Nga Behar Gjoka, Tiranë – 24 Prill 2022
Shqyrtimet gjuhësore dhe letrare, tashmë e kanë dhënë përgjigjen mbi shkrimin letrar të Budit dhe gjurmët e pranishme të poetit e të prozatorit, si tekst dhe vlerë. Sjellja në vëmendje e përcaktimit të Selman Rizës, të bërë në mesin e viteve ’60 të shekullit të njëzet, ndihmon për të kuptuar se si është trajtuar më herët trashëgimia poetike: “Si për nga risia e temave dhe gjinive, ashtu edhe nga aftësia kompozicionale, gjithashtu për nga fuqishmëria e shprehjes Pjetër Budit kurrësesi nuk mund t’i mohohet cilësia jo vetëm e të parit lavrues frymëgjatë të poezisë letrare shqipe, por njëherazi edhe të parit poet shqiptar…”
Megjithatë, mëdyshja e treguar herë pas herë ndaj poezisë së autorit, duke shpërfillur hapur aftësitë e poetit, madje në shumicën e herëve pa e lexuar si tekst, sidomos në Shqipëri, e cila ngahera rishfaqet si hije gërryese e vlerave letrare që bart, kërkon një verifikim më të pranshëm tekstologjik të gjithë materies poetike. Ligjërata e pashmangshme e përcaktimit të trefishtë të natyrës së poezisë së Pjetër Budit, pra, si e përkthyer, e përshtatur dhe origjinale, nuk është se largon dhe zgjidh çështjet e trajtimit të trashëgimisë poetike në kohë dhe hapësirë të autorit themelhedhës të shkrimit poetik të kultivuar të shqipes, aq më tepër me libër me poezi. Ndërmjet tyre, si më thelbësore, në optikën e hedhjes dritë në këtë proces kompleks dhe tejet të ndërlikuar, ndonëse të përqëndruar për një kohë të gjatë në shtjellat jashtëtekstore, janë:
A – Marrëdhënia e lëndës përkthimore dhe autoriale, e cila nuk është parë dhe trajtuar ndamazi, por si një bashkëshkrije e tyre, pa kufijtë e pranishëm të analizës dhe interpretimit të secilës anë shkrimore, në katër librat e shkrimtarit.
B – Lënda poetike dhe prozëshkrimi, që dëshmon praninë e vlerave letrare të endura nga shkrimtari, ku ndërkaq poezia ka njohur një botim të trashëgimisë poetike të të tre librave, përkatësisht në vitin 1986, nën përkujdesjen e Rexhep Ismajlit, kurse proza gjendet ende vetëm në librat e botuar nga Propaganda Fide. Pra, ende jemi pa një tekst integral, ku të bashkëlidhen të gjithë faqet në prozë që trashëgojmë prej shkrimtarit.
C – Metodat e studimeve letrare, për të analizuar dhe vlerësuar qenësinë artistike të letërsishkrimit të autorit, të poezisë dhe të prozës, më tepër si një qasje jashtëtekstologjike, si dhe duke hulumtuar antifetaren dhe fetaren, por përgjithësisht duke lënë jashtë verifikimit dhe interpretimit shenjat letrare, duke u bazuar në parimet e poetikës së letrares.
D – Papërcaktueshmëria e lëndës poetike dhe modelet e leximit të teksteve të Budit dhe të letërsisë së hershme, si fakt gjuhësor që nuk ka lidhje me shenjëzimet artistike, e cila formalisht, bazuar në praninë e vargut dhe të strofës, po kaq të figurave dhe shprehësisë, nuk jep dorë me lënë pezull një situatë të identifikuar të shkrimit të vargjeve.
Katër librat e Pjetër Budit, që ndërkaq kanë shpëtuar nga mugullimat e kohërave, përkatësisht “Doktrina e Kërshtenë”(1618), “Pasqyra e t’rrëfyemit”, “Rituali Roman” (ku gjendet edhe libri “Kush thotë meshë këtë kafshë (libër - B. Gj.) i duhet me shelbuom” në vitin 1621, në hapësirat e veta kanë të përfshira:
- Lëndën e përkthyer, “Doktrina e Kërshtenë”, nga vepra homonime e Roberto Belarminos; “Pasqyra e t’rrëfyemit”, nga libri “Specvlum confessionis” të Emerio de Bonis; Rituali Roman, një kodifikim ritesh, ceremonish e lutjesh fetare, ku vihet re se materia tekstologjike këtij libri vjen e ndërthurur me tekstet e autorit, e cila përbën pjesën me të madhe të teksturës që trashëgojmë prej Budit. Përgjithësisht, nga sa reflektohet në studimet gjuhësore dhe letrare, materiali i përkthyer është përdorur si pasqyrë për të analizuar tekstet e autorit në gjuhën shqipe, pa hyrë shumë në analizën e sjelljes në gjuhën shqipe të akteve të ceremonialeve fetare, madje duke lënë në hije të dyja anët e medaljes, përkthimin si akt dhe praninë e shenjave letrare origjinale. Materia e përkthyer, sidomos për dy librat e parë të shkrimtarit, është parë si fakt gjuhësor dhe dëshmi e ceremonialeve fetare, kryesisht pa e hetuar ende modelin përkthimor të autorit a gjurmët vetjake të pasazheve të përshtatura ose të rishkruara. Andaj, kur përmendet koncepti i pranisë së shenjave të përkthimit, së pari duhet analizuar dhe shqyrtuar lënda që përmendëm më sipër, për të hetuar dhe verifikuar aftësitë e përkthimit të Budit, si dhe për ta përfshirë në kontributin e shkrimtarit, e mandej të hamendësohet se ka gjasa që edhe në shkrimin autorial, të ndeshen stilema ose episode të përkthyera.
- Materia poetike, që përbëhet nga faqet e fundit të librit të parë “Doktrina e Kërshtenë”, ku gjenden 19 poezi, e librit tjetër “Pasqyra e t’rrëfyemit”, ku ndodhen tri poezi dhe e “Rituali Roman”, ku ndodhet vetëm një poezi. Së bashku janë 23 poezi gjithsej, me 3139 vargje në gjuhën shqipe, e organizuar nëpërmjet tetërrokëshit trokaik, vargut më të përhapur të poezisë shqipe, si dhe strofës katërshe/kuaternës, me përjashtim të poezisë së vetme që gjendet te “Rituali Roman”, e cila ndryshe nga poezia tjetër e autorit, derdhet me vargje monokolonë, si dhe me tetërrokësh të dyzuar, pra me gjashtëmbëdhjetërrokësh, një varg që do ta hasim më vonë në vargjet e poemës “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashëtrit, si dhe në disa poezi të Lasgush Poradecit.
- Materia e prozës së Pjetër Budit, e cila përbëhet nga parathënie, pasthënie dhe sidomos proza epistolare/letërëmbimi (më i përhapur si shkrim), mbërrin në rreth 170 faqe, e shtrirë në të tre librat, si dhe në lëndën e librit më vete “Kush thotë meshë këtë kafshë i duhet me shelbuom”, që është analizuar dhe madje theksohet se si me këto tekste ka zënë fill proza shqipe, ndonëse nuk ka mbërritur në duart e lexuesit, ashtu si poezia e botuar në vitin 1986.
Pamja e librave të shkrimtarit, e lëndës përmbamëse të secilit sosh, më në fund na kthjellon se Pjetër Budi ka përkthyer dy libra, si dhe disa tekste ritesh, gjë që është pohuar si fakt, por shkalla e shqyrtimit të teksteve të përkthyera, të materies së përkthyer, është në nivele fillimtare, me përjashtim të pohimeve të bëra nga studimet gjuhësore dhe ndonjë hamendësim i përkthyesve, që realisht nuk e njohin letërsinë e hershme, po kaq edhe veprat e Budit, se nga janë marrë si tekste, gjithnjë duke mbetur në rrafsh hipotetik. Në mesin e përkthyesve që janë marrë me përqasjet ndërtekstore, do të veçoja Robert Elsie, për rropatjet e tij për të përqasur një poezi të Budit, me poezinë Thomaso a Celano (1200: 1255), për të cilin në librin Poetika e Budit, botuar në vitin 2002, nga ana ime është bërë një interpretim mbi pamundësinë e lidhjes së vargjeve të Budit, sepse ai vetë në parathënien e librit Doktrina e Kërshtenë, pohon se i ka marrë te Pal Hasi, e jo në tekstin latinisht që përmend Elsie. Për më gjatë, përqark kësaj situate, mundet të konsultohet libri, ku është dhënë një përgjigje mbi një karahasim qartësisht të hamendësuar. Vijimi i të tjerëve, në këtë hulli të pagjasshme, në rastin e kësaj poezie, nuk është se zgjeron gjasat e përkthimit të poezisë së autorit tonë, e prandaj nuk meritojnë vëmendje për të ripohuar të njëjtën rrethanë, që nuk ndërlidhet me rrethanat dhe kontekstet shkrimore me vargjet e poezisë së Budit . Materia e përkthyer, e pranishme në librat e shkrimtarit, ende pret që të përfshihet në trashëgiminë përkthimore të shqipes, po kaq të ndihmesës së dhënë prej Budit në lëmin e përkthimit. Rrethana e pranisë së lëndës së përkthyer, në bashkëlidhje me tekstet e shkrimtarit, ka gjasa që të jetë bërë shkas edhe për “shpjegimin” e pamjaftueshëm të natyrës së poezisë së autorit, madje për pohime që nuk zbehin praninë e poezisë, por vënë në dyshim rrafshet e leximit të saj, prej atyre që vënë në dyshim shenjat origjinale të poezisë së Budit, duke projektuar më tepër hamendësimet e shqyrtuesve.
Përcaktimi si vlerë letrare i teksteve me poezi dhe prozë, ka bërë udhë të gjatë, madje ka njohur kurba uljengritjesh, të cilat kanë krijuar jo pak mjegullnajë, sikur kemi më tepër një hartues librash të përkthyer dhe jo një autor origjinal, madje duke këmbëngulur në pamundësinë e hartimit të poezive prej autorit, gjithnjë si shqyrtime jashtëtekstore. Përqark kësaj “tymnaje”, të ngritur me kontributin e akademizmit të botëkuptimit antifetar, si dhe të disa përkthyesve që lëvizin në hipoteza, larg tekstit dhe kontekstit shkrimor të Budit, pra pa e lexuar gjithë poezinë e tij, e cila ngahera duket dhe zhduket në skenën e studimeve albanologjike, me interes është pohimi i bërë nga Zef Skiroi, njëri prej njohësve të parë të librave të Budit, i cili shprehet pa asnjë ekuivok: “... është e çuditshme se prej atyre që kanë thënë, ndoshta edhe me mospërfillje olimpike, ndonjë fjalë rreth Doktrinës së Budit askush të mos ketë ndjerë detyrën (përgjegjësinë) për të vënë në rëndësinë e duhur faktin që 110 faqet e fundit të saj përmbajnë 2884 vargje, pothuaj gjithnjë të zbritshme, të rradhitura në 721 kuartina me rimë të alternuar…
Megjithatë, pavarësisht rrethanës rastësore, që me letrarësinë e teksteve të letërsisë së hershme, por edhe të trashëgimisë letrare, në poezi dhe prozë të Budit, janë marrë më së shumti filologët, mbase për shkak të vështirësive të rrafshit filologjik që bartin librat e asaj periudhe, asnjëherë nuk janë përjashtuar mundësitë e shenjave artistike në librat e shkrimtarit, pra edhe në shkrimin e poezive, në mënyrë të posaçme. Nëse për prozën, nga studimet e mëparshme, qysh me Mario Rok, Gaetano Petrotta, Gunar Svane, Faik Konica, Zef Skiroi, Kolë Ashta, Selman Riza, Eqerem Çabej, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi etj. , janë hedhur mendime të qarta, shpesh të shoqëruara me argumente, mbi ndonjë element artistik, trashëgimia poetike, e cila gjendet në tre librat e autorit, përkundrazi është parë me mëdyshje, madje në kohët e vona, është vënë në dyshim origjinaliteti i poezive të shkrimtarit, duke notuar në situatën e përkthimit dhe të përshtatjes, si një hipotezë që mbetet larg tekstologjisë së shkrimit të poezive, pavarësisht mbizotërimit të ngjyresave fetare.
Më herët, dritëhijet e trajtimit të poezisë së Pjetër Budit, marrin përgjigje të plotë në një punim mbi poezinë e autorit, në vitin 1949, nga Henrik Lacaj, ndonëse kjo qasje të thelluar studimore ende nuk ka mbërritur te lexuesi. Më vonë, shqyrtimi dhe vlerësimi i poezisë së Budit përplotësohet me shqyrtimet e S. Rizës, I. Rugovës, R. Smjalit, S. Hamitit, Z. Neziri, M. Hysës, A. N. Berishës etj. Alternativa e përcaktimit të poezisë, e pranisë së shenjave estetike, që trashëgohet nga librat e Pjetër Budit, përsëri mbeti në një situatë të përzier, që është përkthyes dhe përshtatës më shumë sesa poet. Për të hedhur dritë, mbi dyshimin e mungesës së plotë të origjinalitetit në poezinë e shkrimtarit, paraqet interes verifikimi i metodave të përdorura për leximin dhe interpretimin e teksteve me poezi. Në qasjen ndaj poezishkrimit të Budit kanë mbizotëruar këto mënyra:
- Leximi i trashëgimisë poetike vetëm si fakt gjuhësor dhe historik, sidomos në momentet e para të rënies në gjurmët e librave të autorit, gjë që lidhet ngushtësisht me rrethanat e zbulimit dhe të pranisë së tyre në jetën e shqiptarëve dhe po kaq edhe në dëshmitë e pranisë së letërsisë shqipe. Kjo situatë e paragjykimit, institucional dhe jashtëtekstor, të shenjave artistike të poezishkrimit rimerret edhe pas viteve ’50 të shekullit të kaluar, kohë që përkon me fillimin e goditjes së variantit të gegnishtes dhe arbërishtes, e cila kulmon në vitet ’76, kur vihet në dyshim dhe përjashtohet çdo shenjë vlerash artistike në shkrimin e poezisë së P. Budit, udhëhequr kryesisht nga botëkuptimi përjashtues i fetares.
- Leximi antifetar, që ka mbizotëruar për shumë kohë në mjediset akademike dhe universitare, për shkak të karakterit të tematikës fetare në këto libra, veçanërisht me vendosjen e sistemit monist në Shqipëri, që nxjerr krye në analizën e poezisë së tij, e cila zhvleftësohet pa asnjë argument. Në tekstin “Historia e Letërsisë Shqiptare”, botim i Akademisë së Shkencave, ku duket se merr udhë përfundimtare kodifikimi i leximit me kufizime ideore të shkrimit poetik të Budit, po ashtu të letërsisë së hershme shqipe, në mes tjerash nënvizohet: “... duke mos qenë shprehje artistike e një qëndrimi të caktuar ideor emocional ndaj jetës, nuk mund të quhet letërsi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.” , duke vendosur vulën përfundimtare të qëndrimit zyrtar ndaj poezisë së Budit, e cila nxjerrë jashtë loje përfundime që merren nën hijen e betejës së monizmit, se feja është opjum. Po në këtë tekst, kinse shkencor, me kahje të zbatimit të platformës përjashtuese të letërsisë së shkruar në gegnisht, kemi edhe pohimin që shërben si një optikë zyrtariste, për mënyrën se si duhet lexuar dhe trajtuar krijimtaria letrare e Budit: “Veprat e Budit janë në pjesën më të madhe përkthime të lira dhe përshtatje.” Formulim unik në llojin e vet, për të lënë në hije shkrimin poetik të autorit, si një hipotezë që nuk ka asnjë lidhje me librat e Budit, lëshuar nga mendimi shkencor zyrtar, bazuar në shkencën e monizmit, që fetaren e shihte si antivlerë, e cila zbulon rrënjët kohore dhe ideore se kur ka nisur mëdyshja e vënies në dyshim të pranisë së vlerave artistike në shkrimin poetik të Budit. Kjo situatë instituciuonale, madje e nivelit më të lartë të mundshëm, e verifikimit dhe shqyrtimit të akademizmit të lidhur më idelogjinë komuniste, nuk lë shumë hapësirë për të kuptuar semantikën e përjashtimit të secilës vlerë të veprave të autorit, parashikuar nga dogma e realizmit socialist dhe botëkuptimi zyrtar, i cili fetaren e shihte si opium që shkatërron vetëdijen e njeriut.
- Leximi filobiblik, që ka mbizotëruar në studimet letrare në Kosovë, i cili kohëve të fundit u projektua edhe si shkolla filobiblike, një shtjellim i gjerë, kinse akademik, që megjithatë vjen pa argument të plotë bindës prej Sabri Hamitit, për të gjithë periudhat letrare. Nga ana tjetër, lidhur me periudhën e parë dhe vetë historinë e letërsisë shqipe, pavarësisht pikësynimeve të prekshme didaktike, kryesisht për nevoja utilitare të shkollës së lartë, problematika është më hipotetike. Përcaktimet e bëra, sidomos sa i përket natyrës së shkollës filobiblike, më tepër vijnë në formë të përgjithshme, si dhe të bën përshtypje lënia jashtë këtij formulimi veprën e Buzukut, Matrëngës. Në këtë shkollë letrare, teksti letrar në shqip, në fakt, është derivim i tekstit biblik, që është universal, prandaj edhe emërtimi karakterizues filobiblike. Madje tekstet letrar zakonisht janë mbrenda librave doktrinarë të krishterë, duke krijuar një shfaqje tjetër të doktrinës. Autori shenjohet, mirëpo statusi i tij ndërron nga përkthyesi, te rikrijuesi e krijuesi. Ligjërimi thuret simbas gjedhes së retorikës e të moralitetit biblik të krishterë. Po ashtu, tematikat zotëruese janë biblike (Besëlidhja e Vjetër eBesëlidhja e Re).
Megjithëse leximi filobiblik i lëndës shkrimore të letërsisë së hershme, ku Sabri Hamiti ka përfshirë veprën e P. Budit, P. Bogdanit dhe të J. Varibobës, krahasimisht me leximin antifetar që përjashtonte çdo element të pranisë së shenjave artistike, shkon më pranë teksteve, përsëri vijon që ta trajtojë fakturën letrare të letërsisë së hershme, kryesisht në këndvështrim tematik, duke i lënë sërish në gjysmëterr shenjat letrare, ato që reflektojnë vlera edhe në poezinë e Budit.
Papërcaktueshmëria e natyrës së poezisë së autorit, madje endja në mëdyshjen e trefishtë dhe hipotetike, të përkthyesit, përshtatësit dhe poetit, është objekti kryesor i ligjëratës, që ka si pikësynim rivënien në fokus të pranisë së poetit në tekstet me poezi. Përpjekja serioze për të gjetur shtegun formal dhe logjik, është e ndërvarur vetëmse nga të mbërrimet e interpretimit të teksteve të poetit, e po kaq në hetimin e gjurmëve të poetikës vetanake, të projektuar në hapësirën e poezive. Me gjithë mundësitë për ta njohur dhe lexuar, shqyrtuar dhe vlerësuar poezinë e autorit, thellimi i qasjeve ndaj trashëgimisë së Budit, më pranë tekstit dhe “vlagës” letrare që përlindet në të, kulmon në vitet ’80 të shekullit të kaluar e në vijim. Krahas shqyrtuesve të hershëm të librave të Budit, të cilët kanë hulumtuar mbi vlerat gjuhësore dhe poetike, për fatin e poezisë së tij, e rivlerësimit të shenjave poetike, ndikuan dy-tre momente:
Së pari: Botimi në vitin 1986 në Prishtinë, i trashëgimisë poetike të Budit, të pjesës së shkruar në gjuhën shqipe, nën përkujdesjen e Rexhep Smajlit. Ky botim, ndërkaq ka njohur edhe botime të tjera, në vitin 2006 dhe 2016.
Së dyti: Analiza e hollësishme, interpretimet e gjera tekstologjike, varësisht metodikave dhe teorive të reja, të analizës së letërsisë së mesjetës, si dhe me rëndësi është përqasja me barokun religjioz e poezive të librit “Doktrina e Kërshtenë”, nga Zeqirja Neziri në vitin 1995.
Së treti: Shqyrtimi i vlerave të poezisë dhe prozës në një situatë përbashkuese të thelluar në të dy shenjat letrare, që përçojnë librat e shkrimtarit, të cilat e vendosin në një ekuilibër të trajtimit të dy anëve të shqiptimit letrar të krijimtarisë së autorit, në vitin 2015, nga Anton N. Berisha.
Në atë qarkëzim të verifikimit dhe vlerësimit të shkrimit poetik të Pjetër Budit dhe Pjetër Bogdanit, të autorëve të letërsisë së hershme, veçohen trajtesat e I. Rugovës, S. Hamitit, A. N. Berishës, M. Hysës etj., gjithnjë jashtë Shqipërisë, të cilat hedhin dritë me argumente të plotësuara mbi aspekte të ndryshme të poezisë së Pjetër Budit, madje duke përmendur e zbërthyer praninë e vlerave artistike në vjershërinë e këtij poeti. Në shekullin e njëzet e një, veçmas të tjerëve, në shqyrtimet e Anton Berishajt, Kujtim M. Shalës, Anton N. Berishës, e ndonjë tjetri, sidomos duke e ndërlidhur vjershërimin e Budit me rrafshet e intertekstualitetit biblik (rikëndimit të biblës), më së shumti dëshmohet qenësia e poetit, si dhe prania e “prushit” të bariut shpirtëror, të shqiptuar përmes fjalës shqipe. Megjithatë në botime dhe interpretime të ndryshme, më tepër si akt jashtëtekstor, si një prirje më e theksuar kjo në Shqipëri, me shumë gjasa një bartje e verifikimit zyrtar, ende nuk e kanë shmangur mëdyshjen nëse Pjetër Budi është poet, madje edhe në shekullin e njëzet e një, mbahet si tezë zyrtare e rëndësishme. Shtrimi i kësaj pyetjeje, lidhet me rrafshet konceptuale dhe me mënyrat e interpretimit të tekstit poetik, veçmas të letërsisë së hershme, në vlerën e një marrëdhënie të komplikuar të tekstit letrar dhe kontekstit shkrimor, të cilat janë të ndërthurura më tepër në bashkëjetesë dhe kundërvënie. Përpara studimeve letrare dhe gjuhësore, jo vetëm për shkrimin letrar budian, por për epokën përlindëse të letërsisë shqipe, e cila shenjëzon plejadën e Buzukut, Matrëngës, Bardhit dhe Bogdanit, të analizës dhe shqyrtimit të librave të tyre, sërish mbetën vjerrë tri momente:
- Bindja e studimeve letrare (e di se në cilën metodikë dhe teori letrare është mbështetur) e të gjithë hapësirave, sipas së cilës poezia e mirëfilltë në letrat shqipe zë fill me Jeronim De Radën dhe Naim Frashërin, duke lënë anash dhe të shmangur prej hartografisë themelhedhësit e saj, Budin, Bogdanin dhe Matrëngën, ndonëse ky i mbrami me një këngë të përshpirtshme.
- Ende nuk është braktisur situata e verifikimit dhe e trajtimit të shkrimit letrar të periudhës, si tipologji e leximit antifetar të poezisë së Budit, ndonëse ka rënë sistemi monist, që e ka lënë të varur idenë fiktive, sipas së cilës autori, më tepër është përkthyes e përshtatës, sesa poet, duke lënë në mjegullë, qoftë aktin e përkthimit, po kaq edhe situatën e teksteve autoriale.
- Deri kur do të funksionojnë “muret prej xhami”, në rrafshet e shqyrtimeve albanologjike, të cilat i kemi ngritur ndërmjet vedi, aq sa edhe gjuha e letërsia, shqyrtimet mbi veprat letrare, të lënë përshtypjen se më shumë janë “republika letrare autonome”, që më shumë ndërkomunikojnë rastësisht, larg bazamentit gjuhësor të shqipes së përbashkët.
Trajtimi ndërkohor dhe hapësinor i poezisë së Budit, që është shoqëruar me uljengritjet e veta, tashmë ka krijuar dy linja të qarta, që megjithatë janë të përkundërta dhe shumë larg njëra-tjetrës, të cilat shkojnë deri në kundërvënie, duke vënë përballë argumentat bazuar në interpretimin e teskteve, me mungesën e leximit të teksteve me poezi të autorit. Linja e parë, e cila rimerr në konsideratë përfundimet mëparshme të nxjerra nga ana e studiuesve mbi poezinë e shkrimtarit, e shqyrtimit të tekstit, të materies poetike të shkrimtarit, që shfaqet në fillimin e shekullit të njëzet, shënon një pikë reference të përfillshme në 400-vjetorin e lindjes së Budit, në vitin 1966, e cila bashkëshoqërohet me analiza të thelluara nga filologët dhe studiuesit e letërsisë. Linja e dytë, që ndërkaq shënon dukshëm braktisjen e së parës, e cila formësohet si qëndrim zyrtar mbi poezinë e P. Budit, sidomos në vitin 1976, e cila pason ndalimin e gegnishtes dhe arbërishtes në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, rikthen situatën e mosshqyrtimit të teksteve letrare të shkrimtarit, gjë që zbulohet në pohimin e bërë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë: “Budi, në shumicën e rasteve, i kushtoi pak kujdes punës me vargun e strofën. Vjershat e tij vuajnë nga mungesa e teknikës në ndërtimin e tyre, nga përdorimi i shpeshtë i fjalëve të tepërta që e rëndojnë stilin. Po nuk duhet harruar se jemi në fillimet e vjerëshërisë artistike shqiptare.”
Kjo rrethanë e leximit të pastër antifetar të vargjeve të Budit, mbase e leximit dogmatik të materies letrare, ndihmon që të kuptosh se në këtë përfundim të pazakontë të Akademisë ka vetëm mohim dhe injorim të mëtesave shkrimore të poetit, që nuk duhet të shkëputen nga kontekstet e kohës së shkrimit, për të hetuar dhe vlerësuar praninë e secilës vlerë. Në këto përcaktime zyrtare dhe pa argument të thelluara, nuk ka asnjë konsideratë për shkrimin poetik, madje më tepër kemi të bëjmë me një ligjërim jashtëtekstor, pra pa lidhje formale me vjershërimin e Budit. Në anën tjetër, si një shpalim i analizës dhe i interpretimeve të teksteve me poezi të autorit, pasojë e njohejs dhe vlerësimit të shenjave letrare, që sugjerojnë praninë e vlerës letrare në poezishkrimin e tij, kemi vlerësimet e jo pak personaliteteve në kohë dhe hapësirë, të cilët artikulojnë vlerësimin për shkrimin poetik të Pjetër Budit.
Kështu, Mario Rok, njëri ndër njohesit e letërsisë së hershme shqipe, ndër të tjera, shkruan edhe për: “... shqetësimet intelektuale në poezitë e tij...” , që duket se përcjell një prani të autorit me shestimet e veta, e rrokshme në hapësirën e teksteve. Selman Riza, njëri nga gjuhëtarët më të shquar, si ndër njohësit e letërsisë së hershme, të veprave të autorëve përfaqësues të saj, të studiuara dhe vlerësuara në të gjithë treguesit, si një kundërshti ndaj qëndrimeve të mbajtura, thekson me forcë: “Mendimin e ndonjë kritiku se Pjetër Budi paska qenë vjershërues i thjeshtë e jo njëherazi edhe vjershëtor i mirëfilltë shkruesi i këtyre radhëve e gjen të papërpiktë.” Mahir Domi, një filolog i spikatur i bashkëkohësisë, si dhe ndër njohësit e vlerave që përçon e gjithë periudha e letërsisë së hershme, ndër të tjera shprehet: “Duke qenë edhe autori i parë i prozës origjinale shqipe e po ashtu lëvruesi i parë i vjerëshrisë shqipe…” Në këtë formulim të bërë në vitin 1966, M. Domi nënvizon hapur qenien e Budit si autori i parë i prozës shqipe, por sa i përket materies poetike, më tepër lë një gjendje mjegullësie, duke e lënë pezull shenjimin e vlerës së shkrimit poetik, ngaku duket se merr udhë mendimi i mëvonshëm, për të përjashtuar çdo vlerë artistike, në poezishkrim.
Henrik Lacaj, përkthyesi veprës madhore të Virgjilit, poemës “Eneida”, si dhe studiuesi më zelltar dhe skrupuloz për të ndriçuar vlerësinë e poezisë së Budit, përveç punimit të detajuar për poezinë (shkruar në vitin 1949 dhe që ka mbetur ende në dorëshkrim, pa mundur që të bjerë në duart e lexuesit), duke e shoqëruar më shqyrtime tekstologjike të përimtësuara, sa i përket figurës dhe pranisë së vlerës në poezi, ka shprehur edhe këto mendime: “... vendin e një shkrimtari të tillë nuk e la të zbrazët pikërisht Pjetër Budi i cili, përveç një lande aq të vëllimshme në prozë, na la edhe 707 strofa katërshe me rimë të alternueme në Doktrinën e Kërshtenë, 41 strofa në Pasqyrën e t’rrëfyemit dhe një vjershë prej 38 vargjesh me tetërrokësh të dyfishtë në Ritaulin Roman.”
Martin Camaj, shkrimtari që la Shqipërinë për shkak të kushteve të mbrapshta politike dhe kulturore, me një trashëgimi letrare të vyer në poezi, prozë dhe dramatikë, si dhe me punime të zgjeruara gjuhësore, në vitin 1966, që përkon me 400-vjetorin e lindjes së Budit, në revistën Shejzat, ku qe kryeredaktor dhe pati për editor Ernest Koliqin, shkruan: “Budi asht poet jo me shumë talent, por asgjamangut farkues i mirë i vargut tetërrokësh.”
Parashtrimi këtu i të dyja linjave, pra që e sheh si poet dhe, që nuk pranon asnjë dëshmi poetike në vargëzimin e poetit, së paku në këtë ligjëratë nuk ka për qëllim evidentimin e pengesave, ose numërimin e mungimeve të vëna re në leximin dhe analizën e poezishkrimit të shkrimtarit, porse vetëm nxitjen e thellimit të njohjes dhe të argumentimit se në poezinë e autorit ka materie letrare, ku gjellin fryma origjinale e shkrimit poetik. Po ashtu, të marrin fund hipotezat dhe hamnedësimet e ndryshme, që hidhen në shtypin letrare, pa lexuar librat e shkrimtarit, ku gjellin poezi dhe proza autoriale. Prania e magjisë së gjurmëve të shkrimit vetanak, me dëshmi të vlerave artistike, në prozë dhe poezi, ka mundësuar që të hyjë në historinë e letërsisë shqipe si poeti dhe prozatori i parë i shkrimit të kultivuar në letrat shqipe, gjithnjë e shenjuar me katër libra të shkrimtarit. Ligjërata jo pak e gjatë, pohuese dhe kundërshtuese, nihiliste dhe pa sjellë argument, aq më tepër që përbën vetëmse një kujtesë të rimarrë nga trajtimet e mëhershme, sidomos të rrethanave dhe konteksteve të leximit antifetar, ka mundësuar idenë mbizotëruese se leximet e pranishme jashtëtekstore, vijojnë që ta mbajnë vjershërimin e Budit jashtë rrjedhave të poezisë së kultivuar, ende në shekullin e njëzet e një. Koncepti hipotetik dhe pa shpjeguar asgjë mbi këtë qasje, i përcaktimit të poezisë, kinse të mirëfilltë në letrat shqipe dhe, që gjoja zë fill me veprën poetike të De Radës dhe të Naim Frashërit, duke lenë shtegun djerrë, sikur paska edhe poezi të pamirëfilltë, që do të vinte në dyshim jo vetëm dijen letrare, por edhe praktikën e leximit të letërsisë dhe poezisë. Emërtimi për poezinë e mirëfilltë, duke qenë një pistë zyrtare dhe akademike, detyruese e vepruese, për mjediset universitare dhe shkencore, prej kaq kohësh ka krijuar pasoja:
- Pa asnjë argument të analizës tekstologjike dhe stilistike, të dijes dhe praktikës së receptimit të shkrimit, përjashton nga leximi dhe verifikimi vlerat letrare të thurura në librat e Buzukut, Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit, aq sa janë, pa shtuar dhe hequr asgjë nga shenjat tekstologjike. Kështu, me këtë optikë të “ndalimit dhe përjashtimit” të librave të kësaj periudhe, lë jashtë historisë së dëshmive letrare periudhën e parë të letrave shqipe, si dhe humbet nga gjurmët e letrares shekujt 16-17-18, duke i kapërcyer ato në shekullin 19.
- Vë në zgrip ekzistencial shtegtimin e gegnishtes, variantit përlindës të gjuhës shqipe, e dokumentuar me libër me “Mesharin” e Gjon Buzukut, po kaq edhe të arbërishtes, që zë fill me E mbasme e Kërshtenë, të Lek Matrëngës, gjë që lë hapësirë të pamatshme, të bëdarjes së vlerave gjuhësore të këtyre dy varianteve të shkrimit të gjuhës shqipe.
Në anën tjetër, mbajtja në fuqi e hipotezës se Budi është më tepër përkthyes dhe përshtatës, sesa poet, duke lënë kështu në hije qasjet dhe interpretimet e mëparshme, të gjuhëtarëve dhe studieusve më në zë të letërsisë së hershme, të vlerave të shumëfishta, tashmë duhet kapërcyer, më shumë për shenjat letrare të sendërtuara në gjuhën shqipe, sesa për vetë autorin. Ky qëndrim në marrëdhëniet me tekstet e shkruara, do të ndikonte për të shkuar në cakun e fillimit të letërsishkrimit, për ta bërë pjesë të panteonit të letrave shqipe. Shkrimi i gjuhës shqipe, në shekullin e 16 me librin e Buzukut “Meshari” dhe të Matrëngës “E mbsuame e Krështerë”, në shekullin e 17, me librat e Budit, Bardhit dhe Bogdanit, dëshmon se e kemi një njësi unike të shqipes, si një bashkëshkrim, të faktit gjuhësor dhe historik, që përçon edhe vlerat letrare dhe përkthimore, që duhet vendosur në ato kontekste, dhe mbi të gjitha duhet lexuar dhe interpretuar duke u bazuar në diskurin letrar, që në të gjitha rastet diskurin fetar nuk e përjashton si vlerë, përkundrazi e kundron si njëri ndër rastet që konfirmon praninë e shenjave letrare. Nëse Bibla është libri i librave, për secilin njohës të atij teksti, si mundet që të kemi drojën për ta parë, lexuar dhe zbuluar, shenjat e tilla, në librat e shkrimtarëve tanë, të shekujve të mesjetës së vonë, që morën shkas nga Dhjata e Vjetër dhe e Re, duke indentifikur ekzistencën e gjuhës shqipe, si gjuhë e shkruar, si gjuhë e letërsisë dhe kulturës!
Përfundime
Varësisht të mbërrimeve të studimeve gjuhësore dhe letrare, për të përçuar bindjen se ligjërata pati si funksion vetëm me qartësuar sadopak fatin e poezisë së shkrimtarit, si dëshmi e vlerave artistike, të enduara nga poeti në tekstet e shkruara, mund të formulojmë ndonjë konkluzion:
- Në rastin e shkrimit poetik të Budit, kemi një situatë poetike vërtet komplekse dhe të ndërthurur, të teksturës origjinale dhe të rishkruar (term i Selman Rizës), e cila nuk është se e përjashton përkthimin ose përshtatjen, por mbetja e prurjes së shkrimit poetik, vetëm në këto dy rrethana, që përjashtojnë praninë e poezisë origjinale, është e papranueshme për vetë situatën e poezive të autorit.
- Forma më tipike dhe më e shtrirë në vjershërimin e Budit, por edhe të shkrimtarëve të tjerë të letërsisë së mesjetës së vonë, është hartimi i poezisë si rikëndim i Dhjatës së Vjetër dhe të Re, ose si një modelim vetanak, që bart shenjat e origjinalitetit, si frymë e asaj tipologjie në ndonjë poezi tjetër të librave të shkrimtarit. Për këtë tip poezie, pra si rikëndim i materies së huamarrë nga Bibla, interes të veçantë zgjon këndvështrimi i Anton Berishajt, e cila shtejllohet gjerësisht në librin Letërsia Performative, për letërsinë e vjetër, kur mes tjerash thekson: “... tekstualiteti i letërsisë së vjetër shqipe me dimensionin e tij polisemik, si një diskurs religjioz dhe si program tekstual që qëndron në themel të Letërsisë.” , çka përpos rivlerësimit të lëndës shkrimore të kësaj letërsie, ndërkaq tepër e rëmndësishme është situate kur në mes tjerash, pa asnjë ekuivok, sugjeron kodin e verifikimit të kësaj letërsie, po kaq edhe të poezisë së Budit, si një mënyrë e hetimit të gjurmëve letrare.
- Prania e poezisë origjinale të Budit, e cila nuk ka asnjë shans për ta ndërlidhur me situatat e përkthimit, megjithatë shpaloset në disa poezi të autorit, të rrokshme në të tre e autorit. Fillimisht po përmendim poezinë 17 të “Doktrinës së kërshtenë”, me 150 vargje gjithsej, ndër të cilët:
Tu’pam gjithë të keqtë
Aqë idhunë e helumom
Ke nd’arbënë shtiu leqtë
Dialli i mallëkuom.
Te këto vargje, të shkëputura nga materia e kësaj poezie, sidomos nëpërmjet përmendjes së fjalës arbënë, pra që shoqërohet me përcaktimin e vendit, ku ndodh kataklizmo e konvergimit fetar të dhunshëm, dëshmohet për një situatë të qartë të hartimit të një poezie autoriale, nga ana e P. Budit. Po ashtu, në poezinë e tetëmbëdhjetë, me titullin e hapur, Për ndihmë të gjithë kërshtënimit Arbënit, me 145 vargje, ndeshet problematizimi i kësaj gjendje, dhe mbi të gjitha vihet re se udhët e ndryshimit kërkohen me anë të fajlës, të librit që shërbën si një pasqyrë, ku ndeshim edhe thirrjen:
N’dorë e merri, e këndoni
Iu qi dini me kënduom
Vini veshët e ndëgjoni
Iu qi dini me ndëgjuom.
ku ndërkaq kalohet në një moment tjetër, që ka të bëjë me fatin e krishtërimit në Arbëni, por edhe ku përcillet mesazhi i rëndësisë së librit, i nevojës për ta vlerësuar dhe përthithur atë, sidomos në kuaternën e përveçuar, që e sollëm në këtë ligjëratë, si fakt të lavrimit të poezisë unike të poetit.
Në poezinë e nëntëmbëdhjetë të librit të parë që trashëgojmë nga shkrimtari, e cila ka vetëm 23 vargje, kemi edhe situatën e mëposhtme, e cila thellon praninë e rrafsheve të subjektivitetit të gjurmëve të poetit:
Qi më dhe kaqë hir
Këtë kafshë me mbaruom,
Si e paçë zanë fill
Gjithë herë tue shkruom,
Në këto vargje të hapura si kumt ndeshim një linjë të shqiptimit të pastër të marrëdhënies së poetit me aktin e shkrimit, të poezisë që shqipton shestimet e poetit, të shqiptimit të ngasjeve kreative thelbësisht subjektive, e cila mundëson projektimin e ngjyresave personale. Një situatë e afërt ligjërimore shfaqet në vargjet e poezisë së tretë, që gjendet te libri “Pasqyra e t’rrëfyemit”, e përbërë nga 117 vargje gjithsej, ku ndër të cilët veçuam:
Nd’ Arbënë me ua dërguom
Sikur një pasqyrë,
Ndë të cit tu’shukuom,
Të nçilen ma mirë,
Kuaterna e kësaj poezie të njëmendtë si shenjëzim autorial, sërish vendos pika kontakti me vendin/Arbënë, si dhe me dobinë e kundrimit të librit/vargjeve, si një pasqyrë e shoqëruar, me përthyerje shëmbëllimi, që përpos të tjerash ndikon fuqishëm për ta kuptuar botën përqark. Te poezia e vetme që gjendet në “Rituali Roman”, me 39 vargje 16-rrokëshe apo me 8-rrokësh të dyzuara, ndërkohë që aty rimerret shqetësimi i autorit për besimin në Arbëni:
Këtë kafshë me mbaruom: qi e paçë për detyrë
Natë e ditë tue shkruom: zemëra më gjet’ të lirë,
Shokëvet me ua dërguom: sikur një pasqyrë,
Në vargjet e kësaj poezie, nga më të veçantat në trashëgiminë poetike të Budit, e cila përçon dy ndryshime thelbësore në poetikën shkrimore, si mënyrë vargëzimi, me shkrimin e vargjeve monokolorë, si dhe kapërcimin e stilemës së tetërrokshit në tetërrokësh të dyfishtë, ose të një sitleme poetike me 16-kësh, rimerret situata e vlerësimit të librit/poezive, që e ndeshim edhe në poezitë e librave të tjerë.
Pra, ngasa vihet re, prej shtjellimit vetëm në rrafshin e poezive origjinale, që nuk kanë asnjë lidhje me përkthimin apo përshtatjen, vihet re se pesë poezi dhe 475 vargje janë të Budit, madje në mënyrë të padiskutueshme. Trashëgimia tjetër, e shkrimit poetik, që gjendet në tre librat e autorit, e huamarrë apo e përkthyer, si një pistë hipotetike, që deri më tani nuk ka marrë përgjigje të argumentuar, është rishkruar në poetikën e tetërrokëshit trokaik, duke mishëruar kështu tiparet e poetikës së shqipes së autorit. Në këtë logjikë, e gjithë trashëgimia poetike në gjuhën shqipe, me gjasë e përkthyer/e rikënduar nga motivet e Biblës, Dhjatës së Vjetër apo asaj të Re, vjen e shqiptohet më tepër si e rijetësuar, madje që bartet në të gjithë pentagramin e poezisë shqipe të mëvonshme, veçmas si poetikë e tetërrokëshit.
Literatura kryesore:
1. Budi, Pjetër: POEZI, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë 2006.
2. Riza, Selman: Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe, (shkruar në vitin 1964 fillimisht si tekst universitar), botuar në vitin 1996 në Prishtinë dhe në vitin 2002 në Tiranë, nga Shtëpia Botuese Toena.
3. Papas Gaetanio Petrotta: Popolo Lingua e Lett. Albanese (Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare), Tipografi Pontificia – Palermo, 1932.
4. Historia e Letërsisë Shqiptare, botim i Akademisë së Shkencave, tekst universitar, Tiranë 1976.
5. Roques, Mario: Gjurmime mbi Tekstet e Vjetra Shqipe e shkrime të tjera, Botime Françeskane, Shkodër 2011.
6. Pjetër Budi, botim i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë 2008.
7. Berishaj, Anton, Lertërsia performative, shtëpia botuese BUZUKU, Prishtinë, 2010
8. Hamiti, Sabri: Shkollat letrare shqipe, https://xn--cdaaa.scribd.com /.../SHKOLLAT-LETRARE-SHQIPE...
9. Gjoka, Behar, Poetika e Budit, Albas, Tiranë 2002.