Kur lexon librin e jetës “Gjerdan fjale” të Hamdi Hysukës


Namik Selmani
Namik Selmani

Nga Namik Selmani – Boston, USA

 

Sa herë jam ulur të meditoj për libra të miqve në mbarë trojet amëtare, kam kërkuar një simbolikë, se është lloj identiteti i krijuesit. Libri i autorit Hamdi Hysuka ma shtizoi tastierën, ku duhej të lëçisja librin e tij “Gjerdan fjale” e më pas dhe vetveten. Dhe e gjeta: simbolikë e dritës, e hidrocentalit.

 

Në çdo shkrim e libër të Hamdiut kam hyrë nxënës dhe kam dalë po nxënës, në një hidrocentral vargjesh, shkrimesh, emocionesh, mbresash, se përherë nga pena e tij mëson mjaft për saktësinë e argumentit, për emocionin që të jep, për maturinë, për gjeografinë, për dobinë e asaj që ai na afron për ta lexuar, sot e kah mot.

 

Vetëm pak kilometra ndajnë shtëpinë e Hamdiut nga Ulza, atje në Mat, ku njerëzit përshëndeten me hije mbretërish. Lugina e Matit është ndër viset më të mrekullueshme të Shqipërisë, në të gjitha stinët. Është një përrallë që beson se matanë Luginës do shohësh njerëz që kanë brenda shpirtit ngjyra blerore apo dhe një verdhëllimë jo të zakonshme në vjeshtën e Luginës së Matit.

 

Edhe shkrimtari Hamdi Hysuka ka gjelbërim në atë që flet e në atë që shkruan. Sa herë që shkon dhe kur vjen të përshëndet një digë e madhe e të parit hidrocentral në vendin tonë, që bashkë me rrëzëllimën e dritës, rrezaton dhe tinguj këngësh. Ujëvarim vargjesh e mençurie, nga ato këngë që Hamdiu i ka përherë në universin e krijimtarisë së tij. Ai vërshim ujëvarë është futur në gjeratoren e fjalës dhe na ka dhënë dritën e dobishme të fjalës.

 

Etika e urimit për secilën vepër të shkruar, aq më shumë në këtë kohë të krisur, ku njoftimet e vdekjeve vijnë nga të katër anët, është mëse e veçantë. Jo nga ato urime që shpesh shqiptarisht quhen shprehje goje, një lloj këmbimi thëniesh që shoqërohen me një kafe, e cila gjerbohet mes miqsh në agime e në muzgje. “Gjerdan fjale” është hipotekim i fjalës së mençur e të saktë.

 

*    *    *

 

Nuk e di se ç’planesh krijuese ka Hamdiu në të ardhmen, poe ethet e krijimit e të botimit kanë një kod të çuditshëm në rastësinë dhe frymëzimin. Kanë gjetjet që të vijnë para fletës gati edhe rastësisht. Me plot gojën them se ky është libri i tij i jetës. Janë shumë argumente që të dërgojnë në këta sinorë.

 

Para se të hyj në këtë betejë të bukur po kujtoj një detaj që lidhet me jetën e njëri-tjetrit. Në vitin 1967 ishim së bashku, nxënës të shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Në këtë libër atyre viteve dhe kujtimeve i ka kushtuar një kapitull. Po gjetkë e kam dritësimin e fjalës për Hamdiun, me miqësinë që lindi aty. Dhe pse ishim në vite të ndryshme, ai kishte një lloj profecie jetësore. Në mjediset e jashtme të shkollës bëmë një fotografi. Ishim djem të moshës 16 e 17 vjeç. Epo nuk është ndonjë gjë e madhe, do thoni ju atëherë dhe sot, se në kohët moderne një foto e bërë me celular kalon qiejtë e kontinentet. Aq më tepër në një kohë kur mund të kthehemi nga rruga nëse harrojmë celularin, i cili është bërë pjesë e jetës.

 

Në atë fotografi ishte tharmi i së ardhmes së Hamdiut. Kishim vënë së bashku një libër që e ndanim mbi gjunjët e njëri-tjetrit. Sa emocion, se në atë vatër lindi talenti i tij. Ajo dashuri për fotografinë dhe ai shkrim mjaft i bukur që njësohet me një shtypshkronjë pa asnjë mëdyshje, ishte dhe mbetet portë e hapur e miqësisë. Për ta fiksuar atë saktësi që kishte Hamdiu në marrëdhënie me shokë, kishte parashikuar të ardhmen e tij.

 

Në të gjithë librat e botuar e në të gjithë rrugën e jetës dy gjëra Hamdiu i ka bërë me betim të heshtur: shkrimin dhe Matin. Asnjëherë ato nuk i ka braktisur. E të gjitha janë moto e jetës, e sakrificës, pa dyshim dhe e lavdisë së tij. Këtë e tregon më së miri libri voluminoz e cilësor “Gjerdan fjale”.

 

Publicistika e Hamdiut na dërgon në lashtësinë e Matit dhe deri në ditët tona. Ka gjeografi nis nga Mati, por shkon në republikën e Kosovës, Luginën e Preshevës, në Republikën e Turqisë, në Republikën e Malit të Zi, në Selanik, Plavë e Guci, pa folur për qytete të ndryshme të Shqipërisë. E kjo gjeografi e bën librin të veçantë, deri në kufinjtë e emocionit.

 

*    *    *

 

Duke lexuar kapitujt Kombi shqiptar fillon nga Mati”, “Integrim kulturor dhe artistik”, Hulumtime letrare”, “Vlera trashëguese e artit folklorik” dhe “Arkiv i pushtetit të katërt” del portreti i copëzuar bukur, i shkrirë në mënyrë të natyrshme. Shumë kohë ia kushtoi zileve, madje në shkolla të largëta të Matit. Në shkrimet për arsimin, për shokët e tij, ai është i ngrohtë, befasues, i besueshëm në atë përvojë që ka lënë pas vetes.

 

Me sakrifica, për mjaft vite ka bashkëdrejtuar gazetën “Mati”, ndaj në libër ka shkrime nga kjo rrugë e ndritur. Kështu, Mati është bërë tryezë e gjallë e një letërsie që zhvillohet në tërë dimensionet e saj. E në këtë begati e mbrothësi letrare Hamdiu drejton Klubin Letrar “Pjetër Budi”, që në Mat nuk është i panjohur. Por libri “Gjerdan fjale” na jep tjetër këndvështrim në atë lidhje që ai ka me shkronjën, me Matin. E di fort mirë se tradita e shkrimshkruarjes në Mat është më e fuqishme e më afatgjatë se e barutit.

 

Mjaft shkrime të librit kanë shtysën e kësaj detyre që për Hamdiun është nga misionet më të bukura të një njeriu artdashës, pse jo dhe shqiptardashës gjer në palcën e palcës. Në disa vite e kam ndjekur këtë rrugë e ja, tani ai na sjell portretin e një organizatori që kudo ku shkon, dërgon përvojë e merr andej më të mirën. Mjaft aktivitete janë pjesë e kronikës së përmbledhjes “Gjerdan fjale”. Sa kemi nevojë për kronika të tilla! Me dhimbje themi se ekzaltohemi për një mendim që na e thonë të huajt. Mbase i kemi parë me sytë e një lloj përulësie kur na mungonte shkronja jonë, që fare mirë mund ta bënin ata të cilët kishin përcjell agimet dhe muzgjet e Matit. Kështu vrapojmë të bëjmë për Skënderbeun, për Pjetër Budin, për Aleksandër Moisiun...

 

Përherë Hamdiun e sheh me aparat fotografik, përherë blloku i tij ka detaje, ka saktësi, ka të ardhme. E libri bëhet një lloj Mirënjohjeje e tij, e miqve të letërsisë që e njohin nga afër e që tani marrin në dorë këtë vepër madhore.

 

Për ta bërë të pagabueshme fjalën, në hyrje, në vend të një kushtimi të zakonshëm, ai ka vënë thënien madhore të Dritëro Agollit: “Kombi shqiptar fillon Matit”. Mund të zgjidhte familjen, të parët e tij, por ka besimin se me këtë moto është brenda familja e tij dhe e gjithë matjanëve. Këtu nuk është vetëm nderimi i tij për Driteroin, por dhe ajo peshë e madhe e përgjegjësisë, e një obligimi të heshtur, që secila fjalë e ngjizur dhe e shkruar në Mat nga dora e tij të ketë atë madhështi, që ia ka dhënë historia e shkronjës dhe e lashtësisë matjane.

 

Një vlerësim më vete në këtë libër publicistik është se ka kaq shumë njerëz, personazhe të të gjitha moshave, krahinave, të të gjithë profesioneve duke u marrë më shumë me shkrimtarë, gazetarë, heronj, këngëtarë, valltarë, me traditën e Matit. Orëve të mësimit të letërsisë në gjimnaz, kur donim të tregonim epopenë shkronjore të Leon Tolstoit, sidomos te romani “Lufta e paqja”, na duhej t’u thonim nxënësve se epiciteti i romanit na befason me ngjarjet, por dhe me pesëqind personazhet e tij. E duke krijuar një lloj paralelizmi, që mbase nuk është i njëjtë në përmbajtje, por në formë, pohoj se libri “Gjerdan fjale” është gjithpërfshirës në personazhet që autori zgjedh. Lexuesi befasohet se do të njohë me qindra personzhe të jetës së Matit, të shqiptarisë, por edhe të botës. Dhe kjo është meritë e padiskutueshme e librit.

 

Shikoni ilustimet në folklor që ai bën në mjaft shkrime! Janë aq të sakta, madje në një kohë që shumë njerëzve as që u shkon mendja të mbledhin folklor apo ta lexojnë atë. Hamdiu ua jep me bujari këtë pasuri të shpirtit krijues matjan e shqiptar. E kjo sërish është befasi, dobi, e ardhme.

Në kapituj të ndryshëm, për aktivitetin e secilit, autori vë në radhë figura të shumta që në shekuj kanë punuar për Matin. E parë në këtë kënd libri merr vlera të një enciklopedie. Kështu, ne njohim të dhëna të reja për Skënderbeun, Pjetër Budin, Esat Mekulin, Migjenin, Lasgush Poradeci, Aleksandër Moisiun, Ndre Mjedën, Kasem Trebeshinën, për të ardhur më tej në ditët tona me Gjokë Dabajn, këngëtaren Feride Kurti, kompozitorin Naim Gjoshi, dr. Sali Kurtin e shumë të tjerë. Pjesë e këtij vëllimi publicistik u bë dhe libri im poetik “Gurra e Budit”, ku Hamdiu është redaktor.

 

“Gjerdan fjale” ka një pasqyrë të festivalit “Muza poetike budiane” me një traditë gjithkombëtare, jehonën e antologjisë së autorëve matjanë “Udhëtare me pranverën” dhe një lloj rrugëtimi të Mat Televizion.

 

Kur shfletojmë këtë publicistikë, në mjaft raste doja ta quaja libër nënjastëku, se mua dhe atyre që e njohin nga afër, Hamdi Hysuka na del njëherësh arkivuesi, gazetari, shkrimtari, poeti, kritiku letrar, redaktori, profesori i brezave, folkloristi, organizatori i veprimtarive e mbi të gjithë, njeriu. Nuk kam nevojë të vrapoj pas qiririt të Diogjenit që kërkonte njeriun e mirë. Mjafton të takojmë Hamdiun, ta lexojmë e të themi: “Rroftë njeriu i mirë e mos qoftë kurrë specia në zhdukje”!

 

*    *    *

 

Sërish simbolikë tjetër më vjen në mendje. Para gati dy shekujsh, poeti i madh kombëtar, Jeronim de Rada, ia kishte dhënë në dorëshkrim librin e tij “Këngët e Milosaos” gjeniut të kohës, La Martinit. E pas leximit që e ngazëlleu, La Martini i kthen përgjigjen që ka mbetur edhe sot e kësaj dite vlerësimi i saktë: “Vepra juaj vjen prej trojeve tuaja dhe atyre iu përket”. Një lloj përqasimi do e bëja edhe me Hamdi Hysukën. Vepra e tij dhe ajo që ai ka bërë e bën për Matin ështëë lloj rizgjimi i Jeronim de Radës në një trevë kaq të pasur me histori shkronjash në Mat.

 

Në mjaft raste kur flasim për librin si produkt shpirtëror i një kombi, të paktën ne shqiptarët, kemi rënë paksa në një lloj gracke provincializmi. Nuk është fjala për vlerat që krijon secili në sinorët e fshatit, të krahinës së tij që janë e do të jenë të domosdoshëm në kohëra, pasi krijojnë psikologjinë e një pjese të kombit. Mirë bëjmë e më mirë do të bëjmë për këtë lloj letërsie dokumentare. Fjala është për njohjen e këtyre vlerave matanë nëntë maleve e nëntë fushave.

 

“Gjerdan fjale” është e duhet të jetë pjesë kulturore e Matit. Dhe vetë Mati autorit duhet t’i jetë mirënjohës. Kopje të tilla t’i kenë bibliotekat e qyteteve kryesore të vendit, që ato të bëhen pronë kulturore e Shoqatave dhe shkollave shqipe në Diasporë. Sa mirë do ishte që fëmijët e të rinjtë t’i edukonim që libra të tillë si “Gjerdan fjale” të ishin në bibliotekat e shtëpive. Shtëpitë e reja apo dhe vilat e reja kanë sot objekte të shtrenjta, lule të sjella nga Dubai apo dhe pishinë, majmunë, lodra e arusha të ardhur nga mbarë bota, por nuk kanë brenda shpirirtin e krahinës së tyre, me të cilën duhet të rriten fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve.