Mjeda për Budin. Revista LEKA



Avni Dani, Tiranë - 8 Maj 2016

 

Revista LEKA është një nga botimet më jetëgjata të periudhës së mbretërisë së Zogut deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Numri i saj i parë del në Shkodër në prill të vitit 1929 për të vijuar të jetë një botim me shumë rëndësi deri në fund të vitit 1944.  LEKA – akronim i Lidhjes së Edukatës Kulturës dhe Argëtimit ishte një botim i shoqatës më të njëjtin emër të themeluar në Kolegjën Saveriane në Shkodër nga 38 ish nxënës të kësaj shkolle të jezuitëve.

 

Edhe pse një botim me ngjyrim katolik revista do të ishte e hapur që nga themelimi i saj (mes themeluesve të parë ishin edhe 3 vetë të besimit musliman), për të gjithë problemet e mëdha të jetës së vendit që ishin bërë pjesë e debatit në të gjithë publicistikën e kohës.

 

Për vetë natyrën e saj kjo revistë është më e pasura me shkrime që kanë të bëjnë me Pjetër Budin. Në shumë numra, duke nisur nga fillimet në vitin 1930 e deri në 1940 aty do të pasqyrohen gjini të larmishme shkrimesh të cilat kanë për objekt shkrimtarin e hershëm më të madhin e kohës së tij, Budin.

 

Seria e shkrimeve hapet me një reportazh, nga më të bukurit e të gjithë publicistikës së asaj kohe të titulluar “Kah trojet e Budit”, botuar në numrin 4 të vitit 1930. Autor i saj është Kol Mjeda i cili edhe pse nga Shkodra pjesën më të madhe të karrierës së tij, herë si deputet e herë si prefekt, do ta kishte të lidhur me Dibrën, krahinë në të cilën ishte edhe fshati i lindjes së Budit. Udhëtimi i tij për në Gur të Bardhë, në shoqërim të Ndre Mjedës, asokohe deputet i Shkodrës, do të ishte një ngjarje e rëndësishme e kohës. Kjo duket në faktin se përvec LEKA-s për të shkruan edhe gazeta të tjera të kohës sic është rasti i “Vullneti i Arbërisë”, datë 20 qershor 1930, që botoi shkrimin “Një vizitë shkencore në Gurin e Bardhë”.

 

Ka qenë një dëshirë e madhe e Ndre Mjedës për të shkuar në gjurmët e Budit ajo që i bën ata të ndërmarrin një udhëtim të vështirë me kuaj dhe të përshkruar me hollësi në reportazh. Pas një përcjellje nga një shënim i redaksisë së revistës, vjen reportazhi i cili që në krye flet për qëllimin e atij rrugëtimi:            

 

Sikuersè âsht pa edhè nder shtylla të fletoreve të kryegjytetit, udhtimi i êm me të Nd. Zotni Don Ndré Mjeden ka pasë per qellim vetem studimin mbî nji botim të Don Pjeter Budit, prej Gurit të Bardhë, të shtypun në giûhë amtare në vjetin 1621. Me 19.6.1930 kalueme Tufinen edhè Shkallen e Tujanit, kû syni nuk ka të ngim tue e pa at bukuri natyre, e, kah ora 20.30 mrrijtme në vendin e caktuem për bûje t’asajë natë, qi thirret « Hani i Zallit » kû kjeme pritë s’ka ma mirë prej Jashar Bejt, i dibranë.

 

Pasi përshkruan vijimin e rrugës autori flet për mbërritjen në Gurin e Bardhë dhe takimin me një pasardhës të Budit, Ibrahim Budin.

 

Mandej bashkë me Ibrahim Boedin duelme me shetitë katundin, e, mas bisedimeve qi bâme me tê, u sugurueme se aj ishte, bashkë me kater familje tjera, prej shpis së Budit.

 

Në takimet me njerëzit vizitorët marrin të dhëna për origjinën e shkrimtarit të vjetër:

 

Muerme vesht prej atyne burrave se « Boedit e majnë vedin se janë fis me nji prift, i cilli nder kohë të veta âsht thirrë Budi, e mas nji lufte të bjerrun në Maqedoni, ka kenë shterngue bashkë me të vett me xanë vend në Gur të Bardhë, kû ka lypë ndimen e Princit të Matjes e, mâ vonë, masi kanë ndollë lidhjet krejt t’afermeve, nuk paskan marrë me shoqi shojnë per arsye relacjonesh familjare.

 

Ata zbulojnë atje një traditë që ka vijuar deri shumë vonë se Katundi prej 300 shpijash s’ka dhanë e marrë prej katundeve e fiseve tjera; prej kndej mund të vertetohet se Gurabardhsit kanë kênë shum mâ vonë kristjan.

 

N’a thanë se tash nja 60 a 70 vjet, per rreth kû kishte pasë kênë shpija e vjeter e Budit, kundrej Xhamis së sotshme, nji plakë tue mihë, paska zblue nji kumonë mjaft të madhe, të cillen i a kishte pasë shitë per 400 grosh nji kallajxhis, e ky i a kishte shitë nji korcullës në Durrës për 10.000 grosh.

 

Dhe vizitorët e nderuar para largimit prej atij vendi ku kishte lindur shkrimtari Budi, vend të cilin ai e shkroi me krenari në kopertinat e secilës prej veprave të veta, do të kuptonin edhe diçka tjetër me rëndësi e cila kishte lidhje me gjuhën:

 

Me gjith se Gurabardhsit kerkojshin tjera dhena, djalekti i tyne, qi ndryshon prej krahinave t’aferme, i giet gadi 50 %  librit të Budit. Ket dishmi i a lâ Z. Dom Ndré Mjedës, qi ka me e ribotue librin sa mâ shpejt tue i bashkue studimet e komentet e veta.

 

Më pas reportazhi vijon me kthimin por tashmë nga një rrugë tjetër nëpër luginën e Matit. Stacionet e radhës do të ishin fshati “Bershê ku na priti, me djelmt e tij, nji burr si motit, Zot. Ahmet Nushi” e më tej “ne nesre u vûeme në rrugë per Burrel”, “e nesre mrama kjeme miqt e Kadis se Matjes, nji burr plot urti”. Një ditë më pas ga Qafa e Shtamës “mas nji udhtimit ndandë orësh mrritme në Krue”.

 

Me këtë udhëtim Ndre Mjeda po konsolidonte në terren njohjet e tij për Budin. Nga ata ditë e deri në vdekje të vet poeti i vargut “mollë të kputuna nji deget” nuk do ta reshtë me punën studimore për shkrimtarin e Gurit të Bardhë, Budin.  

 

Dy vjet më vonë po në revistën LEKA në numrin 7-8, korrik gusht 1932 do të gjejmë një njoftim të shkurtër por që për nga rëndësia nuk është më i tillë. Ai njoftim sjell dicka me shumë vlerë për veprën e Budit. Revista i drejtohet zotit F.F. i cili pa asnjë dyshim tashmë dihet që është profesori Filip Fishta. Ja cfarë shkruhet në njoftim: 

 

Z. F. F. - PARIS - Qyshë në muej të kaluemë na kanë ardhë, gjashtë tefterët me 576 faqe dorëshkrim të librit “Speculum Confessionis” të Timzot Pjeter Budit, të cillin patët mirësin me e pershkrue me aq kujdes e me na dergue. Të jeni të sigurët se gjith dashamirët e letersis shqype e çmojnë fort ket mund t’uej.

Librin “Rituale Romanum” e kemi gjetë në Romë, medje kena çue me marrë do fotografina të cillat në këto dit na kanë ardhë.

 

Në po të njëjtin numër të revistës LEKA Ndre Mjeda nis shkrimin e tij përshkrues të titulluar “Përmbi nji libër të panjoftun të Imzot Pjetër Budit”.

 

Pra ishte zbuluar vepra për të cilën shumë vite më parë kishte folur Konica. Ishte Pasqyra e të Rrëfyemit.

 

Ndre Mjeda i entuziazmuar do të përcillte zbulimin me një shkrim të rastit ku sjell me detaje jetën e autorit, për të vijuar në tre numra radhazi botimin e fragmenteve nga kjo vepër e porsazbuluar e Budit.

 

Ja se si e përshkruan Mjeda në artikullin e tij të parë “Përmbi nji libër të panjoftun të Imzot Pjetër Budit” jetën e autorit:

 

Njimbëdhetë vjet mbas botimit të Iibrit të Buzukut, — o aty pari, — lete në Gur të Bardhë Pjeter Budi, qi pra mund të thohet se kje mocë me të. Mbassi mbaroi këndimet e veta në Loreto, kje ba meshtar njizet e nji vjec, e çue në Misjon të Serbis, atëherë nen sundim t' Argjipeshkvit të Tivarit. Vikar i pergjithtë i dy Argjipeshkijvet Tomë Orsinit e të Marin Bicës e Famullitar i Prekorupës punoi me zëll të madh n’at Misjon, e u gjet pranë Sinodës qi pat mbajtë Pjeter Mazrreku Vikari Apostolik i Serbis në vjetë 1617 të diel e bardhë, ku edhe nenshkruhet: Petrus Budi Capelanue Precopiensis.

 

Më tej Mjeda pas një përshkrimi të rolit të Budit si shkrimtar, duke iu referuar edhe asaj cfarë të huajt kanë shkruar për të, sic është rasti i Mario Roques, Profesor i Sorbonës në Paris, hidhet në përshkrimin e veprave të autorit, duke u përqëndruar ashtu si lajmëronte në titullin e shkrimit tek “Pasqyra e të Rrëfyemit” që deri në atë kohë kishte qenë e panjohur:

 

Vepra ma e parë e tij asht: Doktrina e kërshenë, perkthim i Iir i asaj të Shejtit shë Robert Bellarmin, parathanijen e së cilës e shkroi në “Romë me 7 ditë ndë Kallënduer ndë vjetit të Krishtit 1618." E shi në ketë vjetë e e botoi, si dishmon nji kopje e gjetun në Bibliotekë të Vatikanit prej së ndritshmit Prof. Mario Roques, përmendun sypri. Këjo veprë kje botue kater herë, domethanë: në vjetë 1618; në vjetë 1636; në vjetë 1664 e në 1868, të gjitha në Romë prei Shëjtit Kuvend së Propagandës. 

Nji tjetrë veprë e panjoftun per shum kohë asht Speculurn Confeesionie. I pari qi tesh von dha lajmin ma të shkoqitun per të kje Z. Faik Konica tui shkrue titullin e plotë të vepres, e vendin ku gjindej kopja qi ai vetë kishte pa, domethanë: në Bibljotekë Mazarine të Pariglit.

 

Kjeçë mundue tesh disa vjet me mirësi të disa miqvet me pasë tjera shkoqitje mbi ketë libër, por su ba gja; pergjegja kie se as nuk gjindej libri e as numri i diftnem prei Z. Konicës. Sivjet në rasë qi Z. Filip Fishta shkonte në Parigj me krye këndimet e veta, ju lutshë m’u orvatë per kete punë; e ai me drejtime të Protesorlt të vet Z. Mario Roques, qi permendme, jo veç se e gjet librin, por edhe me nji zell të pashoq u vu e e pershkroi krejt. Asht e dijtun se ngutsia nuk i dha dorë me e pershkrue ashtu si lypet tui i da fjalët per së mbarit, e tui u ruejtë prei ndo'i së metës kah ana e leximit. Prandej LEKA e une po i çojmë falenderimet t’ona të flaktit atëdhetar. Me porosi të clichesë së titullit i kje thanë të çote edhë nji tjetrë të nja dy faqevet, por ketë të dyten porosi s’mujt me e krye.

 

Speculum Confessionis a Pasqyra e Rrfimit asht nji liber në 8 të vogel e permban 425 faqe. Në të paren faqe ka titullin latinisht, si po e shtypim këtu; në të dyten vjen titulli shqyp e italisht; në të treten ndjek Pranimi i “Paulus Episcopus de Curte, Vicesgerens," bashkë me gjikimin e Simon Gjeçit, Ipeshkvit së Zadrimës, e në fund prep Pranimi i “Frater Hyacinthua Petronins Romanus Ordinis Fratum Praedicatorum, Sacri et apostolici Palatii Magister." Mbasandej vjen Parathan'ja e Auktorit.

Por tregimi i landës qi permban ky liber, pasunija fjalësh e than'jesh qi gjinden në ket visar të gjuhës sanë, lypë nji artikull të posaçem në të Perkohshmen të tanë.

 

Sot per sot po qesim Parathan'jen e kësaj veprë, ka gjinden sende të randsishme per histori të jetës së tij, e mbë tjetrë anë difton shka hoq per me botue librat e vet.

Pasi boton edhe fotot e kopertinave të brendshme të Pasqyrës së Rrëfyemit Mjeda i lë vend në po të njëjtin numër të revistës LEKA parathënies së librit tashmë të njohur dhe nga e cila po sjellim këty dy pjesë të shkurtra:

 

Të rekumenduem e të poresitun Upeshkëpinjet e Vikarinjet e gjithë sa tjerë Prelatë gjinden ndë gjuhu tanë t'Arbneshë.

 

Të ndritshim e shumë të ndershim Zotëni e shokë e vIlazën,

Tue dashun me u nëkuom sa tentacjonesh e fëdigësh qi më kanë gjetun mbë këtë udhë, druo se ka me dukun kujnaj se duo më u lëvdoum; kur të thom të vërtetën, posi mb’atherë i shen Pali i bekuom Korintianvet, thom se s’dij a ka me kjen gja prata i paditun; mir tue pam Zotnija i juoj se jashtë këncosh ende sa tjera letra me dorët të shkrueme gjinden mbë sa vise që dëshmojën se sa i madh ka qenë gjithëherë kujdesi e dëshiri i zemrës sime për ndimët të Patries e të gjuhus sanë, qi u vduorr ende po vdaren ma të shumen veçse per letër e per të msuom.

 

…Prashtu, o Zotëni e shokë e vllazën, tashti ende sa asht moti e koha, eni nqohemi e nçelnjem sytë pakzë vetë ndë vehte, mos na gjenjë mortja me sy të mbërshelë e tue fjetun ndë gjumët të pakujdesit, me vdjerrë Rregjënin e qiell’et…

 

Në dy numrat që do të dalin në shtator dhe tetor 1932, saktësisht numrat 9 dhe 10 të revistës LEKA, Mjeda do të sjellë pjesë të librit “Pasqyra e të rrëfyemit”.

 

Në numrin 9 nën titullin “Prej librit “Pasqyra e të rrëfyemit” të Timzot Pjetër Budit” do të botohen tre kapituj të librit, për të cilat Mjeda ka punuar për ti sjellë në një gjuhë të kuptueshme.

 

Po ashtu edhe në numrin 10 (LEKA teor 1932, nr 10), në të njëtin titull nën një shënim të shkurtër ku thuhet se: 

 

Para se me e kputë botimin e copavet të xjerruna prei kësi libri, kaq së çmueshem per giuhe tanë, s’mund u pritme pa shtue edhe njiketë copë qi po qesim sod. NJi arrsye historike na shtyni me e botue: zakoni, si thotë Auktori, sikundërzë gjithmonë, kur populli shifte meshë.

 

Pjesa në vijim është mënyra e të dhënit të meshës e cila vjen me komente të shkurtra që Mjeda bën për përdorimin e trajtave gjuhësore duke i krahasuar ata me shkrimet e Bogdanit. Ajo përcillet me me titullin e Budit: Të rrëfyemit e madh epet mbë Iter DItë e Diell e të festevet mëdha posikundrëse qe zakoni gjithië motnë.

 

Por ajo që bën përshtypje në këtë numër të fundit të serisë së botimit të fragmenteve të veprës së Budit është një si keqardhje që Mjeda shpreh në fjalët “Para se me e kptutë botimin e copavet…..s’mun u pritme pa shtue”. Pra çfarë ka ndodhur. Pse Mjeda e këput botimin e pjesëve nga libri? Kishte një arsye, e cila do të bëhej publike po në publicistikë, por vite më vonë.

 

Para se ta zbulojmë arsyen vijojmë me të tjera botime për Budin po në Revistën LEKA.

 

Vijmë në vitin 1938. Jemi gjashtë vjet pas asaj ndërprerje që Mjedës ju bë në përcjelljen e librit të Budit në revistën LEKA. Në numrin 6-7 të muajve qershor korrik, botohet një shkrim i redaksisë me titull Çashtje të gjuhës – Vlersim, pasunim, bashkim”. Prej gati një viti më parë Mjeda ka ndërruar jetë. Shkrimi është veç tjerash edhe një kërkim falje me elegancë për atë që kishte ndodhur. Duke folur për kontributin e madh të poetit edhe si një gjuhëtar revista shkruante:

 

Kishte vërejtë edhe se në shum krahina të veçueme të Gegnis trajtat e vjetra t'asai shqipje ma të njinjishme ruheshin bukur mirë. Ky kje gjenezi i studimit të ti permbi Budin.

Budin zgodh veçanerisht (pa lanë krejt në harresë as tjerët) pse nder ma të vjetrit, e pernjiheri edhe mjeft i mirë si gramatik e si shkrimtar.

E prei Budit e prei popullit, me krahasime me ndimë të dijes së thellë së vetes në lamë glottologjike, xuer pak ka pak e me evoIucjone të padame theorin e vet gramatikore edhe orthografin.

 

 

Por përcjellja e Budit në faqet e revistës LEKA nuk do të mbyllej këtu. Në radhë do të vinte një tjetër studiues i me zë i kohës: Ilo Mitkë Qafëzezi. Tashmë që Budi dhe vepra e tij ishin zbuluar, (falë edhe kontributit të një tjetër figure të njohur Zef Valentinit i cili do të zbulonte “Ritualin Roman”, vlen të thuhet se edhe kjo qe një punë që përsëri u bë me nxitjen e Ndre Mjedës) ishte koha për studime më të thelluara të veprës së tij. Ilo Mitkë Qafëzezi e bën këtë por duke u përqëndruar tek poezia fetare e Budit dhe duke e krahasuar atë me krijime të asaj natyre por nga të tjetrë autorë të atyre periudhave.

 

Kështu në dy numra me radhë LEKA nr 6-7 të qershor korrik 1939 dhe 8-9 gusht shtator 1938 nën titullin “Shkrimtarë shqiptarë të qindvjetëve 17 e 18” vjen krahasimi mes stileve të të shkruarit të Dom Pjetër Budi Gurabardhit dhe Kostë Ieromonaku Berati (1664-1764). Ja se si e paraprin krahasimin e tij letrar studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi, tek i cili po citojmë vlerësimet që ai bën edhe për poezinë e Budit:

 

… Në radhët e poshtme po japim për kendonjësit e LEKES faqet më të bakura të dorëshkrimit shqip beratas, nga pikëpamja letrare e shqipe e qëmoçme, domethënë e përpjekjevet aqë të izolluara për letrarizimin e gjuhës s'onë të bukur, motër e mirë këjo e elenishtesh dhe e latinishtes.

 

Eshtë një hymn epitafik shqip të cilit e do puna t' i japim për shoq vetëm epitafikun e bukur të faqevet 246 të «Dottrina Christiana” të të madhit punonjës të Shqipee Don Pietro Budi - Gurrabardhit, e botuar në R0më më 1664 domethën një-qint vjet përpara Kostë Beratit. Hymni i përvajshëm i Budit është 8 rrokesh dhe dy hise afëro më i math nga ay i Beratit. I të parit ka plot 160 vargje tetëshe, i të dytit 44 gjashtëmbëdhjetëshe, e-pra 88 tetëshe. Për arësye teknike na u-desh që t'e ndajmë dhe ne në 8-she hymnin e Kostës. Budi e ka titulluar epitafIkun e tij “Zani i Krishtit qi thirri mbi Kryq”. Ay i Beratit, nuk ka titull; po e titullojmë ne, me fjalë nga të vargut të parë: “Zonj' e Shën-Mari përpara Kryqitë”.

 

Krahasimi letrar mes dy autorëve të hershëm shiptarë vijon edhe në numrin tjetër pra nr 8-9, gusht-shtator 1938. Ai paraprihet nga një sqarim teknik i redaksisë së LEKA-s e cila edhe në këtë rast nuk e lë pa përmendur Mjedën, pasi në të vërtetë roli i tij në përcjelljen e Budit për publikun është i pamundur të anashkalohet. 

 

…Tue na mungue germat e veçanta të perdoruna prei Budit, e pershkrnejmë me germa të soçme. Mbajmë deri diku ortografin e origjinalit, pak a shum mbas metodit të të Paharrueshmit D. Ndre Mjedes…..

 

Ilo Mitkë Qafëzezi, e mbyll shkrimin krahasimor të tij të cilin në fund e ka plotësuar edhe me vendin e datën e shkrimit (Korçë, Janar 1938) me një vlerësim ku shpreh pikëpamjen e tij prej studiuesi për vargjet e Budit dhe për veprën “Doktrina Kristiane” në përgjithësi.

 

I shkruar një qint vjet përpara variantes epitafike orthodhokse të Kostë Beratit, hymni epitafik shqip katholik i mësipërmë siç po shihet është më i begatë nga ay i pari dhe i buruar pa dyshim nga penda e njaj Shqiptari me kulturë më të lartë.

 

Këtë gjë e dëshmon vetë vepra madhështore “DOTTRINA CRISTIANA” e Gurrabardhasit që e admiruam në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës e dhuruar atje prej albanologut e filoshqiptarit Gustav Meyer.

 

Gjëja më e veçantë sa dhe mllëngjenjëse që vëmë re tek epitafiku i Dom Budit është se aty shohim dhe gjurma të bukura të rimës popullore shkodrane të sotme, të vargjevet të përvajshme, kryevepra poezie folklorike, nga, vajtimet e të vdekurvet të fshatravet të Bregut të Bunës.

 

 

Revista “LEKA” me çfarë veçuam më sipër përbën një kontribut të madh, ashtu si Hylli i Dritës, që do e shohim në vijim, për rikthimin në lersinë e shkruar shqipe, të Budit dhe veprës së tij, tre shekuj e ca pasi ai e kishte shkruar. Dhe e gjitha ka një emër të përkushtuar që ashtu si e përshkruan Mentor Quku “vdiq me Budin nën sjetull”; është poeti i madh Ndre Mjeda. E sigurtë është që, nëse keqkuptimet dhe xhelozitë e vogla të kohës nuk do të kishin ngjarë, ai do të kishte bërë edhe shumë më tepër.

 

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania