1976 / Pushimet e mësuesit 22-vjeçar anglez nga Market Harborough në Shqipërinë komuniste


«Ato ishin flokët e mi dikur...» — Philip Burbidge, tashmë me flokë të prerë shkurt anash dhe prapa, i hedh edhe një herë një sy listës së rregullave «çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet» për pushimet e tij, të hartuar nga autoritetet shqiptare. — Burimi : Harborough Mail, e enjte, 29 korrik 1976, ballinë.


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Korrik 2026

 

Gazeta angleze “Harborough Mail” ka botuar, të enjten e 29 korrikut 1976, në ballinë, rrëfimin asokohe mbi përgatitjet e udhëtimit të një mësuesi anglez 22-vjeçar drejt Shqipërisë komuniste, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Pushime ndryshe nga të tjerat ?

Philip-i rregullohet për vizitën në Shqipëri

 

Burimi : Harborough Mail, e enjte, 29 korrik 1976, Ballinë.
Burimi : Harborough Mail, e enjte, 29 korrik 1976, Ballinë.

Pushimet e një 22-vjeçari nga Market Harborough në Shqipërinë komuniste u shndërruan në një përvojë të pazakontë që para se ai të largohej nga vendi i tij.

 

Sepse Philip Burbidge, nga 225 Welland Park Road, Market Harborough, duhej të priste flokët përpara se autoritetet shqiptare ta lejonin të hynte në vend.

 

Për të marrë vizën për pushimet e tij dyjavore, Philip-it iu desh t’u përmbahej një liste të gjatë dhe të hollësishme «kërkesash».

 

Përveç prerjes së flokëve shkurt anash dhe prapa, atij nuk i lejohej të vishte pantallona me fund të zgjeruar (flared) apo këpucë moderne.

 

«Ngjyrat e ndezura dhe stilet moderne të veshjes nuk janë të pranueshme», thonë autoritetet shqiptare.

 

Megjithatë, pikërisht këto kufizime – dhe ka edhe shumë të tjera – ishin ato që e tërhoqën mësuesin nga Harborough drejt këtij vendi.

 

«Fakti që është kaq e vështirë të hysh atje e bënte edhe më tërheqës,» tha Philip, i cili punon në shkollën fillore Great Bowden. «Sa më shumë kufizime, aq më e madhe ishte tërheqja.»

 

«Vendi është një enigmë e vërtetë. Dihet shumë pak për të, sepse pak njerëz lejohen të hyjnë, ndaj doja të mësoja më shumë.»

 

Philip-i nuk u lejua të hynte në Shqipëri deri këtë javë për shkak të «problemeve të brendshme». Më në fund ai u nis të hënën me avion përmes Jugosllavisë.

 

Nga aeroporti pritej të dërgohej në një kompleks hotelesh në Durrës.

 

Atij i ishte thënë se kompleksi ishte i ndarë nga pjesa tjetër e qytetit dhe se, nëse dikush dëshironte të vizitonte zonën përreth, do të shoqërohej nga një udhërrëfyes turistik.

 

«E vetmja gjë që më frikëson është se mund të bëj pa dashje diçka të papranueshme,» tha Philip. «Ne jetojmë në një vend ku lejohet pothuajse çdo gjë, por ata nuk ka gjasa të jenë kaq mirëkuptues.»

 

Të paktën, nëse i përmbahet rregullave të përcaktuara qartë, Philip duhet t’i shijojë pushimet e tij të disiplinuara. Siç shprehen autoritetet shqiptare: «Nëse nuk prisni mrekulli, mund të mbeteni të kënaqur nga ajo që do të gjeni.»

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/1976-pushimet-e-mesuesit-22-vjecar-anglez-nga-market-harborough-ne-shqiperine-komuniste/. Në rast të kundërt mos e publiko.