Anila Xhekaliu : Letërsia shqipe vuan nga mbiprodhimi i emrave krijues



Intervistoi Gilmana Bushati

 

Anila Xhekaliu shkrimtare e katër librave, më i fundit është ‘Urban’, të cilin e ka në proçes botimi pranë shtëpisë botuese në Kosovë Buzuku dhe përkthyese nga frëngjishtja e tetë librave, ku më i fundit është i autorit bashkëkohor “Kënga e dashurisë së Judë Iskariotit” e Juan Asensio, tregon për pozitën aktuale të femrës në letërsinë shqiptare. Ajo i bën një analizë të hollësishme kësaj situate dhe del në përfundimin se tani për tani letërsia shqiptare pak ka personalitete femra në mesin e saj, ashtu siç ka letërsia bullgare apo ajo serbe. Duke qenë shkrimtare e përkthyese ajo tregon se cila është kostoja për të qenë e tillë, që sipas saj është e lartë, por është krejt e vendosur ta paguajë për të mbajtur gjallë pasionin.

 

 

Anila, pse ka kaq pak shkrimtare femra, apo si shumë profesione të tjera edhe letërsia është për burrat?

 

Në kushtet e letërsisë së sotme jo vetëm këtu ka nje kundërvënie në këtë pyetje, me atë pse ka kaq shumë autorë dhe pak shkrimtarë, që do të thotë se autorët si femra si meshkuj nuk mungojnë dhe letërsia është gjithmonë në kërkim të formave të reja të shprehjes. Shkrimtarin e bën vepra. Megjithatë do të ndalem te disa libra që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me feminizmin: “Seksi i dytë” i  Simone de Beauvoir ku mbron idenë se grave, kur u mungon ambicia ose e lënë veten të shtypen, janë po aq të dënueshme sa burrat, ndërkohë që burrat janë seksistë e arrogantë; “Monologjet e vaginës”,  Eve Ensler, shkruar bazuar në më shumë se 200 intervista me gra që hapin zemrën për kënaqësitë e tyre, brengat, traumat dhe ëndrrat;  “Çështja e grave” e Gisele Halimi, avokates së njohur të procesit “Bobigne” ku insistohet  se për çlirimin e gruas kërkohen ndryshime strukturash dhe raportesh ekonomike, ndryshim në formën “maskiliste” të pushtetit e gjithashtu “guri i hedhur”, një revolucion mentalitetesh, një botë për t’u ndryshuar qysh në gjenezë, në marrëdhënie, në kulturën e saj; “Bukuria fatale” e Mona Cholet, gazetares së botës diplomatike, ku zhvoshk çka bën kulti i bukurisë dhe tirania e look-ut tek gratë e epokës sonë. Sutiena të mbushura me pambuk për vajzat, mbajtja e fundit të shkurtër si shenjë lirie, stereotipe telenovelash, kulti i shtatit të dobët në shtypin femëror, duke treguar se prapa kësaj kopanisje mësimdhënieje fshihet një urrejtje e vërtetë për veten, që i dënon gratë të jetojnë vetëm përmjet pushtetit të joshjes. Ndërsa te “Dominimi maskilist”, Pierre Bourdieu bën një reflektim sociologjik mbi raportet sociale mes burrave dhe grave, duke shpjeguar arsyet e dominimit maskilist në të gjitha shoqëritë, ku shpjegon që gjithçka në ndërdijen tonë priret nga dominimi maskilist, për shembull: kur një grua merr fjalën në publik dhe thotë një fjalë lufte, e cilësojmë “shtrigë” ose “histerike” ndërkohë që e njëjta sjellje tek një burrë do të pranohej më shumë. Ose kur një burrë fillon praktikimin e një pune “tradicionalisht femërore”, statuti i tij menjëherë zbukurohet nga fisnikëria, rasti i kuzhinierëve. Pra, Bourdieu tregon që jemi në “kulturë të gjinive të ndryshme” meqë dominimi maskilist tenton “t`i çhistorizojë” këto role të paravendosura, duke u përpjekur të na bëjë të besojmë që këto ndryshime janë natyrale “një grua është medoemos e dobët, një burrë është medoemos i fortë”. Sigurisht që letërsia nuk është punë gjinish, Beauvoir, Woolf, Jelinek, Lessing, Morrison, Plat, etjer e kanë treguar më së miri këtë.

 

 

Në ato pak shkrimtare që kemi a mund të flitet për cilësi dhe ku është më e dallueshme në prozë apo poezi?

 

Albanologu Robert Elsie në studimin e tij “Një fund dhe një fillim”,[1] i konsideron gratë shqiptare më fort si gra që shkruajnë sesa si shkrimtare poete, që i kushtëzon Shqipëria si vend tradicionalisht mysliman, ku femrat ishin realisht analfabete 40 vjet më parë dhe gratë shkrimtare e poete nuk ishin dukuri e zakonshme. Kronologjia e tij radhit Adelina Mamaqin me  “Ëndrra vashërie” (1963),  vëllimi i parë poetik botuar nga një femër në Shqipëri, Zhuljana Jorganxhi, Natasha Lako, Adelina Balashi, Elsa Ballauri, Beatriçe Balliçi, Flora Brovina, Edi Shukriu, Elena Kadare që me romanin “Një lindje e vështirë” (1973), daton romanin e parë shqiptar të një gruaje, për të shkuar te Mimoza Ahmeti me vëllimin e saj poetik “Bëhu i bukur” (1986) dhe “Sidomos nesër” (1989), ku vë në dukje risinë e saj në temat personale dhe universale duke e cilësuar virtuoze të teknikës poetike. Por prapë saktëson se Shqipëria nuk ka patur kurrë një grande dame të poezisë sikundër fqinjët e Ballkanit, as një Elisaveta Bagrjana si bullgarët, as një Desanka Maksimoviq si serbët duke e justifikuar se një brez më parë gratë ishin analfabete dhe ngarkoheshin si kafshët, një shakull për me bajtë sipas Kanunit.[2]

Por që nga vitet ‘90 deri më sot nuk janë të paktë emrat e krijueseve femra dhe as poezia dhe proza e tyre nuk mungon, është bërë pjesë dhe e vendeve perëndimore: Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Besa Myftiu, as vlerësimet institucionale për autoret femra në vend nuk kanë munguar,  por në kushtet e mungesës së kritikës së mirëfilltë letrare, kjo jo vetëm për letërsinë e autoreve femra, nuk mund të them asgjë për cilësinë, kur letërsia shqipe vuan nga mbiprodhimi i emrave krijues,  por  mendoj se ende letërsia jonë nuk e ka një Julia Kristevë bullgare as një Flora Dozen kroate.

 

 

Sa qëndron ideja se ato ‘shkruajnë keq’ apo ne po kërkojmë më shumë se çfarë mund të japin ato në letërsi ?

 

Nuk i paragjykoj në pikën që shkruajnë keq apo mirë. Fundja nyja e letërsisë është stili, ai që na bën t’i dallojmë vetëm nga një paragraf i shkurtër autorët. Kam përkthyer disa autorë të huaj, ndër to dhe dy autore femra, Eeva Kilpi dhe Carole Martinez, ku e para është pikërisht pjesë e feminizmit europian, dhe përveç temës, fabulës, që tërheqin, është gjuha që përdorin, stili i veçantë  që i dallon nga njëra-tjetra. Ndërsa më ka ndodhur të jem në librari, kam kaluar faqen e parë të disa librave dhe kam mbetur e zhgënjyer, thua se i ka shkruar një dorë e vetme. Mbase mund të jem rast i veçuar dhe të tjerëve nuk u ka bërë përshtypje çfarë më bën mua, por më ka ngacmuar ky detaj shumë: shkrimtaret shqiptare ngjajnë kaq shumë me njëra-tjetrën, stili dallon, nuk përgjithëson, atëherë mos nuk ka prurje? Atëherë mos kjo letërsi është në rrezik? Ka vetëm kopertina dhe letër? E has këtë ngjashmëri të shkruari që dua ta quaj stil dhe te librat e përkthyer, madje romanet të japin përshtypjen e stilit gazetaresk kur diferencat mes të dyjave janë të mëdha. Bota e letërsisë jeton kohën e postmodernizmit, dhe kjo të vë përpara një sërë pyetjesh të tjera: e ka kaluar modernizmin e shekullit XX letërsia shqiptare ? Kur? Cilët ishin ata që ishin njëkohshëm me rrjedhat letrare botërore me veprën e tyre? Ku janë tendencat moderniste? A përbën realsoci vlerë tekstuale? Cili është roli i realsocit në postmodernizëm nëse pretendojmë të jemi në një hap me letërsitë e vendeve të tjera? Mendoj se duhen parë si pjesë të një sistemi dhe një letërsie që del nga totalorizmi dhe gjendet mes një bote tjetër të letërsisë pa zhvillimin natyral të saj, pra në kushte jonormale dhe e ka të vështirë orientimin ku nënkuptoj pikërisht vlerat tekstuale. Për të gjithë letërsinë shqiptare, jo vetëm për atë të femrave duhet të jetë shqetësim tashmë: “çfarë mund të japim në letërsi?”. Çfarë mund të themi tjetër kur vetë kritika ende nuk e ka thënë fjalën e saj. Poezia dhe proza u nënshtrohen analizave të shumta, perceptohen tekstualisht… Jemi në kushtet e vlerësimit mediatik, kur orientimi i lexuesit bëhet me emra të imponuar, pra media është institucion i vetëm vlerësues. Por, poezia njeh dhe një zhvillim tjetër interesant ku përfshihen dhe institucionet, ka bërë përmbysjen e madhe, nuk di sa aktivitete financohen në emër të poezisë “elitare”, sa çmime ndahen, sa emra konfirmohen si poetë, madje ka aktivitet vetëm për poetesha. Për prozën ende nuk di të jenë ndërmarrë nisma të tilla, e mos ndodhtë një marri e tillë! Cilësia mbetet e diskutueshme, shumë madje, dhe në kushtet e një letërsie institucionale, ku autorët e angazhuar dominojnë, kanë lidhje drejtpërdrejt me politikën, letërsia e mirë nuk ka mbështetje, është e braktisur, jemi në kushtet kur teksti është në hije, autori qëndron para tekstit. Letërsia jonë e përbuz tekstin e mirëfilltë letrar, ka zgjedhur dukjen para thelbit dhe kjo është e rrezikshme. Letërsinë e mirë e gjen jo te emrat.

  

 

A mund të themi se ka një letërsi feministe, nëse jo, a ka nevojë letërsia jonë për një rrymë të tillë?

 

Termi i letërsisë së feminizmit është shfaqur në vitet ‘60-‘70 me gjinokritikën që ka patur objekt poezinë dhe shkrimin e femrave si krijim artistik, duke marrë në konsideratë “ndryshimet gjinore” me Luce Irigaray dhe shfaqjen e konceptit të “shkrimit femëror” të Helene Cixous, dhe “shkrim-gruaje” të Beatrice Didier, një ndërmarrje e re dhe e madhe në kritikë, ftesa për të rilexuar veprat e autoreve femra me një shikim të mjeteve të ripërtërira, lëvizje që në vitet ‘80 me Elaine Showalter që zbulon termin e  “diferencës” më shumë në përmasën kulturore, ku u përqendrua më shumë. ”Idetë mbi temën e trupit janë thelbësore për të kuptuar si gratë konceptojnë gjendjen e tyre shoqërore, por asnjë shprehje e trupit nuk e çliron nga strukturat gjuhësore, sociale e letrare”. Koncepti i gjinisë përkufizon feminitetin jo vetëm kur nuk është vënë në pah apo është i padukshëm, përcakton gjithmonë feminitetin në raport me maskilinen duke vënë në pah që natyra seksuale e femrës, e mashkullit gjithashtu nuk është vetëm natyrore por dhe kulturore. Më vonë, koncepti i gjinisë largohet pak nga teoritë feministe dhe shfaqet në pikëvështrim semiotik si element thjesht i diferencave seksuale. Në fillimet e saj feminizmi si drejtim letrar ishte letërsi femërore bazuar në skemat rrëfimtare dhe temat tradicionalisht të shkrimtarëve burra, pastaj arrin tek letërsia feministe që përpiqet ta kundërshtojë këtë skemë dhe kërkon të drejtën e saj për autonomi, në fund ka përfunduar si letërsi e quajtur letërsi gruaje duke kërkuar me ngulm identitetin e gjinisë. Letërsia e gruas është bërë totalisht e pavarur në raport me skemat maskiliste, gjë të cilën letërsia feministe nuk ia kishte dalë: ajo kundërshton skemat e paracaktuara, pa kërkuar të shpikë të tjera. Meqenëse kemi mungesë të kritikës së mirëfilltë letrare, dhe kemi shumë autore femra, pa e thënë fjalën e saj kritika, nuk e di nëse kemi apo jo letërsi feministe. Në kushtet e një anarkie as nuk mund të them se feminizmi do të ndihmonte në përmirësimin e gjërave por që letërsia do të luante rol të madh në kulturën shqiptare, këtë e them me vetëdije të plotë. Natyra njerëzore, shoqërore apo psikologjike është pjesë e shkrimtarëve në tekstet e tyre, dhe jam e bindur që bota e femrës shqiptare përbën kureshti dhe për lexuesin e huaj jo si një viktimë e ndryshimeve të sistemeve me prostitutën, as me prostitutat e romaneve të realsocit, që sot na rezultojnë të jenë cilësuar të tilla intelektualet e internuara (sa i dhimbshëm ky fakt letrar!), as me sekretaret e sotme të zyrave që i has si ndjellëse epshi, shkaktare divorcesh: duhet shpëtuar nga ky model personazhesh që ndotin, të stisura në formën më të keqe të mundshme. Ekzotizmi duhet të mbetet te Bajroni, ku femrën shqiptare e kemi të pikturuar me të gjitha dhe për t’u lakmuar. Letërsia është ushqim shpirtëror, është model, është frymëzim, është ndihmëse, arratisemi me një libër në dorë, gjë të çmuar, e kemi bashkëbisedues, i besojmë, gjejmë të pathënat. Por kemi nevojë për identitetin tonë, të shpërfytyruar realisht. Jetojmë kohën e ndryshimeve dhe kaoseve të mëdha, kohën ku pushtetet ndrydhin. Të mos harrojmë që Nobeli i fundit shkoi për një shkrimtare që mbase personazhin më interesant të saj pati “burrneshat shqiptare”, Alice Munro. Jam e bindur që feminizmi e ka çuar tek kjo mbetje e kanunit tonë. Dua të them që vërtet letërsia shqiptare ka shumë për të thënë dhe ende nuk e ka hapur gojën dhe nuk ka nevojë për burrnesha shkrimtare, por për letërsi të mirë, vëmendje ndaj saj dhe vlerësime në bazë të prurjeve dhe vlerave.

  

 

Aktualisht në krye të kulturës shqiptare është një grua, nuk është hera e parë kjo, por a mendon se ato duhet të jenë në krah të femrave artiste, apo kur marrin postin gratë bëhen njësoj si burrat kur drejtojnë dikastere?

 

Feminizmi është term politik i ushqyer nga Marksi dhe Engelsi me barazinë gjinore. Po t`i shohim ftohtë gjërat, feminizmi shqiptar këto 23 vite është zhvilluar më tepër sipas atij të tipit fuerist, feminizmi militant, i shekujve XVIII-XIX, në kohën e romantizmit, kjo jo vetëm se feminizmi në Shqipëri njohu zhvillim në kushtet e komunizmit dhe jemi dëshmitarë të asaj që femrat intelektuale shqiptare, qoftë dhe artiste, nuk kanë mundur të dalin jashtë politikës, dhe suksesin e kanë vetëm kur janë të përfshira politikisht, madje politika duket mënyra e vetme për t’u përballur intelektualisht, për të qenë femër e suksesshme. Që është një grua në krye të kulturës shqiptare nuk e shoh si prioritet gjinor, nëse do të ishte kjo do të shkoja përsëri te Richard Rorty që thotë “politika feministe bashkëkohore është më e ngjashme me lëvizjen për heqjen e skllavërisë në shekullin XVIII sesa me komunizmin e shekullit XIX… por kur feminizmi na paraqitet më shumë se një çështje e reformave të veçanta, ai mund të bëhet i ngjashëm me komunizmin e shekullit XX”.[3] Gjithsesi duhet të kemi parasysh gjendjen në të cilën është katandisur kultura shqiptare dhe veçanërisht libri, pa mos thënë që është monopoli i parapëlqyer i medias dhe botuesve, pra libri është biznes i këtyre të dyjave, është gjetur rruga më e lehtë për ta bërë të pranishëm në media, spekulim i madh: shkrimtarët janë tashmë gazetarët, pjesë e panelave mediatike janë botuesit, ku këta gazetarë janë autorë, pra libri ka kaluar në rolin e një produkti kozmetik, botuesit e shërbejnë si produkt të tillë te konsumatori, që deri tani ka shijuar shown e gazetarëve-shkrimtarë e janë familjarizuar me pamjen dhe emrin e tyre e domosdo kanë fituar pushtet të pakufishëm: kur kanë depërtuar kaq lehtë te libri.  Për arsyen e thjeshtë se pushtetet, ai politik dhe mediatik, japin e marrin vetëm me njëri-tjetrin, pra janë në pozita shumë vëllazërore, me shumë lehtësi gazetarë-shkrimtarëtgazetarë-politikanët, sigurojnë një vend dhe në pushtetin qendror, pra të gjithë kanë tradhtuar misionin e tyre, janë gjithçka. Më ka mbetur në mendje një batutë në një rreth shoqëror kur njëri u shpreh, “kam dëgjuar për një futbollist që po shkruan roman.” Me pak fjalë ky është libri që serviret për lexuesin, në këtë gjendje e gjen librin ministrja e re. Jemi një vend që nuk jemi pjesë e BE-së dhe pengues mbetet korrupsioni. A do të bjerë në kurthet e paraadhësve  ministrja, këtu është e gjitha. A do ta çmontojë ministrja jonë ngrehinën e korrupsionit, apo do të vazhdojë punën me ata që deri tani kanë marrë fonde nga ministrat e mëparshëm, nga fondet e ndërkombëtarëve dhe kanë abuzuar me to, do bëjë këtë transparencë apo me po këta njerëz do të servirë kulturën dinjitoze shqiptare, do të vazhdojë me projektet e tyre? Kjo mbeten për t’u parë…! Pra, kemi një grua në krye të një institucioni të rëndësishëm në këto kushte. E kam përshëndetur emrin e saj kur u zgjodh bazuar në qëndrimin e saj kritik ndaj dukurive që kanë të bëjnë me përkthimin, për dëmin që i është bërë letërsisë me veprat e mëdha të ardhura keq në shqip, por a do të mundë të ngrihet mbi pushtetin duke patur busull shtetin ligjor dhe të drejtës për t’ia kthyer vlerat letërsisë, sepse janë të uzurpuara. A do t’ia kthejë letërsisë emrat e munguar? Trebeshina për 23 vjet i munguar, do të na mungojë prapë?!  E besoj që letërsia e do, kemi nevojë për përmasën e tij. A do të vijë libri i Kosovës në libraritë e Shqipërisë, do ta mëkojë sadopak plagën e antivlerës institucioni i saj??? Do ta çlirojë shtetin nga pushteti apo si të tjerët do bëhet pjesë e pushteteve, përfshi këtu dhe atë të parasë, korrupsionit, plaga që po lëngon një popull i tërë? Duke shpresuar që pikpamja e MacKinonnit se “burrat janë ashtu siç janë ngaqë kanë pushtet dhe se gratë që arrijnë të kapin format mashkullore të pushtetit, do të jenë kryesisht si ata”, nuk do pijë ujë për Mirela Kumbaron.

 

 

Cila është kostoja që duhet të paguajë një femër që merret me letërsi, përfshi edhe këtu edhe përkthimin?

 

Shumë e madhe, deri vetëmohim! Por kjo në kushtet kur barrierat mediatiko-institucionale janë të pafundme. Letërsia është kohë fizike që përfshin lexime të pafundme, shkrime, reflektime përfshi dhe angazhimet e tjera. Nuk është profesion, por mjeshtëri, art që nuk të siguron jetesën. Duhet të kesh një punë për të përballuar jetën, ndërkohë t’i përkushtohesh dhe pasionit tënd. Gjithsesi krijimin e mbaj larg rutinës që ai të paktën të mos i ngjajë asaj. Në Shqipëri është si mallkim të merresh me art, dhe nuk pres asgjë përderisa letërsia ime gjendet vetëm në Kosovë dhe ende nuk është te lexuesi i Shqipërisë.

 ________
[1] Robert Elsie, “Një fund dhe një fillim. Vëzhgime mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare”, Buzuku, Prishtinë 1995, faqe 88.

[2] Po aty, f. 101.

 

“Filozofia dhe e ardhmja”, Richard Rorty, fq 175, autorësia: Adriana Anxhaku