Gurët e bardhë të Matit dhe kënga e re “Mbeta kthjellun Mat-matjan”


Hamdi Ruka
Hamdi Ruka

Nga Fatmir Gjestila, Tiranë – 9 Qershor 2019

 

E dija që Hamdiu vinte nga një odë, ku zëri dhe mendimi muzikor folklorik ishin dëgjuar me kënaqësi e respekt përgjatë breznive. Fillimisht, në fëmijëri e në rininë e parë, kisha admiruar zërin dhe talentin e Esatit, që kur na kishte mësuar se si të rriteshim teknikisht në instrumetin e çiftelisë.

 

Më vonë, kisha bashkëpunuar me Hamitin, vëllanë e dytë të Esatit, për ringritjen e grupit folklorik të fshatrave të zonës dhe kisha mësuar se, edhe Hamdiu, vëllai i tyre i vogël, ishte pjesëmarrës i talentuar i grupeve folklorike. Vite të tjera më pas kisha dëgjuar të thuhej se i ati i tyre, Isuf Ruka, me zërin e tij, bënte që  të "pajkej gjethja e lisit".

 

Por Hamdiun nuk e kisha dëgjuar të këndonte. Rastësisht e dëgjova disa muaj më parë në një improvizim në Facebook. Nuk më është dhënë të them e të shkruaj fjalë lavdëruese për çka nuk kam ndjerë emocionalisht, por, me sa më kujtohet, atë ditë e urova për gjithçka dëgjova. Disa ditë më pas e ndoqa në emisionin folklorik "NGA TRADITA"  të TOPESTRADA TV- Tetovë: zë i pastër, i spikatur dhe disi i veçantë.

 

Një ditë, pas këmbimit të disa mendimeve përmes rrjeteve sociale rreth këngës folklorike matjane dhe mundësive për ta shpaluar edhe më bindshëm atë, aty nga fillimi i muajit prill, Hamdiu më ftoi për një kafe. Në ato ditë ai po mëkëmbte një këngë për Ukshin Hotin, fragmente të së cilës m'i kishte përcjellë: i kisha dëgjuar e më kishin pëlqyer. Gjatë bisedës, Hamdiu tha fjalë të mira për disa nga vargjet që publikoja herë pas here dhe, ndërkohë, shtoi se do të donte të kishte në repertorin e tij një këngë për Matin.

 

Gjer në atë çast, që prej shumë ditësh, nuk e kisha ndërmendur "Mbeta kthjellun Mat-matjan", një tekst kënge të hedhur në letër përtej dy viteve. Përpiqesha ta "harroja". Vura buzën në gaz. Disi hidhur. Hamdiu e kapi atë reagim, po edhe ai vetëm sa vuri buzën në gaz. Pak i habitur. Edhe unë kisha dashur prej shumë e shumë vitesh, mbase që në rininë time të hershme, të dëgjoja një këngë ndryshe për Matin, një këngë që të guxonte për të rrokur gurët e bardhë të Matit. E vështirë. Shumë. Gjithë hapësirën shumëdimensionale matjane nuk guxonte ta ngërthente një histori e tërë e jo më një këngë e, megjithatë, vargu dhe nota, disa herë janë aq marroke në emocionalitetin dhe fluturimet e tyre artistike, sa guxojnë të flasin pa u menduar gjatë, por sinqerisht e me fjalë zemre dhe krenarie për vendlindjen.

 

Fola. E kam një këngë për Matin, thashë, por, më përpara më duhet ta tërheq prej nga e kam flakur. Hamdiu veçse më vështroi, këtë herë edhe më me habi, si për të më thënë të flisja më qartë. Flasim një ditë tjetër, thashë duke qeshur.

 

Vargjet e tekstit, që endeshin prej afër dy vitesh nëpër fjalë të mira e premtime duke kërkuar sponsorizime për studio e videoklipe, më bëheshin të jetimtë. Më dhimbseshin. Të nesërmen, me t'i tërhequr, ia dërgova vargjet Hamdiut. Ndërkohë, e dija vështirësinë e tyre. Isha munduar që nëpër to të mos ketë fjalë të rëndomta e rima të stisura, por njohje, frymë matjane dhe mendim. E dija që vargje të tilla i "trembnin" këngëtarët. Por Hamdiu i rroku vargjet menjëherë. Melodia, theksi, qartësia e zërit gjer në një lloj gdhendjeje të ëmël të notave dhe shqiptimi i kthjelltë i çdo foneme e fjale, i bënë vargjet të enden në një lloj marramendje të bukur artistike. Urova të bëhet kënga. Tashmë vargjet nuk më përkisnin mua. I ndjeja te Matit. I ndjeja të këngës. Dhe kënga u bë.

 

Hamdiu nuk priti gjatë. Pas pesë ditësh më habiti me lajmin e gëzuar: "Mbeta kthjellun Mat-matjan" e kishte hedhur hapin e parë, studion. Dhe sponsor kishte qenë dashuria, dashuria për vendlindjen. Askush tjetër. Hamdiu po më habiste jo vetëm me zërin e tij, por edhe me përkushtimin e dashurinë për këngën dhe vendlindjen. Do të bëjmë edhe ilustrime filmike për këngën, më tha disa ditë më pas, ashtu si e sa të mundim, kam biseduar me Bertin. U ndjeva aq i gëzuar! E njihja mirë Bert Nezirin dhe shpirtin e tij fisnik.

 

Edha Berti sponsor do të kishte dashurinë për vendlindjen. Në atë çast m'u kujtua E Shenjta, Nënë Tereza:"Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.” S'ka gjë, le ta quajmë të vogël këngën, Mati është hapësirë e madhe, në të cilën kënga është një bulëz e purpurtë.

 

Dhe, një ditë të shtunë, u nisëm me një makinë "Fiat". Ishim nëntë: këngëtari, veshja popullore, çiftelia, shoferi dhe operatori (Berti), kamera, droni,  autori i tekstit dhe... Më thanë të jem edhe regjisori. Qesha. E pranova.

 

Hamdi Ruka, Fatmir Gjestila dhe Bert Neziri
Hamdi Ruka, Fatmir Gjestila dhe Bert Neziri

Arritëm herët në Bruç. Aty na priti Nazmiu, Hamiti, Skënderi, Esati... Me ne u bë edhe Albani, i cili na ndihmoi shumë.

 

Aty i nisëm regjistrimet. Aty edhe pushuam. Qemë lodhur, por që të tre qëlluam kërkues. Shutrreja na e hoqi lodhjen. Vetëm sa e kishim nisur punën. Pasi xhiruam disa plane në vendlindjen e Hamdiut, morëm drejt Burrelit. Pika tjetër orientuese, thuajse e gjithë xhirimeve do të ishte Burgajeti, nga ku këndvështrimi është i gjerë dhe rrok një pjesë të mirë të Matit. Aty qëndruam gjatë.

 

Në Kodrën e Sarajeve frynte një erë e lehtë që të hynte në shpirt e të bëhej këngë. Mbase ishin emocionet që përçonte historia. Mbase ajo, historia, ndihet edhe së brendshmi.

 

Mbarojmë xhirmet dhe, teksa bëhemi gati të lëvizim, provojmë një rastësi të bukur: në ata anë kishte qenë edhe Esat Ruka. Një ogur mjaft i mirë: një mendje më thoshte se edhe ai ishte për xhirime atë ditë. Takohemi, urojmë njëri-tjetrin dhe marrim udhën teposhtë, drejt qytetit. Ditë më pas do të mësonim se edhe Esati kishte qenë për xhirime: ai do të na jepte lajmin e mirë të lindjes së një këngë për Tahir Matën, interpretuar mjeshtërisht prej tij. Pas një dite Berti do të na jepte lajmin e shumëpritur se montazhi kishte përfunduar dhe Hamdiu do të publikonte këngën "Mbeta kthjellun Mat-matjan".

 

U përlota. Dhe m'u kujtua përsëri thënia e Nënë Terezës. Dhe qesha hidhur kur i mendova sponsorizimet në këto anët tona. Nëse do të marrësh mbështetje të tillë, mendo se do të duhet të bjerrësh jo pak nga liria e të krijuarit: të sajosh një trim a një ndodhi, të zhbësh dikë a të ngresh me baltë një statujë. Këtë radhë kishte ndodhur ndryshe.

 

Dashuri për Matin nuk kërkoi sponsor. Ishte fituar edhe një këngë tjetër për Matin dhe matjanët. Zëri i Hamdiut i kishte bërë të këndonin përsëri gurët e bardhë të Matit. Dhe e gjithë kjo duhej të përcillej diku ku të lexohej e të jehonte më shumë. Mbase ia vlente. M'u kujtua Aurenc Bebja. Përsëri, edhe me Aurencin, sponsor do të ishte dashuria për Matin. E dija. Qofshi e u shtofshi jetë e mot të bardhë, o gurët e bardhë të Matit!

 

© Fatmir Gjestila

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania

 

 

Videoklipi :

Teksti i këngës

 

-------------------------------------------

Mbeta kthjellun Mat-matjan

-------------------------------------------

 

-I-

 

Mij’ra vjet n’krye t’Dejës

çeli synin di’ll e hanë;

kang’ e xham e n’log t’betejës,

mbeta kthjellun Mat-matjan.

 

Prej lasht’sie piskam’ sjell

përm’i krye nji shqiponjë;

në çdo grykë nji kështjellë,

ngrita zemrën si vendrojë.

 

Rreth e qark luginës sime

krenojn’ malet si bajrakë,

përkund djepe, kang’ trimnie

në xhamadane tuj përflakë.

 

 

-II-

 

Jam këtu prej Neolitit,

jam ilir e jam arbnor,

nëpër shekuj fis, pas fisit,

përkrenare dhe kurorë.

 

Që nga Bato gjer te Gjoni,

ru’j e flas veç një emër:

Mat-matjan mua më thoni,

Gjergjin tim e mbaj në zemër.

 

Përmbi sy t’asaj Shutrreje

gjallon po, kala e Bruçit;

boron bora lot prej Deje

mbi kështjellën e Stelushit.

 

 

-III-

 

Prej Stelushit n’Ur’ të Vashës,

hidhet shqipja si rrufe,

çon nji lajm n’kala t’Petralbës:

Gjergji ynë rron ndër ne.

 

Në ato gryka, mot pas motit,

Gjergji prap lëshon kushtrim:

“në përkrenare, në gjuh’n e Zotit

gdhenda emnin e Matit tim.”

 

Në Shën Trini ku Gjergji m’soi

n’gjuh’ të Prellit, fort të shtrenjtë,

shqip n’Arbni Zoti shkroi:

“Në emën t’Atit, Shpertit Shenjtë.”

 

 

-IV-

 

N’ Gur’ të Bardhë e gjith Mates

fort mirë Budi ligjëron,

si poet i parë i shqipes,

kryelartë ai rri në fron.

 

Ndër kuvende thirre shqipe

si të deshi Kastrioti,

si kala kullat i ngrite

dhe çdo kullë dingë baroti.

 

Djep' i Matit përkund burrin,

i dha Shqipes prapë kunorë:

naltoi shtetin dhe flamurin

Mbreti Zog si mal me bor’.

 

 

-V-

 

Dallg e plag' t’erdh historia,

Mati im, ti s’ule krye,

vise, veshje, kang’t e mia

i knove shqip e papërlye.

 

Vitet shkojnë, e vitet vijnë,

për ty flet veç e vërteta:

mat e prit gdhend historinë;

Mat-matjan i kthjellun mbeta.

 

Mati im ke fjalën fjalë

djep trimnie prej gur stralli

vetëm dheut i je falë,

të ka kombi nur te balli.

 

 

© Fatmir Gjestila

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania