Avni Dani, Tiranë – 16 Maj 2016
Paralel me revistën LEKA, organ i katolikëve jezuitë, në Shkodër që prej vitit 1913 e deri më 1944 edhe franceskanët kanë njerrë botimin e vet: Hyllin e Dritës. Revista e drejtuar që nga fillimi nga At Gjergj Fishta, sic dëshmohet që në numrin e saj të parë do të ishte tribunë e hapur për mendimin më përparimtar të kohës. Bashkëpunimi disavjecar i Fishtës me Konicën në gazetën e këtij të fundit Albania, për të cilën folëm më sipër, do të vijojë edhe në Hyllin e Dritës. Patriotët dhe klerikët më të shquar të kohës vazhdojnë aty rrugën e lavdërueshme të publicistikës shqiptare, e cila tashmë ishte kthyer e po jepte ndihmesën e vet brenda trojeve të Shqipërisë.
Justin Rrota, Vincens Prenushi, Shtjefën Gjecovi, Zef Skiroi, e më vonë Krist Maloki, Marin Sirdani, Anton Harapi, Donat Kurti, Filip Fishta, Vasfi Samin, Karl Gurakuqi, Mustafa Kruja e dhjetëra të tjerë publicistë e patriotë të njohur do të hedhin në faqet e Hyllit të Dritës ajkën e kërkimeve dhe të krijimtarisë së tyre. Larmia e tematikave, kultura e lartë e autorëve, pothuaj në cdo numër e tejkalon ndjeshëm natyrën e një reviste fetare.
Një vëmendje të vecantë në Hyllin e Dritës, revistën që do të sillte në shumë numra të saj kryeveprën letrare të Fishtës “Lahuta e Masisë”, do ti kushtohet edhe gjuhës e letërsisë shqipe. Do të jetë kjo revistë që do të rijapë lajmin për gjetjen e të parës vepër të shkruar në gjuhën shqipe “Mesharin” e Buzukut. Në numrat e saj të vitit 1930 thuhet se ajo kishte ndodhur në vitin 1909 dhe fotografitë e librit i pari i kishte marrë Zef Skiroi, i cili në atë kohë nuk kish mundur ta botonte librin për shkak të pengesave të luftës botërore. Më sipër u tha “rijapë”, sepse lajmi, në të vërtetë, ishte dhënë që në 1909, e më pas pjesë të librit edhe ishin botuar në gazeta të tjera shqipe. Në Hylli i Dritës, nr 1 viti 1930 lexojmë:
Nder fletore shqyptare aso here ma e para, qi e dha lajmin e të gjetunit të librit në vjetë 1909, kje “Dielli” i Amerikës. Duelen mbasandej copa të xjerruna prej librit të komentuem mbi f!etoren e Elbasanit “Tomorri" 1910, Nr. 12, e mbi fletoren “Lirija" te Kristo Luarasit.
Më pas botimi i “Mesharit” të Buzukut do të dështonte edhe një herë për shkaqe financiare,pavarësisht përpjekjeve të mëdha të Zef Skiroit e Shtjefën Gjeçovit që pas vitit 1920. Do të kalonin edhe 10 vjet të tjera deri kur Ciril Korolevski, një specialist I historisë së kishave lindore, ti dhuronte mbretit Zog tre kopje të “Mesharit”.
Në vazhdën e këtyre informacioneve do të vijnë edhe faktet historike për zbulimin e veprës së Pjetër Budit. Profesori Filip Fishta, njëri nga protagonistët kryesorë të atij zbulimi, do të na i sjellë vetë me shkrim këto fakte. Në Hylli i Dritës nr 10-11, të vitit 1940, profesor Fishta nis botimin e shkrimit që do të zgjasë për tre numra me radhë dhe që e ka titulluar “Gjurmimet e nji mueji në Rromë”. Ja përshkrimi te Hylli i Dritës:
Sikur ka mundun të vrehet dhe nga nji shënim i shkurtë i shtypit të Tiranës, në verën e vjetit 1939 Ministria e Arsimit më ngarkoi të fotografoj e të bij në Shqipni të fotografueme veprën e çmueshme të Pjetër Budit: “Pasëqyra e të Rrëfyemit”, shtypë në Rromë në vjetin 1621. Kjo vepër ndodhet në Bibliothekën e Vatikanit. Asht kjo e dyta qandër, pranë asaj të Bibliothekës Mazarine të Parisit, e cila ruen endë sot, — vetëm me ndryshimin e fletës së parë të titullit të librit, dy kësomblla apo kopje të shtypuna, nga të tria të kësaj vepre së rrallë të këtij shkrimtari t' onë të vjetër prej Guri të Bardhë në Mat.
Me të shkuem t'im në Rrome, në qershuer të vjetit 1939, e fotografova me anën e fotografit të Bibliothekës së Vatikanit z. Rossi-t dhe në ket rasë ndër fotografi pozitive, ma të përshtatëshme për nji rishtypje fotomekanike të veprës, e cila shpresoj se nuk do të vonojë të dali në dritë për kënaqjen ma të madhen e puntorëve të shqlpes. Theksova fjalët fotografi pozitive, mbasi shi kjo vepër u fotografue prej meje në Bibliothekën Mazarine të Parisit përpara nandë vjetvet për D. Ndrë Mjedjen me fotografi negative (germa të bardha në shesh të zi), mjerisht jo aq të përshtatëshme për nji botim, në gjasën e Fjalorit të Frang Bardhit (1635), ribotue nga M. Roques-u ke Geuthner-i .
Por Filip Fishta do të bëjë një kthim pas për të shpjeguar ndonëse në mënyrë të përciptë atë ndodhinë e pakënaqshme mes tij e Ndre Mjedës, e cila për fat të keq kishte bërë që edhe pse kishin kaluar 10 vjet vepra e Budit nuk kishte mundur të botohej. Sic e ka shkruar shumë vite më vonë studiuesi i Ndre Mjedës, Mentor Quku, thelbi i përplasjes mes tyre kishte patur vetëm një dëshirë: kush do të transkiptonte dhe botonte Budin. I riu Filip Fishta gjithë pasion i kishte hyrë vetë punës, ndërkohë që nuk e kishte as përvojën e as përgatitjen e Mjedës për ta bërë atë punë. Rezultati kishte qenë ai i padëshiruari: vepra kishte mbetur pa botuar. Fishta me atë që shkruan në Hyllin e Dritës duket sikur në një farë kuptimi edhe po kërkon falje:
Lexuesat e së përkohëshmes LEKA, ndoshta mund t'i kujtohen endë sot njij artikulli plot enthuzjazëm të D. Ndrë Miedjes n'at të përkohëshme (viti 1932, nr. 7-8). Mbas dergesës s' ime nga Parisi — mbarë vepra e përshkrueme me dorë prej meje dhe ma vonë e fotografueme, si u tha, ndër kopje negative — Miedja ribotoi në Lekën përveç fac-stmiles së titullit të librit të Budit: “Specv1vm Confessionts", edhe dhetë faqet e parathanëjes së veprës në fjalë, këthye me orthografin e soçme të shqipes.
E kujtoj porsa në ket rasë nji polemikë të shkaktueme vonë ndërmjet Miedjes e meje, dishka për arësye të njij studimi t'im mbi Arqipeshkvijt e Shkupit; dishka edhe për shkak të veprës së Budit. Nji shoshitje akademike me anën e shtypit, mbas pak kohe erdhi e muer, mjerisht, nji drejtim të pa pëlqyeshëm. Qyshë prej asaj kohe e tash kan kalue sa vjet. Punën e fillueme dikur, të lanun për gjysmë, qoftë nga ana e ndonjij tjetri, qoftë edhe me përpjekjen e ime të vorfën të njij ribotimi të Budit, — per të cilën skishja me u kursye, — ket punë duhet t' a vazhdojm, sidomos në nji kohë krejt të përshtatëshme për këso punimesh, të nisuna … me ribotimin e Buzukut prej emz. Pal Schiro-it.
Në viijimin e shkrimit të tij në nr 10-11, të vitit 1940, profesor Filip Fishta jep edhe të tjera përshkrime të hollësishme për veprat e Budit të gjetura në Bibliotekë të Vatikanit:
Bibliotheka e Vatikanit ruen ende të vetmen kësombëll të ndo'i vepre tjetër të Budit, zbulue për herën e parë nga M. Roques-u. Mbasi fotografova krejt Pasëqyrën e të Rrëfyemit, (16 faqe të pa numrueme + 408 faqe tekst), me qëllim t'a bajshe sa ma të plotsueme landën e nxjerrun prej Budit, fotografova, — gjithnji ndër fotografi pozitive, — veprëzen “Diftojsi i Meshës Rromake" (16 faqesh), nji fletë-titulli e përbashkët per te dyja veprat e Budit: “Rituale Romanom et Specolom Confessionts", dy fletë të së vetmes kësombëll të RItualit, në të cilat Budi shkruen mbi disa zakone të këqija të shqiptarëvet në rasë vdekjeje. Këto dy fletë, sikur edhe sa të tjera, më dhan të kujtoj se me Rituale Romanom, ndodhemi jo vetëm përpara njij përkëthimit të thjeshtë, por edhe në punimin e njij shkrimtari t'onë i cili din t'ia përshtasi landën e shkrueme botës shqiptare, tue i marrë në shqyrtim zakonet e këqija të vëndit, t'interesantshme edhe për folklorën t'onë. Të kritikuemt e zakonit të keq të shqiptarëvet, t'i bajnë gjamën atij qi asht në fill të mordjes, Budi e nisë kështu: “E mbas gjithë kenco kafshesh, deshja ashtu ende me vum këtu disa të tjera, qi tashti bahën ndë këtë gjuhu t'onë ma keq shemptuom se as ndë ndonjë dorë gjindie përmbij, dhët." (Rit. Rom. fq. 152).
Nga ata që tregon vetë Fishta nuk është kufizuar vetëm tek një vepër e Budit. Ai ka gjetur, fotografuar apo kopjuar me dorë pjesën më të madhe të krijimtarisë së Budit:
Gjithnji nga vepra e tij Rituale Romanom përshkrova me dorë faqet 232-234. Në këto fletë Budi ep udhëzimet se si duhen ba proçesjonet për Korp të Krishtit.
Fotografova edhe titullin e edicjonit të parë të veprës së Budit: Dottrina Christiana, shtypë në Rromë në vj. 1618 ke B. Zannetti, bashkë me faqen e tretë të parathanies shqipe të kësaj vepre, për t'a pasun kështu të gjith parathanëjen shqipe, mbasi faqet e tjera të botueme deri tash nga M. Roques— në veprën e njohtun: Recherches sur les anciens textes albanais dhe nga Dr. E. Çabej në veprën: Elemetnte të gjuhës e të Literaturës Shqipe, nuk e kan krejt parathanëjen e mbipermendun.
Në vazhdim të shkrimit të të njëtit numër F. Fishta boton pjesë nga kjo parathënie të paraqitur me besnikëri sic e ka shkruar Budi, apo si thotë autori “me ortografi të moçme”.
Përshkrimin e kërkimeve të tij për letërsinë dhe shkrimet e vjetra shqipe në Romë, Filip Fishta do ta vijojë edhe në dy numrat në vazhdim të revistës Hylli i Dritës. Ndonëse këtu nuk shkruhet më eskluzivisht për Budin, bashkë me të dhëna të tjera jepen edhe disa fakte shtesë për Budin.
Kështu në Hylli i Dritës, nr 1-2 të vitit 1941 Fishta shkruan se “Tue gjurmu literaturën mbi Budin mora në dorë dhe lexova dorëshkrimin e Marin Bizit “Njoftimi i Arqipeshkvit të Tivarit Marin Bizzi mbi udhëtimin e tij të vjetit 1610 nëpër Shqipni e Serbi të Vjetër. Është një material i plotë të cilin revista do ta botojë të plotë në disa numra me radhë. Në udhëtimet e tij arqipeshkvi Marin Bizi do të japë përshkrimin më të hollësishëm të gjendjes së Shqipërisë në vitet e para të shekullit të 17. Do të përmenden aty me emra fshtrat, kishat e priftërit që shërbenin në to. Shkrimi ka një përshkrim edhe për rrethin e Matit, i cili në varësi të udhëtimit është i ndarë në dy pjesë, fillimisht përshkruhet pjesa veriore e më pas ka një përshkrim për malësinë e Xibrrit, Gurin e Bardhë dhe Martaneshin. Marin Bizzi është takuar edhe me Budin, por sigurisht jo në Mat, pasi Budi nuk ka qenë atje. Në Hylli i Dritës, nr 3-5, pot ë vitit 1941 Fishta citon : “N’ardhje të vet Budi i gjegjet grishjes së bame nga Bizzi të tanë klerit të vendit të paraqitet ke ky arqipeshkëv i Tivarit mbasi nuk asht në gjendje ti vizitojë sa vende të largëta”.
Në udhëtimin e tij të gjatë e përshkrues arqipeshkvi Marin Bizi do të vërente se në shumë fshatra feja katolike ishte drejt humbjes së plotë, sa për shkak të pushtuesit turk dhe të konvertimeve të shumta në fenë islame po aq edhe për shkak të mungesës së dijes e të kulturës fetare nga priftërinjtë e kohës.
Do të jetë ky konstatim që mendohet se e shtyu Pjetër Budin, ti hynte ndërmarrjes së tij gjigande për të përkthyer në shqip librat bazë të doktrinës kristiane. Ishte po i njëjti qëllim, po e njëjta nevojë, po e njëjta rrugë që e kishte nisur Arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, me Formulën e Pagëzimit, që në nëntor të vitit 1462 e shkroi në një qarkore e cila është gjetur shumë vite më vonë në Bilbliotekën Lauretiane të Firences. (Shiko: “Diturija” 1 Prill 1927).
© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania