Rruga e Budit, traditë e përkushtim për krijuesit matjanë


Hamdi Hysuka
Hamdi Hysuka

Intervistë me z. Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” Mat – Bisedoi : Qemal Cenaj


 

-Treva e Matit ka një histori të herëshme në vlerat e kombit shqiptar. Sa janë patur në konsideratë dhe sa frymëzuese janë bërë ato për brezat në periudha të ndryshme kohore?

 

-Dihet që Mati është trevë me histori të lashtë, djep i kulturës dhe i artit kombëtar, i njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjeografi i hershëm Ptolemeu fisin ilir Albanoi, në një hartë të tij, e shënon në trevat e sotme të Matit. Kjo është e vërtetë, sepse bashkësia fisnore e ilirëve mes Dibrës dhe Durrësit ishte e fisit Albanoi. Është me rëndësi të thuhet se popullsia ilire në trevat e Matit mundi të ekzistojë e të ruhet pa u asimiluar nga pushtimi romak dhe nga dyndjet e popujve të ndryshëm. Kjo vazhdimësi jete, kulture, etnike na çoi deri në mesjetën e hershme, kur ilirët dalin në histori me emrat e ri Arbër. Jo rastësisht Mati ka qënë epiqendër e pricipatës së Arbërit dhe e Kastriotëve pak më vonë.

 

Krahina e Matit është vend i Kuvendeve Kombëtare, i shkrimit të parë të shqipes, “Formulës së Pagëzimit”, i datuar në vitin 1462. Kjo Formulë përkon me dialektin matjan dhe përbën rëndësi të veçantë, dëshmi mbi shkrimin e gjuhës shqipe në një datim më të hershëm se Meshari i Gjon Buzukut (vitit 1555). Nëse i referohemi historisë kombëtare, Mati ka nxjerrë figura të shquara të historisë e kulturës sonë, duke filluar me heroin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, figura të urtësisë, mendësisë e trimërisë si Kont Urani, Kokë Malçi, Pjetër Përlati, Pjetër Budin shkrimtar e themelues i poezisë dhe prozës shqipe, figura e personalitete të Rilindjes sonë kombëtare, patriotë, arsimdashës, aktivistë e kontribues kryesorë të çështjes së arsimit e kulturës shqipe, si Dervish Hima, Ibrahim Temo, Rexhep pashë Mati, Riza bej Zogolli, Ibrahim Dalliu, Jakup Metra, Ahmet Xhetani... deri tek ish-mbreti Zogu I. Pra, nuk është rastësi që Pjetër Budi u lind në këto troje, klerik i madh, poet dhe atdhetar.

 

 

-Që nga Pjetër Budi e më pas, kjo trevë ka nxjerrë shumë figura edhe në krijimtari letrare, një pasuri për brezat. Sa njihen dhe si ka shërbyer kjo në pasurimin e kulturës për trevën e më gjërë?

 

-Brez pas brezi fjala poetike matjane nuk ka shterrur kurrë. Dalja në dritë më 2002 e gazetës “Mati” dhe revistës “Emathia” më 2007, sollën në udhën e krijimit letrar poetë e prozatorë, të cilët u prezantuan në faqet e tyre letrare. Disa botuan cikle poetike, ese, tregime e më pas me vëllimet e para u radhitën me poetë e shkrimtarë të njohur. Por dëshmi reale është botimi i Antologjisë me poezi të autorëve matjanë “Udhëtare me pranverën” (2015), në të cilën spikat vepra poetike e autorëve Isuf Meta, Dali Terziu, Kolë Ndreka, Ymer Toçi, Kurt Kola, Sabri Aliaj, Halit Çitozi, Rakip Lasku, Hysni Milloshi, Qemal Cenaj, Hasan Huta, Asllan Muharremi, Hamdi Hysuka, Kujtim Stana, Basir Bushkashi, Sami Milloshi, Bajram Canameti, Fatmir Alimani, Adile Baleta, Avni Hoxha, Shefqet Merra, Ilias Stana, Aqif Heta, Xhavit Gasa, Emine Kica, Fato Male, Simon Kaca, Fatmir Gjestila, Çezar Rica, Riza Doda, Gëzim Buna, Zaide Noka, Lindita Doda, Albert V. Nikolla, Dritan Buna, Fatmir Neli, Anila Ferizaj, Emrie Krosi, Adivie Hoxha, Valentina Kurti, Elsa Koxha, Anila Xhekaliu, Ermira Kazhani, Erina Çoku, Roza O. Hysuka, Etleva Çoku, Saimir Murati, Jolanda Lila, Adriatik Doçi, Shyqyri Koçi, Doruntina Gjestila, Matilda Koliqi, Ervisa Ruka, të cilët e shndërruan Matin në një ishull të fjalës poetike. Për këtë antologji shkrimtari e studiuesi Qazim D. Shehu është shprehur:

 

-Poezia matjane ndodhet në majat e lirikës shqiptare me një sugjestion ndjenjash dhe përjetimesh të larmishme. Dallohet si tipologji për detajin jetësor, verbin komunikues, minifabulën e gjetur, ngrohtësinë dhe forcën e përjetimit jetësor. Ajo ka në strukturën e vet mendimin filozofik për krenarinë e historisë, dashurinë për trollin dhe kjo strukturë ngrihet me një arkitekturë të shpirtit. Sharmi dhe elokuenca e poezisë matjane fillon nga Budi, i cili ende sikur thotë: “Ku janë ata letëror, / të urtët e dijes të ndëgjuom…”.

 

 

-Prej pak vitesh në Mat është krijuar Festivali Kombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”. Nxitja kuptohet, por sa ka qenë ngjitja në zhvillimin, veprimtaritë krijuese, problematika dhe jehona?

 

-Saktësisht më 15 tetor 2016 u themelua Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” Mat, me qendër në qytetin Burrel. Mban emrin e Pjetër Budit nga Guri i Bardhë i Klosit, poetit dhe prozatorit të parë të letërsisë sonë, autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqipe për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të pupullit tonë. Anëtarësimi në këtë klub letrar ishte dhe është “pa ndërhyrje”, bazuar vetëm në vlera, talent dhe eksperiencë krijuese, të cilit i vlon zjarri i dashurisë për Matin. Te ky “kuvend poetik” nënshkruan shkrimtarë, poetë dhe artistë të fjalës së kulturuar e me peshë emocionale, brenda të cilëve rreh pulsi i jetës i kësaj treve të bukur. Janë renditur anëtarë të të gjitha moshave, që shkruajnë në gjinitë letrare: epikë, lirikë, ose dramatikë; që kërcejnë valle popullore, këndojnë këngë dhe interpretojnë në instrumenta popullorë tradicionalë.

 

I menjëhershëm ishte, siç thoni dhe ju, hapja e Festivalit Kombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”. Ky festival, i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”, ka mision kombëtar, që Matin, vendlindjen e poetit të parë të letërsisë shqipe, pararendës i Rilindjes sonë Kombëtare, ta kthejë në një ditë të poezisë së të gjithë poetëve, festë të vërtetë poetike, me pjesëmarrje poetësh nga Mati e gjithë Shqipëria, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Diasporës.

 

 

-Diçka për udhëpërshkimin e këtij grupimi dhe lidhjet e krijuara në shkallë kombëtare?

 

-Festivali i Parë Kombëtar i Poezisë “Muza poetike budiane” u organizua në nderim të 450-vjetorit të lindjes së Pjetër Budit, poetit dhe prozatorit të parë të letërsisë shqipe, ku morën pjesë poetë matjanë e të ftuar nga qytete e trevat shqiptare, pasardhës të Budit, shkrimtarë, artistë, drejtues të qeverisjes vendore, punonjës të arsimit e kulturës, pasardhës të familjes Budi, media lokale, të rinj e të reja. Në prag të mbajtjes së festivalit, akademiku Rexhep Qosja, na uroi për gjithë veprimtaritë që ishin bërë dhe po bëheshin për shënimin sa më të plotë e më të gjithanshëm të përvjetorit të lindjes së Pjetër Budit:

 

“Ju dhe Klubi i Shkrimtarëve e Artistëve Mat, në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare të Studimeve Letrare "Pjetër Budi" Tiranë, po bëni një punë shumë, shumë të rëndësishme kulturore, letrare, gjithëkombëtare. Po shënoni përvjetorin e një figure shumë të rëndësishme kulturore e historike, që me të drejtë çmohet poeti i parë shqiptar, për të cilin mund të thuhet se dhuntinë krijuese poetike dhe letrare shqiptare në përgjithësi e dëshmoi në një kohë larg të shkuar, kur kushtet shoqërore, kulturore e historike ishin tepër të rënda për një dëshmim të tillë. Dhe, kjo e dhënë e bën edhe më të rëndësishme krijimtarinë e tij, edhe më të madh emrin e tij, e edhe më të çmuar veprimtarinë tuaj për Pjetër Budin”.

 

Kështu, arti dhe poezia mblodhën pranë vetes emra të njohur autorësh, poetë dhe studiues, kritikë letrarë dhe artdashës. Hapja e Festivalit “Muza Poetike Budiane” qe një surprizë për të gjithë artdashësit, sepse me poezitë e tyre u ngjitën në skenë, shoqëruar me duartrokitje, poetë të njohur e të rinj.

 

I pari skenës së emocionit konkurues të poetëve pjesëmarrës iu ngjit poeti Agim Gjakova dhe pas tij poetët e poetet Adile Baleta, Adritatike Lami, Agim Bajrami, Aqif Heta, Bajram Canameti, Basir Bushkashi, Ervisa Ruka, Fatmir Neli, Fato Male, Gjokë Dabaj, Hamdi Hysuka, Kolë Ndreka, Kurt Kola, Lindita Doda, Mevlud Buci, Namik Selmani, Nuri Koleci, Qemal Cenaj, Sabri Aliaj, Sami Velçani, Shyqyri Koçi, Valentina Kurti. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. “Muza Poetike Budiane” i dhuroi Burrelit një atmosferë të ngarkuar me emocione, duke përmbushur detyrimin atdhetar ndaj poetit të parë shqiptar, Pjetër Budit të Gurit të Bardhë, të Matit dhe gjithë Shqipërisë. Studiuesi Behar Gjoka, drejtor i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë, duke folur për këtë jubile të madh, theksoi se sa kohë të ketë poetë dhe poezi, aq kohë do të ketë qenie njerëzore, do të ketë komb e shtet.

 

Festivali i Parë “Muza Poetike Budiane” ishte tregues i forcave krijuese të trevës, model i bashkërendimit të punës mes organeve të qeverisjes vendore dhe Klubit të Shkrimtarëve të Matit. Do të mbetet në kujtesë, jo vetëm të poetëve pjesëmarrës, por dhe të të pranishmëve, dashamirës të fjalës poetike. Në llojin e tij ky festival qe gjithëpërfshirës, sepse në skenë u ngjitën poetë nga disa qytete të Shqipërisë dhe të gjitha viseve shqiptare.

 

Në të katër festivalet që kemi zhvilluar, Mati ngjau me një sofër të madhe poetike, në të cilën u ulën poetë të të gjitha trevave shqiptare. Mrekullisht poezia mbarëshqiptare erdhi me dinjitet, korrektësi e përgjegjësi për temat që kumtoi, me vargje që kanë peshë, që ruajnë respektin e fjalës së ndershme e të vërtetë. Zë pozitiv festivaleve të muzës sonë poetike i ka dhënë pjesëmarrja e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqri Galica.

 

 

-Ju vetë keni botuar që në bankat e shkollës, keni dhënë mësim në shkolla, keni botuar dhe disa vëllime poetike e publicistikë, gjithashtu merreni dhe me gazetari. Puna si drejtues i “Muzës” u angazhon, apo… diçka nga koha?

 

-Çajupi para 100 viteve ka thënë: "Duajeni poetin që bën poezinë. Se është shenjtor, i barabartë me Perëndinë". Edhe tek unë poezia troket mijëra herë. Ajo më ngroh, më rinon, më mbron nga vese të ndryshme që koha i mbart në vetvete. Duke bashkëbiseduar, asaj i kam thënë:

 

Se je e bukur, e dija

po jo se duhet kaq mund,

me ëndërrat për ty netëve flija

dhe pas t’u qepa në katund…

 

Nxitjen e parë në fshat për të qenë më tepër se lexues i poezisë, dmth krijues, ma dha poeti i paharruar macukllan, Hysni Milloshi. Ndërsa prof. Qazim Kashari, mësues i letërsisë në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit, më futi në rrethin letrar. Atëherë poezia m’u bë kumt shpirtëror, që nuk mund ta mbaja më në shpirt. Dhe pa asnjë paragjykim metrik artikuloj tingujt e shpirtit tim. Kur shkruaj poezi, për mua nuk ekziston koha dhe mosha.

 

Ndryshe nga honoraret e para viteve ’90, për krijimet që kam botuar gjatë sistemit të ri pluralist nuk kam marrë asnjë qindarkë dhe asnjë vlerësim zyrtar. Por i bashkohem qëndrimit të poetëve të kohës së kaluar, të cilët mendonin se shpërblimi i vetëm për një autor është kënaqësia që i fal akti i krijimit. Gjithashtu respektoj shkrimtarin gjerman Rainer Maria Rilke, i cili këshillon: « Pranojeni fatin, mbajeni në kurriz barrën e tij, madhështinë e tij, pa kërkuar kurrë ndonjë shpërblim që mund të vinte nga jashtë. »

 

E dimë që ka ditë ndërkombëtare të poezisë, shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Prandaj poetët, të paktën një herë në vit, t’ia kushtojnë një ditë vetes, jo domosdoshmërisht me anë të leximeve, por thjeshtë dhe për t’u takuar e për të ndarë me njëri-tjetrin mendime e detyra. Si organizator i Festivalit të përvitshëm “Muza Poetike Budiane”, pranoj se organizimi i aktiviteteve të tilla artistike jo detyrimisht lidhet me institucionet, por mundësi tjetër nuk ka. Edhe nga mediat, qofshin vizive apo të shkruara, të ketë më shumë ndjeshmëri. Në ditën e poezisë të bëjnë një njoftim apo të botojnë një poezi. Përgjegjësia si drejtues i Klubit Letrar “Pjetër Budi” më kërkon të studjoj vetveten, të kultivoj shpirtin e poetëve të njohur, të organizatorëve të tjerë festivalesh poetikë, ta bëj me të vërtetë shpirt të një njeriu të kohës ku jetojmë, e cila është e vrullshme dhe me mundësi të mëdha për zhvillim e përparim. Në Mat janë organizuar vetëm  katër festivale poezie kombëtare, kur numri i tyre në Durrës, Korçë, Përmet, Prishtinë, Tetovë, Sarandë , Shkup etj, është shumë herë më i madh. Por Mati, vendlindja e poetit të parë të letërsisë shqipe, e ka dhe do ta ketë një ditë të poezisë së të gjithë poetëve, muzën poetike budiane, me pjesëmarrje poetësh nga gjithë Shqipëria, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Diasporës.

 

 

-Cili është mesazhi juaj për krijuesit në tërësi dhe për ato matjanë në veçanti?

 

-Besoj që më të mirë se mesazhi i studiuesit dhe poetit Gjokë Dabaj, unë nuk mund të jap. Nga skena e festivalit të tretë “Muza Poetike Budiane” ai u shpreh se festivali ishte një mrekulli, ushqim i shpirtit artdashës. Por në gjirin e asaj atmosfere Gjoka tërhoqi vemendjen për poezitë konkuruese:

 

-A arritëm të prekim shpirtin e dëgjuesve me ato që lexuam në skenë? Një Mjedë, dikur pati thënë: “Po shkrihet bora, / dimri po shkon...” Ne sot e dimë përmendësh atë çfarë tha Mjeda. Dhe një Gjergj Fishtë dikur pati thënë: “Eni, eni mori shkina, / eni, eni te Vranina..., / e i mësoni djelmt’ tuaj mas sodit, / mos iu lakmoni tokës së Kastriotit...”. I mbajmë mend sot që kur i ka thënë ai dikur... Po vargjet tanë i mbajti mend kush? Sa ua kemi shpërblyer lexuesve, dëgjuesve me mjeshtërinë tonë, apo u jemi borxhlinj?! Unë e ndjej që jemi shumë borxhlinj ndaj lexuesit. Nëse erdhën kaq njerëz, s’i kemi tërhequr ne. Jemi ne ata borxhlinj, që nuk i kemi tërhequr aty, që rinia e Burrelit, intelektualët e Burrelit dhe të gjithë të tjerët çfarë janë, të vijnë e të na dëgjojnë. Pra, jemi ne fajtorë, jo ata. Prandaj të marrim përgjegjësitë tona mbi veten tonë, të krijojmë vepra më të mira. “Ti Shqipëri më jep nder, / më jep emrin shqiptar…” të gjithë e dimë. Gjithashtu edhe “shqiptar mos rri, / po duku shqiptar”... e dimë. Pse nuk di kush vargjet tona?! E përsëris, kemi borxhe ndaj lexuesit”.

 

Bisedoi: Qemal Cenaj