“Mozaik vitesh me aromë folklori”, monografi kushtuar artistit matjan Ikli Punavija


Ikli Punavija
Ikli Punavija

Fatmir Neli, Burrel – 18 Mars 2020

 

Shkrimtari i njohur matjan Hamdi Hysuka, njëherazi kryetar i Klubit letrar “Pjetër Budi”, Mat, vjen para lexuesve me librin e tij të katërt, monografinë “Mozaik vitesh me aromë folklori”. Kjo monografi i kushtohet artistit të ri matjan, por me një karrierë të pasur muzikore ndër vite, instrumentistit Ikli Punavija, me rastin e 30-vjetorit të lindjes së tij, nga të cilat 18 vite i ka jetë artistike. Siç shkruan redaktori i këtij libri, Gjokë Dabaj, në parathënie : « Ikli Punavija, përmes luajtjes në instrumente të tilla si lauri, fyell, bilbil, e çifteli, kërkon të lërë gjurmë në historinë e veprimtarisë shpirtruajtëse e gjallëruese të folklorit të kombit tonë. »

Në këtë monografi lexuesi nuk njihet vetëm me karrierën e pasur artistike të një instrumentisti talent, siç është Ikli Punavija, por dhe të dhjetëra emrave virtuozë të kultivuesve dhe interpretuesve të muzikës popullore, jo vetëm në Mat, por anembanë Shqipërisë dhe në diasporë. Ikli Punavija ka një synim, tashmë që udhëheq edhe Grupin folklorik “Petralba” të Bashkisë Klos, të organizojë dhe të harmonizojë punën mes këtyre artistëve e grupeve shqiptare për të ruajtur traditën dhe tabanin e kulturës sonë folklorike.

 

Për herë të parë Ikli Punavija u ngjit në skenë para artdashësit matjan në vitin 2002 dhe më pas suksesin e tij si instrumentist e provoi duke marrë pjesë në evente artistike të ndryshme në Republikën e Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi etj. Si produkt i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat e më pas i Ansamblit Folklorik “Mati”, Ikli Punavija u bë personazh i një morie çertifikatave dhe vlerësimeve, si dhe i mjaft shkrimeve kulturore në masmedian e kohës, brenda e jashtë atdheut, që nga viti 2007 e deri në sot. Gjatë kësaj kohe Ikli Punavija dha një kontribut me vlerë në ruajtjen dhe përçimin e folklorit matjan edhe duke qenë në krye të Shoqatës Kulturore Artistike Talentet e reja “Ahmet Zogu” Mat, që kur u themelua në vitin 2010. Këtë përvojë të fituar në këtë Shoqatë, në ruajtjen e traditës dhe më së shumti në përgatitjen e brezit të ri për të përfaqësuar Matin e vlerat e tij autoktone etnomuzikore, Ikli e praktikoi dhe e çoi më lart në themelimin e Grupit folklorik “Petralba” të Bashkisë Klos në vitin 2017, një risi kjo për këtë Bashki, ashtu siç është risi dhe organizimi i Festivali Folklorik Kombëtar “Festfolk Klosi”, nga ky Grup folklorik, sapo mbushi 1 vjeç e në vijim.

 

Autori i librit “Mozaik vitesh me aromë folklori”, Hamdi Hysuka, ka renditur bukur në kapitullin e fundit të kësaj monografie shkrime dedikuar punës që po bën Ikli Punavija, modeli i një artisti në karrierë, që mbajnë autorësinë e artistëve me zë brenda e jashtë atdheut, deri në New York të SHBA-ve, si për t’i dëshmuar lexuesit se, kush punon për të mbajtur gjallë vlerat e këtij kombi, vlerësohet e duhet të vlerësohet, jo vetëm pas vdekjes, por edhe përgjatë karrierës së tij. Nuk ka rëndësi cila është mosha jote sot. Nuk je kurrë shumë i ri, as shumë i moshuar për të arritur suksesin apo gjërat që dëshiron. Kujtojmë se dhe shkrimtarja Rouling ishte vetëm 30 vjeç, kur përfundoi dorëshkrimin e parë të Harry Potterit.

 

Fatmir Neli, gazetar i “Mat TV”

Klubi Letrar P. Budi