CIKËL POETIK DEDIKUAR MATIT DHE KOSOVËS


Bajram Canameti
Bajram Canameti

---------------------------------

MATI PËR PAVARËSI

--------------------------------

 

 

Njëzet e pesë burra matjanë

stolisur si dasmorë, armëngjeshur

zbrisnin rrugës së Arbërit,

si njëzet e pesë lisa shekullorë,

me rrënje të thella në truallin e kombit,

si njëzet e pesë male kryelartë

kështjella iliro-arbërore të Matit.

 

 

Njëzet e pesë trimat e Matit,

trashëgimtarë të albanëve hyjnorë,

me plagët e shekujve ngarkuar për liri

si shqiponja fluturonin për në Vlorë,

të çonin amanetin e Gjergj Kastriotit

që brezave e mbanin në gji,

të nënshkruanin për shtet e pavarësi.

 

 

Si zgalem u printe një djalë i ri,

fluturonte Ahmet Zogu, engjëlli i lirisë

trashëgimtar i princërve të Arbërisë,

hidhte hapin për në krahështrirën Vlorë

me diellin mbështjell në kraharor,

me dorën e shtrirë drejt Ismail Qemalit

për të lidhur besën me ajkën e vatanit.

 

 

Njëzet e pesë shqiponja mbërritën në Vlorë,

brenda vetes mbanin Matin hyjnor,

vinin nga zemra e Arbërisë,

aty ku është mesi i Shqipërisë,

atje buron gurra e historisë.

 

 

Ky është djepi i Gjergj Kastriotit

që u përkund në dymbëdhjetë kalatë e Matit

me ninullën e Arbërit,

aty Pal Engjelli shkruan

Formulën e artë të Pagëzimit,

në kishën e Shën-Trinisë

me gjuhën e ëmbël të Ilirisë.

 

 

Këtu është vendi i Batos

ngarkuar me fuqi,

është vatra e Pjetër Budit

me Biblën në gji,

këtu është vendi i kuvendeve kombëtare

për shtet e liri.

 

 

Njëzet e pesë shqiponjat e Matit

mbi flatra mbanin:

thinjat e historisë zbardhur për liri,

ëndrrën për flamur e pavarësi,

bashkë me stemën e principatës së Arbërit.

 

 

Në xhamadanët e delegatëve të Matit

qëndisur stema e Kastriotëve,

shqiponja e Skënderbeut legjendar

u gdhend në flamurin kombëtar.

 

 

 

------------------------

SHPËTIMTARI

Himn liriko-epik

------------------------

 

 

Këto vargje për ty, Mbret

shpëtimtar,

janë një vesë pranverore,

në behar.

 

 

Ti je det, del i kalter

madhështi,

ti je mal, je kështjellë

histori!

 

 

Historia është një qiell

mbush me yje,

dhe ky qielli ka një diell,

që u rri mbi krye.

 

 

Ti je dielli i mirësisë,

falë nga Zoti vetë,

e kurora e historisë,

shpëtimtar me fletë.

 

 

 

------------------------------

KOSOVË HYJNORE

------------------------------

 

 

Drita e shpirtit martir

shpërthen në diell e hënë,

ulet mbi ty, Kosovë hyjnore

të shenjtërojë tokën e qiellin tënd,

stolisur me heroizma përjetësie!

 

 

Me plagët e luftrave të thella sa deti

çudite planetin me forcën e qëndresës,

ishujt e gjakut që të shkaktoi serbi

dhe loti globit ia kaloi peshën,

detyroi botën që të mos heshti.

 

 

Nga varret buron himni i të rënëve,

i mijëra të zhdukurve pa varre,

o tokë hyjnore, gjëmim i lirisë

me eshtrat dhe gjakun e derdhur

ngrite themelet e Pavarëisisë!

 

 

Ti e munde kohën e rëndë tiranike,

Kosove martire, Kosovë e zjarrtë

ti fitove mbi Serbinë vrastare,

atdhe i kafshuar, mbushur me plagë

ti munde kohën e vdekjes pa varre.

 

 

Pritja e gjatë u ndal, mori fund

koha ktheu udhën drejt dritës,

fillim shekulli i 21-të u shkund,

hisen e diellit i dha shqipes,

Europa lan borxhin, vetveten korrigjon

Kosova martire plagët mjekon.

 

 

U shemb muri i vjetër i harresës,

i popullit që vdiste e lindte për liri,

i dheut të përgjakur, i popullit mbijetesës

i popullit që mbajti urinë në gji,

Kosova dardane, shkëmb i qëndresës

kreshnikja mes stuhive me dritën në sy!

 

 

Toka dardane, gjoksi i truallit tim

vizatohet në hartën e re të botës,

paçka se të verbërit mendje tym,

mbetur njëqind vjet pas kohës,

kafshojnë gjuhën plot helm,

me inatin ndër dhëmbë mbështjellë!

 

 

Tashmë s'mund të dënohesh në liri,

me plane djallëzore të njerëzve të sëmurë,

botës i është shtuar një shtet i ri,

ajo po nderon edhe një flamur,

simbolin tënd që valvitet në qiell,

Kosovë martire mbushur me diell!

 

 

Për hir të paqës ti lëshove shumë,

gjaku yt i pastër s'u derdh në flamur,

ai iu dha shpirtit për jetë e shërim,

atë e mbajti toka për paqe e liri,

vetëm shtizën ke nga eshtrat martire,

sfondin e flamurit mbush me mikro etnishë,

këtu rrjedh drita e demokracisë,

të voglin mbështet me dorën e Perëndisë.

 

 

Në luftën për çlirim ti pate aleatë

bllokun e lirisë, të fuqishmen NATO

ajo rezoluta dymbëdhjetë dyzet e katër

është një fjalë boshe, një kartë e djegur

paçka se djajtë krimin nbajnë në zemër,

ti je shkëputur njëherë nga Serbia,

këtë e shikon qorri, e di dhe fëmija!

 

 

Ata, që akoma tundin këtë kartë

janë hasmit e tu, mëkatarët e ngratë

miqtë e Sllobodanit që vdiq në Hagë,

akuzuar për krime e shfarosje të njerëzisë,

Hitler i Ballkanit, vrasës i lirisë!

 

Kosovë e përflakur me Himnin e Lirisë,

amanetin e të rënëve kurrë mos harro,

lirinë e fituar mbro dhe respekto,

vetveten korrigjo, pastro dhe reformo

drejt Perëndimit vrapo, fluturo!

 

 

Shtegëto, fluturo, o pjesë e trupit tim

në sfidën e madhe që koha na thërret,

o pjesë e kafshuar që sot u bëre shtet,

sofra europiane me mirënjohje po na pret!

 

 

Unë jam mes teje, në çdo gëzim

unë jam pranë teje në çdo udhëtim,

ti je gjaku dhe eshtra ime, Kosovë

ti je nderi, që emrin ma lartëson

ti je shpirti, që jetën ma gjallëron

ti je zemra, që gjakun ma pulson,

ti je princesha e dhimbjes sime,

plagët do shërohen, liria çel agime

ne jemi një, bijë të lirisë

Kosovë dardane, gjoksi i Shqipërisë!

 

 

 

-------------------------------------------------

NË THEMELET E SHËN-TRINISË

-------------------------------------------------

 

Përulemi para teje Shën-Trini,

në tempullin e dritës tënde,

shkruar gjuha shqipe sinfoni,

rrymë drite, horizonte me diamante.

 

 

Në themelet e lashta të Shën-Trinisë,

gurët copëza të ndezura dielli,

gjuha e moçme e Shqipërisë

shkruhet me ëmbëlsi nga Pal Engjëlli.

 

 

Mbi kokë Deja, rrethuar nga pyjet

kuvendin mbarëkishtar ndriçon,

brenda mureve ndizen yjet,

fjala e shqipes lulëzon.

 

 

Gjuha jonë erdhi nëpër udhët e hënës,

atëherë kur Zoti krijoi njerëzinë,

ruajtur në pasqyrime krojesh e zanash,

edhe kur u zemëruan Perënditë.

 

 

Gjuha ime u lind që atëhere,

kur Zoti krijoi kopshtin e Edenit,

me ngjyrat e ylberit në pranverë,

kristal i argjendtë lulëzoi qiellit.

 

 

Nga dielli lindi gjuha shqipe,

qëndisur me trendafila me vesë,

historia e saj e lashtë e tragjike

detyron diellin të ndalet, ta përshëndesë!

 

 

Gjuha ime eci në furtuna e agime,

si lumenj me yje rrodhi nëpër dete,

me gjurmët plot diell,

në tokë, ujë e qiell.

 

 

Gurët e maleve mbetën dëshmitarë,

për xhevahirin e gjuhës sime,

ata lartësohen në bedena kryelartë,

e na tregojnë gjuhën e Perëndive.

 

 

Gjuha ime shekujve u ngjit mbi diell,

bisedoi me engjëjt e lartësisë,

kërkoi ndihmën e Zotit në qiell,

të ruante gjuhën e Perëndisë.

 

 

Mbi lumenj gjaku kaloi gjuha e nënës,

nën vringëllimën e shpatave qëndroi,

argjend i dhimbshëm nën dritën e hënës,

mbi male eshtrash shekujsh pushoi.

 

 

Ajo mbeti si statuja e pritjes,

me durimin e arit nën male,

fosile e gjallë, nëna e gjuhëve të dijes

ruajtur në shekujt e akujve me halle.

 

 

Bedenat e hijeve i rrëzon drita,

që rrezaton në gjuhën ilire,

Zoti e ruajti mes malesh nga prita,

të bukur, si trëndafil i të katër stinëve.

 

 

Dhe ja, pas dhjetra shekujsh në kishën e Shën-Trinisë

rishkruhet me ëmbëlsi në letrën e bardhë,

gjuha ilire, gjuha e Perëndisë

pagëzuar në formulën e artë.

 

 

... Mati i mbretërve, mermer lashtësie

shekujve ka mbajtur kurorën e artë,

krenar buzëqesh në këtë përvjetor historie,

të gjuhës së ëmbël, të bukur, të zjarrtë.

 

 

© Bajram Canameti

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania