Ky është Gjokë Dabaj


Fotografi dërguar nga Hamdi Hysuka
Fotografi dërguar nga Hamdi Hysuka

Nga Hamdi Hysuka, Burrel – 5 Mars 2018

 

Ditëlindja e mësuesit, shkrimtarit dhe studiuesit, Gjokë Dabaj, u kthye në një festë familjare. Shtëpia e tij në Shkozet hapi dyert për miq e shokë, lexuesit dhe dashamirët e tij të shumtë. Mes të tjerëve, jetë të gjatë, shëndet e krijimtari të suksesshme si deri tani, i uruan prof. dr. Pëllumb Xhufi, dr. ing. Mark Palnikaj, Hamdi Hysuka, kryetari i Klubit Letrar "Pjetër Budi" Mat, Xhemajl Murtezi nga Tërpeza e komunës së Vitisë në Kosovë e shumë të tjerë.

 

Është nga fshati Shestan i komunës së Tivarit. Arsimin bazë e mori në Tivar dhe Ulqin. Pastaj në Prishtinë e Prizren studjoi për mësuesì. Gjuhën shqipe dhe dashurinë për Shqipërinë e kishte të gjallë. Është ndër të rinjtë e shkolluar atje që kërkuan lidhje me shtetin amë, njëri prej themeluesve të organizatës patriotike “Liria”, e cila kishte për mision bashkimin e shqiptarëve, komunikimin kulturor e fizik mes tyre. Në vitin 1962 arratiset nga ish-Jugosllavia dhe vendoset në Shqipëri, ku mbaron arsimin e lartë dhe punon mësues në disa rrethe të vendit, kryesisht në Klos të Matit. Pas daljes në pension, si pasojë e ikjeve masive nga zonat periferike të Matit, edhe Gjoka, në kërkim të një jete më të mirë, u vendos familjarisht në Shkozet të Durrësit.

 

Gjokë Dabaj është publicist i njohur, autor i  disa librave historikë, studimorë e artistikë. Ndër vite ka botuar veprat: “Shestani”, studim filologjik gjthpërfshirës, vëllim I, II; “Ta kisha një forcë të madhe”, poemë shqip dhe sllavisht; “Prush plagësh të pambyllura”, poemë elegjiake për masakrën e Tivarit; “Prush mbi ujë”, përsiatje poetike; “Fjalor i Selman Rizës”, vepër leksikografike; “Strategjia e shqiptarëve”, manifest kombëtar; “Në rrugë rreziqesh me vetëdije”, jetëshkrim (bashkautor); “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit”, shqyrtim shkencor i një libri të I. Jovoviq; “Kriza e arkivistit”, kronikë beogradase, roman; “Apostol Barko-Malëshova”, jetëshkrim; “Rrnoj edhe unë për me tregue”, analizë ngjarjesh historike.

 

Gjithashtu në portalin “Pashtriku.org” ka shkruar mbi 10 libra online, shumë poezi, prozë, reportazhe e kujtime, analiza veprash, lëndë shkencore dhe shkrime studimorë.

 

Siç shprehet prof. Agim Vinca, romani i tij “Kriza e aktivistit” është një dëshmi e tmerrshme e krimeve të shtetit serb mbi shqiptarët në një periudhë shumëvjeçare, një libër i tmerrshëm në kuptimin e plotë të fjalës, nga i cili mund të shihet se deri ku arrin urrejtja njerëzore, në këtë rast urrejtja serbe ndaj shqiptarëve, e frymëzuar nga hegjemonizmi dhe shovinizmi shtetomadh.

 

Gjokë Dabaj është autor dhe i një projekti kombëtar, i quajtur “Përkujdesja gjthshqiptare”. Sipas tij, ky institucion kërkohet të ndjekë trashëgimisht rrugën e Komitetit të Stambollit, themeluar në Stamboll në dhjetor 1877, prej një grupi rilindësish tanë më të përkushtuar. Si seli të përhershme të këtij institucioni ka menduar Prizrenin, sepse aty është realizuar i pari bashkim i mirëfilltë kombëtar në historinë tonë të re.

 

Autorësinë e tij mbajnë dhe projektide të tjera, ku veçojmë atë me titull “E nesërmja e Matit”. Në veprimtarinë e tij botuese në gazetat ditore dhe portale online përfshihen shumë opinione, refleksione dhe reagime me tematikë gjithkombëtare.

 

Sipas një përllogaritjeje janë afërsisht 350 krijime me 5500 faqe format A4. Në arkivin e tij gjenden dhe shumë krijime të papublikuara, të cilët përbëjnë rreth 40 vëllime, mesatarisht me nga 300 faqe.

 

Sot Gjokë Dabaj cilësohet një Sokrat i paepur dhe idealist tipik, burrë që të vërtetën e thotë troç, pavarësisht pasojave të mundshme nga rojet e territ, pavarësisht sesi do ta interpretojnë gojë e truçjerrët.

 

***

 

Për më se 20 vjet qëndrimi në trevën e Kryematës, Gjokë Dabaj ka zhvilluar një punë gjurmëlënëse në fushën e mësimdhënies, kërkues dhe praktikues i metodavet shumë efikase, gjurmues e grumbullues i pasurisë folklorike dhe etnokulturore të zonës, hartues i një vargu temash shkencore nga fusha e pedagogjisë, në folklor e gjuhësi, veçanërisht në leksikografi.

 

Kur e pyesim se sa matjan ndjehet, përgjigjen e ka emocionuese dhe të ngadaltë :

            

             “Dua të jem i sinqertë: Ndjehem në radhë të parë, tërësisht dhe për gjithë jetën, shestanas nga krahina e Tivarit. Madje, jemi munduar, edhe Fotinia, edhe unë, t’ua ngulitim edhe të 5 fëmijëvet tanë vetëdijen se janë shestanas. Dua të të them edhe këtë : E kujtoj vendrrënjën time me dhimbje të papërshkrueshme, sepse shumica e bashkëkrahinasvet të mi po rrëshqasin dita-ditës drejt shkombëtarizimit. Ç’mund të bëj unë për Shestanin tim ? Mund, vetëm të shkruaj dhe, në arrifsha, në kuadrin e “Përkujdesjes gjithshqiptare”, të lë, edhe mbas vdekjes sime, një udhë shërimi e rikthimi te gjuha shqipe dhe te traditat që Shestani i ka pasur nga më të bukurat e krejt Shqipërisë.

            

             Kam një pjesë të shpirtit në viset e Kosovës, në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Therandë, sepse kam jetuar atje dhe kam kaluar në ata vende një jetë sa të rrezikuar, aq edhe të mbushur me ndjenjë sadisfaksioni.

            

             Një pjesë të shpirtit e kam edhe në Tepelenë, në Përmet e në Korçë. Me krejt Jugun tonë, me atë Jug shqiptar të përgjysmuar, lidha, fatmirësisht, edhe familjen time, që do të thotë se mbasardhësit e mi do të kenë edhe gjak të atij Jugu.

            

             Në Tiranë kalova katër vjet të bujshëm studentorë. U mbush tashmë një gjysmë shekulli dhe, të gjithë sa jemi shoqe dhe shokë të asaj kohe, i mbajmë lidhjet sikur të ishim të një familjeje. Të gjithë e dimë që jemi plakur tashmë, por nuk duam ta pranojmë. Kemi qenë një qindëshe që ka lënë gjurmë në historinë e Filologjikut.

            

             Tash kemi një çerek shekulli që jetojmë këtu, në hapësirën Durrës-Shijak-Tiranë. Me fqinjët, që i kam rretherrotull, ndjehem si të isha pjesëtar i këtij fshati denbabaden. Gëzime e hidhërime i kemi bashkë dhe, kur largohemi prej shtëpiet, nuk kemi nevojë ta mbyllim portën me dry.

 

- Po për Matin ç’të mbeti? – e ndërpres jo pa emocione.

            

             Mbeta prapë i tëri i Matit! Mbeta i tëri i Matit dhe për Matin, sepse shpirti i njeriut nuk është si një copë gur që, kur ta kesh lënë në një vend, ai të mos mund të gjendet njëkohësisht edhe në një tjetër vend.

            

             Me Matin mua më është lidhur pjesa më e rëndësishme e jetës, sepse ka qenë puna e atillë. Të jesh mësues dhe sidomos të jesh i vetëdijshëm se je mësues, do të thotë që pjesë të mendjes tënde, pjesë të moralit tënd dhe pjesë të edukatës tënde, deri te mënyra e të folurit, të ecurit apo të qeshurit tënd, do të kalojë, do të interferojë te qindra nxënësit e tu. Midis masës së nxënësvet dhe mësuesit, veçanërisht kur kalon një kohë të gjatë midis tyre, krijohen marrëdhënie shpirtërore aq të pashkëputshme, sa ata i merr malli për njëri-tjetrin, sikur të ishin pjesëtarë të së njëjtës familje. Tani, një pjesë e tyre janë mbi 50 vjeç, por mua pandërprerë më ngacmon kërshëria: Çfarë arsimi të mëtejshëm kanë marrë, si u ka shkuar jeta në familje, ç’fëmijë kanë, ku jetojnë, në Atdhe apo diku nëpër botë? I kujtoj kur i kisha në klasë. Krenohem me ata që kanë arritur diçka në jetë dhe përjetoj një lloj mburrjeje, se edhe unë kam sado pak meritë në sukseset e tyre. Ndjej dhimbje kur dëgjoj që ndonjëri s’është atje ku duhej të ishte apo që, në këtë kohë të vështirë, ka rënë në varfëri. Tërësia e nxënësvet të mi, që të gjithë të trevavet të Klosit, përbën për mua një familje të madhe.

            

             Vitet që i kaluam në Fullqet, në fshatin Fshat dhe në Klos, janë plot e përplot me mbresa. Aty përpunova metodat e mia të mësimdhënies, i përsosa nga viti në vit metodikën dhe pedagogjinë time vetjake dhe arrita ta konsideroj veten specialist të kësaj fushe, ashtu siç e konsideron veten specialist të fushës së tij një inxhinier. Punova shumë me bibliotekën shkollore, e cila për nxënësit e mi duhej të ishte ara që duhej korrur ditë për ditë, javë për javë, muaj për muaj e vit për vit. Punova me rrethin e letrarëvet të rinj, punova me recituesit, me grupet atistikë dhe me teatrin e nxënësvet, bashkë me Fitor Muçën, Avni Hoxhën e kolegë të tjerë. Ish fati ynë dhe i asaj shkolle, që kishim një drejtor me fuqi e vullnet titanik, i cili nuk dinte ç’është lodhja. Dhe ky ishte miku im me vlera të mëdha, Ahmet Çollaku.

 

***

 

Heshti për një çast, por pati edhe shumë për të thënë.

            

             “Dëshira pa fund! Punë pa fund! Të meta dhe pengje pa fund! Asnjë orë mësimi nuk kalonte pa një merak: Ah, si gabova aty! Ta kisha thënë ndryshe! Ta kisha bërë ndryshe! Disa nga pengjet më shoqërojnë edhe sot e kësaj dite. Lidhja jonë e ngushtë me banorët midis të cilëvet jetonim, nuk u manifestua vetëm në aspektet që kishin të bënin me shkollën dhe me edukimin. Lidhja jonë dhe shkrirja me ata banorë të Kryemates u shpreh në të gjithë spektrin e jetës, deri edhe në ekonomitë tona familjare. Ne ishim familje me pesë fëmijë dhe shpesh na ndodhte që, në fund të muajit të na mbaroheshin lekët. Në të tillë raste, kujtdo që t’i drejtoheshim, do të na i huazonte aq para sa na duheshin. A nuk është ky një shembull që, përveç në Shqipëri, askund ose rrallë në botë mund të haset?! Si mund të harrohet një zemërgjërësi e tillë e pashembullt? Dhe, përballë një të tillë zemërgjërësie, a mund të mos ishim edhe ne korrektë për t’ua kthyer huatë në afatin e caktuar?

 

- Zyrtarisht, shtetërisht për punën që keni bërë, - e pyes në vazhdim, - sa stimuj, tituj apo dekorata zotëroni, me vulë e me firmë ?

            

             Edhe unë po të pyes ty: “A ka stimuj e dekorata më të bukura se të ruash të këtillë kujtime nga vendi ku ke punuar?” Megjithatë, para vitit 1990 mua më janë dhënë: një medalje “Naim Frashëri” dhe një çmim i dytë në shkallë rrethi për një novelë që e kisha paraqitur për konkurs. Kemi marrë herëpas’here, edhe Fotinia, edhe unë, fletë nderi, të cilat u jepeshin në atë kohë punonjësvet më të dalluar. Ndërkaq, në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, më është akorduar titulli “Qytetar nderi” i Bashkisë së Klosit.

            

             Por nuk do harruar një e vërtetë. Unë kisha kryer veprimtari ilegale në Kosovë, në Ulqin e në Tivar. Në gjyqin që u është bërë shokëvet të mi, anëtarë të grupit ilegal “Liria”, vetëm në pretencën e prokurorit, emri im përmendet më shumë se 30 herë, (e kam atë dokument). Njerëzvet të tillë UDB-a ka arritur t’u vërë prangat edhe këtu, në shtetin shqiptar. Dënimi i tyre, pa dyshim, ka qenë vepër e zbulimit jugosllav me anë të shërbëtorëvet që i kishin në Ministrinë tonë të Brendshme dhe në organet e tjerë. Por, në rastin tim, dora e UDB-s nuk arriti të zgjatet deri në Mat dhe unë për këtë u jam mirënjohës pikërisht matjanëve, të cilët në mënyrën e vet më kanë mbrojtur. U jam mirënjohës gjithashtu edhe atyre kuadrove, të cilët kanë pasur në dorë për të më bërë keq edhe mirë, por ata, për arsyet që vetë ata i dinë (ose i dinin, sepse mund të mos jenë më gjallë), zgjodhën për të mos më bërë keq.

            

             Arrita kështu në këtë shkallë pleqërie. Mati ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në shpirtin e ne të dyve si bashkëshortë, por edhe te fëmijët tanë, që u lindën dhe u rritën në atë ambient të mrekullueshëm njerëzor dhe natyror. Një meritë shumë të madhe, në mjaft raste vendimtare, në të gjitha këto që thashë, ka, sigurisht, edhe shoqja ime e jetës Fotinia, bashkëkrijuesja e familjes dhe koleg‘ja ime më e afërt në punët tona, si mësues dhe si edukatorë, në Klos dhe në të 14 fshatrat e Kryemates.

 

Nuk ka dyshim se në historinë e letërsisë shqipe, për kontributin e çmuar që ka dhënë e jep në gjininë e prozës, poezisë dhe letërsisë dokumentare, Gjokë Dabaj zë një vend të vlerësuar.

 

Ky, pra, është Gjokë Dabaj, figurë dinamike, pasionante, atdhetare dhe patriotike. Siç shihet, gjeografia e jetës dhe e veprimtarisë së tij krijuese është mëse e larmishme, vlerë dhe çmim, që kujtesa dhe historia e vlerësojnë dhe do ta çmojnë.

 

© Hamdi Hysuka

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania