Kullat e Gurit të Bardhë



Nga Avni Dani, Tiranë – 26 Korrik 2018

 

Projekti i 100 fshatrave, si një rrjet destinacionesh turistike është një inisiativë e mirëpritur e qeverisë shqiptare. Mundësitë e pashfrytëzuara kudo në vendin tonë janë të mëdha. Vlera të cmuara të natyrës dhe traditës, flenë gjysëm të vdekura larg syve të publikut, e shumë më larg mundësisë për tu shfrytëzuar.

 

Në listën e 100 fshatrave që planifikohen të kthehen të vizitueshëm edhe nga turistët është edhe Guri i Bardhë në Mat. Fshati që spikat për histori, traditë, bukuri natyrore e mikëpritje. Zgjedhja në këtë rast, mund të thuhet me plot gojën se ka qenë e gjetur. Guri i Bardhë por edhe krahina përreth konservon e ruan, falë edhe natyrës më mirë se kudo, një traditë shekullore, jo pak e njohur edhe më parë. Nëse projekti do ja dalë “të nxjerrë në dritë”, atë çfarë ruan Guri i Bardhë, e cila harmonizohet me një kompleks të pasur natyror, pa frikë që ai shumë shpejt bëhet një destinacion kombëtar i turizmit të aventurës.

 

Afërsia me Tiranën e bën edhe më të sigurtë këtë.   

 

Banorëve të Gurit të Bardhë, por edhe matjanëve në përgjithësi u pëlqen të thonë se janë pasardhësit e vërtetë të Skënderbeut. Ka të ngjarë të mos jenë të gabuar. Kanë ruajtur me fanatizëm emrin Petralbë, që s’është gjë tjetër veçse emri i fshatit të tyre në latinisht. Kanë një referencë të patundur. Marin Barleti i përmend specifikisht në “Historinë e Skënderbeut”. Kalanë e tyre e quan vendbanimin e Donikës. Peisazhin përreth e përshkruan sit ë bukur dhe tokë shumë prodhuese.

 

Kalaja pret të ringjallet dhe projekti mund ta rivendosë atë përkrah simotrave të saj të dikurshme, Krujës e Petrelës.   

   

Nëse fjala Guri i Bardhë “pasqyrohet” tek Petralba, një tjetër symbol me të njëtin pasqyrim është edhe shkrimtari Pjetër Budi. Ai ka lindur aty. Edhe sot janë pasardhësit e tij jetojnë në një banesë që konsiderohet si e ngritur mbi themelet e asaj të shkrimtarit. Ajo që ka ndodhur me Budin, prifti shkrimtar që u bë ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, është një “kalk” i historisë së Shqipërisë. Ndre Mjeda në vitet 30 të shekullit të kaluar, i cili ishte vetë në Gurin e Bardhë në kërkim të gjurmëve të Budit, e përshkruan për mrekulli rënien e madhështisë dhe konvertimin e asaj qendre të banuar pas pushtimit osman. “N’a thanë se tash nja 60 a 70 vjet, per rreth kû kishte pasë kênë shpija e vjeter e Budit, kundrej Xhamis së sotshme, nji plakë tue mihë, paska zblue nji kumonë mjaft të madhe, të cillen i a kishte pasë shitë per 400 grosh nji kallajxhis, e ky i a kishte shitë nji korcullës në Durrës për 10.000 grosh”, shkruan Mjeda në vitin 1930.

 

Historia ka kudo gjurmët e veta, projekti shumë mirë mund ti sjellë në vëmendje të publikut.

   

Rruga nga Tirana në Gur të Bardhë është një “Zvicër” e vërtetë. Malet, pyjet, gjelbërimi, burimet ujore shfaqin me madhështi të gjithë bukuritë natyrore të zonës. Sot Qafë Mollën, Malin me Gropa, Kroin e Gjeneralit, Qafën e Qershisë, Gujën, etj etj shumë pak veta i njohin. Vendi i shumë staneve, ka qenë historikisht dhe është edhe sot një parajsë për zhvillimin e blegtorisë. Një unazë fantastike që mund të përshkrohet edhe me biçikletë duke nisur nga dalja juglindore për në Shëngjergj e që përfundon në Gurin e Bardhë për tu kthyer nga Xibri në Qafë Murrize, Shkallë e Tujanit e përsëri në Tiranë mund të bëhet edhe sot.

 

Projekti i 100 fshatrave mund të lehtësojë komunikimin, mund të shtojë marketingun dhe mund të krijojë mundësinë që për të gjithë të interesuarit që jetojnë në Tiranë, dhe jo vetëm, të mund të shohin “mrekullinë mbrapa Dajtit”.

 

Nesër do të jetë shumë më e thjeshtë. Rruga e Arbrit, në ndërtim e sipër tashmë krijon mundësi të madhe komunikimi. Ajo që sot po ngrihet si një rrugë automobilistike, dikur ka qenë një aks transporti me karvanë nga Dibra në Tiranë (pse jo nga Stambolli në Durrës!). Me shumë pak devijime mund të shihen gjurmët e saj. Urat që janë disa, më e bukura prej tyre Ura e Vashës, kalldrëmet, pranë Gurit të Bardhë ka ende gjurmë të tyre, kalatë si Petralba dhe Kalaja e Xibrit, nëse bëhen lehtësisht të aksesueshme kthehen në pikantë vizitueshme shumë interesante për turistët.

 

Sigurisht, zona ka edhe shumë vlera të tjera të mëdha. Veshja karaketistike e Gurit të Bardhë është një xhevahir më vete në kompleksin dhe larminë e veshjeve popullore të Shqipërisë. Po kaq e bukur është edhe veshja e Xibrit, Gurrës e krahinave të tjera të Matit. Zhvillimi i blegtorisë dhe bujqësia e vonë kanë përcaktuar një kulinari, të veçantë e cila ja vlen të shijohet.

 

Shqip, turistët kanë se cfarë të shohin e shijojnë.

 

Po ku, si ? Me një madhështi që vetëm Kullat e Gurit të Bardhë e ofrojnë. Banesat e fshatit, ashtu si edhe veshjet popullore janë krejt të veçanta, krahasuar edhe me krahinën përreth. Guri i Bardhë në këtë kuptim është një “ishull etnografik” me pasuri të madhe. Në një libër shkruar posaçërisht për banesën kullë të Veriut të Shqipërisë, në vitin 1981, autori Pirro Thomo i kushton një vëmendje të veçantë, asaj që ka parë në Gurin e Bardhë. Gjurmët e atyre kullave janë edhe sot. Sipas tij në to ka gjurmë të banesës qytetare shqiptare, çka të lë të kuptosh për një zhvillim të madh, përgjatë shekujve, kur Guri i Bardhë ishte jo vetëm një stacion me rëndësi i Rrugës së Arbrit, por edhe një qendër e madhe e banuar.

 

Që projekti i “100 fshatrave” të ketë edhe një referencë për banesën e Gurit të Bardhë më poshtë po e sjellim të plotë fragmentin e librit që e përshkruan atë dhe ku zbulohen gjumrmë që fillojnë që nga viti i largët 1805.

 

BANESAT E GURIT TË BARDHË

Pirro Thomo

Një vend të veçantë jo vetëm në arkitekturën e krahinës së Matit, por edhe në arkitekturën fshatare të mbarë vendit zë banesa e fshatit Guri i Bardhë. Banesat në këtë fshat dallohen nga karakteri specifik i kompozimit planimetrik e volumor, si dhe i trajtimit arktektonik e dekorativ.

 

Guri i Bardhë është një fshat malor në krahinën e Matit. Ai ka një histori mjaft të lashtë. Gjatë mesjetës, ka qenë seli e familjes së Kastriotëve. Në afërsi të fshatit ruhen rrënojat kalasë së qytetit të vjetër. Guri i Bardhë ka qenë vendlindja e një prej figurave të shquara të kulturës sonë mesjetare, Pjetër Budit, i cili e përmend me krenari origjinën e vet nga ky vend. Ishte gjithashtu një qendër me rëndësi gjatë rrugës së vjetër që lidhte Dibrën me Tiranën, gjurmët e së cilës ruhen në afërsi të fshatit.

 

Siç duket, gjatë mesjetës Guri i Bardhë duhet të ketë qenë një qendër e rëndësishme në këtë krahinë. Ai ruan deri në ditët tona një shtrirje të madhe dhe një arkitekturë të veçantë, ku janë gërshetuar tiparet e banesës fshatare me tipare dhe pajisje karakteristike për banesat qytetare. Fshati ndahet në disa lagje, me banesa të grupuara. Rrugët brenda lagjes dhe ato që lidhin lagjet me njëra-tjetrën kanë qenë të sistemuara me kalldrëme. Në shumicën e tyre banesat dalin në rrugët e fshatit. Ato rrallëherë, janë të rrethuara me mure, ndërsa nga mbrapa kanë një oborr të vogël.

 

Ndërtesat e vjetra të Gurit të Bardhë kanë arritur një strukturë të qëndrueshme kompozicionale, e cila pati një përhapje të gjerë dhe një tipizim të elementeve të ndryshme kompozicionale. Banesat ndryshojnë ndërmjet tyre nga shkalla e përpunimit dekorativ dhe e pajisjeve të brendshme. Mjaft prej tyre ruajnë datime, gjë që na lejon të ndjekim zhvillimin e tyre, ose ndryshimet që pësojnë ato në kohë.

 

Përgjithësisht janë dykatëshe, të ndërtuara në terren të pjerrët. Terreni i pjerrët ka kushtëzuar kompozimin volumor me gjysmëkat, d.m.th. një pjesë e katit mbështetet drejtpërdrejt mbi truall, ndërsa pjesa tjetër ngrihet mbi katin përdhes.

 

Një vend të rëndësishëm në kompozimin planimetrik zë shtëpia e zjarrit, ose siç quhet nga vendasit “ship-a”. Ajo paraprihet nga një hajat i hapur në ballë dhe i mbyllur në anët e tij të ngushta. Në pjesën e përparme të banesës dalin dy kthina banimi, të cilat lidhen me “shpinë”, ose njëri prej tyre mund të ketë, hyrje nga hajati. Nën kthinat e banimit, në katin përdhes, strehoheshin bagëtitë, ndërsa “shpia” në pjesën me të madhe është përdhese. Një, pjesë që përmban kat përdhes përdoret për mbajtjen e bulmetit dhe thirret “gjuri i bulmetit”.

 

“Shpia” ka sipërfaqe mjaft të madhe dhe eshtë kthina kryesore e familjes. Ajo është pa tavan, e shtruar me dhe të ngjeshur. Elementi kryesor është, vatra, e cila është e vendosur në mes, rreth 1 m larg murit perimetral. Vatra shpeshherë është e zbuluar. “Gropa e zjarrit” thellohej në dysheme dhe ka formë rrethore në plan. Dy gurë të dale, ose “carujt e vatrës” kufizojnë vatrën nga ana e murit. Në mur është hapur një nike e thellë, ose “gaxhorja”. Pajisja e shtëpisë është e varfër. Në mure janë hapur nike e dollapë dhe mbi to kalojnë sergjene. Në një kënd ndodhet arka e bukës dhe magjia. Disa banesa brenda në “ship” kanë të ndërtuar furrën e pjekjes.

 

Edhe kthinat e banimit kanë një kompozim e pajisje karakteristike e të tipizuar. Zakonisht kanë Iidhje me “shpinë”. Në pjesën fundore ndahet një korridor i ngushtë, të cilin janë vendosur banja, ose “hamami”, parahyrja për kthinë dhe musëndrat. Në pjesën e përparme, gjatë gjithë gjerësisë së kthinës ngrihet një platformë ndjenjieje ose “hepe-a”. Në muret anësore vendosen oxhakët me niket dhe dollapin e kafese. Balli i kthinave është mbyllur me mur të hollëm, i cili mund të dalë jashtë rrafshit të mureve të katit përdhes dhe përmban një varg dritaresh të mëdha.

 

Banesat janë të ndërtuara me gurë, të lidhur me baltë e breza druri. Muratura e ballit të banesës ngrihet me skelet druri, i mbushur me një gur poroz të lehtë që quhet “shpa”. Strehët e çatisë dalin rreth 1 m dhe janë dyfishe, si zgjatim i trarëve horizontalë dhe i bishtave të catisë. Nuk mungojnë në banesat e Gurit të Bardhë dhe përpunimet dekorative të elementeve të drunjta.

 

Një objekt me interes i këtij tipi ka arritur me disa ndryshime në lagjen “Mansaj” të fshatit. Hajati i dikurshëm është zënë me mur dhe është ndërtuar një i tillë i ngushtë në krahun tjetër. Po në këtë krah banesës i ishte shtuar një kthinë e re. Të dyja kthinat që lidhen me “shpinë” kanë ndërtim krejt simetrik, por njëri prej tyre nuk e ruan bllokun fundor me musëndrat, ndërsa në kthinën e dytë është ndryshuar forma e dritareve. Balli ka një dalje mjaft të madhe përpara dhe mbështetet në një varg pajantash druri pak të lakuara. Dritaret janë mjaft të mëdha. Ato mbrohen nga kafaze druri dhe mbyllen me kanata si brenda ashtu dhe jashtë. Trajtimi arkitektonik dhe përpunimi dekorativ i saj nuk janë të pasura. Megjithatë, në trajtimin volumor të saj ndikon shkëputja e madhe e ballit të sipërm, i cili del si një volum në vete dhe mbizotërues në rrënjën e theksuar të terrenit. Që këtej hapet një vështrim i pamasë i gjithë luginës dhe pamjes përreth.

 

Një trajtim mjaft arritur arkitektonik dhe një përpunim të pasur dekorativ gjejmë në një objekt tjetër po të lagjes “Mansaj”. Ai është datuar në vitin 1805, pra është një ndër shembujt e datuar më të vjetër në arkitekturën fshatare të Shqipërisë Veriore. Ruhet me disa adryshime të pakta, pok mund të kapet me lehtësi forma fillestare. Në hajat është krijuar një kthinë e re, ndërsa në dy kthinat e ballit është ndarë një e tretë e vogël.

 

“Shpia», gjysëm përdhese, ruhet e paprekur në gjendjen e saj fillestare. Vatra e shkëputur nga muri mbulohet nga një hinkë mjaft e madhe për thithjen e tymit, që përfundon me një tymar të madh mbi çati. Në murin fundor, gjysmë të futur në truall, është hapur “gaxhorja” e madhe e harkuar dhe, sipër saj, një varg kamaresh. Elemente fillestare ruan njëra prej kthinave, e cila lidhet me “shpinë”. Pjesa fundore përmban banjën dhe musëndrat, ndërsa ballë “hepe-në”. Kthina e dytë ka hyrje nëpërmjet hajatit. Siç duket, kjo kthinë do të ketë shërbyer si odë miqsh, me hyrje të veçantë për mikun, për të mos kaluar nëpër kthinën e përgjithshme të familjes.

 

Në këtë objekt gjejmë një zgjidhje tashmë të kristalizuar planimetrike. Kthinat kanë funksionin e tyre të caktuar, ndërsa kompozimi i ndërtesës ka marrë formë përfundimtare, në përputhje me funksionin dhe veçoritë e terrenit. Kthina e shërbimit dhe e punëve të përditshme të familjes merr përmasa të mëdha, vendoset mbrapa, duke u ngritur pjesërisht mbi truall dhe shkëputet nga kthinat e tjera, të cilat dalin në ballë.

 

Zgjidhje të plotë kanë gjetur gjithashtu pajisjet dhe elementet kompozicionale vetë kthinave. Nga ana tjetër, kompozimi dhe pajisjet brendshme të formuara janë të shoqëruara nga një zgjidhje konstruktive dhe trajtim dekorativ mjaft i pasur.

 

Terreni i pjerrët është përpunuar lehtë për ndërtimin e muraturës së katit përdhes, duke ruajtur dhe truallin natyror shkëmbor për mbështetje. Nga ana e hyrjeve terreni është përpunuar në formë tarracash. Muratura, ndonëse e lidhur me baltë dhe breza druri, shquhet për një përpunim të kujdesshëm të gurëve dhe vendosjen tyre në muraturë, në rreshta të rregullt e të drejtë. Dallohen mënyrë të veçantë në këtë murature qoshet të punuara pastër me gurë të mëdhenj e të skalitur, ku nuk mungon dhe përpunimi dekorativ i tyre. Në të është gdhendur motivi i diellit, nga i cili zbret gjatë gjithë lartësisë së muraturës një filetë e hollë e skalitur.

