Përse duhet lexuar libri “The Wall Clock : And Other Short Stories” i shkrimtarit Sami Milloshi ?


Sami Milloshi - Liqeni i Shkopetit, Mat
Sami Milloshi - Liqeni i Shkopetit, Mat

Nga Genc Tirana, Toronto – 14 Gusht 2020

         

Libri “The Wall Clock : And Other Short Stories” i shkrimtarit Sami Milloshi, përkthyer nga shqipja në anglisht prej Carrie Hooper, është një nga ato vepra që lexohet më shumë se një herë. 

 

         Shtyhesh ta lexosh atë rishtasi jo vetëm për faktin që ngjarjet që trajtohen aty janë tërheqëse pa masë por edhe pse leximi shkon rrjedhshëm ngaqë tregimet janë konceptuar me fjali të shkurtëra e të shkruara qartë. Nga ana tjetër shtrirja e ngjarjeve dhe konflikteve në libër kërkojnë më tepër vëmendje për të asimiluar problematikën që ngrihet në tregime dhe si i përcjell ato autori nëpërmjet personazheve dhe figurave letrare që ka realizuar.

 

          Edhe pse tregimet në libër janë letërsi artistike puro ato janë aq afër reales sa duket sikur u adresohen lexuesve veçmas duke ngacmuar gjendjen e tyre emocionale. Të gjitha tregimet pa përjashtim janë marrë nga jeta dhe pasqyrojnë te lexuesi jetën e tyre të përditshme me ulje-ngritjet e pashmangshme, gjë që e bën librin mjaft tërheqës.

 

          Tregimet janë konceptuar nga njëra anë me subjekte unike që qëndrojnë veçmas duke krijuar kësisoji pauza të nevojshme, gjë që e bëjnë leximin shlodhës. Ndërsa nga ana tjetër problematika që trajtohet aty, ku në qendër është vendosur dashuria njerëzore dhe pozitiviteti, krijojnë atë lidhje harmonike mes tregimeve që shërben si bosht për të mbajtur të lidhur me librin gjatë gjithë leximit. Pothuajse gjatë gjithë pasazheve në libër lexuesi ndjehet si pjesë e integruar mirë në ngjarjet që trajtohen aty dhe e prek jetën e tij nga afër falë bashkëveprimit të personazheve të krijuar aq mirë artistikisht dhe mesazheve që ata përcjellin përmes dialogjeve, përshkrimeve dhe figurave letrare.

 

     Një veçanti e këtij libri që e bën atë edhe më tërheqës është ndërthurja natyrale e dy botëve të autorit dhe presonazheve të krijuar prej tij që navigojnë përmes realitetit shqiptar dhe atij amerikan. Madje edhe pse tregimet nuk janë të gjata ato shtrihen natyrshëm në një hapsirë të gjerë kohore dhe hapsinore që e bëjnë këtë vepër mjaft përgjithësuese. Bashkëveprimi i personazhe si Mark Gurra përballë çfitit amerikan Jeff and Jean te “The Wall Clock” apo vetë autorit përballë James te “I Am Not a Veteran” apo emigrantes Kim te “The Pianist”, etj, etj, krijojnë një unitet të natyrshëm të dy botëve dhe reliteteve që gjithësesi të marra veçanërisht janë larg. Gjuha tepër e pasur dhe e qartë në anglisht arrin gjithashtu ta pasqyrojë komponentin e realitetit shqiptar në vepër edhe pse në shumicën e tregimeve vendgjarja është në Amerikë.

 

          Figurat letrare të përdorura me vend dhe të shkrira organikisht në vepër i japin frymëmarrje librit nga fillimi në fund. Krahasimi i personazheve të tregimit “The Wall Clock” me akrepat e orës dhe lidhja e ngushtë shpirtërore e tyre dhënë përmes faktit që këto dy pjesë të rëndësishme të këtij mekanizmi funksionojnë vetëm bashkë është figurë që përçon te lexuesi mesazhin e dy njerëzve që duhen. Figura e gjetur duket se përcjell shumë më tepër se sa të përdoreshin përshkrime të gjata me qindra fjalë. Po të njejtin efekt krijojnë hiperbolat dhe paralelizmat te “A Bouquet of Flowers After Forty Years”, I Am Not a Veteran”, etj, që e fusin lexuesin menjëherë në thelbin e ngjarjes apo dhe konfliktit.

 

            Çfarë dallohet gjithashtu qartë në tregime është momenti kur ngjarja, bashkëveprimi i personazheve, ekulibri në jetën e tyre apo drama që përjetojnë arrin pikën kulmore. Madje mund të thuhet që kjo është pjesa më tërheqëse në tërësinë e librit. Fakti që tema kryesore në tregime është dashuria dhe afeksioni njerzor e nxit dhe më tej kërshërinë e lexuesit që gjithmonë hamendëson zvillimin e ngjarjes. Sa më shumë leximi i afrohet pikës kulmore aq më tepër plotësohet natyrshëm ajo hapsirë mes kërshërisë imagjinare të lexuesit dhe realitetit e mesazhit që autori merr përsipër të përcjellë. Personazhet e tregimeve janë të çdo moshe. Veçse mesazhi i autorit është që dashuria nuk ka moshë për faktin që në një pjesë të mirë të tregimeve trajton në detaje marrëdhënjet e njerëzve që duhen në moshë të thyer. Ky këndvështrim e bën leximin e këtij libri më emocionues.

 

          Aty këtu në libër gjen përsëritje të ideve. Shprehja e dashurisë së njërit nga bashkëshortët duke vendosur foton e vet në arkivolin e partnerit gjendet në dy tregime gjë që edhe mund të shmanget ose kjo simbolikë e fuqishme të integrohej në mënyrë origjinale në kontekstin e secilit tregim. Në disa tegime autori hulumton dhe kërkon të trajtojë me guxim konfliktet e forta në marrdhënjet njerëzore. Në tregimin “To Love and Be Loved” mesazhi human që bashkëshortët kanë nevojë që të duhen me gjithë zemër jepet përmes një konflikti të fortë ku prindërit respektivë të një çifti që duhen kishin bërë një fëmijë jashtë martese së bashku. Ndoshta hapsira e një tregimi të shkurtër mund të mos premotojë për të përcjellë plotësisht mesazhin që jepet në një konflikt të tillë. Nga ana tjetër kjo gjë mund ta inkurajonte autorin që të këmbëngulte më shumë në idenë e trajtimit të këtyre temave më vonë në krijime të reja në gjini të tjera si novela, romane apo skenarë filmash.

 

          Në këtë këndvështrim “The Wall Clock : And Other Short Stories” është një gur kilometrik ku autori Milloshi paraqitet përpara lexuesit deri ku ka mbrritur krijimtaria e tij për momentin dhe për ku është drejtuar. Drama e vetë autorit dhe personzheve që prëcjellin idetë e tij te lexuesi e ka zanafillën në vendin e origjinës që për fat u përsiat në kalvarin e diktaturës dhe gjen lehtësim dhe frymëmarrje në realitetin e ri në kontinentin e lirë.

 

          Duke prekur të dy botët dhe realitet respektive dhe duke ju adresuar një spektri të gjerë lexuesish ky libër ka një arësye më shumë për tu lexuar.

 

 

Libri gjendet online : https://www.amazon.ca/-/fr/Sami-Milloshi/dp/B089M1FGP4