Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Tetor 2017
Gazeta në gjuhën frënge “La Jeune Turquie”, ka botuar, të mërkurën e 10 shtatorit 1913, në faqen n° 2, deklaratën e delegatit shqiptar, Filip Noga, dhënë për gazetën “Neue Freie Presse” në lidhje me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, sidomos në zonën jugore.
Çfarë ka thënë më konkretisht patrioti shqiptar për median austriake ? Në vijim, do të gjeni rrëfimin e tij të plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :
Një nga delegatët e Shqipërisë, Filip Noga, që sapo ka ardhur nga Londra në Vjenë, bëri këto deklarata për Neue Freie Presse :
“Kuptohet fare lehtë se shqiptarët nuk mund të jenë të lumtur me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Që në 1880, Anglia propozoi të formonte një Shqipëri autonome që përbëhej nga katër vilajete, Janina, Kosova, Manastiri dhe Shkodra, pra një Shqipëri shumë më të madhe se ajo e krijuar në Konferencën e Londrës.
Shqiptarët e konsiderojnë dhënien e territoreve me popullsi të pastër shqiptare ndaj Greqisë dhe Serbisë si një padrejtësi që Evropa u bëri atyre. Ndihemi të lënduar që Krahina e Çamërisë, e cila shtrihet deri në Prevezë, me një popullsi prej 80 mijë shqiptarësh, iu dha Greqisë.
Konferenca e Londrës ka miratuar, në parim, si kufi jugor të Shqipërisë linjën e Kepit Stylos deri në Korçë dhe dhe i ka lënë komisionit ndërkombëtar detyrën për të vënë këtë vendim në ekzekutim si dhe të vendosë përfundimisht kufirin pas një vizite në këto vende.
Komisioni duhet t'i caktojë çdo fshat Shqipërisë ose Greqisë sipas popullsisë. Ky komision ndërkombëtar, ku do të përfaqësohet nga vendimarrës të Fuqive të Mëdha dhe të Shqipërisë, ende nuk është formuar. Anëtarët ende nuk janë emëruar. Por formimi i komisionit nuk mund të presë më, sepse afati i nisjes së tij është fiksuar në ditët e para të shtatorit.
Shqiptarët i janë mirënjohës Evropës për atë pak gjë që ka bërë për ta dhe shpresojnë se ajo do të riparojë dëmin që i ka shkaktuar Shqipërisë gjatë demarkacionit. Shqiptarët janë veçanërisht mirënjohës ndaj Austro–Hungarisë për mënyrën se si monarkia mbrojti Shqipërinë dhe kontribuoi në çlirimin e saj. Perandori Franz–Jozef thërritet tek ne “xhaxha” dhe “Çlirues i Shqipërisë”.
Z. Noga shprehu gjithashtu falënderimet e tij për shtypin austro-hungarez dhe kërkoi të bëjë publike lutjen e shqiptareve që Greqia të tërheqë trupat e saj nga territoret që i përkasin Shqipërisë : Korça, Gjirokastra, Himara.”
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/filip-noga-per-neue-freie-presse-vjene-1913-ndihemi-te-lenduar-qe-krahina-e-camerise-e-cila-shtrihet-deri-ne-preveze-me-nje-popullsi-prej-80-mije-shqiptaresh-iu-dha-greqise/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.
Publikuar në :
http://gazetadielli.com/kur-protestohej-kunder-marrjes-se-camerise-nga-greqia/
http://www.njekomb.com/?p=47194
http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=6982