Në luftë me kohën, ajo fshin pa mëshirë. Shënime mbi shkrimin “Një mbishkrim latin në Mat” të studiuesit Dilaver Kurti


Nga Avni Dani, Tiranë – 13 Dhjetor 2018

 

Duke shfletuar rasësisht revistën “Studime Historike” numër 3 të vitit 1970, (fq 170-172), gjeta një shkrim të shkurtër të studiuesit të njohur matjan Dilaver Kurti, i cili më dha një kënaqësi të veçantë. Në të bëhet fjalë për gjurmë konkrete (për fat edhe me foto) të një kishe në fshatin Rripë të Matit. Ndonëse i vogël në pamje zbulimi përbën diçka unike dhe me vlerë të jashtëzakonshme.

 

Nuk di të them se ku është sot ai gur i vogël që mbarte në sipërfaqen e tij dëshmi historike që medohej se vinin nga shekulli i katërt! Pritem dhe dyshoj të them se koha (në fakt njerëzit) ta kenë trajtuar atë njëlloj si ka ndodhur me shumë dëshmi të tjera historike të Matit. Nëse ndodh e kundërta, do të ishte njëri nga ata raste kur njeriun e gëzon gabimi i tij!          

 

Në darsiani.com kohë më parë kam publikuar një shkrim, më i ploti që kam mundur të gjej në kërkimet e mia të vazhdueshme, për situatën e kishave në Mat, në fillim të shekullit të XVII. Është një raport përshkrues i të dërguarit apostolik Shtjefën Gaspari, i cili kryen një udhëtim në Mat në vitin 1671. Në përshkrimet e tij, mes shumë të dhënave të tjera, ai flet edhe për Kishën e Shën Lleshit, në Dukagjin të Matit. Ai thotë se ajo kishte kapacitet për të nxënë deri në 2000 besimtarë!

 

Fjala është për një traditë të fortë kristiane, për një zhvillim të lartë infrastrukturor për kohën. Është një e dhënë nga e cila sot pothuaj nuk ka asnjë gjurmë. Madje edhe për shumë njerëz që jetojnë atje, mund të tingëllojë më shumë e pabesueshme se sa e vërtetë.   

 

Koha është treguar e pamëshirshme me ne. Pushtimet e huaja janë imponuar me ideologjitë dhe besimet e veta. Të pafuqishëm përballë tyre, kemi humbur shumë vlera. Kjo është e vërteta historike që ka ndodhur e të cilën nuk e ndryshojmë dot. Të hysh sot në debate nuk ja vlen më. Në shekuj kemi marrë krahas traditave që kishim edhe zakone të reja, të cilat edhe ata në vetëvete, tashmë janë kthyer në një pjesë e qenësishme e traditës sonë.

 

Por ajo që ne trashëgojmë, që e kemi kthyer në normalitet është mungesa e vëmendjes sonë për atë traditë. Pas humbjes së parë të madhe, të cilën shkaqet historike e bëjnë të justifikueshme, ne sot po gatuajmë humbjen e dytë të madhe. Në ndryshim nga e para, humbja  që po ushqejmë ne, në kushtet e një zhvillimi të paimagjinueshëm bëhet e pafalshme. Nëse shikoni në fshatrat tona pothuaj nuk ka më asnjë shenjë nga ndërtimet e kohës së kooperativave. Vërtet ndërtime pa asnjë vlerë praktike, po çfarë vlere historike do të kishte një mulli i vjetër me ujë apo një furrë buke katundi! 

 

Koha, e pamëshirshme si ajo, po fshin gjithçka. “Scripta manent”. Kjo është një frazë latine kuptimi i të cilës nuk humbet kurrë. Shqip ka kuptimin “e shkruara mbetet”. Qëllimisht më poshtë po e përcjell të plotë shkrimin për të cilin fola në krye të këtyre radhëve.

 

Një mbishkrim latin në Mat

Nga Dilaver Kurti

 

Në katundin Rripë të Matit, në jug të përroit të Ballazhit, në një kurriz që zbret nga kuota 408 në drejtim të perëndimit, në një sipërfaqe toke prej gati një hektar gjenden një seri rrënojash të cilat nga vendasit njihen me emrin Kisha e Dukës. Pikërisht në këtë vend u zbulua një mbishkrim i vjetër kishëtar latin, që bën fjalë për ndërtimin e një bazilike. Mbishkrimi është skalitur në një gur shtufi me përmasat 24 x 19 x 14 cm. Ai ka formë të çrregullt. Ndoshta mbishkrimi është skalitur pasi ka qenë vendosur në mur pllaka, pa i bërë më parë ndonjë punim paraprak. Në të duken gjurmët e gëlqeres që dëshmojnë se guri ka qenë futur në mur. Ai është gdhendur me një mjet të fortë gërryes dhe gërmat kanë lartësinë 2-3 cm.

 

Dora e gdhëndësit nuk është e stërvitur, kurse përpiluesi i tekstit shihet se i njeh rregullat e kohës për mbishkrime të tilla. Në anën e jashtme të gurit duken gjurmë të lëna nga zjarri. Kjo tregon se godina së cilës i përkiste, duhet të jetë rrënuar nga zjarri. Mbishkrimi i zbuluar prej nesh dhe i zbërthyer e përkthyer nga Injac Ziamputi, ka këtë tekst :

Revista “Studime Historike” numër 3 të vitit 1970, (fq 170-172)
Revista “Studime Historike” numër 3 të vitit 1970, (fq 170-172)

Sikurse shihet, një funksionar romak, me emrin Pal dhe me detyrën e kontraskriptorit, ndërtoi një bazilikë të gjerë mbi një tempull të vogël. Por nga mbishkrimi nuk mësojmë kur u ndërtua kjo bazilikë. Për mendimin tonë ndërtimi i saj duhet të ketë ndodhur nga shekulli IV, kohë në të cilën mbas ediktit të Konstandinit, tempujt filluan të shndërrohen me bazilika duke u ndërtuar jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra, deri në shekullin VI, kur Perandori bizantin me origjinë ilire Justiniani I bëri një sërë ndërtimesh e rindërtimesh edhe në vendin tonë. Nga të dhënat që kemi, është vështirë edhe përcaktimi i personit me emrin Pal dhe funksionet e tij në perandorinë Romake e në truallin tonë.

 

Egzistenca e mbishkrimit dëshmon për një ekonomi e kulturë të zhvilluar për atë kohë në luginën e Matit, gjë që e kemi vënë re edhe me zbulimin e një sërë vendbanimesh të hapura, që i përkasin shekujve të erës sonë. Mbishkrimi dhe rrënojat që vërehen, tregojnë se këtu më parë ka qenë një tempull i vogël, mbi të cilin u ndërtua bazilika e gjerë. Në hapsirën e rrënojave kemi dy ambjente, në anën lindore e perëndimore, gjë që nuk na lejon të themi me siguri se mbi cilin prej këtyre ambjenteve u ndërtua bazilika; por mbas gjithë gjasës dhe vendit ku u gjet mbishkrimi, rrënojat e bazilikës duhen kërkuar në ambjentin e poshtëm.

 

Në anën lindore, atje ku fillojnë rrënojat, dhe terreni është i ngushtë, duken gjurmë të pjesëshme muresh me gurë shtufi, lidhur me llaç gëlqereje, që duket se bashkonin të dy shpatet e kodrës duke krijuar një territor të fortifikuar. Po në këtë anë duket një grumbull gurësh dhe një mur në formë harku, të cilat, për mendimin tonë, i përkasin një kishe, e ndoshta bazilikës. Në këtë zonë bëmë një sondazh, gjatë të cilit ndeshëm në gjurmët e një banese të ndërtuar prej druri, të mbuluar me tjegulla dhe të rrënuar nga djegia. Për këtë dëshmojnë thëngjijtë, tjegullat e nxira dhe mbeturinat e karbonizuara të një ene druri dhe një sasi gruri të lloit të quajtur sarrazin.

 

Në terrenin përqark u gjetën zgjyrë metalesh dhe tulla e tjegulla të ndryshme. Më të hershme janë tullat me trashësi 4 cm, me vula në formën e gërmës «X» të dubluara dhe tjegullat solene me vulë në trajtë gjysëm rrethi, të cilat nga ngjashmëria tipologjike me qeramikën e zbuluar në luginën e mesme të lumit Mat, i përkasin shekujve të erës sonë. Në vazhdim të saj vijnë tjegullat kaliptere të ngjashme me të sotmet, por me përmasa më të mëdha, të cilat dëshmojnë për një rindërtim të bërë në shekujt e parë të mesjetës, duke përkuar me kohën e datimit të mbishkrimit të bazilikës. Më të vona janë tjegullat me përmasa si të sotmet që tregojnë se vendi pati vazhdimësi edhe në periudhën e mesme të mesjetës, gjë që e dëshmon edhe egzistenca e rrënojave të sipërme, të cilat mund t’i përkasin kësaj kohe.

 

Studime Historike, nr 3 1970,  fq 170-172

 

© Avni Dani 

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania