farë kuptimi janë “një borxh” i kthyer.      

 

Në vijim janë pjesa më e mirë e rrëfimeve të Eqerem Beut për Matin e matjanët, por jo të gjitha prej tyre. Ai shkruan gjatë për Zogun dhe kohën e tij, madje edhe pse kujtimet si radhë kronologjike kanë shkuar deri më 1925, ai bën digresione e në rastin e Zogut bën vlerësime deri në vitin 1939 kur ai largohet nga vendi pas pushtimit Italian. Duke qenë se zgjodhëm të rendisim faktet sipas tematikave të veçanta në disa raste pjesët e shkëputura nga kujtimet nuk janë sipas renditjes në libër.

Rexhep Pashë Mati

Rexhep Pashë Mati
Rexhep Pashë Mati

“…Në Tripoli zumë vend në një lloj bujtine, një si hibrid të tavernës së Italisë Jugore dhe hanit turk, por me emrin tingëllues evropian Hotel Italia. Paskësaj unë shkova në pallatin e mëkëmbësisë, ku i bëra një vizitë, së pari, sekretarit të përgjithshëm Fejzi bej Alizotit, shqiptar nga Gjirokastra, dhe kushëri i largët i sime mëje dhe mandej vetë valiut, marshall Rexhep pashës nga Mati, një burrë vigan e i pashëm flokëverdhë, mik i tim eti dhe i të gjithë shqiptarëve.

 

Ndërkohë që unë shkoja sa nga njëra në tjetrën zyrë të ndërtesës qeveritare, për të kryer vizitat e domosdoshme orientale dhe për të gëlltitur njërën pas tjetrës kafetë të cilat nuk i shihja dot me sy, erdhi adashi im, kapiten Eqrem Rexhep Mati, djali i marshallit dhe njëri nga miqtë e mi më të mirë. Ai jetonte zakonisht në Stamboll dhe tani kishte ardhur për të parë të atin. Edhe vetëm ky takim ia vlente ndalesën në Tripoli.

 

…Në hotel mësova se dhoma ime ishte dorëzuar dhe plaçkat tona ishin tërhequr. Një xhandar shqiptar i valiut i kishte marrë me vete. Më thanë se marshalli më priste për darkë.

 

Morëm një makinë me qira dhe shkuam në një vend plot ajër, jashtë qytetit, ku valiu kishte një vilë të thjeshtë, por të bollshme e të rrethuar nga një korije shumë e madhe palmash. Pasi na tregoi dhomat tona, miku im, i biri i pashait, na çoi tek i ati. Sapo hymë në dhomë, e cila të çonte në një tarracë të gjerë, bashkë me pashën, u ngrit në këmbë edhe një luan i vërtetë, që na i nguli sytë, ndonëse jo me inat, por me habi. "Afrohuni, afrohuni! - na thirri pashai, ju evropianë këmbëlepuj! Shqiptari nuk ka frikë!" Mirëpo, të thuash të drejtën, sikur nuk ishte krejt ashtu. Ne nuk ishim në pozita të barabarta: ai e njihte "dacin" e tij, "daci" po ashtu atë, kurse ne të dy, unë dhe i biri, ishim të huaj! Sidoqoftë unë mora zemër, u afrova dhe e përshëndeta marshallin disi i druajtur, ndërkohë që luani erdhi e zu të më mirrte erë. Nuk ishte aspak për të qeshur, por sidoqoftë, unë e mbajta veten, madje edhe i lëmova grifën këtij daci të rrezikshëm.

 

Rexhep Pasha më tregoi se ai ishte nga një lloj shumë i rrallë i luanëve të Persisë Jugore, se ia kishin dhuruar fare të vockël, kur kishte qenë komandant ushtrie në Bagdad dhe se po bëheshin gjashtë vjet që e mbante pranë. E pra, tani ai nuk ishte më aspak i vogël, por një përbindësh që peshonte, të paktën, dyqind kile!

 

Pastaj, kur ne u ulëm, edhe luani zuri vend midis nesh. Pashai më pyeti për Shqipërinë, për njerëzit, për mënyrën sesi qeverisej vendi. Ai kishte ikur nga Mati para 40 vjetësh, por e fliste ende rrjedhshëm shqipen dhe e quante veten shqiptar të pastër. Nga pamja dukej si ndonjë suedez apo gjerman i veriut shtatmadh, flokëverdhë me lëkurë të kuqe dhe sy të kaltër shkurt një burrë i pashëm. Por i tillë ai ishte edhe nga shpirti dhe morali.

 

Në kohën e Sulltan Abdylhamitit, Tripoli ishte vend internimi për politikanët e rrezikshërn dhe për Turqit e Rinj ngatërrestarë. Sidomos në provincën jugore Fesan dhe kryeqendrën e saj Murzuqi, 800-900 km në jug, çoheshin ata më të rrezikshmit prej tyre. Ai që kishte fatkeqësinë të dërgohej këtu, rrallë ndodhte që ta shihte përsëri vendin e vet.

 

Rexhep pasha, me tu emëruar vali i Tripolit, edhe pa qenë i autorizuar, u lidhi të gjithë këtyre fatkeqëve nga një rrogë mujore, në mënyrë që ata të mund të jetonin të qetë e pa kujdese. Përpara tij (në vitin 1911) vali në Tripoli ishte caktuar Ismail Qemal bej Vlora, por, ai në vend që të vinte për të zënë postin, së pari, kërkoi strehim në ambasadën angleze në Stamboll e pastaj u arratis për në Greqi me një anije franceze, sepse i kishin thënë se Sulltani po e surgjynoste në Tripoli me qëllim që më vonë ta vriste.

 

Unë për vete e quaj këtë një përrallë! Abdylhamiti po të kishte dashur vërtet ta hiqte qafe Ismail beun, nuk kishte aspak nevojë të sajonte marifete të tilla. Ky i fundit banonte asokohe në një shtëpi të madhe e të veçuar në Arnavutkoju të Bosforit dhe çdo mbrëmje kthehej fillikat e vetëm nga zyra e tij në Portën e Lartë; zhdukja e tij mund të bëhej, pra lehtë, pa intriga diabolike. I biri i tij, kapiteni i fregatës, Tahir beu, ishte adjutant i Sulltanit dhe kishte kështu mundësinë afrohej Sulltanit, e duke qenë kështu ç’kuptim kishte të trillohej një plan kaq i ndërlikuar vrasjeje, për të eliminuar një plak 65 vjeçar? Por vetë Ismail beu, me të cilin kam biseduar shpesh për këtë punë më 1912 në shtëpinë tonë në Vlorë, ishte plotësisht i bindur për të kundërtën! Pas arratisjes së të atit, Tahir beu, për arsye se, me sa duket, u shpreh në një mënyrë jo fort të pëlqyeshme për Sulltanin, qeverinë dhe regjimin, u pushua nga puna dhe u internua në Tripoli.

 

Por këtu vetë marshall Rexhep Pasha e ndihmoi të arratisej duke i dhuruar edhe 100 sterlina ar për të atin e tij. Për këtë sjellje fisnike kundrejt gjithë të përndjekurve politikë, në vitin 1908 marshalli u emërua ministër i Luftës dhe u soll me triumf në Stamboll. Por mjerisht ai vdiq disa ditë më vonë nga një krizë zemre.

Baruti i Matit

…Tregu i Tetovës (Kalkandele) që prej kohësh të vjetra ka qenë njohur si qendër e prodhimit të armëve (320 armëbërës dhe disa qindra ndihmës). Këta zejtarë jo vetëm që kishin prodhuar prej shekujsh armë të vjetra, por që nga viti 1883 kishin arritur të kopjojnë për mrekulli edhe disa modele armësh moderne. Këto armë mbanin edhe markën e tyre, "Hasan" të gdhendura me shkronja turke në tytë.

 

Një vendim i qeverisë së Turqve të Rinj urdhëronte mbylljen e menjëhershme të të gjitha këtyre punishteve (në vend që këta mjeshtra zejtarë të ngarkoheshin me prodhim armësh për ushtrinë). Është e qartë që për njerëzit e këtij qyteti të vogël të cilët denbabaden kishin jetuar krejtësisht prej këtij zanati si edhe për banorët e zonave përreth që aty përplaseshin, për të bërë apo ndrequr armë, ky urdhër ishte një katastrofë dhe do të ndeshte me një kundërshtim të dëshpëruar.

 

Njëkohësisht u mbyllën punishtet e barutit të Matit dhe ato të Dibrës për mbushjen e fishekëve të Martinës.

 

…Punishtet e barutit në Mat kanë një traditë shumë të vjetër. Në kohën e Skënderbeut në Shqipëri vijnë zejtarë gjermanë (saksonë nga Zibenbyrgeni) për të prodhuar barut dhe ngulen në Mat. Emra njerëzish dhe fisesh si Valter, Allaman, e të tjerë, që hasen edhe sot në Mat dhe Këlcyrë dëshmojnë për prejardhjen gjermane të këtyre njerëzve. (Shih: Baldiun Seria në: Ostdeutsche Wissenschaft. VII.IX (1902) f.147).

Origjina e Ahmet Zogut

…Historia e Shqipërisë midis 1920 dhe 1939-tës mban vulën e Ahmet Zogut në atë masë, sa unë detyrohem ta quaj këtë periudhë "koha e Ahmet Zogut". Cili ishte Ahmet Zogu? "Mbreti i Shqipërisë" mund të më përgjigjen. Po dhe jo! Sepse vetëm me këtë titull nuk mund të shpjegohet kurrsesi personaliteti i ndërlikuar i këtij njeriu.

 

Thelbi kësaj dukurie historike mund të shpjegohet vetëm nën një këndvështrim të tillë: Ahmet Zogu ishte prototipi, sinteza e të gjitha vetive të mira dhe të liga të njeriut në Shqipërinë e re. Ai i kishte ato veti të gjitha në shkallën më të lartë, ndaj edhe pati një sukses kaq të madh. Askush dhe askund nuk mund të ketë sukses një njeri te një popull, pa qenë vetë kuintesenca e shpirtit të këtij populli. Ahmet Zogu e kishte këtë dhunti dhe u shfaq në çastin e duhur në skenën politike të Shqipërisë ndaj ai është më tepër se një mbret, ai është simbol i një epoke!

 

Ai rridhte nga dera e bejlerëve të Matit, të njohur prej katër shekujsh si bajraktarë të fiseve të atjeshme dhe, prej tre shekujsh, edhe si kajmekamë të trashëguar (mëkëmbës vendorë të sanxhakbeut të Ohrit). I ati quhej Xhemal pashë Zogolli (Zog-oglu = i biri i Zogut), e ëma Sadije hanëm Toptani (Pisha).

 

Sipas gojëdhënës së vendit, fisi i tyre ka ardhur në ato anë gjatë inkursioneve turke, mbase aty nga fundi i nga shekullit të 15-të dhe i pari i tyre, me emrin Zog, si shpërblim për luftën heroike në mbrojtje të njerëzve e të vendit ndaj turqve, ishte martuar me bijën e vetme të sundimtarit të atëhershëm të krahinës. Pas vdekjes së këtij sundimtari, të gjitha fiset e zgjodhën atë si pasardhës të tij. Popullsia, si edhe vetë Zogu, ishte e besimit katolik, shumë luftarake dhe e varfër dhe jetonte kryesisht falë inkursioneve grabitëse mbi zonat e pasura të bregdetit.

 

Në burimet historike (shih arkivin e Sarajit të vjetër: Ruznamedshiler Defteri – viti 1041/42 –Stamboll. Më tej: Endxhumemi Tarih Kornisioni neshrijati. Viti 1909/10, Stamboll), familja e Zogut del aty nga viti 1600. Kronistët shkruajnë se në vitet 1631/32, fiset e Matit u nisën për luftë, plaçkitën tregun e Shijakut dhe shkuan gjer në Durrës, por aty u ndalën nga muret e qytetit.

 

Prijësi i këtij sulmi grabitqar quhej Zog dhe ishte pasardhës i të lartpërmendurit. Vitin pasardhës (1632), në arkivin e Portës së Lartë (Babiai) në listën e dekreteve (Meçmua-i Feramin) gjendet urdhri i Sulltanit drejtuar sanxhakbeut të Ohrit, atij të Shkodrës dhe atij të Elbasanit, që me ushtritë e tyre të sulmojnë Matin dhe "ta zënë tradhtarin Zog gjallë a vdekur". Kronistët njoftojnë se në janar 1633, Zogut dhe dy njerëzve të tij iu pre koka në sheshin e kështjellës së Ohrit. I biri i Zogut u bë mysliman, shpëtoi kështu pozitën e shtëpisë e mbase edhe jetën e anëtarëve të familjes. (Toçi, Terenzio — Il Re degli Albanesi, Milano 1932).

 

Për shekuj të tërë familja e ruajti këtë pozitë, bëri krushqi me shumë familje feudale rreth e përqark (Biçaku, Toptani, Çoku, Hoxholli, Doshishti, Alltuni, Kryeziu, etj.) dhe së fundi edhe me derën e Sulltanëve Osmanë. Edhe pse në historinë e Shqipërisë osmane ajo nuk luajti ndonjë rol, me ngritjen e Zogut si mbret të Shqipërisë së re, ajo fitoi një peshë të tillë që vështirë se e ka pasur më parë ndonjë familje shqiptare.

 

Ahmet Zogu u lind, si fëmija i dytë i Xhemal pashë Zogollit më 8 tetor 1893 në Burgajet të Matit, dhe u rrit në Stamboll. Ai shpëtoi kësisoj prej komplekseve që rëndojnë mbi fëmijët e parë të një dere shqiptare. Në Stamboll ai përjetoi ngjarjet e lëvizjes së Turqve të Rinj dhe mësoi shumë prej tyre. Nga natyra tepër inteligjent, përveç vetive udhëheqëse të kultivuara që në fëmijëri, ai u pasurua edhe me përvojën e intrigave të politikanëve modernë Turq të Rinj, përvojë që, më vonë diti ta verë në jetë me aq zotësi në kushtet e vendit të tij. Pas kthimit në shtëpi më 1912, ai mënjanoi dalngadalë vëllain e tij më të madh Xhelal beun, njeri që nuk shquhej për mençuri dhe mori kështu vetë në dorë drejtimin e shtëpisë dhe të krahinës. 

Vlerësime për Zogun

…Në vitin 1912 Ahmet Zogu nuk ishte ndonjë i panjohur. Ai kishte ardhur atë vit në Vlorë, djalë fare i ri, bashkë me kushëririn e tij Dervish bej Biçakun (Elbasani) për t’i shprehur mbështetjen e tij Qeverisë së Përkohshme dhe kishte zënë vend në shtëpinë time. Aty pata rast ta vrojtoja mirë. Por doemos, asgjë nuk më lejoi atëherë të hamendësoja se një ditë ai do të ngjitej në majën e piramidës shtetërore dhe jo me lehtësi, siç mund të kishin bërë shumica e dorës sonë, por përmes vështirësish dhe rreziqesh, të cilat ai i kapërceu vetëm falë ambicies së papërmbajtur dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme.

 

Si çdo pinjoll i dyerve fisnike shqiptare ai ishte i vetësigurtë, i heshtur, i përmbajtur, krenar, por edhe i druajtur në shoqëri. Në personin e tij, vetitë natyrore të sundimtarit të zgjedhur nga zoti, ato të udhëheqësit ushtarak, të politikanit dhelparak dhe të kujdesshëm oriental, bashkoheshin, megjithatë, me cilësitë e shqiptarit kokëkrisur. Të gjitha këto veti, ashtu si edhe gabimet e tij pasqyronin botëkuptimin dhe moralin e mjedisit ku ai u rrit. Vetëzotërimi i habitshëm, paraqitja e sigurtë dhe manierat e tij ishin rezultat i një edukimi të rreptë. Edhe pse, ç’është e vërteta, ai nuk kishte ndonjë shkollim të mirëfilltë disa vjet në konviktin "Nymune-i teraki" në Stamboll, i dhanë atij mundësinë ta mësonte mirë gjuhën turke, por për ndonjë thellim të çfarëdoshëm shpirtëror, ai nuk pati as kohë, as dëshirë. Sikundër shumica ai ishte i lidhur me hullinë e mjedisit të tij të origjinës.

 

…E ashtuquajtura “inteligjencie” e Shqipërisë e ka quajtur dhe e quan Ahmet Zogun injorant, i vesh atij paaftësinë për të hedhur qoftë edhe një mendim në letër pa gabime gramatikore, e qorton atë rreptë për mungesën e ndjenjës së komikes, e mban për intrigant, për njeri të dhënë pas fitimit e shumë e shumë veti të tjera edhe më të pakëndshme.

 

Për mua të gjitha këto qortime janë shfaqje të urrejtjes. Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme; edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe të zgjidhte probleme shumë të vështira dhe krejt të huaja për të ai rrallë gabonte, sikundër edhe qe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe.

 

Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi të gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie: Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithmonë kontrollit të një mendjeje të ftohtë e praktike, udhëhiqeshin gjithmonë dhe vetëm prej interesave të caktuara. Arsyetimet emocionale nuk kanë qenë asnjëherë pengesë për të.

 

Kur ai ishte ende i ri, më mirë nga të gjithë atë e ka vlerësuar Esat pasha në prill të vitit 1914. Ahmet Zogu sapo ishte larguar nga shtëpia e Esatit, pas një bisede, kur Esati më tha: “A e vure re mirë këtë djalosh? Do të vijë një ditë kur ai do të shkojë shumë larg dhe do të na mënjanojë të gjithëve, po të jetë se ne nuk ia shkurtojmë këmbët në kohën e duhur!” Esat pasha nuk i shfrytëzoi shanset e veta.

 

Përse të çuditemi atëherë që ky djalosh e lëvizi rrotën, ku theu këmbën jo vetëm Esat pasha, por edhe shumë prej nesh, edhe kjo, duke mos qenë aspak ndonjë tiran gjakatar. Ahmet Zogun mund ta duash apo ta urresh, por nëse do që të jesh i paanshëm, duhet t'i njohësh atij një meritë: ai qe një “njeri i madh”, jo vetëm për përmasat shqiptare, por edhe në këndvështrimin ballkanik. Mund të gjesh plot gabime, lajthitje dhe mangësi në mendimin dhe veprimin e tij, por ai mbetet megjithatë një personalitet i rëndësishëm, madje më duhet të them, personaliteti më i rëndësishëm në historinë shqiptare.

 

Kur mendon që ky “bej” i rëndomtë shqiptar u bë mbret në një vend, i cili as mund të quhej shtet, mbi një popull, i cili, origjinal, i veçantë dhe individualist si asnjë tjetër, e kishte të vështirë të njihte edhe autoritetin e vetë zotit të gjithëpushtetshëm, në një kohë kur kurorat e dinastive mijëravjeçare rrëzoheshin përtokë, që ai nga kaosi i një organizimi fisnor dhe feudal farkëtoi jo vetëm një shtet, por edhe një komb, kur i mendon pra, të gjitha këto, nuk mund të mos habitesh me këtë njeri. Që ai gaboi në disa synime politike, sidomos me politikën italiane, që ai i ngatërroi dhe i përzjeu disi mesveti problemet financiare shtetërore me ato private, kjo, natyrisht, është e vërtetë.

 

…Zgjedhja si kryetar nuk e kishte ndryshuar aspak karakterin e Ahmet Zogut. Ashtu siç ishte edukuar dhe rritur në rini, ashtu. mbeti ai gjatë tërë jetës. Siç nuk ndryshoi as edhe shprehitë. Edhe pse President ai vazhdoi të bëjë me gjithë familjen jetën që kishte bërë deri atëhere. Për zyrë rregulloi një shtëpi të vogël në krah të godinës (shtëpia e Zija bej Toptanit) që shërbente si qendër e parlamentit dhe e qeverisë. Familja e tij banonte përballë, në shtëpinë e madhe, por të thjeshtë, të Azmi bej Toptanit, po atje ku kishte pasë banuar me qira edhe më pare.

 

Kështu vazhdoi për disa kohë derisa u krijuan mundësi të tjera për strehimin e zyrave dhe të familjes së tij. Por edhe kur u bë Mbret nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë pallat, apo për ndonjë stil banimi dhe jetese, të thuash, mbretëror. Shtëpia e tij mbeti ajo e një beu të madh, sidoqë pa “sofrën e madhe”, këtë angari të kushtueshme të shtëpive të sundimtarëve shqiptarë.

 

Në të ngrënë Zogu ka qenë shumë i përkorë. Dreka, të cilën ai e hante gjithmonë vetëm në zyrën e tij, i vinte çdo ditë me një tabaka të mbuluar nga shtëpia e së ëmës (bijë Toptanase). Njeriu, që i pat qëndruar pranë prej kohësh, tutori i tij Abdurrahman Krosi, vazhdoi të mbetej alter egoja e tij. Ky burrë me një zgjuarsi natyrore të pazakonshme, e kishte mbrojtur Zogun që në rini nga përndjekjet dhe intrigat e vëllait të tij të madh, Xhelal beut, e kishte shoqëruar atë në shkollë në Stamboll dhe atje, në rrethet e rojeve shqiptare të gardës së Sulltan Abdylhamitit, kishte mësuar sjellje dhe mënyra të foluri, të cilat i kishin dhënë "oborrit" të Zogut vulën e një pallati të Sulltanit në miniaturë.

 

…Janë të paktë njerëzit që mund t'i bëjnë Zogut një kritikë aq të rreptë, por edhe kaq pa paragjykime sa unë. Unë nuk kam pasur kurrë nevojë të kërkoja gjësend prej tij, unë nuk jam përpjekur kurrë të fitoja dashamirësinë e tij, unë kam qenë gjithmonë i pavarur nga personi i tij, por megjithatë i kam qëndruar mbretit gjithnjë besnik e çiltërisht në krah dhe e kam studiuar atë, ndërkaq, imtësisht.

 

Natyra e tij ishte e huaj për mua dhe kjo pengonte që marrëdhëniet tona zyrtare dhe dashamirësia e tij të ktheheshin në miqësi midis nesh. Ne kishim mendësi dhe kultura të ndryshme, ne kishim shumëpak pika takimi me njëri-tjetrin. Madje me karakterin e tij ishte pothuaj e pamundur një miqësi e mirëfilltë; ai ishte tip i mbyllur, nuk i zbulonte mendimet, si tepër mëtues, si tepër intrigëdashës, si tepër mosbesues për të më zgjuar mua vullnetin dhe dëshirën për afrim. Edhe unë nga ana ime sillesha gjithmonë me të me një zyrtarizëm distancues. Mënyra e tij e mendimit ishte e thjeshtë, realiste dhe atdhetare, por shpesh primitive dhe gjithsesi shqiptare; e imja e ndërlikuar dhe evropiane, ndaj ne e kishim të vështirë të merreshim vesh! Kështu edhe unë u tërhoqa mbrapsht dalngadalë, sa erdhi dita që mbeta jashtë rrethit të personave të tij të besuar, brenda të cilit unë as nuk doja, as nuk mundja të hyja.

 

Unë nuk isha më i mirë dhe as më i keq, unë isha i ndryshëm. Ndaj pikërisht për këtë duhem besuar kur, siç e kam thënë edhe gjetkë, e pavarësisht nga të gjitha, e quaj Ahmet Zogun si të vetmin njeri, i cili në periudhën kalimtare midis Shqipërisë turko-feudale në shuarje dhe Shqipërisë moderne që synonte demokracinë evropiano – perëndimore, mund të merrte në dorë dhe të drejtonte me sukses të plotë fatin e vendit; ai bashkonte në vetvete fuqinë e veprimit, vetëdijen dhe zhdërvjellësinë e klasës së vjetër udhëheqëse me vullnetin e pamposhtshëm të shqiptarëve të rinj për të ndryshuar gjithçka dhe për ta formëzuar sipas nocionit të tyre.

 

Në këto faqe unë nuk kam pasur as qëllimin dhe as autorizimin për të qenë jetëshkruesi i Ahmet Zogut. Dua vetëm të shpreh bindjen time se askush nuk mund të shkruajë në mënyrë të pranueshme për këtë periudhë të historisë shqiptare, pa vënë në qendër të saj personalitetin e tij.

Atentati ndaj Zogut në Parlament

Beqir Valteri
Beqir Valteri

…Si vegël për këtë demokratët përdorën djaloshin ekstravagant matjan, Beqir Valterin. (Beqir Valteri rridhte nga një prej familjeve gjermane, të cilat në kohën e Skënderbeut qenë thirrur në Mat për të prodhuar barut). Këtë të ri ata e përpunuan për një kohë të gjatë, derisa ai pranoi të vrasë mirëbërësin e tij, Ahmet Zogun, njeriun që para dy vjetësh me paratë e veta e kishte çuar për studime në Itali.

