Për në Petralbë, një rrugë drejt historisë


Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori

 

Nga Avni Dani, Tiranë – 9 Prill 2017

 

Banorëve të Klosit dhe fshatrave për rreth, kur dëgjuan zhurmën e mjetit që hapte rrugën për në Kalanë e Petralbës, duhet tu jetë dukur një gjë normale. Prej vitesh nëpër fshatra po bëhen përpjekje të mëdha për të ndërtuar infrastrukturën aq shumë të nevojshme dhe po aq shumë të munguar. Traktorët hapin kudo akse që në të shumtën e rasteve dimri i bën përsëri të pakalueshme. Eshtë një betejë që vazhdon për vite me radhë. Ndaj dhe zhurma që vinte nga fshati Fshat duhet të jetë dukur si diçka e zakonshme. Por nuk është ashtu. Rruga për në Petralbë nuk është si gjithë të tjerat. Ajo edhe pse jo më shumë se sa disa qindra metra është më e gjatë se gjithë të tjerat. Është një rrugë që shkon drejt identitetit të të gjithë zonës. Është një rrugë që të çon drejt historisë së lavdishme të trevës “që ka nxjerrë mbretër”. Është lidhja e fushës breg Lezedrës e Matit me majën nga ku shfaqet me gjithë madhështinë e vet e gjithë ajo që njihet kudo si Lugina e Matit. 

 

Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori

Më mirë vonë se kurrë

Ndërtimi i një rruge lidhëse nga fshati Fshat për në Kalanë e Petralbës është një iniciativë e Bashkisë Klos. Saktësisht ajo është këmbëngulja e kreut të Bashkisë, Basir Çupa, i cili duke qenë i lindur aty e sheh rrugën si nisjen e një projekti më të madh kulturor. Krijimi i mundësisë për ta vizituar lehtësisht kalanë, nëpërmjet rrugës, hap shtigjet edhe për më shumë kujdes për të, lehtëson punën për ta pastruar e ristrukturuar aty ku është mundësia. Në këtë mënyrë ajo nuk mbetet më thjeshtë një legjendë dhe citim prej “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit, porn ë të njëtën kohë bëhet edhe një realitet i prekshëm për të gjithë banorët, pse jot ë mos e themi edhe për brezat që do ti vijnë. Kalaja ka qenë aty në majën e malit. Ashtu sic u ka mbijetuar dikur betejave e luftrave i është dashur ti mbijetojë edhe brakjtisjes e moskujdesit. Rruga e nxjerr atë nga “shkurret” ku ishte zhytur për qindra vite me radhë, e bën atë të aksesueshme dhe njerëzit kanë mundësinë të shohin me sytë e tyre madhështinë e luginës ku ata jetojnë, e luginës ku sipas Barletit ka jetuar dhe luftuar edhe vetë Heroi Komibëtar, Skënderbeu. Është një punë që duhet të ishte bërë shumë kohë më parë. Por…kot nuk thonë: Më mirë vonë se kurrë.     

 

Një muze? Pse jo.

Kyetari i Bashkisë Klos, Zoti Basir Çupa
Kyetari i Bashkisë Klos, Zoti Basir Çupa

Kryetari i Bashkisë së Klosit, Basir Çupa thotë se gjithçka po bëhet me fondet e vetë pushtetit vendor. Ka nisur si një projekt i vogël, me shpresën se një ditë do të mund të realizohet gjithçka ajo kala e meriton. Pas rrugës, planifikohet të pastrohet terreni përreth për të evidentuar më mirë kalanë. Më pas në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës po synohet të hartohet një projekt restaurimi, për të mundur të kthehen disa nga vlerat e asaj kalaje, që për nga rëndësia vjen e dyta pas Krujës. Është e konfirmuar tashmë nga burimet historike se ajo kala ka qenë “shtëpia e dytë” e Skënderbeut. Por kryebashkiaku Çupa synon të bëjë edhe më shumë. Në anë të kalasë po punohet për hapjen e një sheshi i cili mund të jetë trualli ku mund të ndërtohet një muze. Është paradoks por zona me aq shumë histori nuk e ka një muze historik. Bashkia e synon ta bëjë dhe meriton përgëzime. Do të duhet shumë punë ndoshta deri atë ditë, do të duhen kordinuar shumë ekspertë e institucione, por ama pa u nisur asgjë nuk bëhet.                   

 

Në pritje të rrugës së Arbrit

Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori

Petralba është kalaja e dytë më e rëndësishme e shtetit të Arbërit. Por ajo është edhe pse më kryesorja vetëm një pjesë e mozaikut “Arbër”. Gjithçka që ka qenë në shërbim të saj, urat e gurta, kalldrëmet, kalët e tjera më të vogla e karakollet do të marrin një kuptim të vërtetë të një vlere të turizmit historik, do të mund të kthehen në atraksione vetëm pasi të jetë ndërtuar e shumë pritura Rruga e Arbërit. Është aksi më historik i Shqipërisë mesjetare, që ashtu si Kalaja e Petralbës e harruar mes shkurreve në majë të malit të Fshatit, është harruar në shkurret e burokracisë dhe zilive shtetërore prej më shumë se 30 vjetësh. Për të deri më tani vetëm flitet e premtohet e asgjë nuk bëhet. Nuk dihet sa do të vazhdojë kjo histori. Por kreu i Bashkisë së Klosit shpreson. Rrugën për në Kalanë e Petralbës ai e ka lidhur direkt me vendin ku kalon projekti (ende jo rruga) i Rrugës së Arbërit. Po ndërohet mundësia që madhështinë e Petralbës ta shohin të gjithë.       

     

Petralba, shtëpia e dytë e Skëndërbeut

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Petralbën populli i zonës e ka quajtur ndryshe edhe “Kalaja e Skanderbegjut". Aty për shekuj me radhë janë rrënojat e saj, e bashkë me ato edhe sot e kësaj dite ruhen dhe toponmimet. Studiuesi Aqif Ymeri, që është marrë prej kohësh me këtë temë, përmend shumë prej tyre si Tanushë, Gurëza, Maja e Qytetes, Dyqanet e Venedikasve etj. Kalaja ngrihet mbi lartësinë 878 m në majën e malit të fshatit Fshat, në anën më jugore të Bashkisë së Klosit. Muret e saj janë të ndërtuara me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. Thuhet se deri në vitet 70 të shekullit të kaluar, aty dalloheshin dhe më një shikim sipërfaqësor, themelet e dy kullave të fortesës, si edhe fragmentë të murit rrethues të fortesës. 

 

E vendosur në një pikë strategjike mbi luginën e Matit, Petralba kontrollonte pjesën më të madhe të saj si edhe akset lidhëse, ku më kryesorja ishte padyshim Rruga e Arbrit, që niste nga Durrësi, Albanapoli, Pershqopi e Petrela, Qafë Murrize, zbriste në këmbë të fortesës së Petralbës. Aty rruga ndahet në dy degë: njëra nga veriu kalonte në kalanë e Cerujës, në kalanë e Stelushit e për të zbritur më pas nëpër luginën e Drinit drejt Prizrenit. Dega tjetër ishte nga lindja Petralbë-Qafëbuall, Ura e Topojanit, kalatë e Grazhdanit e Sfetigradit e shkonte drejt Shkupit. Po ashtu Petralba zotëronte edhe lidhjet e brendshme të luginës së Matit. Ende ka gjurmë të aksit që e lidh me qytezën e Komsisë e cila, kalon nëpër fshatrat Dars, Fullqet, Gurrë, Komsi, për të vijuar më pas lidhjet e tjera nga Qafa e Shtamës.

 

Përshkrimin më të plotë të rëndësisë historike të Kalasë së Petralbës e gjejmë tek “Histori e Skënderbeut” e Marin Barletit, i cili në origjinal e quan atë Petram Albam, që në shqip është Guri i Bardhë. Sipas Barletit Skënderbeu në vitin 1443 pasi ka marrë Krujën dhe Petrelën i është drejtuar Petralbës. Duke vazhduar drejt rrugën, arritëm në Petralbë, e cila është larg nga Petrela 30 mijë hapa, nga Kruja po 30 mijë, ndërsa Petrela nga Kruja 25 mijë hapa. Ky është një qytet në Mat, i ndërtuar mu në majë të një mali të vogël, por që s'i trembet, megjithëkëtë, përveç urisë, asnjë fuqie armiku. Veç kësaj, lumi i Matit, që rrjedh rrëzë malit, duket se i shton këtij vendi jo më pak bukurinë sesa fuqinë mbrojtëse dhe dobinë. Sapo ushtria zuri vend e nguli çadrat nën muret, erdhën disa të dërguar nga ata të qytetit të Skënderbeut dhe i bënë me dëshirën e vet dorëzimin e qytetit. Edhe këtyre u dhanë dhe ua mbajtën gjithë zotimet, që u kishin dhënë e mbajtur më parë petrelasve, dhe bashkë me rojën armike u dërguan disa nga tanët për t'i ruajtur se mos pësonin gjë nga banorët e krahinës”, shkruan Barleti.

 

Më pas merr edhe Stelushin dhe më 28 nentor 1443 Skënderbeu zotëron fronin e të atit Gjonit. Ndërsa në një tjetër rast, tek përshkruan pushimet mes betejave, Barleti shkruan: “E shpërndau mbledhjen e ushtrinë i la të gjithë të lirë të ktheheshin në shtëpi, ndërsa ai vetë, bashkë me Hamzën dhe me pak kalorës, shkoi në Petralbë. Atje ai kishte lënë të shoqen që në fillim të verës, gjë që e bëri pastaj gjatë gjithë kohës së mbretërisë, me qëllim që verën dhe vjeshtën të qëndronte atje për prehje, kurse kohën tjetër në Krujë, me përjashtim të rasteve kur vinte Mehmeti apo ndonjë mizëri tjetër me ushtarë”. Pikërisht në këtë rast Barleti bën edhe një përshkrim unikal të zonës. “Rrëzë kështjellës ishte një fushë me një bukuri të veçantë, si nga hijeshia e vetë natyrës dhe e vendit, si dhe nga punimi plot kujdes i banorëve, saqë s'i mungonin as pemët, as hardhitë, as frutat, asgjë nga ato që begatojnë dhe zbukurojnë tokën. Atje, zonja, bashkë me familjen dhe me vargje të pambaruara vajzash e me shërbime mbretërore, sipas zakonit, e kalonte atë pjesë të vitit. Rreth e rrotull, nga çdo anë e fushës ishin pyje të paafrueshme dhe ngushtica luftëtarësh për ruajtjen e saj. Dhe vetë qytetin e kishte të pajisur si jo më mirë me burra, armë dhe ushqime për çdo rast”.

 

Barleti e provon plotësisht faktin se Skenderbeu ka ndenjur familjarisht në Petralbë. Madje sipas gojëdhënave ashtu si ai vetë edhe i biri i tij, Gjoni kanë lindur pikërisht në këtë kala. Por Petralba, nuk ishte thjeshtë e vetëm një zonë banimi. Për Skënderbeun, gjithnjë sipas Barletit, kalaja dhe zona ishin edhe një prapavijë shumë e rëndësishme luftarake. “Skënderbeu, pasi arriti në kamp, i cili ishte vendosur në një vend që quhet Petralbë, 15 000 hapa larg armikut, ku kishte 8 000 kalorës dhe 4 000 këmbësorë nga më trimat, po armatosej e po bëhej gati për t'u nisur kundër armikut”, shkruan Berleti teksa përshkruan betejën e Vajkalit mes Skënderbeut e Ballaban Pashë Batrrës.

 

Monumentet e tashëgimnisë kulturore në Bashkinë Klos

Ura e Vashës - Fotografi e dërguar nga autori
Ura e Vashës - Fotografi e dërguar nga autori

 

Nga viti 1963 e deri më 1977 në zonën e Klosit janë identifikuar mbi 20 monumente të trashëgiminisë kulturore. Mati përgjithësisht dhe Klosi në veçanti janë të përmendur për ndërtimet e tipit kullë, ndërtesa që kanë qenë të përhapura gjerësisht. Shumica e tyre, edhe për shkak të mundësive financiare dhe të kujdesit për mirëmbajtje nuk kanë mundur ti rezistojnë kohës, por mjaft prej tyre janë edhe sot. Për tu shtyrë më thellë në kohë zona është e përmendur edhe për kalatë e shumta dhe urat e gurta që dëshmojnë akset lidhëse të asaj kohe. Të tilla përmenden kalaja e Xibrrit, kalaja e Cerujës, si edhe Ura e Vashës që është me e bukura e mbetur mbi Mat. Thuhet të ketë qenë edhe një urë tjetër mbi Mat shumë më e madhe se ajo, ura që i kishte dhënë emrin edhe pazarit (Pazari i Urës), por sot nuk ka asnjë gjurmë të saj. Zona është e përmendur edhe për prodhimin e barutit, por gjurmë të kësaj zeje nuk ekzistojnë më, ndonëse deri vonë ka patur një numër të madh mullinjsh bloje me ujë, vende ku mund të kenë qenë edhe digat e barutit. Aktualisht për gjithë këtë trashëgimini historike, sidomos pas viteve 90 është bërë shumë pak dhe mjaft prej atraksioneve janë harruar dhe më keq akoma edhe rrënuar.         

Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori

LISTA E MONUMENTEVE KULTURORE E HISTORIKE Në BASHKINË KLOS

Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori
Fotografi e dërguar nga autori

 

© Avni Dani  

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania

 

Shkrimi është botuar gjithashtu në gazetën "Rruga e Arbërit"