Mbi kangën malësorçe në Mat


Esat Ruka (Studiues)
Esat Ruka (Studiues)

Nga Esat Ruka (Studiues), Tiranë – 24 Janar 2021

 

Krahina e Matit e shtrirë në bllokun qendror të hapsirës etnike shqiptare ruan specifika të veçanta në fushën e trashëgimisë artistike e kulturore. Kjo Trevë është konsideruar si porta hyrëse për në Shqipërinë Verilindore. Relievi i tij tepër interesant me luginën anash brigjeve të lumit Mat, e rrethuar me male në formën e një pjate, me një klimë kryesisht mesdhetare, me gjelbërim dhe bimësi të zhvilluar mundësojnë kushte jetese krejt normale. Gjurmimet e  pashterrueshme të bëra në shpellat e zonës Veriore të Matit*) dhe inventari arkeologjik i pasur konkludojnë se kjo zonë është banuar nga fisi ilir i pirustëve që nga periudha e neolitit.

 

            …duhet pranuar veç, se sipërfaqja tokësore ku shtrihej raca shqiptare ishte shumë e kufizuar gjer në shekullin e njëmbëdhjetë, dmth deri në shkatërrimin e Perandorisë së Parë bullgare të themeluar nga cari Simeon.  Studiuesi gjeman Stadtmuller përcakton se “vendi ku shtrihej raca shqiptare, pas dyndjeve sllave është shumë i kufizuar. Ai përfshin disa malësi të Shqipërisë së sotme, por e vetëme është krahina e Matit”.

 

 

***

 

Nga periudha e Mesjetës Mati u shndërrua në vendin e kishave, kalave dhe kuvendeve të mëdha për mbrojtjen e trojeve nga pushtues e lakmitarë të shumtë. Mënyra e fortifikimit dhe mbrojtjes, nxjerrja e shumë figurave të shquara për drejtimin e luftrave, padyshim kanë patur ndikim edhe në mjetet dhe mënyrat që kanë përjetësuar atë luftë e qëndresë popullore.

 

... Me sa ka kund bukë pa kore,

Aq ka krajl që n’Mat s’ka vorre,...

 

 

Kështu bëhet vërtetësimi dhe bilanci i luftrave në një nga këngët e moçme e kënduar  në Mat deri në ditët e sotme. Marin Barleti, ndër kronikanët më besnikë të Skënderbeut theksonte se, ...gëzimi i zemrave shpërtheu me sa mundi, më tepër me brohori, me këngë dhe gjithfarë veglash...**)

 

Në vendorigjinën e Katriotëve në Mat, është përcjellur hareshëm e me krenari kënga e kohës së Skënderbeut, ku midis vargjesh këndohet:

 

...Prej Selite e prej Përlati,

Lura, Gryka e Rranxa e Malit,

Merr ushtimë kang’ e majekrahit,...

                                  

                                                          

***

 

Fillimet e muzikimit shqipar nuk mund të ndahen nga zanafilla e përgjithëshme e racës njerëzore. Në kompleksitetin e jetës shqiptarët krijuan dhe zhvilluan këngën, instrumentet, vallet, muzikën që mishëron vetitë, shijet, zakonet, botkuptimet, dashurinë dhe aftësinë për triumfin e lirisë. Shqiptarët historikisht i përkasin botës kulturore mesdhetare, ndaj artin e tyre e shihnin si vikamë të atij qytetërimi ballkanik e evropjan me veçoritë natyrore.

 

_______________________

*) Shpellat në fshatrat Laç dhe Bruç

**)  dr. Munishi R., IAP. “Këngët malsorëçe shqiptare” Bot.Prishtinë 1987 fq. 28

 

 

1

 

 

Zani i njeriut – instrumenti i parë *).

 

 

Studjues të etnomuzikologjisë kanë vërtetuar se zani i njeriut i ban mrekullirat, që nuk mund t’i prodhojë as instrumenti ma modern. Prej zanafillës së artikullimit të rrokjeve, fjalëve e më tej mendimeve, njeriu i ka transmetue ato nëpërmjet zanit të tij, duke u dhanë intonacionin. Nëpërmjet intonacionit fitohet përmbajtje, shfaqet mendim dhe përshkruhet atmosferë. Pa intonacion, ligjërata jonë do të ishte krejt pa emocione. Melodia lind nga intonacioni i zanit të njeriut. Ajo që e dallon një njeri prej një tjetri ashtë timbri i zanit, forca  dhe ambitusi* i tij.  

 

 

Kur duam të ndryshojmë timbrin e zanit, vendosen duart përpara gojës në formë hinke dhe nxirret zani me një kumbim jo të zakonshëm. Kështu, kur duam të orientohemi afër ndonjë shkambi apo pylli të madh, përdoret ajo që quhet ehoja (oshtima).

 

 

Të gjithë e kemi provue të njohim zanin e ndokujt, edhe kur ne nuk e shohim atë. Kjo ndodh ngaqë kemi fitue aftësinë të dallojmë zanin nëpërmjet ngjyrës, forcës, naltësisë e cilësive të tjera të tij. Por cilësitë e ndryshimit të zanit fitohen edhe duke përdor mjete si kungujujëset apo grykën e gjymit, etj. Këto mjete kumbimi përdoren që të amplifikojnë (shtojnë) zanin.

 

 

Këto kanë qanë disa nga provat, që kanë çue në fillimet e artikulimeve me interesa specifike siç janë frazat muzikore, kangët etj.

 

 

Tradita e këndimit pa shoqënim muzikor.

 

           

Në zanafillën e traditës muzikore vokale, fillimisht është këndue pa shoqërim me vegla muzikore. Në institucionet fetare, këndimet e pjesëve nga bibla, si dhe lutje të tjera të fesë së k’shtenë e më vonë këndimi i pjesëve të kuranit, kanë qanë provat e para të këndimit individual e kolektiv. Periudha e mesjetës në 72 kishat në Mat, padyshim që ka pasun ndikimin e vet në këtë lloj të kënduemi. Kjo mënyrë të kënduemi është ba vetëm prej burrave.

 

 

Në trevën e Matit është njohur, këndue dhe transmetue (përcjellë) kënga malësorçe. 

           

 

Me emërtimin këngë malësorçe kuptojmë një mënyrë specifike të të kënduemit të malsorëve në raste të ndryshme, një mënyrë e të këndumit që dallohet nga llojet e tjera të muzikës vokale të vetë malësorve, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi.

 

 

Kemi ndeshur në arësyetime teorike, që këto këngë janë kënduar nga barinj për vetë natyrën dhe ambientin, por “këto këngë, nuk kanë ndonjë lidhje gjenetike me jetën e barinjëve, pasi barinj ka kudo, por jo kudo janë kënduar këto këngë nga barinjtë”

           

 

Veçoritë dalluese të pamjes fizike dhe kushtet e vështira jetësore i bëjnë malsorët të patundshëm në qëndrueshmëninë e tyre. Edhe në këto kushte natyrore nuk pushojnë së kënduemi, së luajtuni me instrumente dhe së vallëzuemi ***).

 

 

Nuk është e lehtë të përcaktohet me saktësi se kur kanë fillue të këndohen për herë të parë në Mat kangët malësorçe. Këto improvizime e më vonë krijime, kanë emërtime të ndryshme, mënyra të ndryshme interpretimi, struktura të ndryshme, shtrirje të ndryshme zanore, etj.

 

 

Kur ishte nevoja për zadhanie apo lajme për arësye vigjilence në formë thirrje, kjo është ba me fjalë, por edhe më të kënduem.

 

 

____________________

*) – të shtrimunit e zanit.

*) Ismaili Zejadin.  „muzika nëpër shekuj“ „Vatra” Shkup 2000 fq.22

**) Dr. Munishi Rexhep. - etnomuzikolog- “Këngët malësorçe” - fq. 15.

 

 

2

 

Kanga malësorçe, i shoqëronte ato edhe rrugës, edhe në proçese të ndryshme pune, në gëzime. Në momentet ma të lodhëshme malësori ja niste këngës, si për ta sfiduar atë, apo për me i harrue hallet. Zëri i tij i fuqishëm i jepte forcë e moral për të harruar vetminë, apo për të afruar sa më afër mbërritjen e suksesit. Ka një thanie popullore që përkufizohet kështu:” Malësori, edhe kur shkon thikë tërmale më një barrë mielli të ngarkueme në shpinë, ai fishkëllon, ja knon”.*)

 

 

Këto këngë janë trashëgue në proces gojor, brez mbas brezi, në pajtim me kushtet e shoqënore dhe me rrethanat e tjera kulturoro-historike.

 

 

Nga gjurmimet e kryera në Mat vërtetohet se kanga ka rranjë të thella.

 

 

Në vendorigjinën e Katriotëve në Mat, është përcjellun kanga e kohës së Skënderbeut, ku midis vargjesh këndohet:

                       

 

Nji ylber, përmes Arbnisë,

Po na vjen në fush’t’Ndredysë **)

............................................. ,

Dallgë gëzimi prej krahnori,

Ardhsh i bardhë Gjergj Kastrioti,... ,

 

______________________              

*) Dr. Munishi R. - etnomuzikolog- “Këngët malësorçe” - fq. 15.

**) fushë në fshatin Bruç të Matit

 

 

3

 

Nga gjurmimet në nanzonat etnokulturore në Mat, kemi ndeshun në informacion të mjaftueshëm për të theksue në mënyrë të sigurt dokumentimin se këtë llojë të kënduemi e kemi të trashëguem në proçes gojor nga kangëtarë me emën në shumë prej katundeve të kësaj treve.

Xhyledin Boça (1922-2014) nga Macukulli, është njani nga të mirënjohunit. Bashkëmoshatarë të tij, edhe prej gjeneratës ma të re, të thonë se ai ka mbetun si pika më e naltë e këtij këndimi. Që kur ishte 12 vjeç, mban mend si këngëtar të fuqishëm Nezir Kolaverin nga fshati i tij. Në atë kohë Neziri, megjithëse ishte rreth 60 vjeç, ende shkonte në mal me bagëti,. Pra rreth 150 vjet më parë mbahet mend prej protagonistëve të këngës malësorçe përcjellja e këtyre krijimeve. I klasifikojmë si krijime, mbasi janë të këndueme me tekste të plota. 

 

Xhyledini e mban mend të plotë këngën që këndonte Nezir Kolaveri:

 

Must’ Tahiri nën jelek

Ra n’Gjakovë tu qa ni dert ...

....Po petë pasha, pet Veziri

Ku i ka kullat Must’ Tahiri?

N’ at grykë zalli ke mullini,

N’at grykë zalli kulla e shpi,...

 

 

Të mbajturit mend e këngës lidhet me mesazhin që përcjell, figurat që përdoren, zbërthimi i fabulës, metrika dhe leksiku i pasur lokal, etj. Janë të shumta rastet që vërtetojnë se kënga qarkullon nga një nahije në një tjetër duke pësuar edhe ndryshime e plotësime...

 

Sahit Neli nga Macukulli këndonte në pyll duke pre thuprat për tme ngrit kosharet e misrit, për trenat e vathit apo për brenën (lesë druri) e thërmimit të plisave të arës.

 

...Nji amanet baba m’ka lan, /M’ka lanë baba ni amanet,/ Mos e dorëzo pushkën sa t’ketë fishekë…

 

Ai ja merrte kangës edhe me kalin ngarkue kur këthehej nga  mullini. Han Bojni, nga Rukaj këndonte duke përgatitun tulla dhe në çdo uprajë*). Në Urakë këndonte në kësi rastesh edhe Lazër Kola e Baftjar Ferruku. Në  Bruç e Laç këndonte Ymerr Hasrami e Kurt Këputa, ndërsa në Prell Hajdar Stambolli, etj.

 

Ç’ai Has’ Balla dul n’shashen**),

Çe ke vjen kumara em,

Ngreu oj nanë e na niz  zarm’

T’çel iftar me kët kumarë.  ...

 

...Ti mor pashë qofsh i marrue,

T’met kalaja pa marue,

Pa pre Maten me e ba mish

S’ke me ngrit këshlla***) n’Gjalish...

 

 

________________

*) punë me argat

**) ballkon i brendshëm

***) kala

 

 

4

 

Duke patur parasyshë ndarjen e zonave etnokulturore të Matit me veçoritë e veta lidhet edhe emrtimi i këtyre këngëve, dhe mënyra e të kënduarit…

 

Këngë majekrahi: këngë krushqish, këngë sofre, këngë me dorë mbas veshi, me dorë në faqe, me gisht në vesh, këngë kushtrimi, asqershe, emërtime të cilat lidhen me periudha të ndryshme dhe në zona të ndryshme.

 

Mati është i ndarë sipas këtyre zonave etnografike *):

 

Prelli:  (nga Uraka në Macukull përfshirë e dhe Mallunxë e fshati Burrel), Rranxa: ( nga Muzhaka deri në Shkopet), Përtej Uji: (nga Lisi deri në Cërujë), Kryematja: (Bejn, Fullqet, Klos, Plan i Bardhë), Gurrat: (nga Frankthi, Batrra, e deri Bel Unjate), dhe Guri i Bardhë.

___________________

*) Fiçorri, Ramis: Mati- Vështrim i shkurtër gjeografik, historik ekonomik e kulturor. Dardania Tiranë 1998 fq. 160

 

***

 

Kangë krushqish janë këndue gati në gjithë trevën e Matit. Janë emërtu kangë Krushqish nisur nga funksioni që ato kanë pasun. Sigurisht dasma në Mat ishte ngjarje për çdo vatër malësore, ku gërshetoheshin një pasuri elementësh të traditës argëtuese.

 

Në njimbëdhjetshen e krushqëve, krushkui i kangës kishte vendin e veçantë.

 

Përveç cilësive të dallueshme vokale, ai duhet të kishte të ishte i pashëm e i zgjuar dhe të njihte edhe disa rregulla të  zbatimit të të kënduemit të kangëve të krushqëve. Pas daljes së krushqëve dhe përcjelljes së nuses nga grupi i krushqëve përcjellës (njerëzit afër të saj), sinjali i parë “ngacmues” ishte kur në të largu nga kufinjtë e pamjes së shtëpisë së mikut, shprazej një pushkë. Kësaj krisme i përgjigjen dasmorët e dasmës së vajzës, si për të largue edhe dhimbjen e ndarjes më të. 

 

5

 

Por gjatë rrugës për në shtëpinë e dhandërrit nuk mund të shkrehej asnjë pushkë. Edhe kanga, nuk mund të kendohej në vende ku nuk kishte lidhje me dasmën, pasi kjo konsiderohet si cënim i integritetit të palës tjetër. Kjo mund të ndodhte vetëm kur krushqit kalonin në vatanin e njerëzve të afërt të të zotit të dasmës. Këto rregulla të këndimit të kangëve malësorçe, flasin për karakterin funksional dhe konvencional të përdorimit të tyre,  gjë që i veçon nga krijimet e tjera të muzikës popullore.

 

....Qofsh beku, thotë krushku i parë

Ty oj nanë të qofsha falë,

Udhë të gjatë na kemi ba,

Kemi kalu shtatë dynja,

Kan’e kan’ nëpër shulla,

Lodh e këput e buza tha’,

Nusen zonjë për derë me za.

 

 

Pra, duhej një za i fortë, një kangë “habertare”, për të  përgatitur opinionin e mjedisit ku kalonin krushqit. Kuptohej se kemi të bajmë me dasëm dhe jo me ndonjë shkak tjetër për përdorimin e armëve. Cilësia dhe forca e zanit të kangëtarit i shërbente traditës malësore me qënë të kujdesshëm në motivimin e përdorimit të armës. Ashtu sikundër urohej kangëtari “të lumtë goja, e “të këndoftë zemra”, po kështu urohej edhe armëtari “të lumtë pushka”. Kanga e krushqëve është këndue në të gjitha fshatrat e Matit, përveç fshatit Gur’ i Bardhë e zonën e Martaneshit. Bardi Tahir Bajraktari nga Guri i Bardhë, i datëlindjes 1930 tregon se,  para 70 vjetësh kam dëgjue dy vargje:

 

Ç’janë ato që vijnë pazarit,

Janë dy gjurras para kalit.

 

 

Por ai nuk mban mend se me ç’mekam*) këndohej. Krushqëve në këtë fshat u janë këndue vetëm nga gratë, gja që në fshatrat e tjerë kangë malësorçe, nuk janë këndue prej grashë në mjedise burrash, jashtë shtëpisë së vet.

 

Këngët e krushqëve janë këndue rrugës, pra në kambë,me dorën mbas veshi ose më gjisht në vesh.)

 

Këto kangë janë të temave të ndryshme, por kryesisht janë të epikës legjendare dhe historike. Suksesi i kangëtarit të këtij lloji nuk matej vetëm me forcën, ngjyrën dhe ambitusin e zanit, por edhe nga preferenca e zgjedhjes së këngëve.

           

...“Në bajrakun e Rrazës, rrazjani asht këndue në kangë, se ai nuk e njihte vdekjen në shtrat. Në kangët e trimnisë merr pjesë çdo gjethe lisi, aqë sa dialogu mes qyqes e bilbilit shkrihen së gjalli në vajtimin e vet :

                                  

“Vroka qyqja mi vorr t’ri

kush bilbil këtu ka hi?

 

 

Rrazjani Gjokë Pjetër Doda merrej në dasma deri në Lurë për kangët e tij malësorçe. Thonë se kur këndonte e lakonte zanin 7 herë mbrenda nji fjalë. I famëshmi Preng Pjetër Molla i Prosekut, hoqi dorë të ishte në një dasëm me të.

 

... me u kthye marë gjaqet s’na lanë

ndërmjet vllaznish idhnia s’pran....

 

 

 _________________

 *) – melodi

 

 

6

 

Kjo këngë :

...Marka Kuli  nj’trem i’shenjue,

Thuj Gjok Palit n’kam’ me u çue,

Çou në kam e dil ke shokët,

Se besa e zotit t’kam vu topin...është këndue edhe në Krujë, sepse edhe protagonisti  i kangës është krutanë.

 

 

Kështu kanë këndue Memet Gjoka në Kodër Çerre,  Hysen Likmolla në Gërman, Xhaferr Hasani e Haxhi Shema nga Karica dhe Cub Aliu në Baz. Këto ishin të lindur rreth kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.                   

 

Fraza melodike e përdorur në këngët e krushqëve nuk ka qenë e njëllojtë. Zona e Prellit këndonte ndryshe nga zona e Bazit. 

Në Mat asht’ përdorun edhe emërtimi kangë asqershe. Në prag të L.P. botnore qëndresa heroike e matjanëve dhe bajraqeve përreth, në Shkallën e Deshëve u përjetësua me fjalët *) :

 

Moj Serbi je duk’ e madhe,

ke ba luftë me nantë male,

ruj se t’vret mali i macukllane!,

Në mal t’Dejës ke Gur’i Vashës,

Ke luftojn’ asqert’ e Pashës**) ...

 

 

Këngët, kur shkohej në luftë, jo vetëm ndiznin atmosferën e guximit e të trimërisë, por edhe përmendnin të kaluemen e gjyshave dhe stërgjyshve duke ba kështu lidhjen midis brezave. (R. M. Fq. 29.)

 

... A, gajretni burrat e Matit,

Jeni gjaku u Kastriotit,...

A, gajretni burrat e dheut,

Jeni nipat e Skënderbeut...

 

 

Kjo dëshmon se krijuesit dhe përcjellësit e kangës ishin njohës të mirë të historisë, por dhe të aftë e të përgjegjshëm për misionin që kishin marrë përsipër. Vërtetë ishin të paarsimuar, por me randësinë dhe historinë që përshkruheshin kangët, meritonin respektin e gjithë njerëzve.

 

Shemsi Pasha burrë zotni,

I ka hyp pampurit t’zi,

Për nji ditë n’Stamboll ka hy,

Babës mbret*) po i del në sy,

Amanet babë për at’ Shqypni,

Fukaraja s’kan ujë me pi,

 

Tre katunde me nji mulli

Nji pendë qe në shtatë shtëpi

Kush dy dele e kush dy dhi,

Bukën thatë, krypën përmi.

Karadakut*) i rrinë karshi.

 

____________________

*) – Sipas patriotit veteran Halit Kryekurti (1889-1998) prej Macukulli, fjalët e disa këngëve të ngjarjeve si Shkalla e Deshëve, Lufta Gjalishit, Lufta e Pratit, i thurte Sefer Kryekurti,i cili jetoi rrreth 100 vjet.

**) Luftëtarë matjanë e zonave përreth, besnikë të Zogollit në Mat.

*)- Perandoria Osmane.

*)- Mali i Zi.

 

 

7

 

 

Sigurisht kjo panoramë e dhimbëshme e jetës, gërshetohet me një hall të madh kombëtar, siç është ai i lirisë dhe pavarësisë.

           

 

Në zonën e Kryemates janë këndue kangët malësorçe. Nuk ka pasun ndonjë karakteristikë të veçantë në tematikën e krijimeve me zonat e tjera, ashtu si edhe ndonjë ndryshim esencial në frazat melopoetike. Që para luftës së parë botnore janë këndue kangë për nizamë e asqerë, ato me temë sociale. U asht’ këndue edhe plagëve të kohës siç ishte gjakmarrja, apo mbrojta e nderit dhe e pronës. Janë të njohur edhe prej dëshmitarësh autentikë këngëtarë si Allaman Skënderi, Hasan Beça e Abdi Tusha, Mehmet Kaja e Gjur Tusha, etj. Ndërsa prej Xibëri: Sulejman Hoxha e Hamit Sula, prej Darsi: Bajram Mjeshtri e Abdulla Reçi, etj.

           

 

Kangët e uprive *)

           

 

Duke njohun terrenin dhe pamundësinë për të krye punët e stinës në pikun (valikën) e fazës së prashitjes apo pjekjes së të lashtave, verimit të bagëtive, në fshat zbatohej upria (uprajë, argat). Zakonisht organizoheshin në prashitjen apo mbledhjen e drithrave, mbledhjen e barit, prerjen e gjethit, sigurimin e materjaleve të ndërtimit, qethjen e deleve, etj. Këto punë kryheshin kryesisht  nga burrat. Kanga malësorçe ishte e pranishme. Ajo shlodhte dhe argëtonte argatët, njëkohësisht edhe i vinte në garë për përfundimin sa më shpejt e më mirë të ngastrës. Këndohej gjatë pushimit, por edhe gjatë punës. Shpesh radha e gjatë e kostarëve (kositëve) prihej nga kostari kangëtarë, por ndodhte që kangëtari e  mbyllte radhën e tyre.

Në prashitjen e misrit, mjeshtri që priste anën (me pre an, thuhet ne zonën e Prellit), jo vetëm mbante drejtimin e rrjeshtimit të punëtorëve, por edhe këndonte „n’kupë t’qiellit”. Trokitja e shatit në gurë a në dhe’, ngjante si një duartrokitje e „sallës”- arë.  Sigurisht darka e mbarimit të punëve të stinës këthehej në një festë të vërtetë. Këndohej kanga në odën e burrave, por ndizej edhe kuvendi për histori e bëma, zbatime kodesh e zakonesh. Nuk mbeteshin jashtë argëtimit edhe lojrat që provokonin shkathtësinë, zgjuarsinë, forcën, apo që nxisnin humorin e satirën nëpërmjet krjimtarisë së improvizuar.

 

 

________________

 *) në periudha stinore të ngjeshuna shtoheshin argatët.

 

 

8

 

 

Sahit Neli këndonte në pyll duke prerë thuprat për të ngritur kosharet e misrit, për trenat e vathit apo për brenën (lesë druri) e thërmimit të plisave të arës. Ai ja merrte “këngës në të thatë” edhe me kalin ngarkuar me miell misri kur këthehej nga  mulliri.

 

Pa dalë drita e pa ra dielli,

Prej shtëpie duel Hyseni,

Me të shpejtë i hypi atit,

Shkoi e ra n’saraje t’krajlit.

……………………………………..,

- Kur njeu Krajli n’kamë asht çue,

Para Hysenit asht ngushtue,

Po t’ jap mallin e çfar t’kërkosh,

Luftë me mue t’mos fillosh.

             

 

Janë të njohura në Matin administrativ, thuajse kryesisht në zonën e Rrazës.

 

 

Në këtë bajrak, pjesa katolike e këtij bajraku respektohet në gjithë opinionin matjan si një etni me lidhje të forta me këngën, veglat muzikore, lojrat popullore, sidomos rapsodinë si pjesë e sofrës bujare, sofër me një kod të veçantë tradicional.

 

         

Për shkak edhe të traditës së përdorimit të rakisë, sidomos në rastet e festave, gostive, dasmave dhe uprive, sofra bazjane....nuk mendohej pa kajkën e dizenin. Zakonisht përfundimi i këngës shoqërohej me një krisëm karadaklie në frengjitë e kullave me sharapot.

 

 

Në odën e burrave ku në trarët prej lisi shkëlqenin me ngjyrën e florinjtë të varun  misrat e farës apo në ndonjë trenë ishin të hapun për t’u thå gështenjë e arra, shtroheshin shiltet dhe gjithçka priste fillimin e darkës e muhabetit.  Sofra unazore me 12 burra kërkonte një ose dy këngëtarë që lezetonin  pijen, kuvendin, si dhe garën kur në odë ishin të shtruar deri tre sofër. Drejtuesi i  pijes uronte : “Shumë jetë bashkë e mirëse erdhët”, “Qoftë lëvdue krishti”, u lumshin krahet”. Pjesëtarët e uprisë i përgjigjeshin: “.... Zoti t’i dhashtë bereqet...

 

 

Krisi pushka e gjëmoi Kthella,

Thonë se u vranë dy nantogera.

 

Apo :   ........................................................

 

Lum e lum për gurrat që nuk shterrojnë,

Lum e lum për burrat që nuk harrojnë,

............................................................... ,

           

 

Kanga bante që edhe rakia të pihej ma ngadalë e ndërkohë ai që bante shërbim në kambë shfytëzonte qetësinë për të plotësue me kujdes nevojat në sofër për meze, mbushjen e pesëdhjetsheve, shërbimit me ujë, etj.

 

 

Në Baz dhe Karicë kanë kënduar Xhaferr Sula e Isen Mehmeti, Haxhi Hasani dhe Haxhi Shema etj. Hysen Likmolla i Gërmanit njihet si njëri nga këngëtarët ma të dëgjuar pas lufts së dytë botrore në atë zonë.

 

 

9

 

 

Kangë humori e lojnash popullore.

 

 

Ndoshta është rasti të pohojmë një të vërtetë se në Mat nuk kemi ndeshur që të ketë pasur një ditë apo orë të caktuar për ahengun, lojën popullore, këndimin etj, siç është i njohur në Gjakovë apo ndonjë vend tjetër të shqiptarisë. Tek ne, janë shfrytëzuar vetëm raste të përmendura më lart si dhe në raste festash tradicionale. Por megjithatë, në odën e burrave nuk lejohej të hynin fëmijët. Bënte përjashtim vetëm ai që njihej si këngëtarë i spikatur. Me të mbaruar „detyrën” merte urimin dhe dilte nga oda.

 

 

Bredh unaza rreth tepsajsë,

Me shëndet zotit t’shpajsë.

 

 

Në netët e gjata të dimrit shpesh kalohej një pjesë e natës duke lujtur me filxhana, “mshefja e unazës”, “bat-bat” etj. Edhe në këto raste spikatej elementi i këngëtarëve në odat e burrave. Sigurisht që në këto raste janë kënduar edhe këngë të tjera të karakterit humoristik duke i thumbuar të humburit :

 

 

Kur e zutë ju shok’ lojën,

A s’e  dishit se u kënojmë,

Ku i keni pa ju si këto burra,

N’ pazar t’Klosit, nën do “çulla”

I pari  qanka usta Sula,

Usta Sula kah m’je nes?

- N’Kakarriq me kallajdis

- A t’ka dalun naj sen qari?

- Sa me ble ç’at zëgj magjari,

...................................................

 

 

Kangët malësorçe janë këndue shumë në raste festash. Sapo dilej nga xhamia e fshatit pas faljes së Bajramit, faltorët formonin një rresht dhe uronin njëri tjetrin”Gëzofsh Bajramin”. Pastaj faltorët ndaheshin nëpër lagjet e tyre dhe në shtëpinë e parë të fshatit, këngëtari i njohur uronte gëzimin e festës me një kangë. Ibrahim Kolaveri në Urxallë këndonte :

 

 

Ju nizamë, nizamë të ri

A u merr malli me shkue në shpi ?

A u merr malli në shpi me shkue ?

Kush la nan’ e  kush la grue

Kush ka lanë të zezën nanë

Lot për faqesh, bukën tuj granë….

A thue ka ma t’madh gazep,

Me u da robi prej robnish ’vet,

Me u nda robi për së gjalli,

Pa u da buka e pa u da zjarmi.

 

 

Sigurisht që ajo periudhë nëpërmjet kangës do të memorizonte njanën nga palgët e kohës, mungësën e djalit, burrit a prindit edhe në ditët e festave në familje dhe të afërm të tij.

 

 

10

 

 

Mënyra e të kënduemit

 

           

Kangët malësorçe janë monodike (njizanit). Nga sa njohim, krahasue me treva të tjera të Veriut e Verilindjes së Shqipnisë, ka ndryshime në linjën melodike të këndimit të kangëve malësorçe. Kangët e kushtrimit (fjalë për tel .....) këndue në Malësinë e Shkodrës, Rrafshin e Dukagjinit etj, nuk flitet të jenë këndue në trevën e Matit. Por kushtrimi jepej nëpërmjet kangës me një frazë melopoetike ndryshe. Ato këndohen sipas një vije melodike, pa ndryshime të dukëshme themelore. Edhe në rastet kur këndojnë dy vetë njëherësh, janë të dallueshme melizmat e sejcilit, deri edhe shpërthimet apo kadencat sidomos në përfundim të frazave muzikore.

 

Kangët malësorçe janë këndue në pozicione të ndryshme: në kambë të shumtën, por edhe ulur kambëkryq, në ndonjë gur, a objekt tjetër.

Kangët malësorçe në hershmëninë e tyre dhe të shumtën janë këndue nga një këngëtar.  Janë këndue vetëm (solo) edhe për faktin se nga mënya e të kënduemit, cilësia e zanit, ambitusi etj. ishte vështirë të çiftoheshin. Xheladin Boça nga Macukulli, Han Bojni nga Rukaj, Hysen Likmolla nga Gërmani, Gjokë Pjetër Doda nga Bazi, etj, zakonisht këndonin pa ortak, pasi shquheshin për za të fuqishëm, hyjnor, shumë kumbues dhe ishte pothuaj e pamundun të unifikohej prania e një ortaku. Zani i tyre bënte që të  dyndeshin thëllanxat e skifterët dhe luante në mal e fushë gjithçka ishte e gjallë, thuhet në Macukull, si në mitet e antikitetit.

 

 

Disa kohë më vonë ato janë këndue nga dy kangëtarë. Kjo mënyrë sigurisht e ka pasurue kangën dhe ka shtue interesin e dëgjuesve. Kjo ka mundësue shtimin e numrit të kangëve, që ato të mund të jenë edhe ma të gjata për ta plotësue ma mirë mesazhin etj. Por nuk duhet harrue se kur këndojnë dy veta, krijohet edhe mundësia e pushimit radhazi. Kur kangët malësorçe janë këndue nga dy kangëtarë radhazi, frazën e fundit (kadencën) e mbyllin së bashku. Zakonisht kangëtari i dytë përsëriste vargun e kangëtarit të parë, por kur kanga ishte e gjatë nuk përsëritej vargu, por kangëtari i dytë kalonte dek vargu pasardhës.

 

 

Kur ato janë këndue nga dy veta, ende pa mbaru i pari, me ramjen e melodisë së tij në bazën tonale, me të njajtën bazë tonale, ja priste i dyti. Kjo shërbente si një ujdisje (akordim, fillim i kangës në tonalitetin e duhur) dhe kapja e ruajtja e tonalitetit ishte një tregues i formimit artistik dhe i krijimit të një standarti të avancuem. Kur themi standart, nuk është fjala për unifikim shabllon, që eleminon karakterin individual të të kënduemit të secilit. Duke u unifiku baza tonale e kangës, lejon edhe interpretimin e lirë, improvizues deri në kadencime e melizma të dallueshme midis tyre.

 

 

11

 

 

Janë njohur shumë dyshe të këndueme thuajse në të gjitha  zonat, sidomos kangët e sofrës, por dallimi midis tyre bahej pa vështirësi, megjithëse kanga bashkë kishte gjetun terrenin e pranueshëm.

 

 

Nuk ishte vetëm ngjyra, timbri, apo forca e zërit, që dallonte njanin kangëtar nga tjetri, por edhe elemente të tjerë të interpretimit të saj. Por kur mungonte ortaku i zakonshëm shpesh pyetej: „Ku e ke shokun”?. Nëpër odat ku kishte kangëtarë përdorej shpesh kërkesa: “Merrja nji herë si filani”!  Dhe kur fillohej kanga, i afrohej edhe ortaku e si spontanisht e ja priste. Kështu zbuloheshin edhe elementë të panjohur e krijoheshin dialogje muzikimesh shumë të pranueshme.

 

 

Kangëtarët e kangëve malësorçe kërkohej të ishin me za të mirë e të fortë, „si n’vesh t’zotit”. Kanga e tyre duhej të dëgjohej sa ma larg duke plotësuar edhe funksionin estetik, pra zana të kulturuar. Në shumë raste kangëtarë, sigurisht të pashkolluar, gjatë interpretimit të kangëve mbajnë një qëndrim të pasforcuar, të lirshëm. Fizionomia e fytyrës dhe e gojës të kujton një bisedë të lirë e të qetë. Kjo ka të bëjë me „faktorin trashëgues” por edhe nga standarti kulturor, gjuha”*),

 

 

Isuf Hysen Ruka (i fisit Met’hysaj) ishte shumë i preferuem për ambëlsinë e zanit të tij dhe për kangët e bukura që njihte. Kur këndonte „Halit Gashin”, „Po t’thërret pasha mor boshnjak” apo „Hasimen” etj,” dëgjohej miza n’fluturim”. Ai thuhej, këndonte „si n’vesh t’zotit”.

 

 

Gjatë këngës kangëtarët  vendosin gishtin në vesh, me dorë mbulojnë veshin, me dorë në faqe, etj. Kur u pyet Xhyledinin se përse i „mbyllin” veshët kur këndojnë këngëtarët? Ai u përgjigj: „E kontrollojmë ma mirë zanin si po shkon”, i japim ma shumë forcë zanit për të shkue ma mirë ke dëgjuesi”.

...Bujku i vorfën ka ra borxh,

Ka shit tokë e kallamoç,

Bujku borxhët s’mun i hoq,

Shiti pulën me gjith zogj,.....

 

 

Sigurisht asht’ shumë vështirë të caktohet djepi i krijimit të këtyne llojë kange. Por krijimi është një fenomen që shtegëton në forma të ndryshme, prej një vendi a rrethi në një tjetër. Edhe pse është vështirë t’u referohesh fakteve shkencore, e randësishme ashtë që ato bajnë jetë aktive dhe kanë fitue të drejtën e ndryshimeve a plotësimeve.

 

           

Matjanët e kanë rrahun shumë rrugën e kurbetit për në vendet muslimane, sidomos në gjysmën dytë të shek XIX. Zbutja e sigurimi i jetës ekonomike bahej në mënyrë kolektive. Gjatë rrugës, e cila dihej edhe se sa kohë zgjat, kalohej duke kenduar për ta ba atë sa më të lehtë.

 

 

__________________

*) Fritz Bose, cituar nga Dr. Munishi R,  „Kangët Malësorçe, fq.48)

 

 

12

 

 

Kur kalova n’Qafë-Kërrabë/

I harrova nanë e babë/....

 

Apo : ...Arsh për hatrin tem/,

Mos ma len gjalin jetem...

 

 

Në shumë raste nëpërmjet këngës dalloheshin edhe kurbetlinjtë se prej kah janë. Pra kanga linte gjurmët e veta në mjediset ku kalonte. Shpesh edhe për respekt të kangës a kangëtarit, kujdesi për udhëtarët apo krushqit ishte më i madh. Edhe gjaksi nuk vepronte pa u krye kanga.

 

 

Kangët malësorçe janë të sajuara, zhvilluara dhe ruajtuna ne vendet Veriore ku sigurisht janë të lidhura edhe me shtrirjen dialektore të gjuhës. Ky fakt dëshmon pak a shumë edhe një llojë uniteti në shtrirjen jo vetëm gjeografike por edhe socioliguistike të këtyre kangëve.

 

 

 

Funksioni shoqënor dhe dukuri etnopsikologjike.

 

 

            Kualiteti i lartë i kangëtarit me za të fortë, thuhej se fëmijët e nuses së re do t’i trashëgojnë këto cilësi. Gjithashtu mund të trembë dhe të largojë „shpirtrat e lig”, që mund t’i sillnin ndonjë të keqe nuses a dhandërrit. Nëpërmjet kangës barinjtë kanë ruajtur edhe tufën, duke i dhanë të kuptojë tjetrit se tufa nuk është vetëm. Në terrene pylli apo shkambi nëpërmjet ehos, zbulohej edhe vendodhja, pasi ndryshimi i motit të krijonte probleme në humbjen e orientimit të tufës në mal. Ajo që asht’ interesante “kur knon nuk je kurr vetëm” pastaj, ”kur knon me za t’naltë trem prej vetes ç’ka asht’ e keqe”.

 

 

Autoriteti shoqëror i këtyre kangëtarëve  është i dallueshëm nga njerëzit e zakonshëm. Në rastet e zadhanies për lajmin e rrezikut, sigurisht ato marrin një barrë jo pa faturë, prandaj kushtrimtarët kërkohet të jenë jo vetëm me kualitete të larta zani, por edhe të shkathët e vigjilentë dhe të njohin të dhana të hollësishme për armikun. Kur kujtohet fitorja e një beteje, kujtohet edhe kushtrimtari i saj. Kur këndojnë kangë krushqish ato dalin në ballë të votrës apo në krye të kolonës së dasmorëve. Shpesh thirren në dasëm për të këndue dy kangëtarë dhe zakonisht thirren e respektohen më shumë ato, që kanë një figurë të pastër moralo-shoqërore, që nuk kushtëzohen nga paga që marrin. Kur këndojnë cilësisht mirë thuhet për to se „ta hijeshojnë konakun”, apo „i japin dritë vendit”.

 

 

Kanga e këndueme në ambjente heterogjene, ka shërbyer për të shue edhe debatet që kanë parandalue veprime të pakandëshme. Pra kanga ban apel për pajtime apo largime nga veprime të ulta…

 

                       

Ngjoni vllazën armëtarë / Plak e t’ri ta kem’ nji fjalë,/ Mos mu vra, mos me u gju/ këto kurgja s’na kan ndihmu/ na kanë djeg na kanë robnu/...

 

 

Apo për me sqarue situata...:

 

 

Del tu pytun Ferit Pasha,

Or kurt Suçi si t’gjau vrasa ?,

Si m’ka gja vrasa mue,

Me i tuxhar jam kap thu m’thue

Për dy pash litar..., .... etj.

 

 

13

 

 

Pjesë e krenarisë dhe e mbështetjes në kangë janë veshjet tradicionale. Ajo stimulonte një mision, dallonte një rast të veçantë, sikundër ai që i vishte në këto raste merrte më shumë forcë dhe motivohej më mirë. Xhyledini, kur shkonte si krushk i kangës, nën xhaketë mbante veshur xhamadanin e kuq. “Sa filloja këngën, e zbuloja pak dhe më bahej se këndoja vetë i dytë.

 

 

Fadil Din Canameti nga fshati Rremull, në luftën kundër Garnizonit fashist  për çlirimin e Burrelit, më 31 Korrik 1943 shkoi i veshur me kostumin e tij popullor. Ai kur u nis i tha nanës: “Kështu dukem ma bukur në luftë. Fashistët ta dijnë se ku luftojnë e me kë luftojnë”. Në fshatin Karicë Mehmet Hasani i Barlaçe dhe Emin Muharremi nga Gurra, nuk i hoqën veshjet e tyre popullore edhe në verë, deri sa ndërruan jetë.

 

 

 

(Ripunim i “Esat Ruka: Mati – vështrim etnomuzikor

(gjurmime, studime dhe vlerësime) bot. Mirgeeralb, Tiranë 2009.)

 

 

 

Literatura :

 

1.V. Hahn, Johan George, “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit”,  bot. Geer 2001

 

2.Dr. Munishi Rexhep: “Probleme etnomuzikologjike” bot. Prishtinë 2007,

 

3.“         “          “      :  “Këngët Malësorçe shqiptare”, bot. Prishtinë 1987

 

4.Kadare Ismail : “Autobiografia e popullit tim në vargje” bot. Tiranë 1980.

 

5.Çështje të Folklorit shqiptar, bot. Akademia e Shkencave të Shqipërisë bot. Tiranë 2004.

 

6.Burke, Petër: “Kultura Popullore në Evropë në fillimet e kohës së re”. bot. Arbi, T. 1996

 

7.Ismaili Zejadin: “Muzika nëpër shekuj” bot. “Vatra” , Shkup 2000.

 

8.Barleti Marin: “Historia e Skënderbeut bot III. “Shtypshkronja e re Tiranë 1983

 

9.Kurti Dilaver: “Folklor nga Mati” bot ILAR Tiranë 2014.

 

10. “         “       : “Shënime etnografike nëpër Mat” bot Tiranë 2004

 

11.Këputa Ferit, “Mati në shekullin e XX” bot Tiranë 2002.

 

12.Materiale arkivore nga Arkivi i familjes RUKA.

 

13.“Gjurmë të shpirtit shqiptar” Botim i QKVF, bot. Tiranë 2006-2013

 

14.Ruka, Esat : “Mati- Vwshtrim Etnomuzikor” gjurmime, studime dhe vlerwsime, bot Tiranw Geer- 2009.

 

14