 

Po ishte për t’u çuditur me këtë plan vrasjeje kur, vrasësi i Esat pashë Toptanit, Avni Rustemi, të cilin drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxori të pafajshëm dhe që qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri, deputet, kur ky vrasës i pabesë pra, kapardisej nëpër Tiranë dhe brohoritej ngado si një shpëtimtar i atdheut?

 

Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë sesi me anë të një plumbi të shkrepur nga prapa shpinës, si burracakët, mund të bëheshe “njeri madh”!

 

…Grupi i vrasësve demokratë ia besoi çirakun Beqir Valteri mjeshtrit të vjetër Avni Rustemi për ta shkolluar. Ditë për ditë, në një vend jashtë Tiranës e në prani të disa krerëve, zhvilloheshin ushtrime në qijtje, siç e pohoi më vonë vetë atentatori. Kur u stërvit aq sa të besohej se mund të qëllonte për vdekje një njeri në largësi 25 metra, ai u quajt aftë për të kryer vrasjen e tij “atdhetare”. 

Më 23 shkurt 1924, gati të gjithë ne, deputetët, thuajse kishim zënë vendet tona për seancën e pasditës të Asamblesë. Mungonte vetëm qeveria, pra edhe kryministri Ahmet Zogu. Unë rrija, si gjithmonë pranë metropolitit Fan Noli, në bankën e radhës së parë, majtas hyrjes. Më ra në sy se atë ditë grupi i partisë demokratike prapa meje po rrinte çuditërisht i heshtur dhe i merakosur. Ka të ngjarë që kështu të mendoj tani, por sidoqoftë atë ditë pata ndijimin sikur ata po prisnin, të tendosur, diçka. Befas ushtuan dy krisma në shkallët e ndërtesës, që u pasuan nga një qetsi e ngrirë. Pastaj u hapën me vrull dyert e sallës dhe brenda hyri Ahmet Zogu, me revolver në dorë.

 

Ai ishte prerë në fytyrë, por ecte me shtatin drejt dhe pas disa çastesh e mori veten, madje buzëqeshi dhe vajti me çap të sigurtë tek bangoja e qeverisë, ku u ul në një vend caktuar për sekretarët. Ne të gjithë u bëmë në çast të vetëdijshëm për, gjendjen dhe e kuptuam menjëherë se ç’kishte ndodhur. Se në raste të tilla populli ynë e mbledh veten shpejt dhe është shumë i disiplinuar.

 

Disa deputetë që kishin miqësi me Ahmet Zogun iu mblodhën përqark, pjesa tjetër e deputetëve ngriu kërcënueshëm, nëpër vendet e saj, prapa nesh. Unë e vlerësova sakaq rrezikshmërinë e gjendjes sime, por edhe në përgjithësi. Kjo qetësi e kjo heshtje mund të shndërrohej nga çasti në çast në katrahurën më të madhe. Unë rrija pothuaj në mes të garipëve demokratë; nga e djathta e sallës, pra, para meje dhe anash pultit të presidiumit, ishin vendet e konservatorëve. Të gjithë ishin të armatosur!

 

Të vinte puna tek armët, unë isha në mes të plumbave të miqve dhe të armiqve. Ndaj brofa në këmbë, i pëshpërita në vesh peshkopit shakaxhi “bëfshi qejf” dhe nxitova drejt lozhës së dëgjuesve, ku po rrinte një miku im i partisë, doktor Simonidhi nga Vunoi i Himarës. E ndihmova atë të kaptonte parmakët e lozhës dhe e çova tek Ahmet Zogu për t’i parë plagët.

 

Zogu në fillim nuk besoi dhe nuk deshi ta linte këtë të panjohur ta vizitonte, por pastaj, kur unë e sigurova se mjeku është i besueshëm, nuk kundërshtoi më. Plagët ishin të rënda por pa rrezik për jetën: dy plumba e kishin marrë kalimthi duke e çarë njëri në kofshë e tjetri në bark; plagët u lidhën përkohësisht.

 

Unë shkova te miku dhe kushëriri im, Iljaz bej Vrioni. Ai kishte qenë dy herë kryeministër dhe shumë herë të tjera ministër dhe njihej nga të dyja anët si njeri i paqes. Pra, në ato çaste ai ishte personi më përshtatshëm për të bërë thirrje për qetësi dhe gjakftohtësi!

 

Kryetari i seancës, Eshref Frashëri dhe gjithë ekipi i tij ishin zhdukur nga presidiumi dhe kishin zënë vrimat në të katër anët e sallës. Unë e këshillova Iljaz bej Vrionin të shkonte në presidium dhe të mbante një fjalim të shkurtër, qetësues. Ai e bëri këtë, gjeti tonin e duhur dhe pati suksesin e dëshiruar.

 

Pastaj u bë i gjallë edhe vetë Ahmet Zogu. Nga karrigja ku rrinte ai foli me zë të fortë e të qetë: “Zotërinj! Nuk është hera e parë në botë, që në një parlament ndodh kjo diçka si kjo që më ndodhi mua. Unë u lutem miqve të mi, ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe pastaj të veprojnë”.

 

Zogu ishte përsëri zot i ndjenjave dhe veprimeve të veta duke zgjuar admirimin tim të vërtetë!

Ndërkaq në hollin e parlamentit dëgjoheshin krisma të njëpasnjëshme, ne të gjithë ishim të shqetësuar, ngaqë nuk po merrnim vesh se ç’po bëhej. Kush qëllonte dhe kundër kujt? Më vonë mësuam se atentatori Beqir Valteri ishte ngujuar në nevojtore, ndërsa rojet e parlamentit, për ta detyruar të dorëzohej e bënë shoshë strehimin e tij. Ndërkaq vetë Beqir Valteri këndonte në nevojtore këngë heroike, mbase për t’i dhënë zemër vetes, dhe nga prapa derës qëllonte edhe ai trimërisht mbi rrethuesit.

 

Atentati kundër Zogut shkaktoi prerjen e menjëhershme të çdo kontakti me partinë demokratike, jo se kishim ndonjë simpati të tepruar apo besim të verbër ndaj Ahmet Zogut, por sepse ky akt na fyente të gjithëve dhe ishte si të na shpallej luftë hapur. Dhe më tepër nga të gjithë peshën e fyerjes e ndjeu vetë Zogu. Siç e donte zakoni shqiptar, pas kësaj ai nuk doli nga shtëpia deri ditën që sfida mori përgjigjen e duhur. Dhe për të dhënë ndëshkimin e merituar ai përdori me mjeshtëri një mjet që i dha mundësi të vriste dy miza me një të qëlluar. Ai nuk lejoi t’i preken as qimet e flokëve atentatorit, të kapur, ndërkaq, nga rojet e parlamentit të komanduara nga Osman Gazepi, por e thirri dhe e pyeti se përse kishte dashur ta vriste.

 

Beqir Valteri i tregoi të gjitha pa fshehur asgjë, për çka jo vetëm iu fal jeta, por edhe u trajtua mirë gjatë kohës që qëndroi i burgosur në kazermën e rojeve të parlamentit. Atentatori, që të tëra këto m’i ka rrëfyer vetë më 1943, largohet pastaj nga vendi më, kur partia demokratike u dëbua nga Zogu dhe shkoi në Francë, prej nga kthehet përsëri në Shqipëri më 1939 dhe pushkatohet nga komunistët më 1945.

 

Në mbrëmjen e po asaj, dite unë me Myfit bej Libohovën i bëmë një vizitë në shtëpi Ahmet Zogut. Megjithë një farë temperature, Zogu e kishte marrë tashmë veten nga shoku i pësuar. Sipas zakonit të keq shqiptar në dhomën e të sëmurit, hynin e dilnin me qindra vizitorë, pa dashur t’ia dinë nëse ky interes i pëlqen apo e bezdis të sëmurin. Piheshin pambarim cigare dhe kafe, ndërkohë që i sëmuri, për të mos e humbur burrërinë në sytë e botës, jo vetëm që duhej t’i priste buzagaz, por edhe t’u jepte muhabet. Dhe Ahmet Zogu i përmbushte në mënyrë të shkëlqyer këto kërkesa të etiketës shqiptare. Asnjë fjalë e keqe për atentatorin dhe për nxitësit e tij nuk doli nga buzët e tij, asnjë emër nuk u përmend. Por pikërisht kjo shpërfillje në dukje ishte ogur më i keq për organizatorët e atentatit dhe për pasojat e aktit të tyre.

 

Ahmet Zogu e dinte kush ishin organizatorët. Ai pajtoi një njeri në Tiranë, që kishte marrë prej vitesh me qira një mulli bloje nga Esat pasha (njëherësh edhe vetë esatist i njohur), i cili qëlloi me revolver dhe plagosi rëndë Avni Rustemin, vrasësin e Esat pashë Toptanit dhe nxitësin kryesor të atentatit kundër Zogut. I plagosuri vdiq dy ditë më vonë në spitalin e Tiranës. Ky kishte qenë një akt i shkëlqyer hakmarrjeje, që jo vetëm përputhej me rregullat e kodit të Vendetës shqiptare, por bënte edhe një shërbim tjetër: pajtonte dy, rryma politike, esatizmin dhe ahmetizmin, deri atëherë të ndara. 

Bisedat me Zogun

…Më kujtohet mbreti Zog, kur po bisedonim një ditë mbi fatin dhe suksesin, i cili, me atë realizmin e tij të mprehtë, e karakterizoi me një metaforë e në mënyrë aq saktë thelbin e kësaj dukurie: "Fati, Eqrem bej, më tha ai është një dem tërbuar, e i verbër që shpesh herë na shkel me thundra, por ndodh që edhe të na dalë përpara në një vend të volitshëm. I mençur dhe i zoti është pikërisht ai që e dallon këtë çast, e zë demin prej brirësh, e mposht dhe e ve në shërbim të tij"

 

…Në mbledhjen e mëngjesit të 31 janrit 1925, Asambleja miratoi krijimin e një Republike Shqiptare, në atë të pasditës, në orën 3.50 ajo zgjodhi njëzëri Ahmet Zogun si President të kësaj republike. Më 7 shkurt në Tiranë erdhën delegacione nga e gjithë Shqipëria për t’i shprehur urimet e vendit për zgjedhjen e si President.

 

Oportunizmi, madje do të thosha, mungesa e pështirë e karakterit, që vura re unë atëkohë tek anëtarët e komisioneve të ndryshme, dëboi edhe thërrimet e fundit të respektit tim për klasën e re të mesme shqiptare të kohës. Njerëz që më përpara në bisedat me mua, kishin nxjerrë nga goja sharjet dhe shpifjet më të ndyra për Zogun, tani konkuronin kush e kush t’i lëpihej më shumë e të fitonte dashamirësinë e tij.

 

Në një bisedë me Zogun më vonë, unë e përmenda edhe këtë rrethanë dhe mora përgjigjen e matur të tij: “Mos u shqetësoni për këto vogëlsira, Eqrem bej! Edukata që kanë marrë këta njerëz në shekuj, mungesa e shkollimit dhe e ndjenjës personale të nderit, ka bërë që në marrëdhëniet me zyrtarët ata të përpunojnë një qëndrim të veçantë. Ne nuk mund t’i ndryshojmë ata me sot e nesër. Dhe meqenëse nëpër qytete ata janë të shumtë, ne duhet t’i marrim ata parasysh në llogaritë tona.” Ai kishte të drejtë!

 

…Një ditë prej ditësh, rastësisht, e bashkë me mikun tim Myfit bej Libohova, shkuam tek Ahmet Zogu. Biseda u shtjellua rreth shumë problemeve që na shqetësonin asokohe, dhe me këtë rast unë shpreha shqetësimin për zhvillimin e njerëzve të mi, fola për mbivlerësimin që ata i bëjnë vetes kur për riformimin e vendit nuk kufizohen brenda mundësive shqiptare, por duan të shkëmbejnë vende shumë më të pasura dhe përparimtare, të gjitha këto, shtova, më duken tepër jorealiste, sa them që do të isha më mirë në një spital psikiatrik.

 

Ahmet Zogu më vështroi buzagaz dhe tha: “Ju keni mbetur një idealist i pandreqshërn, Eqrem bej, i cili kujton se ka për mision t’i ndryshojë dhe ti edukojë njerëzit sipas recetës së vet. Të gjitha këto janë teori që nuk të zbatohen në jetën praktike. Shqiptarët janë ata që janë dhe ne duhet të harxhojme kohë dhe energji në qoftë se duam vërtet t’i ndyshojmë ata. Ju jeni produkt i një vendi të varfër dhe i zhvillimit të gabuar mijëvjeçar. Ata nuk mund ti ndryshosh. Ju, me siguri, e dini fjalën e urtë turke që thotë: “Në Turqi ruaj kokën, në Rumani gruan dhe në Shqipëri pasurinë! Këtu nuk bëhet fjalë se çfarë duhet apo mundet të ndryshojë nesër, këtu lipsen siguruar sa më shpejt paratë që mund humbësh shumë shpejt dhe pastaj të presësh se çfarë të sjell e ardhmja.”

 

Dhe ai kishte plotësisht të drejtë me këtë parim, të cilin e ndoqi me këmbëngulje gjatë tërë kohës së qeverisjes së tij në Shqipëri. Kur ai u detyrua të ikte nga marshimi i trupave të Musolinit, ai ishte beu i vetëm që largohej nga vendi me bindjen disi ngushëlluese se po merrte me vete një thesar tingëllues prej 250.000 apo 300.000 stërlina ar dhe se armiqve u kishte lënë vetëm keqardhjen që nuk u kishte rënë në dorë as vetë, as paratë e tij. Si na mëson fjala e urtë: “Në Shqipëri ruaj pasurinë!”

 

…Gjatë darkës unë rrija në anën e djathtë të tij, e pastaj me radhë vinin kapiten Blloshmi (një oficer i ri dhe energjik që kishte mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake franceze të Sent Sirit dhe që unë e doja shumë dhe ish sekretari i Esat pashë Toptanit, Stavro nga Kavaja. Gjatë ngrënies Zogu e ndërsente kapitenin kundër Stavros dhe anasjelltas dhe dukej se zbavitej shumë me fyerjet e rënda që i hidhnin ata njëri-tjetrit. Stavro ishte vërtet një gjysmë bufoni, por replikat, sidoqoftë ishin shumë pak zbavitëse dhe të padrejta, saqë unë krijova mbresën se Zogu dëshironte vetëm të provonte pushtetin e tij mbi të tjerët. Të nxitë grindje, të thurë intriga dhe të ndërsejë njerëzit kundër njëri-tjetrit, ja pra cila qenka urtësia shtetërore dhe kryekënaqësia e Presidentit tonë!

 

Përgatiti : Avni Dani

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania