I pamjaftueshëm vetëm një libër për matjanin Sabri Aliaj


Gjokë Dabaj
Gjokë Dabaj

Nga Gjokë Dabaj – 27 dhjetor 2021

 

Konkluzioni im i parë, pasi e lexova, është se ky libër nuk mjafton për ta paraqitur të plotë jetën e Sabri Aliajt.

Sabriu nuk është thjeshtë një artist i madh. Ai është një gjeni. Është një njeri i atillë, që deri më sot shumica jonë nuk e kemi njohur, por që brezat e ardhshëm, të nxitur edhe prej këtij libri, do të kërkojnë ta njohin dhe do ta admirojnë gjithnjë e më shumë. Do ta admirojnë dhe do të marrin shembull prej tij.

 

Mexhit Stafasani, në faqen 173, thotë me të drejtë: “Të flasësh për jetën dhe aktivitetin artistik të Sabri Aliajt duhen volume.” Por unë e pashë këtu se duhen volume për të folur edhe për punët e tjera të këtij njeriu, sa të përditshëm në dukje, aq edhe të rrallë, në botën shqiptare dhe përgjithësisht në mbarë njerëzimin, në rrjedhë të viteve.

 

Faqe 93: “Në moshën 15-vjeçare shkon të punojë në hidrocentralin e Ulzës.” Unë pikërisht këtu e shikoj rrethanën fatlume që talenti i lindur i Sabri Aliajt gjeti terren për t’u zhvilluar pozitivisht. Sa mijëra fëmijë të sotëm nuk e kanë fatin e Sabriut, por mbeten rrugëve, duke i derdhur energjitë në punë jo të mira?!

 

Punon në stacionin e hidrocentralit, ku aftësohet si specialist.” “Merr profesionin e elektromekanikut.” Më pas do të dërgohej në sektorë të ndryshëm : Në një stabiliment sharrash, pastaj motorist në një ndërmarrje komunale, elektricist në një minierë...” (faqe 93)

 

Shkon ushtar dhe merr atje edhe profesionin e kino-operatorit. (faqe 93)

 

Sado farë e zgjedhur të jetë një kokërr drithi, duhet edhe toka, duhet uji, duhet plehu, duhet dielli, që ajo kokërr të japë bimë të shëndoshë dhe, më në fund, edhe kalli të plotë e të bukur. Duhet një Dan Shemë, “bujk” i mirë, duhet edhe një Mustafa Pajengë, “agronom” i mirë. Është e qartë që, nën të këtillë kujdesje, bima e shëndetshme nuk pyet as për miza, as për krimba! (Unë i kam provuar vetë të atilla bezdisje mizash dhe krimbash.)

 

...Këto janë rrethanat, në të cilat u kultivua dhe u rrit talenti i Sabri Aliajt.

 

Ndërton impiantin e prodhimit të bukës... Ndërton një ofiçinë në Zenisht, duke e pajisur me bazën e nevojshme materiale... Ndërton linjën e tensionit të lartë në Shoshaj-Zenisht... Vendos transformatorët nëpër kabinat elektrike... Ndërton rrjetin shpërndarës, kur vendi po elektrifikohej... Ndërton një zdrukthtari me dy gatrra. (faqe 129) Ndërton bazën e fermentimit të ushqimeve për blegtorinë... Në furrat e bukës aplikon nxehjen me naftë : flakëhedhës solar... Ndërton një mekanizëm për larjen e grurit... Një makinë Gaz 51, hedhur ndër mbeturina, e risjell në jetë...

 

Në faqet 124-126 është vendosur një listë e gjatë e makinerive që i kish në kujdestari ky personalitet i asaj kohe. (Thënë, jo me ironi, por me plot kuptimin e kësaj fjale, sepse në atë Kohë të Madhe, personalitetet jetonin e frymonin brenda në popull.)

 

Njerëzit, që me të vërtetë duan ta njohin këtë njeri, bëjnë mirë ta lexojnë e rilexojnë atë listë veprash të tija në faqet 124-126. Unë jam mrekulluar kur e kam lexuar...

 

...Ka ndërtuar vetë disa kitara elektrike bashkë me amplifikatorët përkatës. (faqe 126) S’është aspak e çuditshme, pasi të kemi parë e mësuar ç’mendje e ç’duar mrekullibërëse kish ky njeri.

 

“Që 10-12 vjeç ka sajuar vetë një lauri me një bidon prej teneqeje.” (faqe 90) Dhe, një i tillë fëmijë, do të hynte një ditë në radhën e muzikantëve më të shquar të krahinës dhe të kombit të vet. Pa shkollim përkatës! Si është e mundur të lësh gjurmë në muzikologjinë e një kombi, pa asnjë shkollim në atë fushë?! Është e mundur, kur njeriu nuk e lë talentin të vegjetojë brenda tij. Është e mundur kur njeriu e ushqen talentin me punë. Me punë, jo me sentimentalizma!

 

Dhe vjen një kohë kur Sabri Aliaj ka një orkestër familjare të kompletuar: Krejt familjen e ka shdërruar në një shkollë të mirëfilltë muzikore, në një lice artistik, në një konservator, ku arti popullor kultivohet institucionalisht. Këtu nuk mjafton talenti. Në organizimin familjar të një të këtillë institucioni kulturor, duhet nënkuptuar, krahas talentit, edhe një vullnet i jashtzakonshëm dhe një energji e jashtzakonshme.

 

Sapo të kemi parasysh të këtilla të dhëna e dhunti personale të Sabri Aliajt, nuk e kemi aspak vështirë ta kuptojmë krejt veprimtarinë e tij kaq gjurmëlënëse në kulturën tonë. Autor këngësh që nuk vdesin kurrë! (Përveç në vdekshim ne, në vdekshin krejt krahinat tona dhe krejt kombi ynë!)

 

“Cucat zenishtare”, “Drita në malësi”, “Kodrat e fushat”, që dikur lulëzonin e sot të zë trishtimi kur sheh djemtë e rinj që pjekin kallinj anash rrugëvet të automobilave, me shpresën drithëruese se dikush mund të ndalet për ta blerë qoftë edhe një kalli të vetëm. “Dola n’atë buzë zalli”. Jo në Itali, as në Angli! Por aty, në zallin tonë, ku vajza vjen e i ulet djalit pranë, si një lule saksie! Në atë zallë, ku djemtë e falin jetën për të shpëtuar nga zjarri pyjet e vendit të vet! Djem, që nuk shkojnë për t’u burgosur, vetëm në Angli, 1500 vetë! Ku njerëzit u gëzohen dritavet të Ulzës e Shkopetit, jo si pronë e turqve, por si djersë e jona, që dikur na i ndriçonte banesat thuajse falas dhe që sot detyrohemi ta vjedhim dritën tonë, sepse Turku s’do me ditë kush i ka ndërtuar ata hidrocentrale! Një djalë 15-vjeçar, që do ta mbulonte Matin, edhe me dritë, edhe me këngë!

 

 

© Gjokë Dabaj 

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania