A fshihej Mit’hat Frashëri pas këtyre tri letrave të nënshkruara me pseudonimin “Adriatiku” dhe të botuara në revistën “France-Orient”?


Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection
Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Korrik 2022

 

Revista politike, ekonomike dhe financiare “France-Orient” ka botuar në gusht dhe dhjetor të 1921 si dhe në janar të 1922, tri letra të një autori me pseudonimin “Adriatiku” mbi rrjedhën e ngjarjeve politike dhe ekonomike asokohe në Shqipëri. Por kush mund të ketë qenë ky autor misterioz? Dyshimet e mia janë për Mit’hat Frashërin, të cilit e njëjta revistë i ka botuar në gjashtë mujorin e parë të 1922, katër letra (1 shkurt 1922; 10 prill 1922 / 10 prill 1922; 10 qershor 1922) me pseudonimet “Lumo Skendo” dhe “Sulo Kendom”. Pavarësisht këtij autori misterioz, përmbajtjet e këtyre letrave, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar, do t’i gjeni në vijim :

 

Letra n°1 – Burimi : France-Orient, 1 gusht 1921, f.4 :

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tiranë, 20 gusht1921.

 

Kabineti i ri i formuar më 12 korrik është ende nën kryesimin e Iliaz Vrionit. Është një kabinet koalicioni. Aty janë të përfaqësuara të gjitha partitë, duke gëzuar besimin e katër të pestave të Parlamentit.

 

Ministria përbëhet si më poshtë: Ministri i Brendshëm, Sulejman Delvina; Ministri i Punëve të Jashtme, Pandeli Evangjeli; Ministri i Drejtësisë, Dhimitër Kacimbra; Ministri i Financave, Tefë (Shtjefën) Curani; Ministri i Arsimit Publik, Sotir Peci; Ministri i Punëve Publike, Mehdi Frashëri; Ministri i Luftës, Selahudin Shkoza.

 

Qeveria aktuale pret me durim dhe besim njohjen zyrtare nga fuqitë e mëdha dhe rifillimin e marrëdhënieve diplomatike.

 

Në fakt, qeveria shqiptare, për të inauguruar një jetë normale dhe për të përmbushur kërkesat e një ekzistence politike, ende nuk ka rivendosur marrëdhëniet si në vitin 1914. Për këtë, Shqipëria i është drejtuar disa herë kabineteve të Fuqive, dhe së fundmi, më 8 korrik, kur Delegacioni shqiptar në Paris u thirr përpara Komisionit të Çështjeve Shqiptare në Quai d’Orsay, për të paraqitur dëshirat e qeverisë së tij, Kryetari i Delegacionit u mjaftua duke kërkuar njohjen zyrtare të Qeverisë dhe si rrjedhojë e kësaj njohjeje zbrazjen e territoreve shqiptare ende të pushtuara nga serbët dhe grekët.

 

Ajo që është e kënaqshme të theksohet është se vetë interesi ndërkombëtar përfshin mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të Shqipërisë.

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Për më tepër, këtu në Tiranë, ne bëjmë të gjitha përpjekjet për të pasur marrëdhënie të mira me fqinjët e Shqipërisë, të bindur se kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë të përballueshme jetën në Ballkan.

 

Jashtë vendit është folur shumë për çështjen e Mirditës; shkuan aq larg sa të shpallnim krijimin e një republike të vogël. Ja e vërteta : Marka Gjoni, gjoja udhëheqës i Mirditës, kishte bërë betimin për besnikëri ndaj qeverisë shqiptare; Mirdita tashmë ka zgjedhur dhe dërguar dy deputetë në Tiranë. Por Marka Gjoni i do pak si shumë paratë dhe u kënaq të thërriste disa shefa malsorë dhe t’i këshillonte të shkëputeshin nga qeveria e Tiranës. Ai gjeti vetëm disa njësi partizane, të cilat të gjitha, të udhëhequra nga Marka Gjoni, kaluan kufirin dhe ikën në Serbi, kur qeveria bëri sikur do të marshonte kundër tyre; nuk pati luftime, nuk pati rezistencë.

 

Paqja tani është e plotë kudo dhe puna e riorganizimit vazhdon. Aktualisht janë gati treqind kilometra rrugë në ndërtim dhe një numër i konsiderueshëm rrugësh po rikthehen në gjendje të mirë.

 

Ministri i Arsimit Publik dhe ai i Bujqësisë po bëjnë përpjekje të mëdha për rritjen e numrit të shkollave. Gjatë këtyre gjashtë muajve të parë të këtij viti u krijuan pesëdhjetë e dy shkolla të reja fillore; Një fermë model është krijuar gjithashtu në Vlorë dhe një shkollë bujqësore praktike në Lushnje.

 

Para se të mbaroj, do t’ju vë në dukje dy fakte që më duken të rëndësishme.

 

26 qershorin e kaluar, Kuvendi i Shqipërisë dërgoi një shkresë në parlamentet franceze, angleze dhe amerikane, duke kërkuar që t’i tërheqin vëmendjen qeverisë jugosllave për teprimet e kryera kundër shqiptarëve të Kosovës nga autoritetet lokale jugosllave.

 

Në të njëjtën kohë, dhe ky është një hap shumë domethënës, Kuvendi i Shqipërisë i telegrafoi “Shkupshtinës” në Beograd. Ky është hapi i parë në vendosjen e marrëdhënieve miqësore midis asambleve kombëtare të dy vendeve fqinje.

 

Një tjetër ngjarje është një takim i mbajtur në Himarë nga popullsia dhe personalitetet e këtij rrethi, kundër pretendimeve të huaja që mund të rrezikojnë integritetin territorial të Shqipërisë.

 

ADRIATIKU

 

 

Letra n°2 – Burimi : France-Orient, 1 dhjetor 1921, f.11 :

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqipëri

Letër nga Tirana

5 nëntor

 

Shqipëria po bën përpjekje për t’u riorganizuar : sapo është krijuar një Shkollë Bujqësore në Lushnje dhe një fermë model në Vlorë. Në Tiranë sapo është hapur një Shkollë e Arteve dhe Artizanatit, kostot e së cilës do të përballohen nga qeveria, por me një subvencion të vogël nga amerikanët. Ministria e Arsimit Publik sapo ka hapur një shkollë fillore në Shkodër për konviktorët ku do të mund të strehohen dhe ushqehen 200 nxënës nga vendet malore. Ky konvikt është i pari i këtij lloji dhe nëse do të arrihen rezultate të mira numri do të rritet.

 

Sa për punët publike, ne do të flasim vetëm për një rrugë të rëndësishme për ndërtimin e së cilës po punojmë me zell : është rruga Durrës-Elbasan-Pogradec-Korçë, një segment i së cilës tashmë ishte ndërtuar. Nëse kjo rrugë realizohet, Korça do të jetë një ditë larg nga deti (me makinë) dhe Durrësi do të lidhet me Selanikun nëpërmjet Follorinës.

 

Rrugët tashmë ekzistuese dhe me shërbim të rregullt automobilash, janë ato që lidhin tre portet (Sarandën, Vlorën, Durrësin) me Korçën, duke kaluar nga Tepelena, Përmeti, Leskoviku, Kolonja, Gjirokastra, Kavaja, Lushnja; një rrugë tjetër lidh Durrësin me Tiranën dhe Durrësin me Shkodrën, nëpërmjet Shëngjinit.

 

Qeveria do të kishte dashur t’i kushtonte shuma më të mëdha krijimit të rrugëve në Shqipëri, por nga 20 milionë franga ari që përbëjnë këto të ardhura, një pjesë e mirë gëlltitet nga ushtria dhe xhandarmëria që është e detyruar t’i mbajë në kufi. Edhe teksa shkruaj këto rreshta, sulmi i pajustifikuar i serbëve në Drin po e detyron Shqipërinë të shtojë numrin dhe shpenzimet e ushtrisë. Raportohet se serbët kanë përzënë të gjithë popullsinë para tyre, gjë që do të rrisë masën e emigrantëve dhe rrjedhimisht atë të shpenzimeve për mirëmbajtjen e saj (masës).

 

Këto vështirësi kufitare duken edhe më të padobishme pasi, si fqinjë të mirë, serbët dhe shqiptarët duhet të kishin jetuar më mirë me njëri-tjetrin, dhe duhet të kishin rivendosur marrëdhëniet duke eliminuar mosbesimin reciprok.

 

Këto vështirësi çuan në rënien e kabinetit, presidenca e të cilit iu besua Pandeli Evangjelit, ministër i Jashtëm në kabinetin që sapo ka rënë dhe që ruan të njëjtin portofol; gjashtë kolegët e tij janë: Bajram Fevziu, ministër i Brendshëm; Koço Tasi, ministër i Drejtësisë; Ahmet Dakli, ministër i Financave; Hilë Mosi, ministër i Arsimit Publik; Ahmet Zogu, ministër i Luftës; Zija Dibra, ministër i Punëve Publike. Është një Kabinet i përbërë nga ministra të rinj, të rinj gjithashtu edhe në moshë, me prirje liberale; ai u paraqit para Kuvendit dhe mori votëbesimin, me një program demokratik, bazuar në dëshirën për të mbajtur marrëdhënie të mira me shtetet fqinje, duke ruajtur kufijtë shqiptarë të fiksuar në vitin 1913.

 

ADRIATIKU

 

 

Letra n°3 – Burimi : France-Orient, 1 janar 1922, f.11 :

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqipëri

Letër nga Tirana

6 dhjetor.

 

Shqipëria sapo ka festuar me një shkëlqim të veçantë festën kombëtare të 28 nëntorit. Për herë të parë në analet e kombit festohet përvjetori i shpalljes së Pavarësisë — shpallje e bërë në Vlorë më 1912 — në një Shqipëri krejtësisht të lirë, të çliruar nga trupat e huaja.

 

Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve, në seancat e saj të 5 dhe 9 nëntorit, që përcaktoi përfundimisht kufijtë shqiptarë mbi bazën e vijës së vitit 1913 — me përjashtim të disa sakrificave që iu imponuan Shqipërisë në kufirin e saj me Serbinë — dhe puna e mbledhjes së Këshillit të Lidhjes në Paris, nga data 10 deri më 19 nëntor, përbën një lehtësim për Shqipërinë, e cila sheh kështu një zgjidhje të një vështirësie shumë stresuese.

 

Sakrificat e imponuara ndaj Shqipërisë janë humbja e rajonit të Gorës në jug dhe perëndim të qytetit të Prizrenit. Ky kufi i ri do të fiksohet në terren nga një komision i përbërë nga përfaqësues të katër Fuqive të Mëdha, i cili së shpejti do të shkojë në Shqipëri; është e vërtetë se protokolli i Konferencës së Ambasadorëve parashikon edhe dy korrigjime të tjera në veri të Shkodrës dhe në perëndim të Dibrës, korrigjime të cilat shpresohet se nuk do të kenë asnjë rëndësi, pasi komisioni të ketë konstatuar padobishmërinë e tyre në terren.

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vendimi i Fuqive të Mëdha pati efektin e menjëhershëm për të rivendosur qetësinë dhe rendin. Trupat serbe janë në prag të evakuimit të territoreve që mbeten përfundimisht shqiptare dhe, në pritje të aplikimit në terren të vijës kufitare, do të krijohet një zonë neutrale mes dy vendeve. Kufiri jugor, me Greqinë, mbetet ashtu siç ishte fiksuar në vitin 1913.

 

Për momentin, Komisioni i dërguar nga Lidhja e Kombeve — i përbërë nga një luksemburgez, një norvegjez dhe një finlandez — mbërriti në Shqipëri më 23 nëntor, është rrugës për në kufirin verior dhe lindor, pasi ka vizituar Vlorën, Tiranën dhe Shkodrën. Ky komisioni ka për detyrë të mbikëqyrë evakuimin e territoreve shqiptare nga trupat serbe dhe të sigurojë që asgjë nga jashtë të mos prishë qetësinë e Shqipërisë.

 

Një tjetër fakt që meriton të theksohet është ai i dëbimit të peshkopit grek të Korçës, Imzot Jakob-it, agjent aktiv i helenizmit, i cili prej tre vitesh është bërë plagë e vendit. Peshkopi Jakob pati mbajtur peshkopatën e Durrësit dhe qëndroi në Korçë pa asnjë titull zyrtar, përveç atij të agjitatorit. Prej kohësh popullsia e krishterë ortodokse e qytetit dhe e krahinës kishte bërë një ankesë kundër prelatit të denjë, duke kërkuar dëbimin e tij. Qeveria e Tiranës kishte hezituar deri tani, nga frika e komplikimeve nga ana e Greqisë.

 

Komisioni i Lidhjes së Kombeve mundi të vëzhgonte aktet subversive të prelatit të denjë.

 

Duke folur për Korçën, është e pamundur të mos përmend një qendër të rëndësishme të ideve franceze që ekziston në këtë qytet, Liceu franko-shqiptar. Aq më tepër që pas shfuqizimit të shkollës greke në Korçë, ky lice është destinuar për një të ardhme të shkëlqyer. Mësimi i gjuhës shqipe dhe frënge përbën bazën e arsimit atje, frëngjishtja mbetet instrument ekskluziv i arsimit të mesëm. Një drejtor francez po pritet nga dita në ditë të vijë nga Parisi, i cili do të jetë edhe profesor i letërsisë. Kërkojnë edhe dy profesorë të tjerë, njërin për shkencat fizike dhe natyrore dhe tjetrin për matematikën; shpresojnë që t’i gjejnë gjatë vitit aktual shkollor.

 

Lexuesit tanë nuk duhet të harrojnë kurrë prestigjin e simpatisë që gëzon në Shqipëri gjithçka që është franceze dhe do të ishte një punë e dobishme dhe tepër patriotike të bëhej e njohur Shqipëria në Francë, për të cilën do të paraqesë gjithmonë një fushë të gjerë dhe pjellore për gjithçka që është franceze, influencë intelektuale si dhe interes ekonomik.

 

Tashmë koha për t’i hyrë punës është e përshtatshme. Vendi po shkon drejt paqes së plotë, dhe në qetësi dhe meditim, do të mund t’i kushtojë të gjithë veprimtarinë e tij riorganizimit dhe zhvillimit të burimeve të tij natyrore. Në të gjitha këto ndërmarrje, francezët – në përparësi ndaj të gjithë të tjerëve – do të jenë të mirëpritur, në favor të të dyja palëve.

 

ADRIATIKU

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/a-fshihej-mit-hat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku-dhe-te-botuara-ne-revisten-france-orient/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://americaneye.al/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku-ne-revisten-france-orient/

 

https://www.kultplus.com/libri/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku-dhe-te-botuara-ne-france-orient/

 

https://www.voal.ch/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku-dhe-te-botuara-ne-revisten-france-orient/multimedia/dossier/

 

https://diasporashqiptare.al/2022/07/11/a-ishte-mithat-frasheri-pas-pseudonimit-adriatiku-ne-revisten-france-orient/

 

https://opinion.al/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-3-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku/

 

https://konica.al/2022/07/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-ne-shtypin-francez/

 

https://www.botasot.info/kultura/1839007/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku-dhe-te-botuara-ne-revisten-france-orient/

 

https://drini.us/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku-dhe-te-botuara-ne-revisten-france-orient/

 

https://www.syri-vision.tv/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku/

 

https://folshqip.al/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-3-letrave-te-nenshkruara-me-pseudonimin-adriatiku/

 

https://inforculture.info/2022/07/11/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-ne-shtypin-francez/

 

https://prizrenpress.com/a-fshihej-mithat-frasheri-pas-ketyre-tri-letrave-ne-shtypin-francez/