Historia e Matit e shkruar në veshjet popullore



Përgatiti : Avni Dani, Tiranë – 24 Shkurt 2018

 

Veshjet popullore janë materializimi i jetës së komuniteteve, Kjo është baza mbi të cilën mbështeten studimet etnografike, shumë prej të cilave shikojnë tek kostumografia popullore materializimin e zhvillimeve sociale, ekonomike e historike. Ky fakt është plotësisht i dallueshëm edhe në veshjet e Matit, të cilat kanë një larmi të jashtëzakonshme. Në to është shkruar historia e krahinës.

 

Etnologia Afërdita Onuzi i ndan veshjet e Matit në dy grupime të mëdha “vesha e bardhë” dhe “vesha e zezë”. Duket se në këtë mënyrë kemi bërë peroidizimin e historisë. Të bardhat janë kostumet e përdorura nga popullsia katolike. Në këtë kuptim ata janë veshjet tradicionale matjane, duke patur në konsideratë se para pushtimit Osman, dmth myslimanizimit të popullsisë, të gjithë banorët e Matit ishin katolikë. Më pas duket se vjen “vesha e zezë”. Ajo përdorej vetëm në fshatrat me popullsi myslimane. Ngjyra është vërtet sinjifikative. Vlen të kujtohet se banorët e myslimanizuar për gati një shekull janë quajtur “laramana” për shkak se në fshehtësi preferonin të mbeteshin katolikë. Kjo i përket shekullit të XVI.

 

Etnologët kanë parë se në Mat larmia e madhe e veshjeve mund të ndahet në pesë grupime me karakteristika të përbashkëta. Edhe brenda grupimeve ka veçori dalluese. Ka të ngjarë që ky të jetë një tregues i kontakteve të kufizuara që ka patur mes fshatrave të krahinave të ndryshme.

 

Në fakt si grupimet edhe dallimet më të vogla janë tregues i një niveli të mirë zhvillimi brenda krahinor. Fshatrat kishin thuaj të njëtin zhvillim dhe kjo tregohet mjaft mirë edhe nga rrobat, materiali i tyre e në mënyrë të veçantë zbukurimet e përdorura në to. Në këtë drejtim spikat veshja e Gurit të Bardhë.

 

Por një material më të gjerë për veshjet e Matit e gjejmë në vëllimin e tretë të serisë prej katër albumesh fotografike me veshjet popullore. Etnologia Prof. Dr. Afërdita Onuzi ka bërë një përshkrim të kostumografisë së krahinës, të cilën edhe ajo e quan të larmishme. 

 

Veshjet Popullore në rrethin e Matit

Prof. Dr. Afërdita Onuzi

Krahina e Matit ndodhet në pjesën më jugore të Shqipërisë Veriore. Në veri ajo kufizohet me Mirditën, në lindje me Dibren, në pjesën juglindore me Librazhdin, në jugperëndimn me Tiranën dhe në pjesën perendimore me Krujën. Kufinjtë e hershëm të kësaj krahine kanë patur një shtrirje më të gjerë duke përfshirë edhe disa teritore të krahinave Mirditë e Dibër, si edhe të disa zonave bregdetare në grykëderdhjen e Lumit Mat. 

Pozicioni i përshtshëm gjeografik, që në kohërat më të hershme i ka favorizuar banorët e kësaj krahine për të zhviIluar jo vetëm bujqësinë e blegtorinë, por edhe disa degë të tjera si vreshtarinë, kopshtarinë, pemëtarëinë etj. Matjanët veç këtyre janë shquar edhe për zhvillimin e disa mjeshtërive popullore, sidomos atë të prodhimit të barotit.

 

Germimet arkeologjike si edhe rrënojat e gjetura deri më sot dëshmojnë për së paku tetë vendbanime qytezash iliro-mesjetare. Ndërtimi i tyre në vende të përshtatshme, pranë rrugëve që lidhin vendet ballkanike me daljet në detin Adriatik, kanë ndikuar e zhvillimin ekonomiko – shoqëror të kësaj krahine. Një pjesë e këtyre vendbanimesh kanë vazhduar të ekzistojnë si qendra pazaresh e pika shkëmbimesh ekonomike kulturore deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Midis tyre janë të njohura pazaret në fshtrat Lis, Burgajet, Klos, Guri i Bardhë, Komsi etj.

 

Shumica e banorëve të kësaj krahine janë të besimit musliman me përjashtim të disa fshatrave të vendosur pranë liqenit të Ulzës, të cilët janë katolikë ose me popullsi të përzier.

 

Mati është një nga zonat e pasura me veshje popullore. Në mënyrë të veçantë veshjet e grave jenë mjaft të larmishme në lloje e në variante. Veç kësaj ata shquhen, edhe për gjallërinë e ngjyrave të përdorura në zbukurimet e tyre. Në mënyrë të veçantë parapëlqehet ngjyra e kuqe dhe e verdhë.

 

Sipas përcaktimit që bëjnë banorët vendas, variantet e përdorura në fshatra të ndryshme përmblidhen në tre grupe: “vesha e bardhë” me të cilën nënkuptohet kostumi i mbajtur nga gratë e fshatrave të besimit katolik, "vesha e zezë”, quhet kostumi i mbajtur nga një grup fshatrash në të majtë të Luginës së Matit, ku proçesi i myslimanizimit të popullsisë ka ndodhur më shpejt, “vesha matjane", (e cila është edhe më e përhapura) nënkupton disa variante të cilat janë mbajtur në pjesën më të madhe të fshatrave të rrethit të Matit.

 

Duke vlerësuar këtë grupim si edhe ndarjen etnografike, me qëllim paraqitjen e varianteve të ndryshme të veshjes së quajtur “matjane” janë përcaktuar pesë rrethina kostumologjike:

 

1.        Prelli

2.        Rranxat

3.        Guri i Bardhë

4.        Martaneshi

5.        Topalltia

 

Përsa i përket veshjes së burrave ajo paraqitet e unifikuar në të gjitha rrethinat. Deri në vitet 20-30 të shekullit XX veshja e përditshme e burrave matjanë ishte ajo me tirq të ngushtë e me xhamadan. Në raste të veçanta përdorej edhe dollama sipër xhamadanit. Të moshuarit tregojnë se deri në prag të Luftës së Parë Botërore kishte ende burra që mbanin veshjen me fustanellë me raste ceremonishë familjare apo në raste tubimesh shoqërore. Më pas veshja me tirqë të bardhë mori të njëjtin rol si veshja me fustanellë duke mbetur si kostum ceremonial, ndërkohë që në veshjen e përditëshme në mënyrë masive, u futën brekushet e zeza të shoqëruara me një xhamadan prej shajaku të bardhë, zbukuruar me gajtanë në ngjyrë të zezë. Përdorej në stinën e ftohtë edhe një xhokë e zezë, e zbukuruar me tufa fijesh të leshta.

 

Po japim në mënyrë të përmbledhur disa nga veçoritë më të rëndësishme të veshjeve të rrethinave që përcaktuam më lart.

 

Përgjithësisht në veshjet e rrethit të Matit bie në sy këmisha e bardhë (dypjesëshe) e gjatë dhe e gjerë. Veç kësaj edhe mbuloja e kokës në të gjithë rrethinat është me ngjyrë të bardhë (me përjashtim të fshatit Gur i Bardhë), veçse nga njëra rrethinë në tjetrën ndryshon forma dhe mënyra e lidhjes së saj. Pak a shumë e njëjtë edhe përparsja e bërë me pëlhurë të pambuku dhe e zbukuruar me vijame ngjyrë të kuqe të verdhë e të bardhë. Është fjala për një lloj përparësje e cila është përdorur jo vetëm në fshatrat e rrethit të Matit por edhe në disa fshatra të Kurbinit, Krujës e Dibrës.

 

Një element tjetër i përbashkët janë edhe çorapet shumëngjyrëshe, me kompozime motivesh e ngjyrash nga më interesantet. Ndërkohë në këto veshje dallohen edhe mjaft pjesë të tjera që përbëjnë vecoritë dalluese të rrethinave që pëecaktuam më lart.

 

Në fshtrat e Prellit veshje me tipare më karakteristike është ajo e mbajtur në fshatin Macukull, I njohur për nivelin e zhvillimit të përgjithshëm të tij. Të veçantat e veshjes së këtij fshati janë xhupja prej shajaku dhe corapet e gjera si të Mirditës. Ndërsa karakteristika më dalluese është mënyra e lidhjes së mbulojës së kokës. Për nga forma se si modelohej dhe lidhej mbi kokë, ajo ngjan me një diademë të bërë prej përlhure pambuku.

 

Rrethina më interesante dhe më e pasur në variante veshjesh popullore është ajo e quajtur “Rranxat”. Fshatrat e saj shtrihen në të djathtë të lumit Mat. Është pikërisht kjo zonë e mbushur me plot gjurmë banimesh antike e mesjetare (duke filluar nga fshati Xibër e deri në fshatrat buzë liqenit artificial të Ulzës), por edhe me mjaft elemente interesante dhe origjinale në veshjet e tyre.

 

Ndonëse variantet e përdorura nga një fshat në tjetrin i përkasin tipit të veshjes me këmishë të gjatë e dy futa, ndryshimet paraqiten në mënyrën e lidhjes së kokës, dhe zbukurimet që i shoqërojnë në llojin e anterive të përdorura. Diku ato janë njëngjyrëshe (portokalli ose me ngjyrë të verdhë), të shoqëruar edhe me një jelek të zbukuruar me inxhi artificiale, diku tjetër të qepura me një copë pambuku, zbukuruar me vija të verdha të zeza si edhe me gajtan të zi.

 

Veshjet me anteri të këtij lloji shoqëroheshin me një xhokë të leshtë me tufa rreth e rrotull. Variantin më tipik e përbën veshja e mbajtur në fshatrat German dhe Komsi. Pikërisht këtu gjindet tipi klasik i veshjes me dy futa të gjata, të bëra me pëlhurë pambuku të bardhë, zbukuruar me vija të holla me ngjyrë të zezë. Elementi më interesant në këtë veshje i cili përbën rast unikal është një lloj brezi i quajtur “brezi me rrema". Ndryshe nga brezat e zakonshëm që endeshin në avëlmend, ai krijohej nga bashkimi i 33 gajtanëve në formë gërshetash me fije leshi në ngjyrë vishnje të tjerrë hollë.

 

Si një ishull i vetëm midis veshjeve të rrethit të Matit është veshja e përdorur në fshatin Gur i Bardhë. Për këtë arsye e kemi paraqitur si një rrethinë më vete. I ndodhur në një pozitë të mirë strategjike, ku fshat ka shërbyer vazhdimisht si qendër me karakteristika qytetare dhe një nyjë tregtare në rrugën që fillonte nga Durrësi i vjetër (Dyrrahu) në Dibër të Madhe e më tej në Ballkan dhe në qendrat kryesore të Perandorisë Osmane.

 

Për këtë arsye shumë elemente të kulturës materiale të përdorura në këtë fshat duke përfshirë edhe veshjen, paraqiten krejt ndryshe nga ato të fshatrave të tjera përreth. Vërehet se në veshjet e këtij fshati janë ruajtuar disa elemente të qytetarisë së dikurshme siç janë forma e mëngëve, zbukurimet e ndryshme etj. Përgjithësisht, kjo veshje paraqitet mjaft luksoze, pjesët e saj janë prej materiali të kushtueshëm, i cili vazhdimisht vinte nga tregjet e vendeve orientale. Bien në sy më shumë disa pjesë, njëra e quajtur gërzhanëz (ka formën e një fustani të hapur përpara) jeleku, e libadja të gjitha të zbukuruara me gajtanë me fije ari, brezi i shoqëruar me zinxhir argjendi, etj.

 

Zakonisht qepja e tyre bëhej nga mjeshtra qytetarë të specializuar posaçërisht për këto Iloj veshjesh. Luksit të pjesëve të ndryshme u shtohen edhe stolitë e shumta prej ari, ndryshe nga ato të rrethinave të tjera fshatare që zakonisht ishin prej argjendi. Në veshjen dimërore bënte pjesë edhe xhoka e zezë e zbukuruar me gajtanë në ngjyrë të kuqe e njëjtë me atë të përdorur nga gratë e krahinës së Shëngjergjit (rrethi i Tiranës).

 

Theksojmë se, në ruajtjen e këtij "ishulli" veshjesh ka ndikuar shumë edhe fakti, se banorët e Gurit të Bardhë gjithnjë lidhjet martesore i kanë bërë brenda fshatit.

 

E veçantë paraqitet edhe veshja e rrethinës së Martaneshit, e cila vetëm administrativisht bën pjesë në rrethin e Matit. Për nga ndarja etnografike ajo bën pjesë në rrethin e Librazhdit. Për këtë arsye shumë pjesë të kësaj veshje janë të ngjashme me ato, të përdorura në Çermenikë përshkruar nga M. Tirta. Përgjithësisht pjesët e kësaj veshje janë me ngjyrë të bardhë dhe me pak ngarkesa përsa përket zbukurimeve. Parë në tërësi, kjo veshje paraqitet me një thjeshtësi origjinale dhe qëndron bukur në trup.

 

Në rrethinën e Topalltisë, e cila përfshin një numër jo të paktë fshatrash, është mbajtur veshja me çitjane të zeza që, janë të ngjashme si në prerje dhe në ngjyra, me ato të mbajtura në fshatrat fushore të Tiranës. Të njëjta janë dhe përparsja e pambuktë me vija të bardha e të zeza, jeleku pa mëngë, xhumleku me mëngë të gjatë ngjyrë blu ose i zi, si dhe shamia e bardhë, e lidhur me të njëjtën mënyrë siç e mbajnë gratë e fshatrave të Tiranës.

Përgatiti : Avni Dani

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania