La Clef du cabinet des souverains (1797) / Botojmë kopjet autentike të korrespondencës midis Pashait të Shkodrës dhe Napoleon Bonapartit për lexuesit kureshtarë


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Janar 2022

 

Gazeta franceze “La Clef du cabinet des souverains” ka botuar, me 15 shtator 1797, në ballinë dhe faqen n°2, kopjet autentike të korrespondencës midis Ibrahim Pashë Bushatlliut dhe Napoleon Bonapartit, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Korrespondenca midis Bonapartit dhe Pashait të Shkodrës

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Milano, 25 gusht.

 

Këtu qarkullojnë kopje që duken autentike, të letrës së Pashait të Shkodrës drejtuar Bonapartit dhe të përgjigjes së gjeneralit francez. Të dyja pjesët janë të denja për vëmendjen e lexuesve kureshtarë.

 

Kopja e letrës së Pashait të Shkodrës drejtuar gjeneralit Bonapart.

 

Zoti është i madh dhe veprat e tij janë të mrekullueshme: për kryegjeneralin, mbrojtësin e ligjit të Isait, për njeriun e fuqishëm të Republikës Franceze, gjeneralin e gjeneralëve, Bonapartin, fitimtarin sublim të rajoneve të Italisë, gjeneralin e përgjithshëm, besnik, i nderuar, i mëshirshëm dhe mirëbërës.

 

Unë i dërgoj atij këtë shkresë :

 

Unë, princi i gjeneralëve.

 

U plotësofshin dëshirat tuaja; u konsolidoftë miqësia jonë e përjetshme; arritshin përshëndetjet e mia të sinqerta; qofsha i informuar me lajmin interesant për gjendjen perfekte të shëndetit tuaj dhe për shkak të kësaj miqësie që do të na bashkojë përgjithmonë dhe për të cilën dëshiroj t'ju jap provat më të informuara dhe më të shpeshta.

 

Miqësia që bashkon Portën osmane me Republikën Franceze nuk ka reshtur kurrë së qeni besnike dhe e sinqertë.

 

Dora e të fortit, e drejtuar nga dora e Zotit, duke asgjësuar fuqinë venedikase dhe duke e nënshtruar atë në ligjet tuaja, vendosi marrëdhënie të reja midis dy monarkive. Harmonia që ekziston mes tyre rritet kur dy popujt i afrohen njëri-tjetrit; dhe forcimi i ri i lidhjeve që na bashkojnë më detyron t’ju kërkoj një nder të ri. Ai konsiston në mbështetjen nga miku im i sinqertë që nënshtetasit dhe tregtarët e mi që tregtojnë në Venedik, të mbrohen në personat dhe në objektet e tregtisë së tyre; le t'u ofrohet mikpritje dhe le të shikohen me sy të mirë. Kjo është kërkesa ime e vetme; dhe për këtë ju kam dërguar këtë shkresë dhe ia kam përcjellë miqve më besnikë. Pas mbërritjes së këtyre pak rreshtave; pasi të keni kuptuar përmbajtjen e tyre, sipas kuptimit në të cilin i kam diktuar; shpresoj që tregtarët e Shkodrës, nënshtetasit e mi, të konsiderohen mirë, të mbrohen dhe të nderohen. Meqë jam i bindur se do të marr atë që kërkoj nga ju, kjo letër do të shërbejë njëkohësisht për t'ju shprehur mirënjohjen time.

 

Zoti është i madh dhe veprat e tij janë të mrekullueshme.

 

Le të mos reshtë kurrë miqësia që na bashkon.

 

Gjenerali i Shkodrës, Ibrahimi.

 

 

Përgjigjja e Bonapartit është pak më afër lakonizmit republikan.

 

 

Përgjigjjja e kryegjeneralit Bonapart për Pashain e Shkodrës Ibrahimin.

 

Kam lexuar me kënaqësinë më të madhe lavdrimet në letrën e shkruar nga Zotëria juaj. Republika franceze është një mike e vërtetë e Portës së Lartë; por ajo ka një konsideratë të veçantë, sidomos, për kombin trim shqiptar, i cili ndodhet nën urdhërat tuaja.

 

Kam dëgjuar me dhimbje fatkeqësinë që i ka ndodhur vëllait tuaj (E ka fjalën për Kara Mahmud Pashë Bushatin) : ky luftëtar i patrembur meritonte një fat më të denjë për trimërinë e tij ; por ai u shua nga një vdekje e guximshme.

 

I dërgoj Zotërisë suaj urdhërin e dhënë nga unë, që i lejon flotës osmane të lundrojë pa shqetësim në Adriatik. Turqit do të trajtohen si kombet e tjera, madje do të përfitojnë disa lehtësime : në të gjitha rastet, unë do të mbroj shqiptarët dhe do të jem i lumtur t’i shpreh Zotërisë suaj respektin e konsideratën e lartë që kam për të.

 

Nënshkruar : Bonaparti

 

Në shenjë miqësie, i lutem Zotërisë suaj të merrni katër arkat me pushkë që ju kam dërguar.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/la-clef-du-cabinet-des-souverains-1797-botojme-kopjet-autentike-te-korrespondences-midis-pashait-te-shkodres-dhe-napoleon-bonapartit-per-lexuesit-kureshtare/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://americaneye.al/korrespondenca-midis-pashait-te-shkodres-ibrahim-bushatlliu-dhe-bonapartit/

 

https://fjala.al/2022/01/17/korrespondenca-midis-pashait-te-shkodres-ibrahim-bushatlliut-dhe-napoleon-bonapartit/

 

https://www.kultplus.com/lajme/botohen-kopjet-autentike-te-korrespondences-midis-pashait-te-shkodres-dhe-napoleon-bonapartit/

 

https://opinion.al/1797-kopjet-autentike-te-korrespodences-mes-pashait-te-shkodres-dhe-bonapartit/

 

https://27.al/1797-kopjet-autentike-te-korrespodences-mes-pashait-te-shkodres-dhe-bonapartit/

 

https://www.botasot.info/historia-lajme/1744411/botojme-kopjet-autentike-te-korrespondences-midis-pashait-te-shkodres-dhe-napoleon-bonapartit-per-lexuesit-kureshtare/

 

https://drini.us/la-clef-du-cabinet-des-souverains-1797-botojme-kopjet-autentike-te-korrespondences-midis-pashait-te-shkodres-dhe-napoleon-bonapartit-per-lexuesit-kureshtare/

 

https://www.arsalbanica.mk/botojme-kopjet-autentike-te-korrespondences-midis-pashait-te-shkodres-dhe-napoleon-bonapartit-per-lexuesit-kureshtare-la-clef-du-cabinet-des-souverains-1797/

 

https://alb-spirit.com/2022/01/17/la-clef-du-cabinet-des-souverains-1797korrespondenca-midis-pashait-te-shkodres-dhe-napoleon-bonapartit/

 

Fjala, e hënë, 17 janar 2022, f.7
Fjala, e hënë, 17 janar 2022, f.7