 

Balli i katit të sipërm, nga ana e pjerrësisë të madhe, është nxjerrë lehtë mbi bllokun masiv të katit përdhes. Mjeshtrit i ka mjaftuar kjo dalje e paktë për të thyer volumet, për t'i shkëputur e dalluar ato nga trajtimi dhe nga materiali i ndryshëm, me të cilin janë ndërtuar. Muratura e hollë dhe e lehtë e katit, e nxjerrë përpara dhe e gjallëruar me një varg dritaresh të mëdha, ngrihet mbi një taban druri dhe mbështetet mbi bishtat e dalë të trarëve të dyshemesë. Tabani, bishtat e drurit si dhe dërrasat që mbyllin hapësirat ndërmjet bishtave, janë profiluar dhe gdhendur me kujdes. Në taban, mbi çdo bisht janë daltuar motive të ndryshme, kryesisht bimorë. E njëjta përkujdesje konstruktive dhe dekorative duket dhe në strehën e çatisë. Një strehë mjaft e gjerë, në gjendjen e sotme një pjesë e saj është e prerë, rrethon dhe mbron muraturën. Dalja e madhe e strehës ka bërë të nevojshme mbështetjen e saj në qostekët e hollë, pak të Iakuar prej druri, me fundet e tyre të gdhendur. Një përpunim të kujdeshëm dekorativ përmbajnë dhe elementet e brendshme, si dyert, dollapët e musëndrat, mbulesat e kamareve, etj. E gjithë kjo përkujdesje në zgjidhjen kompozicionale, në trajtimin arkitektonik, në zgjidhjen konstruktive, si dhe në përpunimin dekorativ të çdo elementi, e bën këtë banesë të jetë një ndër realizimet më të goditura të arkitekturës së kësaj qendre. Dy shembujt e mësipërm përfaqësojnë skemën planimetrike më të thjeshtë, por më të qëndrueshme të banesave të Gurit të Bardhë.

 

Në një ndërtesë tjetër, të datuar në vitin 1851, gjejmë një skemë planimetrike mjaft të përbërë. Megjithatë kjo skemë është e lexueshme dhe nuk është e vështirë që të kapet në të bërthama kompozicionale e thjeshtë, e pasuruar me kthina të reja. Banesa është simetrike, ose vëllazërishte, ndërtuar për dy familje. Çdo pjesë përmban “shpinë” të paraprirë nga hajati si dhe nga dy kthina. Ndërmjet kthinave të çdo pjese shtrihet një korridor qendror. Kompozimi planimetrik i banesës, ose i seksionit, ndryshon nga ai i zakonshmi, me rreshtimin karakteristik të kthinave përpara “shpisë”. Megjithatë, mbas kaq vjetësh, ruhet I njëjti kompozim e trajtim i kthinave, si dhe e njëjta mënyrë pajisjeje. “Shpia” me përmasa të mëdha ngrihet pjesërisht mbi truall, ku është vendosur vatra e larguar nga muri fundor. Ajo ka të njëjtat elemente dhe pajisje. Kthinat me bllokun fundor (musandrat, banja dhe nyja sanitare e veçantë), “hepe-ja” në ballë, ku muri i hollë përmban vargun e dritareve, janë gjithashtu të njëjta me ato të shembujve të tjerë.

 

Në pamjen ballore dalin përpara dy volume simetrike karshi pjesës qendrore më të futur. I gjithë balli i katit të sipërm është i ndërtuar me mur të hollë me gurë porozë që mbush skeletin e drurit. Por në këtë banesë balli është i rrafshët dhe nuk e ka më atë shkëputje ose dalje nga muratura e katit përdhes. Streha vazhdon të jetë mjaft e dalë, dyfishe, me bishtat e profiluar. Punimi i muraturës së gurit është i pastër, ka përpunim dekorativ të qosheve, ndërsa brezat e drurit nuk dalin në sipërfaqen e jashtme të murit.

 

Qëndrueshmërinë e skemës planimetrike e dëshmon një ndërtesë tjetër datuar në vitin 1870. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një banesë me dy seksione, ose me dy bërthama të thjeshta të bashkangjitura për dy familje. Në këtë mënyrë është krijuar një ndërtim krejt simetrik karshi murit ndarës tërthor. Në ndryshim me shembullin e mësipërm, këtu çdo seksion përsërit plotësisht skemën planimetrike dhe kompozimin volumor të kristalizuar që në fillim të shekulljt XIX. Megjithatë kjo mbetet mbrapa banesave më të vjetra për i takon trajtimit dhe përpunimit arkitektonik e dekorativ. Pamja ballore e saj, ndonëse ruan të njëjtën teknikë ndërtimi në katin e sipërm dhe të njëjtën frymë trajtimi, mbetet krejt e rrafshët dhe larg impresionit të banesave të vjetra. 

 

Tiparet e veçanta dhe të qëndrueshme të banesës së Gurit të Bardhë i kanë dhënë asaj një karakter që e dallon nga ndërtesat e tjera të krahinës Matit dhe të krahinave të tjera. Zgjedhja e truallit të pjerrët për ndërtim, përpunimi i paktë i tij, ka kushtëzuar kompozimin volumor me gjysmëkat, gjë që i ka dhënë mundësi shtrirjes së “shpisë” mbrapa dhe vendosjes së vatrës mbi truall. Në zgjidhjen planimetrike e funksionale mbeti si tipar dallues “shpia” e madhe e paraprirë nga hajati i hapur ballë dhe dy kthina banimi përpara, që rreshtohen në ballë të banesës. Kompozimi dhe pajisja e brendshme e kthinave bëhet në përshtatje me funksionin që ato kanë. Kështu “shpia” ka pajisje të varfër, me vatër në mes; ndërsa në mure janë hapur kamare, dollapë ose kalojnë sergjene. Përkundrazi kthinat e ballit kanë një kompozim dhe pajisje më të plotë. Ato përmbajnë bllokun fundor me musëndrat e banjën, vendin e ndenjies pranë oxhakut, të shoqëruar me kamaret karakteristike dhe dollapin e kafesë, si dhe vendin e ndenjies në ballë kthinës, në një platformë, ose “hepen” të ngritur dhe me dritare të mëdha. Në formulimin arkitektonik të jashtëm karakteristike është trajtimi i ballit të katit të sipërm me muraturë të holië dhe i pajisur me dritare mëdha të shumta, i cili shpeshherë shkëputet dhe del mbi rrafshin e muraturës së katit përdhes. Nuk mungon në banesat e Gurit të Bardhë dhe përpunimi i pasur dekorativ i elementeve të ndryshme arkitektonike e dekorative.

 

Por ndonëse me tipin e përhapur Mat dhe në krahinat përreth gjatë shekullit XIX, banesa e Gurit të Bardhë ka dallime të qarta, ajo afrohet në disa konceptime me banesat më të lashta të këtyre krahinave. Kështu, psh, ndërtimi në truall të pjerrët, me kompozim volumor me gjysëm kat e takojmë të zbatuar në Krujë. Shtrirja horizontale e kompozimit planimetrik me shtëpi zjarri mjaft të fuqishme është karakteristike edhe e banesave të Tiranës. Banesa në fshatin Bejnë, faza e parë përpara vitit 1825, si dhe ndërtesat e tjera të vjetra Matit kanë gjithashtu tipare të ngjashme, shtëpi zjarri të madhe, me vatër në mes dhe me kthina të tjera në ballë. Diferencimi i një pjese të dhomës së miqve dhe krijimi i një vendi komod ndenjie i trajtuar më me kujdes dhe i pajisur me dritare, është i njëjtë për këto ndërtesa, por ndryshon nga mënyra e ndërtimit dhe e trajtimit. Në banesat e Gurit të Bardhë ky vend zë gjithë ballin kthinës, ndërsa në ato të krahinave përreth ai ka formën e një qoshku të dalë në një pjestë të ballit, ose në një kënd të dhomës.

 

Tipat e rinj të ndërtesave, karakteristike për krahinën e Matit, ndonëse u futën në Gur të Bardhë, siç është p.sh. një kullë në lagjen “Mansaj”, ato nuk arritën përgjithësoheshin. Ato nuk mundën të pajtoheshin me mënyrën e jetesës së popullsistë së kësaj qendre. Përkundrazi, tipi i vjetër i banesës Gurit të Bardhë u përdor për një periudhë të gjatë kohe nga masat e gjera të popullsisë. Ky tip banese duket mjaft i vjetër. Në banesën e datuar në vitin 1805 i gjejmë të formuara plotësisht të gjitha elementet thelbësore të tipit, kompozimin volumor e planimetrik, kompozimin dhe pajisjen e kthinave të brendshme, trajtimin arkitektonik, si dhe elementët konstruktivë e dekorativë. Në këtë banesë elementet e mësipërme arritën në një shkallë të lartë përsosurie. Këta faktorë na shtyjnë të mendojmë se formimi i këtij tipi banese në Gur të Bardhë duhet të ketë ndodhur shumë kohë më pare dhe ka qenë i përgjithshëm gjatë shekullit. XVIII. Nga ana tjetër, shumë elemente të kësaj banese hedhin dritë mbi karakterin e vendbanimit, si dhe mbi karakterin e marrëdhënieve shoqërore dhe ekonomike të popullsistë.

 

Kompozimi dhe pajisja e kthinave të banimit me bllokun fundor, banjën e musandrat, me trajtimin e ballit kthinës me “hepe-n” e dritaret, janë tipare karakteristike të kthinave të banesave qytetare, të cilat takohen rëndom të gjitha qytetet e vendit, si edhe të vendeve fqinje. Po të kihen parasysh dhe faktorët e tjerë, si vendndodhja e saj gjatë rrugës së rëndësishme të karvaneve Dibër-Tiranë, ekzistenca e haneve të shumta, e kullave mbrojtëse të rrugës në pikat strategjike të saj, atëherë del e qartë rëndesia e madhe e Gurit të Bardhë si një qendër me peshë në këto krahina. Por me kalimin e kohës, gradualisht, rëndësia e kësaj qendre po binte, derisa në gjysmën e dytë të shekullit XIX mori karakterin e një fshati të madh. Në banesë, ky proces u pasqyrua në varfërimin e pajisjeve të kthinave dhe në humbjen e karakterit të tyre qytetar, si dhe në thjeshtëzimin e trajtimit arkitektonik e dekorativ të banesës. Në banesën e datuar në vitin 1870 gjejmë vetëm gjurmë mjaft të dobëta të kompozimit të brendshëm të dikurshëm të kthinave.

 

Por ndonëse elementët qytetarë në banesën e Gurit të Bardhë janë qarta, po kaq të pranishme dhe të qarta janë dhe elementet e banesës fshatare. Ky është një fakt i njohur edhe për qendrat e tjera qytetare, ku gjatë shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX ndikimi i banesës fshatare mbi atë qytetare ishte mjaft i ndjeshëm. Shtëpla e zjarrit e madhe dhe mjaft e fuqishme në kompozimin volumor e planimetrik të banesës, e ruajti gjatë gjithë periudhës së përdorimit të këtij tipi rëndësinë e vet. Kthina të tilla janë karakteristike për familjet e mëdha të karakterit patriarkal, të cilat shtronin kërkesën për ndërtimin e një kthine qendrore, për grumbullimin e gjithë pjesëtarëve të familjes dhe për kryerjen e puneve të ditës. Humbja e tipareve qytetare të banesës u shfaq në pajisjen e brendshme, por la të paprekur zgjidhjen planimetrike e funksionale ndërtesës, e cila nuk kishte te bënte me ndikimet qytetare, por ishte një zgjidhje e arritur për plotësimin e nevojave dhe kërkesave të popullsise së kësaj qendre.

 

(Marrë nga libri “Banesa Fshtatare e Shqipërisë Veriore”, Tiranë 1981)

 

 

© Avni Dani

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania